
Shembull: librat islamë
Duke mos dashur që këtë kritikë ta shtrij përtej fushës ku nuk kam informacion të plotë, po përqendrohem vetëm në një aspekt, të cilin e kam përcjellë me kujdes: botimet dhe në veçanti ato islame.
Për të mos u keqkuptuar; nuk jam ksenofob. Kritika i drejtohet vetë punës së shoqatave dhe organizatave të jashmte, sidomos atyre islame. Jam i vetëdijshëm për kontributin e tyre pozitiv, që kur të krahasohet me mjetet që janë harxhuar dhe të peshohet me kontributin negativ, ndoshta nuk fitohet një rezultat me të cilën mund të krenohen. Sido që të jetë, ky artikull mëton të hedh dritë në veprimtarinë antikulturore të këtyre shoqatave me të vetmin qëllim që të hapet debat për këtë çështje me shpresë se kjo do të ndikojë për të mirë në punën e tyre. Kritikës dhe debatit nuk duhet frikësuar. Ajo vetëm stimulon mendimin kreativ dhe ndalon keqpërdorimet e ndryshme të pushtetit.
Nëse ia lëshojmë sytë veprimtarisë botuese islame të organizatave islame në Kosovë në periudhën e pasluftës shohim se kanë dominuar libra të ribotuar disa herë, niveli i ulët përmbajtësor e teknik i të cilëve të trishtojnë, dhe çka është më keq, dominojnë tituj që nuk përkojnë me nevojat intelektuale, kulturore dhe nivelin fetar të popullit të Kosovës. Ajo çfarë këto organizata kanë bërë është ribotimi i disa librave që kishin për qëllim të aplikonin shabllone të huaja për realitetin kosovar dhe për të importuar nga bota arabe probleme kulturore, politike, ideologjike e të tjera të cilësuara si “fetare” te ne. Thënë shkurt bëhet fjalë për gjuajtje të parave në byrokraci të tepërt dhe në botime që më së paku që mund të themi është se nuk kanë patur kurrfarë ndikimi në ngritjen e kulturës islame te lexuesit shqiptarë.
Nëse flasim për gazeta dhe revista apo shtypin periodik që kanë sponsorizuar këto organizata nuk mund të themi diçka të mirë, sepse nuk ka asnjë që ka arritur të jetë zëri islam dhe i muslimanëve.
Pse ndodh kjo?
Kam përshtypjen se stafin që këto organizata e dërgojnë në Kosovë (nga drejtorët e deri te studentë misionarë që vijnë për të kaluar pushimet verore në flladin e maleve tona) nuk kanë as ide të përgjithshme për historinë, kulturën dhe fenë te shqiptarët. Për më keq, shumë prej tyre përvojën e fituar në ndonjë vend afrikan a aziatik e aplikojnë te ne. Ka përjashtime, natyrisht, por ata nuk janë në pozita udhëheqëse, fatkeqësisht. Kjo rezulton në një udhëheqje autokratike, nepotizëm dhe turli turpi tjetër që nuk ka të bëjë kurrgjë me parimin e “shuras” islame.
Pozita e aktivistëve lokalë
Fati i keq është se shumë studentë të shkencave islame kur të kryejnë studimet, ose për shkak se dështojnë të punësohen në institucionet e Bashkësisë Islame (nëpër xhami si imamë, në medrese e fakultete etj.) ose të joshur nga paga më e mirë nëpër këto organizata, bëhen argatë të tyre duke legjitimuar në njëfarë mënyre punën e tyre.
Natyrisht, ekziston edhe kategoria tjetër që duke u pajtuar me “thirrjen e drejtë” që e propagandojnë këto organizata, bëhen mbrojtës fanatikë të programeve të tyre.
Ata veprimtarë që provojnë të flasin dhe të bashkëpunojnë me këto organizata me qëllim që të vënë raporte bashkëpunimi prej një pozite pa kompleksin inferior, zakonisht nuk hasin në mirëkuptim ngase shihen si rival, e jo si bashkëpunëtorë.
Ka prej tyre që e konsiderojnë të kotë të flasin me drejtorët rajonalë të këtyre organizatave, ngase – siç u shpreh njëri prej tyre – “këta janë vetëm sekretarë të drejtorëve në vendet origjinale ku ato i kanë selitë e tyre”.
Aq më pak flitet për vënien e këtyre veprimeve zvetënuese në mejdanin e kritikës objektive dhe konstruktive! Po për vetëkritikë? Çka ashtë ajo?!!
***
T’ju them të drejtën, duke parë mosseriozitetin dhe mosefikasitetin e këtyre shoqatave, nuk pres kushedi se çfarë prej tyre, por keqardhje të madhe ndjej kur shoh se si menaxhohen (hedhen) paratë e bamirësve myslimanë që ia kanë besuar këtyre fondacioneve. Ishte shpresa e fundit se dikush nga bota e madhe islame do të ndërtojë urë mbi hendekun në mes muslimanëve vendas dhe të jashtëm dhe nuk do të na dëshpërojë. Por edhe kjo shpresë u venit duke vërtetuar përfundimisht qëndrimin se duhet ndalë marshin e pakrye të çdo ndërmarrjeje të huaj që me arrogancë merr frerët e thirrjes islame në tokën e huaj. Natyrisht, në demokraci kjo bëhet duke konkurruar në tregun e lirë të ideve dhe përmes një presioni të natyrshëm shoqëror, që spontanisht refuzon çdo ide të gabuar, të huaj e ekstreme.