
Nuk ka dyshim që muaji i Ramazanit është muaji i shpalljes së Kuranit famëlartë. Prandaj, ky muaj konsiderohet si muaji i Kuranit. Kurani ka zbritur nëpërmes engjëllit Xhibril (a. s.). Në këtë mënyrë, engjëlli i Shpalljes i lexonte pjesët që ia shpallte të Dërguarit dhe të njëjtën e përsëriste i dërguari i Allahut fuqiplotë.
Pasi që e pranonte i Dërguari Shpalljen, ai ua përcillte dhe ua mësonte shokëve të vet, që ta lexojnë në mënyrën dhe formën më të bukur, më estetike. Në këtë mënyrë, kjo metodë ka arritur gjeneratë pas gjenerate deri në kohën e sotme dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e kësaj bote. Sipas kësaj, nënkuptojmë se Kurani duhet të mësohet nga një ekspert, mësues i mirë, i cili në terminologjinë fetare quhet “Femm muhsin” (lexues i mirëfilltë).
Duke pasur parasysh këtë fakt, në traditën islame, posaçërisht gjatë muajit të Ramazanit, është zhvilluar dhe kultivuar edhe tradita e leximit të Kuranit famëlartë, e cila quhet (emërtohet) mukabele, lexim i Kuranit nga hafëzat e shquar dhe të mirënjohur nëpër xhami të ndryshme dhe me ndjekjen e dëgjimin e xhematit, duke i kushtuar respekt të veçantë këtij leximi. Ky motivacion dhe inspirim buron nga ajeti i Kuranit, ku Allahu (f. p.) thotë:
“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.”
(El-A’raf: 204)
Kurani famëlartë është fjalë e Allahut (f. p.) dhe paraqet një ndër mrekullitë (muxhizet) më të mëdha të të dërguarit tonë, Muhamedit (a. s.). Kurani është udhëzues dhe shpëtim për njerëzit e devotshëm dhe për ata që marrin mësim nga Ai. Leximi i Kuranit është ibadeti, adhurimi më i madh dhe kontakti i robit me krijuesin, ngase edhe kur falim namaz, ne atë e falim me leximin e Kuranit.
Para së gjithash, duhet të dimë se Kurani është fjalë hyjnore e Allahut (f. p.) dhe në kohën e zbritjes së Kuranit poezia ishte në kulminacionin më të lartë. Pikërisht për këtë Kurani me rrymën e lartë hyjnore i mahniti dhe i la pa fjalë edhe poetët më të mëdhenj të asaj kohe. Leximin e Kuranit nuk e dëgjonin vetëm ata që e besonin, por kishin dëshirë të madhe për ta dëgjuar edhe ata që nuk e besonin, d.m.th. Kurani kishte ndikim edhe te jobesimtarët. Kurani me muzikalitetin e tij pati, ka dhe do të ketë ndikim të madh në historinë njerëzore.
Pasi që leximi i Kuranit paraqet një ibadet kaq të madh, myslimanët që në kohën e zbritjes së tij kanë treguar interes dhe kujdes të madh për leximin dhe formën e stilit sa më të bukur. Gjithë ky kujdes dhe interesim i madh është një inicim i vetë Pejgamberit (a. s.), i cili në shumë hadithe në mënyrë të qartë flet për këtë:
“Stolisni këndimin e Kuranit me zërin tuaj të bukur, sepse zëri i bukur ia shton edhe më tepër bukurinë Kuranit.”
“Çdo gjë e ka zbukurimin e saj, kurse zbukurimi i Kuranit është zëri i bukur.”
“Allahu nuk i kushton kujdes askujt sikurse një të dërguari që ka zë të bukur, i cili e lexon Kuranin me zë të qartë dhe të bukur.”
Musa el Esh’ariu ishte një ndër shokët e të Dërguarit, i cili kishte një zë shumë të bukur. Atë një natë, duke lexuar Kuran, e dëgjon i dërguari i Allahut (f. p.) dhe të nesërmen i thotë: “Ja Musa, ty të është dhuruar një nga mizmaret (meloditë) e Davudit (a. s.).”
Gjithashtu, i dërguari i Allahut (f. p.) e ka lavdëruar edhe Salim Hudhejfen, kur ka thënë: “E falënderoj Allahun (f. p.) që brenda ummetit kemi një personalitet si Hudhejfeja.”
Në vitet e para të shpalljes Kurani lexohej më thjeshtë, me një diapazon jo shumë të zgjeruar të zërit, por kishte ndikim të fortë te dëgjuesit. I pari që ka lexuar Kuranin me melodi të ndryshme është Abdullah ibni Ebu Bekri dhe më pas edhe nipi i tij, Abdullah ibni Omeri, i cili vazhdoi rrugën dhe stilin e Abdullah ibni Ebu Bekrit.
Ky stil i leximit nuk kishte lidhje me “Ginan” dhe “Hudan” (forma të zbukurimit të tepërt të zërit), ndërsa më vonë ky stil do të emërtohet si Kiraeti i Ibni Omerit (stili dhe mënyra e leximit të Ibni Omerit).
Këtë stil të leximit të Kuranit e vazhdoi Said el Al-laf, i cili, njëkohësisht, ka marrë lëvdata edhe nga kalifi i kohës së tij, Harun er Reshidi. Më vonë ky stil i leximit të Kuranit fillon të zëvendësohet edhe me meloditë që mbanin karakteristikat e vendeve nga ana e lexuesve lokalë. Sepse, me zgjerimin e kufijve të Shtetit Islam, me pranimin e Islamit nga joarabët, paraqiten disa shkolla të leximit të Kuranit:
-Stili i Hixhazit
-Stili i Kufës (Nebati)
-Stili i Basrës (Husrevani – Farisi- stili persian)
-Stili i Shamit (nën ndikimin e melodive të kulturës bizantine)
Përfaqësuesit e parë që kanë filluar ta lexojnë Kuranin duke i shtuar melodi të këngëve të ndryshme, si thurje dhe dridhje të tepërta të zërit, janë: El Hajtem el Al-laf dhe Aban ibni Taglib. Më vonë këtë metodë e ka ndjekur Ibni A’juni dhe Muhammed ibni Sad et Tirmidhiu.
Hajtem el Al-lafi ajetin kuranor “Emmes-sekinetu fekanet” e ka lexuar me një melodi të një kënge të njohur të asaj kohe, po ashtu edhe Muhammed ibn Sad et Tirmidhiu ka marrë melodi nga këngët profane dhe i ka modifikuar pjesët e ajeteve kuranore. Duke pasur parasysh këta faktorë të lartpërmendur, duhet të potencojmë se në këtë drejtim janë zhvilluar debate dhe polemika të ashpra në mesin e dijetarëve islamë. Duhet të kemi parasysh se asnjëherë me mendime të skajshme nuk mund të jepen përfundime të sakta dhe të shëndosha.
Përzierja e melodive të këngëve në leximin e Kuranit ka nxjerrë në dukje disa risi:
-Ter’id (dridhja e zërit gjatë leximit);
-Tatrib (ngritja dhe ulja e zërit, zgjatja e tepërt e meddeve (zgjatjeve) dhe vendosja e meddeve aty ku nuk e kanë vendin);
-Tahzin (leximi i Kuranit si me qenë i përmalluar);
-përforcimi i shkronjave aty ku nuk ka nevojë.
Si përfundim lirisht mund të konkludojmë se gjatë leximit të Kuranit duhet të kemi kujdes të madh dhe duhet që t’u përmbahemi rregullave të texhvidit (drejtleximit të Kuranit) dhe duhet të kemi parasysh se aq sa është i rëndësishëm zëri i bukur, po aq është me rrëndësi edhe përmbajtja e rregullave të drejtleximit, siç janë shqiptimi i shkronjave, zgjatja dhe matja e duhur në vende të caktuara, ikja nga meloditë joserioze që u ngjasojnë melodive të këngëve dhe vuajtja nga meloditë profane.
http://www.aktuale.mk/abas-jahja-ramazani-dhe-estetika-e-leximit-te-kuranit/