Për çfarë ligjëratash kemi nevojë

Ardhja e ramazanit është datë e veçantë për të gjithë besimtarët e madje edhe për ata që janë indiferentë apo janë edhe kundërshtarë të fesë. Secili nga pikëvështrimi i tij ka interesin për ramazanin dhe përmbajtjet brenda tij. Ramazani i gëzon besimtarët edhe për shkakun që së paku gjatë këtij muaji duan të pushojnë shpirtërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Sepse, sipas tyre, njëmbëdhjetë muaj janë të bombarduar nga gazetat e televizionet me shpifje, gënjeshtra, ofendime etj.

Besimtarët presin që dobësitë eventuale të identifikuara nga e shkuara këtë vit mos t’i shohin, kurse ramazanin vijues e presin me shumë shpresa dhe dëshirë për risi. Shpeshherë këto pritje i ushqejmë vetë por edhe mangësitë e mundshme i shkaktojmë vetë, sepse nuk bëhemi vetëkritikues por kemi dëshirë të dëgjojmë për veten mirë edhe kur nuk është mirë, edhe kur nuk meritojmë lëvdata. Nëse edhe bëhet ndonjë kritik rasti, ajo pranohet si sulm mbi prijësit fetarë ose sulm mbi institucionet fetare, qoftë edhe në thelb e mirë si kritikë.

Diç që po ma vret syrin dhe mendjen tash disa vite është indiferenca e besimtarëve ndaj programeve, respektivisht ndaj ofertave të zyrtarëve të bashkësisë muslimane. Dikur, edhe pse televizioni ishte shterp në aspekt të programeve për fe, edhe pse nuk kishte facebook apo twiter për të njoftuar e reklamuar ndonjë ngjarje, ligjëratë apo ndodhi, mjaftonte lajmi më i vogël që njerëzit të tubohen me shumë sinqeritet e dashamirësi. Por, sot, organizimi i ligjëratave në xhaminë më të mirë, nga imami më i mirë nuk zgjon kureshtje te besimtarët. Për ligjëratën nuk flitet e përflitet, për ligjëratën nuk ka interesim, madje shpesh përjetohet si barrë e bezdi.

Një ndër shkaqet për këtë gjendje janë vërshimi i mediave informative, kundrejt gjendjes së dikurshme kur e vetmja mënyrë e komunikimit ka qenë imami dhe besimtari në formën e dhënies ders. Në kohën jo fort të largët përgatiteshin ligjërata, ndoshta me numër më të vogël se sot, por gjithsesi mjaft ligjërata. Edhe pse ligjëronin emra të njohur interesimi nuk ishte i duhur. Sipas asaj që shihej, organizimi dukej stihik, rutinor, më tepër çështje statistikash, që kur raportohet për aktivitetet e ramazanit, të ketë mundësi të shkruhen faqe të tëra. Askush nga kritikuesit nuk mund të thoshte se nuk ka pasur ligjërata; askush nuk mund të thotë se ligjëratat ishin të dobëta, sepse dashurimi me vetveten mbyll sytë dhe ulë kapacitetin e të kuptuarit. Kur më në fund vërehet dështimi, futja e ca risive duket e zbehtë, sepse besimtarët nuk kanë besim se risitë në fjalë do të sjellin freski.

Mendoj se shumësia e ligjëratave në televizione e radio, apo në mjetet tjera elektronike e vizive, nuk do ta arrijë efektin. Për më tepër që ligjëratat janë stereotipe, të papërgatitura, shpesh herë as të titulluara, dhe më e keqja shpesh kundërshtuese me bashkëligjëruesit tjerë. Prandaj, risitë në program duhet të gjejnë vend, por çdo risi duhet të jetë e menduar mirë e jo rezultat i vetëkënaqësisë së brendshme. Duke marrë parasysh kohën e shkurtër mes akshamit dhe teravisë dhe teravisë e syfyrit, zvogëlimi i ligjëratave dhe futja e leximit të Kur’anit në vend të gjysmës së ligjëratave do të ishte një veprim i drejtë. Edhe më aspektin metodologjik, ngarkimi i xhematit me shumë detyrime është i gabueshëm. Ligjëratat që herë pas here do të mbahen, të ligjërohen nga njerëz të dijshëm, të pakompromentuar, imam të zanatit e jo që as në xhaminë e tij nuk gëzon autoritet e lërë në nivel rajonal apo kombëtar.

Gjithashtu, disa imamë, duke synuar të duken të jashtëzakonshëm e superiorë, ndërlikojnë ligjëratat me elemente të tepërta shumëmedhhebore, në vend që të jenë të qartë, praktik dhe bindës. Kjo huton besimtarët edhe nga gjerat e njohura e lere më nga të panjohurat.

Disa imamë nga “gjenialiteti” i tyre, përdorin tekste të shkëputura nga tërësia, duke krijuar më shumë provokim sesa shpjegim. Ky gjenialitet i tyre ndërlikohet edhe më shumë kur para masës së gjerë ceket zinxhiri transmetues i hadithit dhe në vend që të përqendrohet në esencën e porosisë së hadithit, imami humb energjinë në gjerat teknike, për masën të tepërta dhe dezorientuese.

Këto dhe mangësi tjera ndikojnë drejtpërdrejt në zbehjen e besimtarëve për ligjëratat e imamëve, madje ndikojnë tërthorazi në ikjen e besimtarëve dhe gjetjen prehë diku tjetër, herë-herë edhe para televizorit apo kompjuterit. 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme