Shqiptarët mes Islamit introvert dhe ekstravert

Hidrogjen+oksigjen=Ujë; Kur’an+Sunnet=Islam. “Hafidhi i vogël Jetmir Hasani nga fshati Përshefcë rrethina e Tetovës”. “Blero: Fjalë të mëdha për Adem Ramadanin”; "Ekstremizmi" trend dhe modë 2015; “Vehabizmi – kush e prodhoi dhe kujt i shërben ai?” “Frika nga helmimi i ujit nga të arrestuarit për terrorizëm, lë Prishtinën pa ujë”, “Aksion antiterrorist në disa qytete të Maqedonisë”,  “Si të pastrohemi nga mbeturinat e xhahilijetit?”, “Librat dhe leximi në botën muslimane: një krizë serioze”...

Këto janë vetëm disa nga mijëra shënimet që do t’i gjeni nëpër rrjetet sociale lidhur me Islamin në gjuhën shqipe. Kohëve të fundit në hapësirën gjithëshqiptare një nga temat më të rrahura është ajo e fesë, e fetarësisë, e interpretimeve të fesë në një kontekst të ri, kur ajo dalëngadalë po bëhet një aktor i rëndësishëm shoqëror, kur nga prapaskena del në skenë dhe atë në një mënyrë shumë dinamike, duke sfiduar mendësinë shqiptare, duke iniciuar polemika nga më të ndryshmet. Në këtë drejtim, që nga Facebook-u e deri te debatet publike, feja, gjegjësisht Islami, është ndër temat shumë të nxehta herë emocionale, subjektive e shumë pak analitike e shkencore-akademike. Herë flitet për Islamin si fajtorin e “prapambeturisë” shqiptare, herëve të tjera për teologjinë dhe komunitete islamike të radikalizuara. Orientalizimi më tepër se një shekull i fesë islame ka prodhuar nus produktet e veta, një kalim nga Islami pasiv në atë aktiv, nga Islami i ruajtjes së Imanit, në Islamin e revitalizuar ballkanik dhe shqiptar, që tanimë ka një plejadë hoxhallarësh, por edhe besimtarësh të rinj, që janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për hir të fesë, madje edhe jetën, ndonëse kjo edhe pa një vetëdijesim të mirëfilltë se çka është fe e çka është ideologji, çka është burimore-hyjnore dhe çka është “paketim njerëzor”. Vajtjet e shqiptarëve në Siri e Irak janë një simbolikë, rreth së cilës duhet menduar mirë e kthjellët. 

Kultura fetare e lëvruar nga thirrësit pa një bagazh kulturologjik ka gjeneruar prurje fraksioneriste, që bëjnë ndarjen e trungut fetar: Islami zyrtar i komuniteteve fetare nga pozita avancuese tanimë është në pozitë defanzive, pra mbrojtëse. Dhe, ky version i religjionit zyrtar vështirë arrin të origjinojë diskurs, që do të gjente jehonë në shoqëri. Ai është i ftohtë dhe introvert, pra i mbyllur, hezitues, jomisionar, i filozofisë “peshqit do të vijnë vetë aty ku duhet”. Kjo formë e thirrësisë fetare deri në vitet 1990-të është nisur nga një pikëpamje se regjimi është aty dhe duhet të jemi të kujdesshëm, sepse gjithçka survejohet, andaj ta ruajmë besimin dhe aq, të mos shohim ëndrra, sepse jetojmë në “Daru’l-kufr” (Shtëpinë e mosbesimit). Teologjia e periudhës postotomane dhe e asaj komuniste, ne veçanti në Maqedoni dhe Kosovë, është vatra e këtij koncepti për Islamin. Në Kosovë nacional-marksizmi e ka ndrydhur goxha indin fetar dhe ky kurs sot vazhdon në emër të demokracisë dhe vlerave perëndimore. Në Shqipërinë komuniste as që ka pasur gjasa për kultivimin e pemës islame në mënyrë transparente. Atje feja ka qenë e futur në nëntokën e shoqërisë, në skutat më të largëta të jetës, në intimën e individëve, që ia kanë dalë ta ruajnë fenë e vet me pasion të veçantë. Sot në trekëndëshin shqiptar, por edhe më gjerë, përfshirë edhe diasporën, po vepron një Islam ndryshe, ai ekstravert, hiperaktiv, i formës së ndryshme, kundërshtues me fenë konvencionale, ai i imitimit fjalësor – shpesh edhe aparent – të brezave të parë të “Shekullit të Lumturisë”, i një formalizmi religjioz, i një antropomorfizmi besimor, i shoqëruar me purizëm dhe puritanizëm aplikues, që nga popullata perceptohet si risimtari, kurse nga vetë propaganduesit e këtij versioni të fesë si “feja autentike”, pa shtesat njerëzore në të. Këtë fetarizëm duhet analizuar nga perspektiva të ndryshme fetare, që të nxirret një skicë më konkrete dhe objektive e islamit shqiptar të mileniumit të tretë, që nuk është më njëtrajtësh, që gjithnjë e më pak është me ngjyrime mistike-osmane, gjithnjë e më tepër me elemente të kulturës moderniste antinovotariste të Gjirit. Është fakt sociologjik që ky Islam, sado që duket retrograd, kryefigurat e tij janë shumë aktive, shumë më tepër të bërë një me teknologjitë informatike dhe shumë më prezentë në botën virtuale sesa hoxhallarët e tjerë, që i bën ata më të aksesueshëm për masën, në veçanti për popullatën juvenile, e cila nëse udhëzohet tanimë udhëzohet në një Islam ndryshe prej atij të familjes, rrethit, hapësirës në të cilën jeton. Ai e “shan” historinë e vet fetare, teologjinë, teologët dhe gjithë ata që nuk kanë gërmuar për të gjetur arin e vërtetë, Islamin profetik, Islamin e Kur’anit dhe të sunetit. Ai falet ndryshe, përshëndetet ndryshe (faqja e djathtë prek të djathtën e vëllait), vishet ndryshe, martohet ndryshe, agjëron në bazë të direktivave të emirit, ndjek prijësin e vet dhe ekolin e vet fetar. Dhe, bën davet, sa një hije e hoxhës së vet dhe më tepër se një hoxhë tradicional që e njeh vetëm vijën shtëpi-xhami... Në rrjetet sociale kjo vëllazëri e re ndjek “luanët e Islamit shqiptar”, bën postime më mesazhe fetare nga tekste të shenjta, deri te gjëra që femrat që s’janë me nikab i quan si molla të kafshuara (!), që hap debate për mosbesimin e atyre që marrin pjesë në politikë, që diskuton lejueshmërinë e martesës me vajzën e axhës, që vepron nëpër bodrume etj. Ky komunitet edhe Zotin e ka “kufizuar”, duke e atribuar atë vetëm me një formë “subhanehu ve teala” dhe ky është fjalëkalimi për të dalluar bashkëfraksionarin. Faktin se sa islami introvert-zyrtar është indolent ndaj kësaj forme të propagandimit fetar më së miri e ilustron një ish-myfti, i cili në një bisedë në Ohër para do vitesh mes tjerash pat thënë: “Sikur mos të kishin ardhur këto mjekrrat bile edhe ne hoxhallarët do ta harronim faljen (namazin)!” Ky është një dimension i shprehur nga një teolog, kurse tjetri është ai tendosës, elektrizues, përçarës, gjë të cilën e vërejmë çdo ditë, në çdo hap të jetës sonë. Këtë e kishte vërejtur edhe një profesor i një universiteti saudian, që kishte tërhequr vërejtjen: “Mos i sillni fëmijët tuaj këtu se digjen nga fitneja!” Pra, edukohen në një formë që e dërrmojnë trungun fetar. Por, realiteti është se kocka është hedhur, kthim prapa s’ka. Revolucionarizmi fetar, dehanefizimi, dematuridizimi, janë fenomene sociologjike që po ndodhin. Ishujt e “vëllezërve” dita ditës shtohen. Dhe tani, përballë këtij statusi me rëndësi është që të gjenden mekanizmat dhe metodat e përballjes me këto ndryshime konceptuale dhe botëkuptimore. Ballafaqimi me këtë dukuri më tepër se punë sigurie është çështje veprimtarie e institucioneve për kultivimin e vlerave fetare, të cilat aq shumë janë të diversifikuara, saqë edhe vetë njerëzit e petkut fetar janë në mjegull dhe shkojnë nga njëri skaj tek tjetri, herë sulmojnë e herë i mbyllin sytë. Çështja në fjalë ka të bëjë me ballafaqimin me diversitetin. Ndërkohë, përderisa një version i dikurshëm radikal zbutet, shfaqen edhe tre koka të tjera më skajore. Ai që dikur mohonte universitetet (laike) sot bën thirrje masovike për t’u shkolluar në arsimin e lartë, madje duke kërkuar ndihmë e mbështetje nga afaristët, nga fondacionet e ndryshme, ai që refuzonte politikën sot ka origjinuar deputet të pispillosur në parlamentin shtetëror, publikon mini-intervistë për Aristotelin dhe Platonin. Rrugëdalja nga kjo krizë e perceptimit dhe jetësimit të fesë është në shndërrimin dhe revolucionarizimin e institucioneve fetare, që janë kapur thellë nga shkujdesja, në afirmimin e mesatarisë burimore islame, në gjetjen e kulturës së bashkëjetesës edhe përkundër ndryshimeve, duke shkolluar kuadro me bagazh të mirëfilltë fetar, që do të dinë t’i lexojnë shenjat në rrugën vendore dhe atë globale. 

Një e katërta e një shekulli duhet të jetë një shkollë e vërtetë nga e cila duhet t’i mësojmë gabimet në jetësimin e spiritualitetit tonë dhe të hapim një faqe të re para se refleksionet e krizës në të cilën gjendet bota islame të arrijnë te ne. Është përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve që të pengojmë ekstremizimin dhe radikalizimin e jetës sonë fetare dhe kulturore dhe, në veçanti, nuk duhet të lejohet që të tjerët – shekullaristët ekstremë – të shesin dije fetare dhe të japin skica të fetarit dhe fetarizmës ideale dhe të Islamit të butë ose Islamit të mirëfilltë shqiptar. Në këtë drejtim duhet të veprojë çdokush, që nga myftilerët, mediat e akademia, e deri te çdo qytetar i ndërgjegjshëm që nuk dëshiron të ngrihen mure të pakapërcyeshme mes besimtarëve islamikë dhe të tjerëve në përgjithësi. 

Edhe bashkësitë fetare duhet të braktisin kursin e tyre të introvertitetit dhe të kalojnë në fazën e një ekstrovertiteti dhe gjallërie më të madhe fetare. Ato i kanë të gjitha resurset për një gjë të tillë. Shembulli në vijim duhet të jetë mësimdhënës. E takova në një rast vdekje një të ri, që jeton pranë një xhamie të Shkupit, dhe e pashë të ketë një look krejtësisht ndryshe nga familja e tij laike dhe jofetare (nëna artiste). Në pyetjen e një të pranishmi si e gjeti udhëzimin, ai u përgjigj: “Unë me vite jetoj pranë kësaj xhamie dhe imami kurrë s’ka ndarë asnjë sekondë të më peshojë fetarisht dhe ja këta vëllezër me drejtuan në rrugën e shpëtimit”. 

Ktheje nga ta kthesh, përgjegjësia është te teologjia e përgjumur. Shto kësaj edhe mediat islamofobe që edhe panairet ku gravitojnë shtëpi botuese me tekste fetare i cilësojnë si islame dhe radikaliste dhe ngrenë zërin për përjashtimin e tyre, ikonat e shqiptarisë që trafikojnë islamofobi dhe përçarje, portalet e ndryshme me publikime kuturu, ngjarjet planetare si karikaturat, indiferenca kulturore në vendet e jashtme perëndimore, që shkakton kthim te identiteti vetjak ndryshe, efekti Lindje e Mesme e të tjera dhe fotografia e zik-zakeve religjioze kthjellohet bukur mirë. Intelektualizimi dhe vetëdijesimi kulturor i profilit të fetarit – muslimanit shqiptar është një domosdoshmëri nëse duam ta ndërtojmë ardhmëri të shëndoshë fetare dhe shoqërore. 

Librat dhe leximi në botën muslimane, një krizë serioze... Vërtet kështu është. Edhe tek ne shqiptarët, fotografia e njëjtë. Si rrjedhim, edhe fetaria në krizë.  

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme