“… ai që mbyt ndokend, i cili s’ka mbytur askend, ose atë që nuk ka bërë çrregullim në Tokë – është sikur t’i mbysish të gjithë njerëzit …”. (El-Maide, 32)
Fuqitë e mëdha botërore, në periudhën e ashtuquajtur të Luftës së Ftohtë, si SHBA dhe BRSS, zbatuan në lojë të bashkërenduar, sipas të cilës secila palë përkrahte kundërshtarët politikë të palës tjetër. Qofshin lëvizje politike nacionaliste, separatiste, fetare, shoqërore apo tjetër, ata gëzonin përkrahjen e njërës nga dy fuqitë e mëdha. Kryesisht, lëvizjet e majta, marksiste i përkrahte BRSS, kurse lëvizjet e djathta, me ngjyrime religjioze, i merrte në mbrojtje SHBA. Kësaj loje më vonë iu bashkua Lëvizja e të painkuadruarve, por mos llogarit bujën folkloristike, kam bindjen të përkrahur nga vetë dy forcat kryesore, nuk ishte forcë të prish baraspeshën e dy forcave të mëdha.
Terrorizmi, fenomen me shumë pikëpyetje
Edhe pse deklarata amerikane për liritë e njerëzve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve pohohen aq zëshëm, amerikanët, elita politike dhe ushtarake, dhe aleatët e tyre, janë një realitet tjetër. Ata deklarohen për liri, barazi e lëvizje të lirë, por në fakt gjendja në terren është ndryshe. Megjithatë, me rënien e rendit bipolar politik në botë, shumica e lëvizjeve, të djathta dhe të majta, e humbën filozofinë e tyre të ekzistimit dhe veprimit, përkatësisht filozofinë e përmbajtjes. Ato së pari humbën fuqinë e më vonë edhe të qenit e tyre. Këtë gjendje më të re, deri diku, e thyejnë disa lëvizje në Lindjen e afërme, sikur ato palestineze (Hamasi, Xhihadi Islam, Hizbullahu etj., të cilat nuk pranojne te futen në shabllonin e politikës botërore, dhe për këtë arsye ato nga ‘të mëdhenjtë’ konsiderohen grupe terroriste, radikaliste, fundamentaliste etj.
Duke i pasur parasysh këto zhvillime, teoretikisht dhe praktikisht, gjendemi përballë një paqartësie dhe një situate të ndërlikuar. Kjo për arsye sepse ende nuk është ofruar një shpjegim meritor, i gjithanshëm, i paanshëm i termit terrorizëm, sigurisht për shkak të mbrojtjes së interesave të ngushta nacionale dhe aleancave të bazuara në interesa reciproke apo edhe nga frika që vetë mos të bëhen viktima të ndonjë terrorizmi.
Standardet e dyfishta në përkufizimin e terrorizmit
Islami në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me terrorin dhe terrorizmin përkatësisht Islami është gjithnjë në kundërshtim të terrorit dhe shpesh edhe vetë bëhet viktimë e terrorit dhe terrorizmit. Kjo ndodh për shkak se qendrat e ndikimit botëror ndikojnë në përkufizimin e terrorizmit, imponojnë mënyrën e vet të të menduarit dhe të vlerësuarit dhe çdo mendim tjetër sipas tyre është terrorizëm. Si për shembull, Shtëpia e Bardhë njëkohë përkrahte Afganistanin kundrejt BRSS-së, luftëtarët e saj konsideroheshin trima e heronjë, luftëtarë të lirisë dhe gëzonin përkrahjen e tyre morale dhe ushtarake. Por, kur këta luftëtarë ia drejtuan tytën e pushkës SHBA-ve, atëherë ata konsideroheshin terroristë, shenjestër e goditjeve të tyre.
Pra, problemi është që parimisht duhet të dimë çka quhet terrorizëm dhe për këtë të kemi një konsensus të gjithëpranuar. Ku dhe kur është kufiri mes luftëtarit të lirisë dhe çlirimit nga shtetet e dhunshme dhe autokratët, nga dhunuesit dhe eksploatuesit, nga pushtuesit e vendeve dhe popujve të shkelur dhe luftëtarëve pushtues, eksploatues, dhunues? Në vend të një konsensusi rreth kësaj teme, nën ndikimin e shteteve të fuqishme dhe interesave të ngushta të sigurisë së tyre nacionale, ne kemi standarde të shumëfishta, standarde të interesave të ngushta. Kjo gjendje po ndikon që disa individë të fuqishëm apo grupe me ndikim të etiketojnë individët apo grupet rivale për terrorizëm dhe etiketimet e tyre i argumentojnë me akte normative të organizatave botërore. Në këtë mënyrë shpjegohen padrejtësisht dhe subjektivisht aktet normative të të drejtave njerëzore në dobi të interesave të ngushta të klaneve botërore. Rasti i Kosovës dhe të qytetarëve të saj është pikërisht viktimë e këtij mosuniteti botëror, e këtyre interesave të interesave.
Pikat ndarëse mes luftërave pushtuese dhe luftërave çlirimtare
Një ndër pikat ndarëse mes botës muslimane dhe asaj perëndimore është qartësimi mes terrorizmit dhe luftës çlirimtare. Edhe pse ka dallime, megjithatë terrorizmi ka tri shenja dalluese, që e bëjnë të veçantë: E para, terrorizmi ka për synim frikësimin dhe vendosjen e gjendjes së tmerit dhe panikës; E dyta, terrorizmi ka për qëllim ndikimin ndaj të gjithë opinionit e jo vetëm ndaj disa individëve drejtpërdrejt të ekspozuar dhunës dhe; E treta, terrorizmi nuk zgjedh dhe nuk respekton mënyrat e lejuara të luftës që i njeh e drejta ndërkombëtare dhe konventat e shumta për këtë qëllim. Bazuar në këtë, lëvizjet çlirimtare dallojnë nga luftërat terroriste sepse në përmbajtjet e tyre nuk përdorin terrorizmin dhe metodat e tyre, sepse asnjë synim nuk ia vlen nëse pasojat nga veprimet e tij janë më të mëdha edhe të vetë terroristëve. Këtë do ta themi edhe ndryshe: sado qoftë një ideal legal e legjitim asnjëherë nuk mund të arsyetohet përdorimi i mjeteve dhe veprimeve terroriste.
Meqenëse nuk ka çlirim të një vendi nga uzurpuesit e dhunuesit pa përdorim të dhunës, bashkësia ndërkombëtare, e shtyrë nga Vendet e Painkuadruara, në vitin 1977 aprovoi përdorimin e dhunës me qëllim të çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj apo nga diktatorët e brendshëm, natyrisht duke iu përmbajtur të gjitha rregullave që parashikohen për zhvillimin e luftërave. (http://en.wikipedia.org/wiki/Geneva_Conventions). Natyrisht, edhe kjo e drejtë ka pasur kufizime, sikur: kujdesi ndaj caqeve civile, sulmet vetëm ndaj caqeve ushtarake, mosshkaktimi i vuajtjeve të tepruara ndaj popullatës civile, zgjedhja e mjeteve për luftë që nga humaniteti mos të eskalojë në dhunë. Thjesht, lëvizjet çlirimtare duhet të dallojnë nga grupet terroriste si në synime, mjete ashtu edhe në pasojat e mundshme.
‘Caku nuk arsyeton mjetet’
Fjala rezistencë, qëndresë është më pak e vrazhdë sesa fjala terrorizëm. Ajo edhe kuptimin parësor e ka më pranues, sepse zakonisht lidhet me pakicat etnike, nacionale, fetare apo medhhebore. Kur zëri i pakicave nuk dëgjohet, nuk përfillet, atëherë ndjenja e rrezikimit vjen në shprehje në paraqitjen e tyre, në aktivitetin e tyre dhe qëndrimin e përgjithshëm. Rezistenca është reagim, revoltë e zgjimit dhe vetëdijesimit përballë kritereve të dyfishta të bashkësisë botërore, shtypjes, diskriminimit, hipokrizisë, dhunës dhe vrasjes. Nëse shtete apo bashkësi të caktuara shtypin të drejtat e të tjerëve, të dobtëve, atëherë edhe kjo është dhunë, është terrorizëm dhe mbrojtja e të dobtëve është legjitime dhe e pranueshme, por pa kaluar kufijtë e asaj që quhet normale.
Terrorizmi, me tërë atë që nënkupton, paraqet kërcënim të pashoq dhe një ndër dukuritë më fatkeqe që njeriu ka ditur ta ‘prodhojë’ gjatë historisë njerëzore. Ai është i tillë pa marrë parasysh nga kush vjen dhe në çfarë formash shfaqet. Prandaj, edhe mund të thuhet se caku sado të jetë legal dhe legjitim, ai nuk arsyeton mjetet, për arritjen e synimeve të imagjinuara apo planifikuara. Gjithashtu, edhe legjitimimi i lëvizjeve liridashëse nuk nënkupton edhe përdorimin e të gjitha mjeteve, si për shembull, akteve terroriste, për arritjen e lirisë. Në pajtim me këtë, terrorizmi nuk është rezistencë apo qëndresë. Ata kanë dallim mes veti dhe duhet trajtuar veçanërisht.