
Në emër Të All-llahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
1. Elif, Lam, Ra. Këto janë ajetet e librit të qartë!
2. Pa dyshim Ne e shpallëm si Kur’an në gjuhën arabe, që ta kuptoni!
3. Ne ty të rrëfejmë rrëfimet më të bukura duke ta shpallur këtë Kur’an, edhe pse para tij, me të vërtetë, ti nuk ke ditur asgjë.
4. Kur Jusufi i tha babait të vet: ’O babai im!, kam parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, edhe Diellin, edhe Hënën; dhe i kam parë (në ëndërr) se si më bënin sexhde mua!
5. Ai (babai) tha: ‘O biri im, mos ua rrëfe ëndërrën tënde vëllezërve tu, që mos të ta bëjnë ndonjë të keqe (kurthë); s’ka dyshim se djalli është armik i hapët i njeriut!
6. Por, ashtu Krijuesi yt ty do të zgjedh, dhe me shpjegimin e ëndrrave do të mësojë dhe dhantinë e Tij ty dhe familjes së Jakubit do t’ia plotësojë, ashtu siç ua ka plotësuar më parë dy të parëve tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Krijuesi yt, pa dyshim, është i gjithëdijshëm dhe i urtë.
7. Njëmend te Jusufi dhe vëllezërit e tij ka shenja (mësime) për ata që pyesin.
8. Kur ata (vëllezërit) thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur për babain tonë se sa ne, edhe pse ne jemi një grupim i fuqishëm. Njëmend babai ynë po gabon haptazi.
9. Mbyteni Jusufin apo dëbonie në ndonjë vend të largët, e babai juaj do t’u kthehet juve dhe pas kësaj ju do të bëheni njerëz të mirë.
10. Njëri nga ata tha: “Mos e mbytni Jusufin, por hedhnie në fund të ndonjë bunari, do ta gjejë ndonjë karvan – nëse njëmend dëshironi të bëni diçka me të."
11. Ata (vëllezërit) thanë: O babai ynë, ç’është me ty që nuk ke besim te ne për Jusufin. Ne pa dyshim jemi nga ata që do ta këshillojmë.
12. Dërgoje nesër me ne që të argëtohet e të luaj, kurse ne, me siguri, do ta ruajmë atë.
13. (Kurse Jakubi) tha: “Do të brengosem nëse e merrni, dhe frikësohem se mos do ta hajë ujku kur ju nuk do të kujdeseni për të.
14. Ata thanë: “Si do ta hajë ujku kur ne jemi grup i fuqishëm! Ne atëherë më mirë mos qofshim!
15. Pasi e morën dhe vendosën ta hedhin në fund të bunarit, Ne i shpallëm atij: “Ti për këtë veprim të tyre do t’i njoftosh, kurse ata ty as nuk do të njohin”.
16. Dhe në mbrëmje ata erdhën te babai i tyre duke qarë.
17. Ata thanë: “O babai ynë, patëm shkuar të garojmë në vrap, kurse Jusufin e lamë të teshat tona, ashtu që atë e hëngri ujku. Ti nuk do të na besosh, edhe pse ne të vërtetën e flasim.”
18. Dhe ia sollën këmishën e tij të njomur me gjak të rrejshëm. Ai tha: “Jo, por epshet tuaja ua zbukuruan punën tuaj, dhe mua më mbetet vetëm durim i mirë. Nga Allahu kërkoj ndihmë kundër kësaj që ju e përshkruani.
19. Dhe erdhi një karvan, dhe e dërguan ujëmbushësin e tyre që të mbushë ujë me kovë. “Sihariq”, bërtiti ai, “ja një djalosh”! Dhe ata e fshehën si mallë tregtar, kurse Allahu e dinte mirë se ç’bënë ata.
20. Dhe e shitën me një çmim përbuzës, për disa dirhem; mezi pritën që atë ta heqin qafe.
21. Kurse ai njeriu nga Egjipti që e bleu i tha gruas së tij: “Bëni qëndrim të këndshëm! Ndoshta na bëhet i dobishëm por edhe mund ta birëzojmë”. Ja kështu ne Jusufit në Tokë vend të mirë i dhuruam dhe me shpjegimin e ëndrrave e mësuam – Allahu ka fuqi ta zbatojë vendimin e Tij, por shumica e njerëzve këtë nuk e dijnë.
22. Dhe kur ai arriti pjekurinë, dhe e pajisëm me urtësi dhe dituri. Ashtu ne i shpërblejmë mirëbërësit.
23. Dhe ajo në shtëpinë e së cilës gjendej ai, filloi ta nxisë atë në mëkat; i mbylli të gjitha dyert dhe i tha: “Eja ti!” Tha ai: “Ruajna Zot!” “Zotëriu im është kujdesur ndaj meje dhe me siguri të padrejtët nuk do të shpëtojnë.
24. Dhe ajo e dëshiroi atë, por edhe ai ate do ta dëshironte sikur të mos e kishte parë dëshminë nga Krijuesi i tij. Dhe kështu nga ai të keqen dhe imoralitetin e mënjanuam, sepse ai me të vërtetë ishte nga robërit tanë të sinqertë.
25. Dhe ata të dy vrapuan kah dera, kurse ajo nga prapa e grisi këmishën e tij – dhe burrin e saj skajë derës e takuan. Ajo tha: “Çfarë është dënimi për atë i cili dëshiron t’i bëjë keq familjes tënde, (çka) tjetër pos burgosje apo edhe dënim më të dhembshëm.
26. Ai tha: “Ajo mua tentoi të më mashtrojë në mëkat.” Një dëshmitar nga familja e saj filloi të dëshmojë: “Nëse këmisha e tij është e grisur nga ana e përparme atëherë ajo fletë të vërtetën, kurse ai të pavërtetën.
27. Por, nëse këmisha e tij është e grisur nga prapa, atëherë ajo gënjen kurse ai fletë të vërtetën.
28. Dhe kur ai e pa se këmisha e tij është e grisur nga prapa, tha: “Kjo është një dredhi e jotja, kurse vërtetë dredhitë tuaja janë të mëdha.
29. Ti, o Jusuf, lëre këtë, kurse ti, i tha asaj, kërko falje për mëkatin tënd, se me vërtetë ti je ajo që ke gabuar.
30. Dhe gratë e qytetit filluan të flasin: “Gruaja e Ministrit ka tentuar ta përvetësojë atë djaloshin e vet, në të është dashuruar tmerrësisht! Njëmend ne e shohim se ajo është në lajthitje të vërtetë!”
31. Dhe kur ajo dëgjoi përgojimet e tyre, i ftoi ato dhe iu përgatiti ndeje (gosti) dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë dhe (Jusufit) i tha: “Dil para tyre!”; dhe kur ato e panë atë (Jusufin) u mahnitën nga bukuria e tij dhe nëpër duart e tyre u prenë dhe thanë: “O Zot, o Zot! Ky nuk është njeri, por ky është një engjëll fisnik!
32. Ajo tha: “Ja, kjo është për çka më keni qortuar. Përnjëmend dëshirova ta mashtroj, por ai kundërshtoi, por nëse ai nuk pranon atë që unë e urdhëroi, në burg njëmend do ta hedhi dhe do të jetë ndër të përçmuarit!”
33. Ai tha: “O Zoti im! Më tepër e dëshiroj burgun nga ajo çka më ofrojnë ato. Dhe nëse Ti nuk më largon prej dredhisë së tyre unë mund të ndiej simpati ndaj tyre dhe të bëhem prej injorantëve”.
34. Dhe Zoti i tij e pranoi lutjen e tij dhe e shpëtoi nga dredhitë e tyre! Ai pa dyshim dëgjon dhe di shumë.
35. Pastaj u ra ndërmend, edhe pse u bindën se është i pafajshëm, që ta hedhin për një kohë në burg.
36. Me të në burg hynë edhe dy djelmosha; njëri prej tyre dyve i tha: “Kam parë një ëndërr sikur po shtrydhja verë”, kurse tjetri tha: unë kam parë një ëndërr se isha duke bartur mbi krye një bukë nga e cila hanin shpendët. Na shpjego këtë sepse ne e shohim se ti njëmend je njeri i mirë.”
37. (Jusufi) tha: “Asnjë shujtë e ushqimit nuk do t’u vijë e unë të mos di t’ju them se çka do t’ju sjellin nga ushqimi para se t’ju vijë ai. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që më ka mësuar Zoti im. Unë kam flakur fenë e popullit që nuk beson në Zotin dhe i cili mohon Botën tjetër,
38. dhe ndjek fenë e të parëve të mi, Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Neve nuk na ka hije që Allahut t’i përshkruajmë asnjë rival. Kjo është mirësi e Allahut për ne dhe për të gjithë njerëzit, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.
39. O shokët e mi të burgut!, a janë më të mirë zotat e llojllojshëm apo Allahu, i vetmi ngadhënjimtar?
40. Çkado që të adhuroni pos Allahut janë vetëm emra të cilëve ua keni ngjitur ju dhe të parët tuaj. Allahu për ata kurrfarë dëshmie nuk ka shpallur, kurse gjykimi përfundimtar i përket vetëm Allahut. Ai ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Atë. Kjo është feja e vetme gjithnjë e mirëfilltë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
41. O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i japë të pijë verë zotëriut të vet, e tjetri do të jetë i gozhduar, kurse shpendët do të hanë prej kokës së tij. Çështja tashmë është vendosur për atë për të cilën më pyetët ju.
42. Dhe atij nga ata të dy për të cilin mendonte se do të jetë i shpëtuar, (Jusufi) i tha: “Më përkujto mua te zotëriu yt”, mirëpo djalli bëri që ai të harrojë ta përmend te zotëriu i vet dhe ai (Jusufi) mbeti në burg disa vjet.
43. Dhe mbreti tha: “Njëmend kam ëndërruar se shtatë lopë të liga i hanin shtatë lopë të majme, dhe kam ëndërruar shtatë kallinj të blertë dhe po aq të tjerë të tharë. O pari, ma shpjegoni ëndrrën time nëse dini t’i shpjegoni ëndërrat?”
44. Ata thanë: Këto janë ëndërra të ngatërruara. Ne nuk dimë të shpjegojmë ëndërra.
45. Dhe atëherë, pas aq vjetësh, u kujtua njëri nga ata dy, ai që shpëtoi, dhe tha: “Unë për domethënien e ëndërrës do t’ju njoftoj, vetëm më dërgoni mua (te Jusufi).”
46. O Jusuf, o njeri i mirëfilltë, na shpjego ç’do të thotë shtatë lopë të liga i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të blertë dhe po aq të tjerë të tharë, dhe të kthehem te njerëzit që edhe ata ta dinë këtë.”
47. Ai (Jusufi) tha: “Do të mbillni shtatë vjet rresht dhe atë që e korrni e lini në kallinj, përveç një pakice që do të hani.”
48. Sepse pas asaj do të vijnë shtatë (vite) të vështira që do ta hanë atë çka keni përgatitur për të, përveç asaj pakice që e keni ruajtur për farë.
49. Pastaj, pas këtyre, do të vij një vit në të cilin njerëzit do të kenë shi me bollëk (bereqet) dhe në të cilin do të shtrydhin (rrush e vaj).”
50. Dhe mbreti tha: “Silleni atë para meje”. Dhe kur i erdhi i deleguari këtij (Jusufit), ai tha: “Kthehu te zotëriu yt dhe pyete: ç’u bë me ato gra që i patën pre duart e tyre. Zotëriu im njëmend i di dredhitë e tyre.”
51. Ai (sunduesi) tha: “Si qe puna e juaj kur deshët ta mashtroni Jusufin. Ato thanë: “Ruana Zot, ne nuk dijmë gjë të keqe për të.” “Tash do të dalë e vërteta në shesh! - tha gruaja e Azizit. Unë jam përpjekur ta mashtroj atë, kurse ai është njëmend prej të sinqertëve.”
52. Ashtu, ai le ta dijë, se në mungesë të tij, unë nuk e kam tradhëtuar! Sepse njëmend Allahu nuk lejon që të sendërtohen dredhitë e mashtruesve.
53. Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (epshi) njëmend ka prirje kah e keqja, përveç atij ndaj të cilit mëshirohet Zotëriu im! Krijuesi im vërtet fal dhe mëshiron.
54. Dhe sunduesi tha: “Ma sillni mua atë, do ta marrë në suitën time“ – dhe pasi bisedoi me të, i tha: Ti prej sot te ne do të jesh i fuqishëm dhe i besueshëm.
55. Ai tha: “Me vendos përgjegjës të depove në vend. Unë vërtet jam i kujdesshëm dhe i ditur.”
56. Dhe kështu ne Jusufin e bëmë të fuqishëm në vend, kudo që të dëshirojë ai. Ne mëshirën tonë ia dhurojmë kujt të dëshirojmë Ne dhe nuk lejojmë të humb shpërblimi për bëmirësit.
57. Kurse shpërblimi në botën tjetër është më i mirë për ata që kanë besuar dhe që ruhen nga mëkatet.
58. Dhe vëllezërit e Jusufit erdhën dhe hynë tek ai; dhe ai i njofti ata por ata nuk e njoftën atë.
59. Dhe pasi i furnizoi me ushqim të nevojshëm, iu tha: “Ma sillni vëllain tuaj nga babai juaj; a nuk shihni se masën e plotë (me ushqim) dhe jam mikëpritësi më i mirë.
60. Nëse nuk ma sillni atë, nuk do të ketë tek unë më ushqim për ju dhe mos ejani te ne.
61. Ata thanë: “Ne do të përpiqemi ta bindim babain e tij që të ndahet nga ai dhe (vëllain) vërtet do ta sjellim.
62. Kurse Jusufi u tha djelmoshave të vet: “Ngarkoni barrët e tyre në kafshët e tyre, e ata kur të kthehen te familjet e tyre, këtë ta dallojnë dhe që të kthehen përsëri.”
63. Dhe kur u kthyen te babai i tyre, ata thanë: “O babai ynë! Nuk do të na jep më ushqim. Për këtë arsye, dërgoje me ne vëllain tonë që të marrim ushqimin tonë, dhe ne pa dyshim do ta ruajmë atë.”
64. Ai tha: “Vallë, t’ua besoj atë ashtu si ua besova qysh më herët vëllain e tij?” “Por, Allahu është ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi prej më të mëshirshmëve!”
65. E kur i hapën barrët e tyre, dhe gjetën se gjësendet e tyre janë të tyre, ata thanë: “O babai ynë, ç’dëshirojmë më tepër? Ja, këto janë gjësendet tona, na janë kthyer mbrapa. Dhe me ushqimin do ta furnizojmë famijen tonë dhe vëllain tonë do ta ruajmë dhe një barrë deveje ushqim më tepër do ta fitojmë. Kjo është barrë e parëndësishme.
66. (Jakubi) tha: “Me ju nuk do ta dërgojë deri sa nuk më jepni zotimin tuaj të fortë se me të vërtetë do të ma ktheni prapë, përveç nëse ju nuk pësoni. Dhe pasi ata u zotuan, ai tha: “Allahu është garantues (vekil) për këtë çka themi.”
67. O bijtë e mi, - tha ai – mos hyni vetëm për një derë, por hyni në dyer të ndryshme! Unë nuk mund t’ju shpëtoj nga ajo që ua cakton Allahu. Përcaktimi i përket vetëm Allahut; Atij i mbështetem dhe vetëm në Të le të mbështeten ata që mbështeten!”
68. Dhe kur hynë ashtu siç i kishte urdhëruar babai i tyre, kjo aspak nuk u ndihmoi të kursehen nga ajo që Allahu ua ka caktuar; fuqia i përket vetëm Atij, por kështu u plotësua dëshira e Jakubit, të cilën ia plotësoi (Zoti). Kurse ai është vërtet dijetar i madh në atë çka e kemi mësuar, mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë.
69. Dhe kur hynë para Jusufit, ai e afroi vëllain e vet dhe i tha: “Unë me të vërtetë jam vëllai yt, dhe mos u dëshpëro për atë që vepruan ata!”
70. Dhe pasi që i furnizoi me ushqim të nevojshëm, në barrën e vëllait të vet e vendosi një gotë dhe pastaj një lajmëptar filloi të bërtiste: “O karavan, ju njëmend qenkeni vjedhës”!
71. Duke u kthyer nga lajmëtari, thanë: “Çka keni humbur!”
72. Thanë: “Kemi humbur gotën e mbretit dhe kush e sjellë ate do ta fitojë një barrë deveje me ushqim. Për këtë unë garantoj.
73. Ata thanë: “Për Allahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur të bëjmë çrregullim në vend; ne njëmend nuk jemi vjedhës.”
74. Thanë: “Çfarë është dënimi nëse nuk flisni të vërtetën?”
75. (Vëllezërit) thanë: “Dënimi për atë, te barra e të cilit gjendet gota, është vetë ai. Kështu ne i dënojmë tiranët.”
76. Dhe filloi të kërkojë nëpër thasët e tyre, para thesit të vëllait të vet, e pastaj nxori gotën nga barra e vëllait të tij. Ne e mësuam Jusufin që këtë mashtrim ta bëjë, sepse ai sipas ligjit të mbretit të vet nuk mund ta ndalte si rob vëllain e vet, përveç me dëshirë të Allahut. Ne e lartësojmë atë që Ne duam, kurse mbi çdo dijetar ka edhe më të Ditur.
77. (Vëllezërit) thanë: “Nëse ka vjedhur, po edhe para vëllai i tij pati vjedhur!” Dhe Jusufi nuk u tha asgjë. “Ju jeni në gjendje më të keqe” mendoi në vete, e Allahu e di më së miri atë për çka ju flisni (përshkruani).”
78. (Vëllezërit) thanë: “O sundues (Aziz), ai ka një baba shumë të moshuar, ndaj merre ndonjërin prej nesh në vend të tij! Vërtet ne shohim se ti je njeri bamirës.
79. “Zoti na ruajtë”- tha (Jusufi)- “si ta marrim tjetërkend në vend të atij ku i gjetëm gjësendet tona ? Ne atëherë njëmend do të ishim mizorë”!
80. Dhe kur i humbën tëra shpresat, u ndanë anash që të konsultohen. Më i vjetri ndër ata tha: “A nuk e dini se i jeni betuar babait tuaj, por edhe më herët me Jusufin keni gabuar? Nuk e lëshojë dot këtë vend deri sa babai im këtë nuk ma lejon, ose deri sa Allahu nuk gjykon në favor timin. Kurse Ai është gjykatësi më i mirë.
81. Kthehuni te babai juaj dhe thuani: “O babai ynë, biri yt ka vjedhur; ne pohojmë vetëm atë që kemi parë, dhe ne nuk kemi mund të mbrohemi nga ajo që është e fshehtë.”
82. Ti pyete qytetin në të cilin kemi qenë dhe karvanin me të cilin kemi ardhur. Ne vërtet flasim të vërtetën.
83. (Jakubi) tha: “Jo, por shpirti juaj në këtë u ka shpjerë, ndaj mua më mbetet durim i mirë. Është për të shpresuar se Allahu do të m’i kthejë të gjithë. Ai, njëmend, është i gjithëdijshëm dhe i urtë.
84. Dhe ua ktheu shpinën atyre dhe tha: “O dëshpërimi im (O i mjeri unë) për Jusufin; sytë iu kishin zbardhur prej pikëllimit, ka qenë shumë i dëshpëruar.
85. Ata thanë: “Pasha Allahun, ti aq e përmend Jusufin sa që është frikë se do të sëmuresh ose do të vdesësh”!
86. “Unë”, tha ai (Jakubi), “pikëllimin tim dhe dhembjen time ia shprehi vetëm Allahut dhe nga Allahu di atë që ju nuk dini.”
87. O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtonie Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vetëm pabesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut.”
88. Dhe kur ata dolën para tij (Jusufit), ata thanë: “O Aziz (sundues), neve dhe familjen tonë e ka goditur një fatkeqësi e madhe, kemi sjellë gjera me vlerë të vogël, por ti na jepë masën e plotë dhe na jep sadaka, sepse Allahu njëmend i shpërblen ata që ndajnë sadakë.“
89. Ai (Jusufi) u tha: “A e dini se ç’keni bërë me Jusufin dhe vëllain e tij kur keni vepruar si injoratë.”
90. A mos je ti, me të vërtetë, Jusufi!, britën ata. “Po, unë jam Jusufi, kurse ky është vëllai im - u përgjigj. Allahu na ka mëshiruar neve. Me të vërtetë, kush frikësohet dhe kush bën durim, Allahu nuk lejon të shkatërrohet shpërblimi për ata që bëjnë vepra të mira.”
91. Ata thanë: “Për Allahun, Allahu të ka lartësuar mbi neve, ne me të vërtetë kemi gabuar.!
92. Ai tha: “Unë tash nuk do t’u qortojë juve, Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi prej mëshiruesve.”
93. Çojeni këtë këmishën time dhe vënia babait tim në fytyrë, atij do t’i vijë shikimi. Dhe ma sillni mua tërë familjen tuaj!”
94. Dhe kur karvani e lëshoi (Egjiptin), babai i tyre tha: “Unë njëmend ndiej aromën e Jusufit, por mos më quani të matufosur.”
95. Ata (familjarët) thanë: “Për Allahun, ti je njëmend në lajthimin e vjetër.”
96. Por kur erdhi sihariquesi, ia vuri atë (këmishën) mbi fytyrën e tij dhe ai filloi të shohë. “A nuk ju thash, tha (Jakubi), se unë e di nga Allahu atë çka ju nuk e dini?”
97. Ata (djemtë) thanë: “O babai ynë, lutu që mëkatet tona të na falen. Ne me të vërtetë jemi prej mëkatarëve.”
98. (Jakubi) tha: “Do ta lus (më vonë) Krijuesin tim që t’ua falë. Sepse ai falë dhe është i mëshirshëm.!”
99. Dhe kur hynë te Jusufi, ai i përqafoi prindërit e vet dhe tha: “Hyni në Egjipt, në dashtë Allahu, të sigurtë.”
100. Dhe ai i vendosi prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulen atij. Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Krijuesi im e sendërtoi atë. Allahu ka qenë i mirë ndaj meje kur më nxorri nga burgu dhe juve nga shkretëtira ju solli, pasi që shejtani ndërmjet meje dhe vëllezërve pati futur përçarje. Krijuesi im është me të vërtetë i mëshirshëm ndaj atij që dëshiron. Me të vërtetë ai është i dijshëm dhe i urtë!”
101. O Zoti im, ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar të shpjegoj ëndërrat. O Krijues i qiejve dhe Tokës, Ti je mbrojtësi im edhe në këtë edhe në botën tjetër; Më bëj të vdes mua si musliman dhe më bashko me ata që bëjnë mirë.
102. Ja, këto janë disa lajme të panjohura që ne t’i shpallim ty, dhe ti nuk ke qenë me ata kur vendosën për punën e tyre dhe kur thurën kurtha.
103. Kurse shumica e njerëzve, sado ti të dëshirosh, nuk do të jenë besimtarë!
104. Ti prej tyre nuk kërkon shpërblim për atë (rrëfimin); ai është vërejtje për të gjitha botat.
105. Dhe sa e sa shenja ka në qiej dhe tokë pranë të cilëve kalojnë e ata e kthejnë kokën nga ato.
106. Shumica e tyre nuk beson në Allahun, por ata janë politeistë.
107. A mund të jenë të qetë ata që fatkeqësia, si dënim i Allahut, nuk do t’i arrijë apo çasti i fundit nuk do t’i befasojë, e që ata këtë nuk do ta vërejnë?!
108. Thuaj: “Kjo është rruga ime, unë ftoj tek Allahu, duke pasur dëshmi të qarta, unë dhe secili kush më pason. Dhe vetëm Allahut i përket tërë lavdia, unë nuk jam nga ata që i përshkruajnë rival Atij!”
109. Dhe ne as përpara teje nuk kemi dërguar përveç njerëz nga banorët e qytetit, të cilëve u shpallëm. A nuk ecin ata nëpër botë e të shohin si kanë përfunduar ata përpara tyre, ndërsa ajo botë është njëmend më e mirë për ata të cilët i frikësohen Allahut – A nuk po mendoni?
110. Dhe kur pejgamberët thuajse humbnin shpresat dhe mendonin se do t’i shpallnin rrenacakë, u vinte ndihma jonë: Ne i shpëtonim ata që donim, ndërsa dënimi ynë nuk do ta kapërcejë popullin mëkatarë.
111. Në rrëfimet e tyre ka mësime për njerëzit e mençur. Kur’ani nuk është bisedë e trilluar, por është pohim i shpalljes që ishte më parë dhe shpjegim i çdo gjëje, dhe udhërrëfyes e mëshirë për popullin që beson.
Përktheu:
Nexhat Ibrahimi (2006)
[1] Pasi që në përsiatjet tona nuk kemi përkthyer dhe trajtuar të gjitha ajetet e sures Jusuf, këtu po e japim tekstin origjinal të kësaj sureje dhe përkthimin e plotë. Përkthimi është i yni. Janë konsultuar të gjitha përkthimet e theksuara në literaturë.