Pas lajmit të dy ditëve më parë për prishje të varreve të gjyshërve të vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ia vlen të veçohet dhe fakti se pa varr është dhe themeluesi i Korçës, Iljaz bej Mirahori. Pra, as varr as ndonjë monument, siç e ka fjala vjen Themistokliu i pushkës dhe i penës.
Shumë vite më parë, eshtrat e tij preheshin në një varr me shtrat në tyrben pranë Xhamisë së Madhe të Korçës, në pjesën e pasme të saj. Aty ndodheshin edhe varret e dy djemve të tij, Mehmet beut dhe djalit të vogël Sefer shah beut. Pranë të shoqit (Iljaz bej Mirahorit) qëndronte edhe gruaja e tij, e cila ishte bijë e sulltan Mehmetit II. Në hajatin e tyrbes ishte varrosur gruaja e dytë e Mirahorit dhe shërbyesja. Tashmë, që prej një shekulli nuk gjendet më asnjë gjurmë e gjashtë varreve të përmendura më sipër.
Varret u shkatërruan nga ushtria greke, e cila hyri në Korçë më 7 dhjetor 1912 dhe qëndroi aty deri më 22 tetor 1916, kur u përzunë nga francezët. Gjatë kësaj kohe grekët plaçkitën pronat dhe pasuritë e myslimaneve, pazarin që ishte pronë e tyre dhe grabitën gjithë floririn e qytetit. Plaçkitja përshkruhet me detaje nga Petro Harrizi te libri i tij “Historia kronografike e Korçës”.
Iljaz bej Mirahori njihej si njeri me pasuri të përmasave të mëdha. Pronat e tij gjendeshin gjithandej: në Korçë, në Kolonjë, në Përmet, në Janinë ku kishte punuar si sanxhakbej e gjetkë. Në Kostandinopojë pronat e tij nuk kishin të numëruar: dyqanet, shtëpitë, ujësjellësat, hamamet ishin të shumta, veçanërisht në lagjen “Ivlanka”. Në trashëgimin e tij pasurore bënin pjesë edhe një sërë shkollash të ndërtuara për djem dhe vajza. Kjo ishte edhe një nga arsyet që nxiti grekët për të kërkuar flori edhe në eshtrat e të vdekurve, por jo e vetmja arsye, ata synonin zhdukjen e çdo shenje që tregonte se qyteti i Korçës u ndërtua nga myslimanët dhe banohej prej tyre.
Iljaz bej Mirahori pati tre djem: Mehmet beun, Sefer shah beun dhe Muhamet beun, i cili u vra në një nga betejat në afërsi Bagdatit. Vajzat e tij ishin: Fatimeja, Shoh-Hatun, Aishja, Hondi dhe Hatixheja. Dy vajzat e fundit i kishte me gruan e dytë. Kishte gjithashtu një shërbëtore turkeshë, një skllave të quajtur Hurshide Abdullah dhe disa skllevër, të cilëve më pas u dha lirinë as qëndrimit për një kohë të gjatë në Turqi, u kthye sërish në atdhe me ëndrrën për të ngritur një qytet të madh dhe të bukur, por që të braktiste Turqinë iu desh të linte peng te sulltan Bajaziti II djalin e madh, Muhametin, i cili do të vritej në Bagdat. Më 1486 nisi ndërtimin e xhamisë së Madhe dhe të qytetit. U ndërtuan dyqane, lokale, hane, hamame, etj. Gjithashtu u ndërtua edhe një shkollë (e para në Shqipëri) për vajza dhe djem. Nisi të konturohej edhe pazari, i cili do ta bënte Korçën qytet të famshëm. U ngritën menca për të varfërit. Mirahori dha urdhër: “Të gatuhet dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi, por edhe gjellë të tjera, dhe do të hajë kushdo që do të jetë i pranishëm në kohën e bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. Kushdo qoftë, ç’kado që të hanë, e kanë hallall e t’u bëjë mirë”.
Në Xhaminë e Madhe të Korçës për shumë kohë u ruajt një këmishë prej teli hekuri të rrahur, e cila mund të rëndonte gjer në 10 okë, që mesa duket Mirahori e kishte përdorur gjatë luftimeve në Turqi, shkruan Nuçi Naçi, te libri i tij, “Korça dhe katundet perqark”, gjithashtu një shkop i gjatë e me dobec në fund, sepse siç thonë ia kish ënda shumë bujqësinë, një anteri e bardhë e linjtë e me gajtanë të mëndafshtë, shumë e gjerë dhe e gjatë, gjë që na tregon se ka qenë shtatmadh, dy riza, me të cilat fshihej, të qëndisura me mëndafsh dhe një krehër i brinjtë, me të cilin krihej. Krehri, meqë i ka dhëmbët të rrallë e të trashë, na tregon se do ta ketë patur perçen të gjatë, shkruan Naçi, ndërsa shton se ka patur edhe një palë tespie të zeza, të shkuara në një gjalmë të mëndafshtë, tri lugë, që një nga këto është e brinjtë, ndërsa dy të tjerat të drunjta e të qëndisura me tel shumë të gjerë. Ka qenë njeri me shtat të madh sikundër na tregojnë rrobat e tij, por edhe shkopi, i cili ishte i gjatë afro tre kute të sotme”, përfundon Naçi. Sot nuk gjendet asnjë shenjë e tyre e relikteve të tij.
Për datëlindjen e Mirahorit jepen data të ndryshme, ashtu sikurse edhe për vdekjen. Sipas Rustem Myteveliut, Mirahori lindi në vitin 1408 në fshatin Panarit të Kolonjës. Kur ishte rreth 14 vjeç. Babai i tij, siç shkruan vetë Mirahori në testament, quhej Abdullah. Iljazi u mor peng nga sultan Murat II. Fal aftësive të tij fitoi një sërë titujsh: Iljaz bej, Iliaz bej Mirahor, Mirahor Evel që do të thotë Mirahor i parë, ose gjeneral i parë i kalorësisë, dhe Khoxha Mirahor, titull që iu dha nga vetë sulltani dhe që ka kuptimin “i madh” dhe “i nderuar”. Siç shpjegon Sami Frashëri te “Kamus-ul alam”, (fq 1028), “Mirahori, kishte qenë pedagogu i preferuar i Sulltan Bajazitit II”. Sipas Nuçi Naçit, Mirahori vdiq në vitin 1500, sipas Sami Frashërit në vitin 1501, ndërsa sipas studiuesit Nedai Thëllimi në vitin 1512. Për Mytevelinjtë, Mirahori jetoi një shekull.
Mirahori është themeluesi i qytetit të Korçës, por pa varr në qytetin që e themeloi vetë.
https://orientalizmi.wordpress.com/2015/10/12/pa-varr-edhe-themeluesi-i-qytetit-te-korces-iljaz-bej-mirahori-monument-jo-e-jo/