GJENOCIDI I DHJETË, MBROJTJA E PARË

Bosnjën, ashtu siç nuk e njohim!

Ashtu siç Evropa kryqëtare-inkuizitore gjatë periudhës, pothuajse dyshekullore (1099-1271) udhëhoqi dhjetë kryqëzata-plaçkitëse kundër botës islame dhe myslimanëve, të njëjtën gjë po e njëjta Evropë do ta lejojë në hapësirat e ish Jugosllavisë kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Historia nuk harroi pa shënua dhjetë gjenocidet të cilat u kryen ndaj boshnjakëve, mirëpo, nga të gjithë ato dhjetë gjenocide, ky i fundit (1992-1995) ishte me përmasa shumë më të tmerrshme dhe më shkatërrimtare, por u përcoll edhe me mbrojtjen e parë të organizuar nga një ushtri boshnjake.
Gjenocidi i parë ndaj Myslimanëve boshnjak ndodhi 584 vite pas kryqëzatave të para. Ky gjenocid zgjati prej vitit 1683 e deri në vitin 1699 dhe ishte gjenocidi dhe tragjedia e parë e madhe dhe kolektive ndaj myslimanëve që ndodhi gjatë dhe pas, të ashtuquajturës, Luftës së Madhe ose Luftës së Vjenës ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë. Pasi që Turqit në këtë luftë humbën pushtetin në Hungari, Sllavoni, Likë, Kërbavë, Dalmaci dhe në Grykën e Kotorit, të gjithë myslimanët e këtyre viseve të cilët nuk kishin mundësi të shpërngulen në kohë të caktuar në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në viset tjera në jug të Savës dhe Danubit, për një kohë të shkurtër, sikurse myslimanët e Spanjës para dy shekujve u mbytën, u persekutuan, u asimiluan ose u detyruan që me dhunë të konvertojnë në katolicizëm.
Spiritus movens (Lëvizësi shpirtërorë) dhe fuqia kryesore e të gjitha këtyre aksioneve antiislame ishte Kisha. Ajo bazohej në dogmat kishtare extra ecclesiam nulla sallus (shpëtimi ekziston vetëm në kishë, e assesi jashtë saj) dhe extra ecclesiam nullus propheta (jashtë Kishës nuk ekziston profet-mirësi, drejtësi dhe lidhje të vërtetë me Zotin). Ky është arsyetimi krishter-religjioz i kryqëzatave, Inkuizicionit dhe gjenocidit ndaj të gjithë jokrishterëve. Myslimanët, si dhe të gjitha objektet e kulturës dhe qytetërimit islam nuk u kursyen as për gjashtëmbëdhjetë vite (1683-1699) nga dora e zullumqarëve të krishterë, e as që ka mundur t’i mbrojë dhe t’i shpëtojë fakti se ata (të krishterët) para kësaj kohe prej vitit 1526-1683 sa sunduan myslimanët në të njëjtat vise, i kishin të garantuara të gjitha të drejtat njerëzore, fetare, kulturore dhe pronësore. Në vend të falënderimit dhe tolerancës ndaj myslimanëve, të krishterët e këtyre viseve, në emër të “religjionit të dashurisë”, parezervë dhe në mënyrë ekstreme ndaj tyre zbatuan parimin e vjetër pagano-faraonik; “Cuius regio eius religio” (i kujt është pushteti, i atij është edhe religjioni). Sikurse ata të jenë krijues të Tokës, e jo Zoti! Nga e kaluara e myslimanëve në këto vise kanë mbetur vetëm disa toponime dhe mbiemra të ndryshme, si p.sh. Haxhiqi... Për gjenocidin e parë ndaj myslimanëve, më me rëndësi është të theksohet se kanë luftuar Turqia dhe Austria, kurse viktimë ishin Myslimanët-boshnjakë!
Gjenocidi i dytë ndaj myslimanëve ka ndodhur në fillim të shekullit XVIII, gjegjësisht në vitin 1711 në vigjiljen e natës së Kolendrave. Atë natë është zbatuar, e ashtuquajtura “shfarosje e turkoshakëve”. Në këtë natë, në viset e “Malit të Zi të vjetër” u persekutuan, u mbytën dhe u dëbuan disa mijëra myslimanë. Një numër i vogël nga ata u strehuan në Nikshiq dhe në fshatin Tuxhemile afër Tivarit. Strateg, promotor ideor dhe agens (fuqi nxitëse dhe lëvizëse) i gjenocidit të dytë ndaj myslimanëve, kësaj rradhe në zonën e Malit të Zi, përsëri ishte Kisha, në këtë rast jo katolike, por ajo ortodokse. Për këtë pohim ekzistojnë dy dëshmi të pamohueshme: e para ështe se “shfarosja e renegatëve turkoshakë”, në realitet gjenocidi ndaj myslimanëve është realizuar në vigjilje të Kolendrave “festës më të madhe dhe më të shndritshme krishtere” dhe dëshmia e dytë është se atë ngjarje ose “shfarosjen e renegatëve” e këndoi peshkopi më i lartë kishtar si dhe poeti i njohur Petar Petroiviq Njegoshi në “Gorski vijenac”. Ai me këtë ofroi bazën epike të ideologjizuar dhe paradigmën për të gjitha gjenocidet e mëvonshme ndaj myslimanëve të Serbisë, Sanxhakut, Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës.
Gjenocidi i tretë ndaj myslimanëve, të cilin diplomati dhe historiani i njohur serb Stojan Novkoviq e emëroi si “shfarosje e përgjithshme e turqëve-myslimanëve nga populli”, ngjau në Serbi gjatë viteve (1804-1820). Për këtë gjenocid mund të thuhet se ishte pasojë e dy kryengritjeve serbe. Me fjalë të tjera, që nga fillimi i shekullit XIX, Serbia dhe Mali i Zi duke i dëbuar, persekutuar dhe shfarosë myslimanët dëshironin ta zgjeronin shtetin e tyre. Kështu që gjenocidi dhe shkatërrimi ndaj myslimanëve ishte qëllimi konstant dhe strategjik në politikën e Serbisë dhe Malit të Zi gjatë tërë shekullit XIX dhe XX. Pranë Kishës Ortodokse e cila që nga gjenocidi i dytë ka luajtur rolin kryesorë, në gjenocidin e tretë ndaj myslimanëve, kësaj kishe iu bashkëngjitën edhe historianët, politikanët dhe poetët të llojit të Njegoshit.
Gjenocidi i katërt ndaj myslimanëve ndodhi në periudhën (1830-1867) si pasojë e Hati-sherifit nga viti 1830. Me këtë akt juridik të Perandorisë Osmane iu mundësua Serbisë të fitojë statusin e principatës autonome vasale në brendinë e Perandorisë Osmane. E jo vetëm kaq, por, Serbia me këtë u inkurajua që t’i dëbojë myslimanët e Uzhicës, Shabacit, Sokollit dhe të Beogradit, gjë të cilën e realizuan prej vitit 1862, e deri në vitin 1867. Të gjithë myslimanët e dëbuar u vendosën në Bosnje, ku edhe i ngritën vendbanimet siç janë; Azizija e Poshtme dhe ajo e Epërme (Bosanski Shamac dhe Orashje)...
Gjenocidi i pestë ndaj myslimanëve, kryesisht ndaj turqëve dhe shqiptarëve, ndodhi në Serbi dhe Mal të Zi ndërmjet viteve 1876-1878. Pas kryengritjes në Hercegovinë, e cila ishte e nxitur dhe e udhëhequr nga Serbia dhe Mali i Zi, vjen deri te Kongresi i Berlinit (viti 1878). Në këtë Kongres vendoset që principatat e deriatëhershme autonome të Serbisë dhe Malit të Zi të fitojnë pavarësi dhe zgjerimin e territoreve të tyre. Serbia u zgjerua me rrethinën e Nishit, Pirotit, Toplicës dhe Vranjes, kurse Mali i Zi u zgjerua në Hercegovinë. Nga të gjitha këto vise dhe regjione ku u përhapën Serbia dhe Mali i Zi, myslimanët u dëbuan pamëshirshëm edhe për kundër faktit se Serbia ishte e obliguar që t’i respektojë vendimet e Kongresit të Berlinit ku parashihej liria fetare dhe të drejtat e myslimanëve. Në një periudhë prej gjashtëmbëdhjetë viteve (1862-1872) u rrënuan dhe u shkatërruan disa qindra xhami, sahat-kulla, mysafirhane, imarete, karevan seraje, hane, bezistene, librari dhe biblioteka të ndryshme në Beograd, Shabac, Uzhicë, Sokoll, Nish, Pirot, Prokuplje dhe Vranjë. Ky barbarizëm ndaj kulturës dhe qytetërimit islam ishte i njëjtë me atë që ndodhi dy shekuj më parë në Hungari, Likë, Kordun, Udbinë, Dalmaci dhe në Gjirin e Kotorit. Pra, në periudha të ndryshme kohore, gjatë 16 viteve (1862-1878), ndodhën dy gjenocide nga dy dushmanë të ndryshëm, por, me pasoja plotësisht të njëjta.
Gjenocidi i gjashtë ndaj myslimanëve erdhi si pasojë e okupimit të Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Në fillim myslimanët i’u kundërvunë okupimit Austro-Hungarez, por përsëri ky pushtet gjatë sundimit 115 vjeçar ua garantoi të gjithë qytetarëve të drejtat fetare-shpirtërore, fiziko-biologjike dhe ato materiale. Pushteti Austro-Hungarez konsiderohet si shtet i fundit juridik i cili sundoi në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas okupimit të Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, myslimanët e këtyre viseve filluan intensivisht të shpërngulen në drejtim të Sanxhakut, Kosovës, Maqedonisë, ku atëherë ende administronte Perandoria Osmane...
Gjenocidi i shtatë ndaj myslimanëve të këtyre trevave është ai i cili ndodhi në Sanxhak dhe Mal të Zi. Në këtë gjenocid u persekutuan mjaft myslimanë, veçanërisht ata të Pllavës dhe Gucisë. Qëllimi i këtij terrori dhe gjenocidi ishte që myslimanët e këtyre vendeve të detyrohen të konvertojnë në krishterizëm. Ky gjenocid ishte pasojë e drejtpërdrejtë e Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike.
Gjenocidi i tetë ndaj myslimanëve zgjati prej themelimit të Mbretërisë të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS) në vitin 1918, e deri në kohën e shpartallimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941. Pasi që jeta e myslimanëve në Jugosllavinë e parë nuk kishte kurrfarë vlere, gjenocidit i qenë nënshtruar veçanërisht myslimanët e Sanxhakut dhe Hercegovinës Lindore. Ashtu që në fshatin Shahoviqi, rrethi i Bjelopoles të Sanxhakut, më 07.11.1924 pa kurrfarë faji dhe arsyeje janë vrarë gjashtëqind myslimanë. Gjatë viteve të njëzeta, në Hercegovinë, sipas porosisë, planit dhe sistemit, nga komitët mbretërorë, janë mbytur më tepër se tre mijë myslimanë. Natyrisht, të gjithë këta myslimanë u mbytën pa u gjykuar. Nëpërmjet këtyre persekutimeve dhe vrasjeve kolektive, pamja e Hercegovinës Lindore ndryshoi në dëm të myslimanëve, por në dobi të serbo-malazezëve.
Gjenocidi i nëntë ndaj myslimanëve është kryer prej vitit 1941 e deri në vitin 1945. Sipas hulumtimeve të deritashme të Koçoviqit, Zherjaviqit, Dedijerit dhe Miletiqit (të gjithë jo myslimanë), në Luftën e Dytë Botërore u mbytën 103.000 myslimanë ose 8.1% e popullatës së përgjithshme myslimane. Numri më i madh i myslimanëve ishte viktimë e gjenocidit çetnik fqinjësor, në prag të shtëpisë, në oborr dhe në arë... Në nëntë gjenocidet e para myslimanët asnjëherë nuk iu kundërshtuan me armë kriminelëve dhe therësve të tyre. Përkundrazi, prej vitit 1683-1992, treqind e nëntë vite të plota, boshnjakët dhe përgjithësish myslimanët e Ballkanit, kanë pritur që therësit dhe kriminelët përfundimisht të thonë se ne do t’ua falim atë që ne ju therim dhe ju mbysim dhe në të ardhmen do të kemi mëshirë. Ajo asnjëherë nuk ndodhi. Ai ishte një iluzion dhe vetëmashtrim i madh.
Gjenocidi i dhjetë ndaj myslimanëve boshnjak do të ndodh nga muaji prill të vitit 1992, e deri në nëntor të vitit 1995. Ky është një gjenocid i cili bën përjashtim nga të gjitha ato të më hershmit. Gjenocidi i këtij fundshekulli ndaj myslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës është më mizori, më i vrazhdë, më i përgjakshëm dhe me përmasa më të mëdha dhe më të tmerrshme se të gjitha ato të kaluarit. Ky gjenocid është paralajmëruar gjysmë viti më herët dhe ka ndodhur para syve të tërë botës: nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, OBSE-s dhe nën dirigjimin e Bashkësisë Evropiane. Ky është gjenocidi i parë ndaj myslimanëve në të cilën, njëkohësisht dhe në një farë mënyre bashkërisht marrin pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia. Në nëntë gjenocidet e mëparshme, Serbia dhe Kroacia asnjëherë bashkërisht dhe në një kohë nuk sulmuan, mirëpo, krahas të gjitha vuajtjeve, persekutimeve dhe therjeve, në këtë gjenocid të dhjetë, myslimanët për të parën herë të organizuar si popull, përmes ushtrisë, policisë, politikës dhe shtetit, luftojnë me të gjitha mjetet dhe në çdo mënyrë u përballojnë çetnikëve dhe ustashëve, edhe atë me të vetmin argument që ata e kuptojnë - armën.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme