Halil Inalçik…! ky personalitet me vlera unikale në historiografinë turke dhe atë botërore, ku mund të themi me bindje se është një nga studiuesit e pazëvendësueshëm të periudhës osmane. Me studimet dhe hulumtimet e tij nëpër labirinthin e arkivave osmane, ku fshihen mijëra enigma dhe mistere, ka bërë të mundur që shumë historianë me famë botërore t’i referohen këtij njeriu pa hezitim. Ai u lind në Stamboll në vitin 1916, në një familje tartare me prejardhje nga Krimea. Ndoqi studimet në Balikesir, dhe mandej në Universitetin e Ankarasë, departamenti i historisë, ku dhe u diplomua në vitin 1940. Përfundoi doktoraturën vitin 1943 në të njëjtin departament. Ka dhënë mësim në një nga universitetet e Londrës për një kohë të gjatë, po ashtu ka ushtruar detyrën si pedagog dhe ka referuar në universitete të ndryshme të Amerikës, pikërisht në Universitetin e Çikagos. Po ashtu është dekoruar në shumë katedra dhe universitete ndërkombëtare,si një nga themeluesit e fondacionit “CENTER OF OTTOMAN STUDIES”. Në vitin 1994, u kthye në Turqi në departamentin e historisë në Universitetin Bilikent, ku ende jep mësim, aty ai bëri një gjest fisnik me dhurimin e koleksionit të qindra librave, revistave dhe dorëshkrimeve, në lidhje me historinë e perandorisë osmane. Shumë kolegë dhe studiues habiteshin me freskinë e këtij njeriu, edhe pse është 98 vjeç, kur e pyesin se si ia ka dalë të ruaj një kujtesë kaq të freskët, ai i përgjigjet se nuk e ndien veten plak. Njëherë dikush e pyet se ku i konsumonte vaktet e tij, teksa vërente tavolinat, karriget, raftet e çdo gjë rreth këtij profesori ishte e mbuluar nga librat, ai me një buzëqeshje të lehtë i thotë se ushqimi i tij ishin ato çka bartnin ato libra në brendinë e tyre. Me shaka u thoshte studentëve dhe miqve të tij t’i luteshin Zotit qe ai të rronte më shume se 100 vjeç, jo sepse nuk ishte ngopur me jetë, porse i kishin ngelur ende dorëshkrime pa përfunduar.
oyunbozantu058506a1057a8fc8byE vërteta është se vlerat e këtij njeriu janë të shumta, studiuesve dhe historianëve u lipset të mësojnë kontributin e tij në zbërthimin e historisë 500-të e kusur vitesh nën sundimin e Perandorisë Osmane. Çdo studiues dhe hulumtues i periudhës osmane, e ka të pa mundur të mos ndeshet me emrin e “Halil Inalçikut”.
Ky historian është i pari që nxori nga pluhuri dhe harresa e kohës “DEFTER-I SANCAK-I ARVANID”, e përktheu nga osmanishtja e vjetër shkruar me gërma arabe, në turqishten modern, shkruar me gërma latine. Ne tashmë kemi në dorë regjistrin e pare dhe të vetëm të atij lloji që kishin pasur ndonjëherë shqiptarët në historinë e tyre. Ky regjistër ndodhej i padeshifruar deri në momentin që profesor Inalçiku e mori dhe na e solli në ditët e sotme, ku gjejmë shpjegime për shumë paqartësi të mësymjes dhe sundimit osman në Shqipëri.
Mund të themi që ishte “Censusi” i parë në trojet shqiptare që daton prej 1431-1432, i një rëndësie të dorës parë, ku shënohej imtësisht gjendja social-ekonomike, antropologjik-kulturore, lëvizjet demografike, aty hasim toponiminë e shumë vendbanimeve, si qytete, katunde dhe fshatra shqiptare. Bie në sy regjistrimi mbi të drejtën e pronësinë dhe trashëgiminë legal-juridike. Në çdo 50-60 vite ndërmerrej “Census” për të rifreskuar të dhënat e popullsive që banonin në territoret e perandorisë osmane, ku figurojnë veç shtresave të ndryshme te popullsive si zejtarë, blegtorë, bujq, apo ushtarak, vihet në dukje roli dhe predominanca e familjeve te mëdha “Noble”, gëzonjëse të statusit të fisnikut, trashëguar që nga Perandoritë e mëparshme pararendëse. Këtyre të dhënave u shtohen titujt e aristokracisë si Despot, Qefal, Sebastokrator, Arkond, Baron, Bej, Aga apo Vezir e Grand-Vezir. Kalimet nga njëra perandori tek tjetra, dëshmojnë qartazi mbi rolin aktiv të shqiptarëve në këto territore. Prijësit dhe familjet feudale të kohës posedonin status tejet të veçantë, dhe kjo, jo si dhuratë, por si vitalitet dhe zotësi nga ana e tyre. Ata ishin zotër dhe administronin territore në të gjithë Ballkanin, nga Kroacia në Moldavi, nga Bosnja në More e Peloponez. Mijëvjeçari i dytë do i gjente shqiptarët përballë disa realiteteve ku bota si asnjëherë më parë nuk i kishte hasur, pra fillimshekulli i XI-të do të vërshonte me inicimin e kryqëzatave nga “Papati Katolik” drejt tokës shenjtë,të cilat zgjatën për shekuj me rradhë. Në kthimin nga toka e shenjtë për në Evropë, familje feudalo-ushtarake Latine, filluan të pushtonin dhe çanin mes për mes perandorinë Bizantine, papritmas po krijoheshin principata të vogla autonome dhe shpeshherë rebele ndaj perandorisë Bizantine,ku pjesë e këtyre fragmentarizimeve të feudeve u bënë edhe territoret Arbërore. Gjatë kësaj kohe dalin në skenë familje lordësh shqiptarë, të cilët nuk mund të lejonin që tokat e zotërimet e tyre të pushtoheshin nga prijës sllavë, latinë apo greko-bizantinë, edhe pse në shumë raste trojet tona gjendeshin të pushtuara. Fisnikët apo aristokratët shqiptarë, e dinin fare mirë, se ruajtja e dinastive dhe e zotërimeve kërkonte aleanca politiko-diplomatike, lidhje martesore me familje aristokratësh, qofshin këto latine, sllave apo bizantine.
Pra, aristokracia shqiptare kishte hyrë në një fazë të re konsolidimi e pozicionimi në territorin e Ballkanit, ku disa forcoheshin së tepërmi e disa dobësoheshin, dhe kjo herë-herë i çonte në konfrontim njëri me tjetrin. Logjika ishte e thjeshtë, ruajtja dhe mos humbja e territoreve,që rrjedhimisht përbënin hallka feudesh shqiptare nga Kroacia deri ne Peloponez. Fal punës së palodhshme të osmanologut “Inalçik” gjejmë të dhëna interesante të familjeve fisnike shqiptare në këtë periudhë, pra në fillim shekullin e XIV-të. P.sh: në regjistrat e Sanxhak Arvanidi, vihet re dhe një shpërndarje Timaresh dhe tek të krishterët, apo mitropolitët dhe peshkopët e asaj kohe. Një nga Timaret më të mëdha ishte ai i Pavlo Kurtit ne distriktin e Tiranës. Timaret i merrnin dhe i zotëronin pjesëtarë të familjeve princërore si Aranitët, Muzakajt, Kstriotët, Zenebishet, Buajt e me rradhë. Vilajeti apo distrikti i babait të Skënderbeut quhej “Yovan-ili”, zotërimet e Muzakajve në Këlcyrë-Klissura quheshin Ashtin-ili, apo Bogdan Ripës, Dhimitër Gjonimës, apo zotërimet e familjes Bobza në zonën e Korçës. Kur lexojmë këtë regjistër, hasim në shumë raste emra fisnikësh shqiptarë tek të cilët konstatohet konvertimi i disa prej fëmijëve të tyre në mysliman, dhe disa të tjerë ngelën po të krishterë, pra me pak fjalë brenda një Timari vërejmë 3-4 vëllezër “Laraman” term që përdoret për diversitetin fetar brenda një familje,ku disa të konvertuar dhe disa jo. Mikra dhe Kladi ishin feudal me emër në Epir,njëri kishte 8 djem, tre prej tyre ishin myslimanë dhe pesë të tjerë kishin ngelur të krishterë. Kemi shembuj si Jakupi i biri i Teodorit, Hamzai (Vranilo) i biri i Reposhit, Mahmudi i biri i Gjergj Aranitit, Mustafai i biri i Filatrinos, Kondo Miho i biri i Pavlos, apo Jahja bej Dukagjini, nipi i Pal Dukagjinit nga dera e madhe e Dukagjinasve, Karlo i biri i Murrikut, Murati i biri i Zguros. Historianët e shumë vendeve të cilat kishin qëndruar nën Perandorinë Osmane i kushtojnë një vëmendje të veçantë arkivave që gjenden në Stamboll dhe Ankara. Marrim rastin e disa prej historianëve hungarezë të cilët pohojnë me zë të lartë, nëse ata nuk do kishin hulumtuar mbi arkivat otomane dhe do mjaftoheshin vetëm me ato Habsburgase, do të ishin shumë të cunguar në perceptimin e fakteve dhe të dhënave historike për vendin e tyre.
Kuptohet që territoret shqiptare dhe domenet e fisnikëve Arbër dhe Epirot shtriheshin në një hapësirë shumë më të madhe sesa “Sanxhak Arvandi”, sepse ndarja administrative e Ballkanit ku hynin territoret shqiptare ishte në një mënyrë ku i tejkalonte përmasat e Shqipërisë së sotme, sepse në lindje zotërimet shkonin deri në Trikalla, Thesali, Drama, Kavalla, Seres, Jeniçe e der në Komotini e Trakë. Ndërsa në veri zgjateshin deri në Banjaluka dhe Kroaci, po ashtu në jug shkonin përtej Lepantos.
Një tjetër historiane me shumë famë është rektorja e Universitetit shtetëror të Ankarasë “Melek Delilbash”, e cila ka transkriptuar dhe përkthyer “SANXHAK TIRHALA -TËRHALLA” ku më së shumti bien në sy zotërimet e shumë familjeve fisnike shqiptare të Epirit. Ndaji i kemi një borxh gjithë studiuesve, historianëve vendas dhe të huaj, të cilët kanë bërë të mundur mos lënien në pluhurin e harresës të këtyre dokumenteve legale siç janë “TAPI-të” apo “VAKËF-et” të cilat edhe sot e kësaj dite kanë vlera juridike të trashëguara brez pas brezi,me anë të të cilave çdo disponues kur i paraqet në gjykatat e Strasburgut, të zotët e këtyre dokumenteve dalin përherë fitimtarë. Një shembull personal e kam nga historia e familjes time,e cila ishte një familje me shumë prona e zotërime,e cila rridhte nga “Asllan Pashalinjtë” dhe me anë të “TAPIVE” të trashëguara prej më shumë se 700 vjetësh, brez pas brezi në Çamëri. Ata arritën ti ruanin përballë lukunisë së shtetit grek i cili kërkonte të mos ua njihte këto dokumenta me vlera të pakontestueshme dhe bënë të mundur ta çonin çështjen deri në “LIGËN E KOMBEVE”. Greqia e asaj kohe u dorëzua, e s’kishte si të ndodhte ndryshe para vlerës juridike që bart çdo “TAPI”. Këtu nuk kam për qëllim të nxjerr në pah vetëm vlera pronësore dhe kaq…! Por këto dokumente tregojnë autoktoninë dhe gjenezën trashëgimore nga babai tek i biri e kështu me rradhë. Kështu i bëjmë me dije botës se kombi ynë ka pritur e përcjellë perandori e sisteme, dhe sërish qëndron në këmbë falë memories së shkruar me vula të thata e të njoma, të florinjta e të argjendta, me pergamene, krisovule apo fermane, me anë të të cilave zbërthejmë gjenezat familjare nëpër shekuj. Ndaj duhet të intensifikojmë thellimin dhe hulumtimin ne shkencën e Osmanologjisë, ku akoma jemi në hapat e parë, edhe pse ende sot, nuk kemi një katedër Osmanologjie të mirëfilltë. Shohim Universitete me famë e me emër si Harvardi apo Oksfordi të cilët kanë avancuar në kaligrafi dhe paleografi osmane. Në fund nuk më ngelet gjë tjetër të përulem me respekt për njerëz me përmasa të këtilla, duke dedikuar këto pak rreshta për këtë dijetar kaq të madh. “Dijetarët, të vetmit që me penën e tyre ngjyrosin mendjet e njerëzve…!”