FILLET E ISLAMIT NË TROJET SHQIPTARE

Nexhat Ibrahimi: “Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shekujt IX-XIV)”, Logos-A, 2003, Shkup – Prishtinë – Tiranë, fq. 144

 

 

Hyrje

Një nga çështjet e ndërlikuara për popujt e vendeve ballkanike, sidomos për shqiptarët, është za­nafilla e besimit fetar monoteist, përkatësisht e besimit në një Zot, posaërisht zanafilla e fesë islame dhe fillet e zhvillimit të vetëdijes fetare isla­me tek këta popuj. Kë­saj çështje­je i janë kushtuar shu­më studime, nga të cilat studime historike të religjionit, sociologji­së së kultu­rës, filozofisë, etj. Ku­ptohet, secili nga studimet e këtilla i është qasur gjurmimit të kësaj çështjeje nga këndvështri­me të ndryshme duke zbatuar metoda hulumtuese të ndryshme. Rezultatet e këtyre studimeve janë një kontribut për njohjen e çështjes së rëndësishme të identi­tetit fetar e kombëtar të popujve përreth shtrirjes së ilirëve, arabë­ve e shqiptarëve. Studimet e historianëve të mesjetës dhe teol­ogëve shqiptarë kryesisht të kësaj periudhe, i janë kushtuar zanafi­llës së çështjes së shtruar më lart për njohje gjithëpërfshirëse dhe të saktë të zhvillimit të popullit dhe kombit shqiptar. Këto studi­me ndër hulumtuesit shqiptarë kanë filluar që nga kohët e lashta; shkrimet e para në shqip janë të lidhura me përmbajtje të religjio­nit. Mbi këtë bazë u zhvillua me­ndimi dhe u formua “Biblioteka” për rrënjët e besimit monoteist të krishterë ndër shqiptarët dhe, pas zhvillimit të vetëdijes për fenë kristiane ndër shqiptarët, ata fill­uan ta shndërrojnë fenë e tyre kristiane në fe islame, me ndër­mjetësim të të tjerëve, sidomos pas pushtimit të trevave të shqip­tarëve nga ana e ushtrisë së Pera­ndorisë Osmane. Përballë kësaj pikëpamjeje vihet pikëpamja e studiuesit të zhvillimit të mendi­mit islam dhe të fesë islame, Ne­xhat Ibrahimi, me ve­prën e tij “Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballka­nin mes­jetar (shekujt IX-XIV)”. Në këtë vepër autori gjurmon fillet e Isla­mit në kohët më të hershme se koha e sundimit të Perandorisë Osmane dhe lidhja e zhvillimit të fesë islame me këtë periudhë. Prandaj, në qendër të studimit të autorit janë rrënjët e para të Isla­mit në kohën parao­smane ndër banorët e vendeve iliro-shqiptare.

Autori i veprës “Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (she­kujt IX-XIV)”[1] z. Nexhat Ibrahi­mi çështjes së zanafillës së fesë islame ndër shqiptarët i ka kush­tuar kujdes të veçantë. Një qasje me kujdes të veçantë e zanafilles, përhapjes dhe mënyrës së përha­pjes dhe pranimit të fesë islame nga ana e paraardhësve të shqip­tarëve të sotëm nga ky autor bie në sy në studimet e botuara edhe më herët. Kësaj çështjeje i janë kushtuar disa studime nga studiu­es shqip­tarë, por edhe nga të huaj. Por, N. Ibrahimi ka qenë i preokupuar shumë kohë me këtë çështje. Këtë e vërtetojnë edhe studimet për gjenezën e Islamit ndër shqi­pta­rët shumë vite para botimit të kësaj vepre.

Për të kuptuar vërtet përmba­jtjen e kësaj vepre lexuesi i saj nevojitet t’u referohet së paku dy veprave paraprake të këtij autori të vyeshëm. Këto vepra janë: “Islami në Ballkan para shekullit XV” (Prizren, 2000) dhe “Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë Me­sjetës”, (Prishtinë, 2000). Në këtë vepër hipoteza e mendimit të aut­orit të veprës në fjalë, për zana­fillën e Islamit para ardhjes së osmanlinjve në trojet shqiptare, që kanë qenë të mbështetura në dijeni dhe në informacione të rë­ndësishme, janë shndërruar në pi­këpamje, koherente për origjinën e Islamit, mënyrën e përhapjes dhe pranimit të tij nga ana e iliro-shqiptarëve rreth pesë shekuj para zbulimit të Formulës së pa­gëzimit. Prandaj, kjo vepër mu­nd të quhet vepër sintetike për gje­nezën e fesë islame ndër iliro-shqiptarët. Pikëpamjet për këtë çështje autori i mbështet në argu­mente të qëndrueshme, të cilat hapin horizonte të njohjes dhe zgjerojnë horizontin kërkues të argumenteve të reja për origjinën e Islamit ndër shqiptarët dhe gje­nezën e zhvillimit të tij në trojet e shqiptarëve. Një veçori tjetër e kësaj vepre është qasja e gjur­mi­mit të argumenteve, e mbledhjes, e sistematizimit dhe e komenti­mit të tyre.

Baza metodologjike e studimit

Në gjurmimin e faktorëve, të procesit dhe të shtigjeve të për­ha­p­jes së fesë islame ndër iliro-shqi­ptarët, autori preferon t’i hyjë studimit të tërësishëm të ku­shte­ve, raporteve, dhe rretha­nave his­to­riko-ushtarake, ekonomiko-sociale, kulturore-shpirtërore të gjenezës së besimit islam ndër paraardhësit e shqiptarëve të so­tëm.

Në një vepër me një vëllim relativisht të vogël (gjithsej 144 faqe) autori u referohet 360 buri­meve në disa gjuhë (215 prej të ci­lave vepra monografike, enci­klopedike dhe studime të botuara në revista shkencore e kulturore) nga vjel argumente. Metoda e krahasimit të rezult­a­teve të buri­meve të vlefshme, përshkrimi i saktë, sikurse edhe shpjegimi ko­rrekt i tyre, së ba­shku me për­m­bledhjen e përmbajtjes së secilit kapitull të kësaj vepre shqip dhe anglisht, e me bibliografinë e gje­rë të shoqëruar me treguesin e emrave dhe me shtesat dëshmu­e­se, duke lënë të hapur disa çësht­je studimore me qëllim të ndarjes së miteve e legjendave nga të vërtetat shke­nco­re, etj. përbëjnë bazën meto­dologjike të këtij studimi. Kjo bazë e shoqëruar me mënyrën specifike të sistemimit të argu­me­nteve dhe të gjuhës së paraqi­tjes së tyre dhe të ndërli­dhjeve ndërmjet këtyre argume­nteve tre­gon seriozitetin e qasjes së kësaj çështjeje nga ana e au­torit dhe vlerën e përfundi­meve të tij. Mbi këtë bazë autori i referohet qasjes holistike të duk­urive historike nga ana e historia­nëve e jo për­zgje­dhjes së temave të veçanta sipas kritereve politike e ideo­logjike.

Struktura e studimit

Studimi “Islami dhe musli­ma­nët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shekujt IX-XIV)” është ndarë në pesë kapti­na, ku është përpunuar çështja e përhapjes së Islamit në Bullgari, ndër peçenegët, ndër turqit var­da­rianë e në Hungarinë mesjetare dhe komunikimi i popujve të këtyre vendeve me popullin iliro-shqiptar, duke u përqendruar në rolin e këtij komunikimi në për­hapjen e fesë islame ndër iliro-shqiptarët. Përjashtim nga kapti­nat e përhapjes së Islamit në këto vende fqinje të iliro-shqiptarëve ka bërë kaptina e dytë, ku bëhet fjalë për Sari Saltikun dhe rolin e veprimtarisë së tij në përhapjen e Islamit në trojet iliro-shqiptare. Nga ky këndvështrim mund të thuhet se autori kërkon rrënjët e përhapjes së besimit islam ndër popujt fqinjë të iliro-shqiptarëve, që kanë pasë arritur të vendose­shin në vendet ballkanike në brez me popullin vendës iliro-shqiptar ose t’i pushtonin tokat e tyre. Të këtillë kanë qenë bullgarët në Perandorinë Mesjetare, hunga­re­zët në Hungarinë Mesjetare, tur­qit e Vardarit, peçenegët, etj.

Kur bëhet fjalë për kaptinën e parë “Islami dhe muslimanët në Bullgarinë Mesjetare (shekujt IX-XI)”, autori në mbështetje të argumenteve të nxjerra nga 92 burime argumentesh, arriti në përfundim sipas të cilit “Prania e muslimanëve në Perandorinë Bu­ll­gare, e kjo nënkupton edhe trojet iliro-shqiptare, të cilat ishin nën pushtimin e tyre, është e ar­gumentuar si nga burimet vati­ka­ne, ashtu edhe nga ato bizantine, pastaj islame, etj”.[2]

Në gjurmimin e përhapjes së fesë islame ndër iliro-shqiptarët e mesjetës autori është përqendruar edhe në Sari Saltikun dhe rolin e tij në përhapjen e Islamit. Në ku­adër të këtij gjurmimi autori ka hasur në S. Saltekun mitik, legje­ndar. Por, autori është i mendimit se S. Salteku ka ekzistuar dhe ka vepruar. Mirëpo, lë të hapur mu­ndësinë që studimet e ardhshme të identifikojnë plotësisht perso­na­litetin dhe rolin e tij, në Bo­snjë, në Turqi, në Panoni, por edhe në Kosovë.

Autori i këtij studimi i është rrekur me kujdes edhe çështjes së peçenegëve, një popull pak i njo­h­ur në histori përgjithësisht, si­domos në histori të popullit shqiptar. Mirëpo, këtë popull e quan “…pishtarë të islamit në këtë pjesë të Ballkanit dhe në trojet iliro-shqiptare veçanëri­sht”[3]. Në këtë përfundim autori arriti duke konsultuar shumë bu­ri­me shkencore, nga të cilat da­llohen 94 burime dhe prej tyre duhen veçuar posaçërisht burimet bizantine e serbe, natyrisht duke vënë në dukje nevojën për një studim gjithëpërfshirës dhe të thellë të peçenegëve dhe të rapo­rteve të tyre me ilirët në periu­dhën paraosmane. Megjithëkëtë, është për të çmuar posaçërisht vërejtjen e autorit për disa pa­t­ro­nime me prejardhje peçenege në Prizren e në Kosovë përgjithësi­sht[4].

Vardarianët ose vardariotët janë turq të shpërngulur nga Azia në kohën e perandorit bizantin Teofil. Turqit e shpërngulur ose vardariotët u vendosën në territo­ret e disa vendeve të Ball­kanit të sotëm, përfshirë edhe Kosovën.[5] Për vardarianët ose vardariotët është shkruar pak. Por, edhe në këtë studim kaptina më e shku­r­tër është kaptina “Turqit var­da­rianë dhe roli i tyre në përhapjen e Islamit në trojet iliro-shqipare nga shekulli IX-XIV”[6] Autori ka vënë në pah mungesën e burime­ve shkencore për të shkruar më shumë për këtë çështje, kur thotë: “Jemi të vetëdijshëm se të dhënat që kemi, janë të mangëta dhe shërbejnë vetëm sa për të aktu­alizuar këtë çështje në historinë shqiptare islame”[7]. Kësaj pjese i mungon përfundimi në gjuhën shqipe!

Kaptina e katërt e këtij studi­mi i kushtohet tematikës “Islami dhe muslimanët, në Hungarinë mesjetare (shekujt IX-XIV)”. Kjo është kaptina më e gjërë, ku çë­shtja e Islamit në Hungarinë e shekujve IX-XIV është shtruar në njëzet e tri faqe.[8] Gjithsesi pozita e Hungarisë në Evropën Qend­ro­re është interesante për gjur­mi­m­in e zhvillimit të filleve të Islamit në këtë pjesë të Evropës. Në Hu­ngari, sipas vëzhgimit të argu­me­nteve burimore nga ana e autorit Islami u shfaq që në she­kullin nëntë. Prej kësaj kohe deri në shekullin XIV autori ka hasur në emërtime të ndryshme për mu­slimanët. Kështu, ai ka identi­fi­kuar emërtimet: ismailitë, bash­ki­rdë, saracenë, buzurmanë, e të tjerë.[9] Për gjurmimin e Islamit në këtë vend autori ka shfrytëzuar shumë burime, nga të cilat vlerë të posaçme kanë edhe burimet li­gjore, sikur janë ato të mbretit La­dislav, Laslo, Kolomani, etj.[10] Prej këtyre burimeve, sikurse edhe prej të tjerave të natyrës jojuridike, autori ka nxjerrë për­fundim që: “… muslimanët në Hungarinë mesjetare mbijetuan deri vonë, për t’u zhdukur, thua­jse tërësisht, kah mezi i shekullit XIV”[11]. Në këtë kaptinë autori ka vënë në pah edhe mënyrën e zgjerimit të Islamit ndër hunga­rezët. Sipas tij “hungarezi që i kishte borxh muslimanit, e nuk kishte mundësi ta kthente borxh­in, nëse e përqafonte Islamin i falej borxhi”[12]. Njëkohësisht au­tori edhe në këtë pjesë nuk ka lënë pa përmendur injorimin e kësaj teme nga ana e shkencë­tarëve shqiptarë.

Përfundim

Studimi teorik “Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (she­ku­jt IX-XIV)” është një studim sintetik mbi përhapjen e Islamit ndër paraardhësit e hershëm të shqiptarëve të sotëm. Autori ka mbledhur, sistematizuar dhe zbë­rthyer argumente, që janë botuar në formë trajtesash, punimesh shkencore, studimesh, etj. Këto janë botuar në vepra mono­gra­fi­ke, në vepra enciklopedike, në revista shken­core, etj. Në mbë­shtetje të anali­zës dhe vlerësimit të tyre, autori ka ardhur në për­f­undim që Islami ndër iliro-shqip­tarët është i lidhur me zhvillimin e komunikimit të iliro-shqip­tarë­ve me popujt e ve­ndeve fqinje të mesjetës së hersh­me, sikurse ka­në qenë peçenegët e zhdukur, bullgarët, vardarianët, hungare­zët, etj. të asaj kohe. Në kuadrin e komunikimit të këtillë të ilirëve me të tjerët, duke përf­shi­rë edhe pushtuesit e tokave të tyre, në këtë studim provohet me argu­mente teza sipas së cilës Isla­mi ndër iliro-shqiptarët ka zë­në fill shumë kohë para pushtimit të to­kave iliro-shqiptare nga ana e Perandorisë Osmane.

Gjeneza e vetëdijes për përk­atësinë islame të iliro-shqiptarëve lidhet me zhvillimin e iliro-shqi­ptarëve që nga shekulli i nëntë. Në këtë studim dallohen shtigje hulumtuese që presin gjurmues për të kompletuar pikëpamjen e zanafillës së Islamit ndër iliro-shqiptarët.

Studimi është kontribut i vle­fshëm për historinë e përgjithsh­me, po më tepër për historinë e religjionit ndër fqinjët e shqipta­rëve, sidomos ndër vetë shqipta­rët.



[1] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin me­sjetar (shekujt IX-XIV), Logos-a, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2003.

[2] Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin Mesjetar IX-XIV, Lo­gos-a, Shkup, Prishtinë-Tiranë, 2003, fq. 37.

[3] Po aty, fq. 77.

[4] Po aty, fq. 73.

[5] Po aty, fq. 80.

[6] Po aty, fq. 79-84.

[7] Po aty, fq. 83.

[8] Po aty, fq. 87-110.

[9] Po aty, fq. 95.

[10] Po aty, fq. 103-105.

[11] Po aty, fq. 109.

[12] Po aty, fq. 105.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme