
“Bujaria dhe besimi i tij i thellë i lirë nga fanatizmi – ajo lule e gjerësisë së kuptimit, që ka qenë shembull i kronistëve tanë të vjetër – i dha popullaritet jo më të vogël në mesin e pjesëtarëve të kryqëzatave sesa në mesin e saraçenëve[1] .”(Rene Grousset)[2]
Marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve
Kontakti i parë krishtero-mysliman u bë ndërmjet Muhamedit a.s. dhe Vereka ibn Neufelit [3]. Ky ishte kontakt paqësor . Përveç këtij pati marrëdhënie të mira edhe me Abisininë ( Etiopinë e sotme ) , me krishterët e Nexhranit ,si dhe me të krishterët nën sundimin mysliman.Po ashtu pati marrëdhënie të mira edhe ndërmjet Harun er-Rashidit të dinastisë abaside dhe Karlit të Madh.
Por pati edhe beteja të shumta si ato të Mu’tas e Jermukut ku Perandoria Bizantine humbi tokat e Sirisë , Irakut ,Palestinës dhe Egjiptit . Me ardhjen në pushtet të emevitëve Hilafeti Islam u zgjerua edhe më tepër në dëm të Bizantit ,si dhe pati dy tentativa për ta çliruar Konstantinopojën më 674 dhe më 717 . Më pas , selxhukët i mundën bizantinët më 1071 në Manzikert dhe u futën thellë në Anadoll.[4]
Kryqëzatat
Kryqëzata është “fushatë e armatosur kundër heretikëve ( sekteve brendakristiane ) dhe kundër të pafeve ( myslimanëve )”[5]
Rënia nën sundimin e myslimanëve të Jerusalemit më 638 miladi ,rrënimi i Kishës së Shenjtë nga halifi fatimid El-Hakimi më 1009 ,kërcënimi nga selxhukët dhe alarmimi i perandorit bizantin Aleksius Komnenit I , i cili në vitin 1091 i kërkoi ndihmë Papa Urbanit II , ishin ndër shkaqet kryesore që çuan në luftërat e përgjakshme të kryqëzatave.[6]
Papa Urbani II mbajti fjalim më 26 nëntor 1095 në Klermon të Francës dhe u bëri thirrje të krishterëve për çlirimin e Kishës së Varrit të Shenjtë [7].Ky fjalim ishte edhe shpallje e kryqëzatave dhe me qindra mijëra kryqtarë u nisën drejt vendeve myslimane , disa për shkak të fanatizmit fetar e disa për përfitime materiale.
Sunduesi i parë mysliman që u përball me kryqtarët ishte Këllëç Arsllani , sulltani i ri selxhuk që sundonte një pjesë të madhe të Anadollit me kryeqytet Nikean , e cila pushtohet nga kryqtarët më 1097. Pas Nikeas u pushtuan edhe shumë qytete ,ndër ta edhe Edesa dhe Antioku më 1098 , e në fund edhe synimi kryesor i kryqtarëve , Kudsi Sherifi (Jerusalemi) që ra më 1099 . Në qytetet e pushtuara kryqtarët kryen masakra mbi popullsinë myslimane , pa kursyer as gratë e fëmijët . Nuk shpëtuan as hebrenjtë dhe të krishterët lindorë . Vetëm në Jerusalem u lanë rrugët e qytetit me gjakun e 70.000 myslimanëve , hebrenjve e të krishterëve lindorë .[8]
Gati i gjithë bregdeti perëndimor i Shamit kishte rënë në duart e kryqtarëve, të cilët formuan aty disa principata. Më 1109 Tripoli u pushtua pas një rrethimi 2000 ditor dhe më 1110 u pushtuan edhe Bejruti dhe Saida.[9]
Megjithatë , myslimanët kishin filluar t’i rifitonin fuqitë dhe ata i mposhtën kryqtarët në Harran më 1104.Atabeg Imadudin Zenki ,i cili mori sundimin e Alepos më 1128 , e çliron Edesën dhe shkatërron një nga principatat e kryqtarëve , që e bëri atë kërcënimin e parë serioz ndaj kryqtarëve. Pas vdekjes së tij , sundimtar i Alepos bëhet djali i tij Nurudin Mahmudi që njihet ndër sundimtarët e drejtë myslimanë.[10]
Tregohet se kur Nurudini mori sundimin , gjendja ishte e keqe dhe mentarët kishin nxjerrë përfundimin se duhet të përdoreshin masa më të rrepta ndëshkimore për veprat e gabuara se sa ato të vendosura me sheriat. Ata e lutën një prej dijetarëve që ta bindte Nurudinin për këtë dhe ai i shkroi një letër.Në përgjigjen që i ktheu Nurudini shkruante : “Mos e thëntë Zoti që të ndëshkoj dikë për kundërvajtje përpara se shkelja t’i argumentohet me rrugë ligjore, dhe mos e thëntë Zoti që t’i zbus dënimin shkelësit , gabimi i të cilit është argumentuar me rrugë ligjore. Sikur të veproja sipas direktivave të rekomandimit , atëherë do të isha si ai që i jep përparësi arsyes së tij ndaj dijes së Zotit, e kësisoj Sheriati nuk na qenka i mjaftueshëm për të rregulluar raportet mes njerëzve , atëherë , rrjedhimisht , Allahu (xh.sh.) nuk do ta dërgonte Pejgamberin e Tij të fundit”.Gjatë sundimit të Nurudinit gruaja mund të udhëtonte nga njëri skaj i mbretërisë në tjetrin e vetme.[11]
Nurudin Shehidi në vitin 1154 e futi nën sundimin e tij Damaskun , që deri në atë kohë sundohej nga Muinudin El-Umeri dhe arriti ta bashkonte gati të gjithë Sirinë myslimane.[12]
Salahudin El-Ejubi
Salahudin Jusuf ibn Ejubi apo Saladini , siç njihet në perëndim , lindi në vitin 532 të hixhrit (1137-1138) natën gjatë udhëtimit të familjes së tij nga Tikriti për në Mosul. Zenki e emëroi babain e Salahudinit , Nexhmudin Ejubin , guvernator dhe komandant ushtarak të Balebekut ( Heliopolisit ) më 1139. Në këtë qytet Salahudini kaloi një pjesë të fëmijërisë deri mjë 1146 .Ai atje mësoi shkencat fetare ,gramatikë ,retorikë etj.
Në vitin 1164 Nurudini dërgoi xhaxhain e Salahudinit , Esedudin Shirkuhun , në Egjipt dhe më 1168 ai arriti ta merrte Egjptin nga fatimidët. Esedudin Shirkuhu vdiq pak muaj pas pushtimit dhe Salahudini u emërua vezir i Egjiptit.[13]
Në vitin 1171 Salahudini , me urdhër të Nurudinit , dha urdhër që në hutben e së premtes të mos përmendet halifi shi’it fatimid El-Adidi , i cili në atë kohë ishte i sëmurë për vdekje , por ai sunit abasid . Kjo i dha fund edhe hilafetit disashekullor të fatimidëve.[14]
Salahudini ishte i butë ,shpirtgjerë dhe bujar . Për të Usama ibn Munkidh ka thënë:” Ai qëndron si mëshirë përmes së cilës Zoti u solli lehtësi robërve të Tij, si një që përtëriu me bekimin e Tij tokat tona. Sulltani që riktheu shembullin e Kalifëve të Drejtudhëzuar (hulefa-i rashidun), vendosi një kolonë (mbështetje) të re për shtetin e për fenë.”[15]
Ai është lëvduar edhe nga perëndimorët. Vetë Dante Aligieri në “Komedinë Hyjnore” e cilëson atë prej “paganëve të mirë”.
Tregohet se ai një prej dinjitarëve të tij që qe përpjekur ta fitonte simpatinë e tij kundër njërit që e ka mashtruar i ka thënë:” Ç’mund të bëj unë për ty kur myslimanët kanë gjykatësin , i cili gjykon… Unë nuk jam asgjë tjetër ,pos shërbëtor dhe administrator i ligjit , ndërsa ligji do të gjykojë në dobinë tënde ose në të kundërt!.”[16]
Një ditë Sulltanit të sfilitur i erdhi dikush për të nënshkruar një letër. Salahudini i tha se ishte i lodhur e nuk kishte bojë shkrimi me vete, por kishte pasur bojë shkrimi në fund të tendës që Sulltani nuk e kishte parë. Njeriu bërtiti se boja ishte në fund të tendës ,që nënkuptonte se po e urdhëronte vetë sulltanin.Salahudini u ngrit , e mori bojën dhe e nënshkroi letrën. Kjo ngjarje është treguese e butësisë së tij.[17]
Gjithashtu , El-Imadi ka thënë :”Në kohën e një rrethimi ai dhuronte 12.000 kuaj , dhe kur vinte deri te përballja me armikun ai do të huazonte një për vete.Mbante rroba të thjeshta nga pambuku dhe prej liri të thjeshtë. Rrinte larg shoqërisë në të cilën shakaja teprohej. Shoqëria e tij përbëhej prej njerëzve të denjë dhe të vlefshëm. I pëlqente të dëgjonte hadithe me isnadet( zingjirët e transmetueve ) e tyre. Ishte i butë dhe i falte lëshimet, ishte i devotshëm ,i ndershëm,konfidencial , dhe për shkak të gjithë kësaj ka mundur të durojë shumë dhe nuk është zemëruar shpejt. Nuk e ka kthyer duarthatë atë që i ka kërkuar. Nuk e ka turpëruar bashkëbiseduesin. Ka bërë shumë bamirësi … Nuk do ta shihje asnjëherë duke u falë përveçse në xhemat.[18]
Sulltan Salahudini i kishte thënë një here mikut të tij :”O ibn Shedad , ekzistojnë njerëz në botë për të cilët edhe varfëria edhe pasuria janë të njejta”. Rreth kësaj Ibn Shedadi ka thënë:” E kam ditur se fliste për veten e tij sepse ai nuk është interesuar për dunjallëkun”.[19]
Në vitin 1174 eprori i Salahudinit , Nurudini , ndërroi jetë dhe vendin e tij e zuri djali i tij i mitur.Ndërsa po atë vit Salahudini mori Damaskun ,Salihu-i biri i Nurudinit u shpërngul për në Alepo.Salahudini i deklaroi besnikëri Salihut dhe e shpalli veten kujdestar të tij.Këshillterët e Salihut bënë marrëveshje me asasinët (organizatë terroriste , ata vranë më 1092 kryevezirin e shtetit selxhuk ,Nidhamulmulkun) për ta eleminuar Salahudinin. Asasinët bënë atetntat ndaj tij më 1175 dhe një tjetër më 1176 ku e goditën me thikë në kokë , por arriti të shpëtonte i gjallë. Pesë vjet më vonë Salihu vdes në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare ,ndoshta i helmuar. Kjo i dha mundësi Salahudinit që më 18 qershor të vitit 1183 të hyjë në Alepo , duke u bërë sundues i vetëm i Egjiptit dhe i territoreve të Nurudinit në Sham.[20]
Pas kësaj , vëmendja e Salahudinit drejtohet kah shtetet e vogla kryqtare .Pasi që kryqtarët e shkelën marrëveshjen për çarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve dhe pasi Rejnaldi dështoi ta sulmonte Meken alarmoi Salahudinin dhe e rrethoi Karakun në vitin 1183[21]. Në maj të vitit 1187 ushtria myslimane u sulmua nga templarët e Tiberiusit gjatë një marshimi drejt liqenit të Galilesë ku kryqtarët u shpartalluan. Sulmi përfundimtar ndaj kryqtarëve nuk mund të vonohej më. Salahudini mblodhi 12.000 kalorës dhe 6000 këmbësorë vullnetarë nga të gjithë vendet myslimane dhe u nis ndaj kryqtarëve ,ushtria e të cilëve përbëhej nga 1200 kalorës të armatosur deri në dhëmbë , 3500 kalorës të armatosur lehtë dhe 18.000 këmbësorë. Beteja filloi të premten e 3 korrikut të vitit 1187 në Hitin. Ashtu siç Muhamedi s.a.v.s. kishte zaptuar puset e Bedrit edhe Salahudini e bëri të njejtën gjë me liqenin aty afër , duke i lënë kryqtarët e lodhur nga rruga pa ujë . Të nesërmen , me 4 korrik , ushtria myslimane sulmoi atë kryqtare të rraskapitur e pa ujë dhe arriti të triumfonte.[22]
Fitoren në Hitin e pasuan çlirimet e Ashkelonit , Gazës dhe qyteteve afër Jerusalemit. Rradhën e kishte qyteti shenjtë i Kudsi Sherifit , qyteti që për pesëmbëdhjetë muaj ka qenë kible e myslimanëve , në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. udhëtoi gjatë natës së Israsë dhe Miraxhit dhe qyteti në të cilin gjendet Mesxhidul-Aksaja, xhamia e tretë më e rëndësishme për myslimanët ( pas Mesxhidul-Haramit në Meke dhe Mesxhidul-Nebevij në Medine) , ku sipas një hadithi të Pejgamberit a.s. një namaz në të ka vlerën e 500 namazeve në çdo xhami tjetër , përveç asaj në Meke dhe Medine.
Synimi i Salahudinit ishte ta merrte qytetin me sa më pak gjakderdhje që të jetë e mundshme. Për këtë arsye , ai u kishte ofruar banorëve të Jerusalemit kushtet më të mira të mundshme nëse ata e dorëzonin qytetin pa luftë. Por, kryqtarët fanatikë nuk pranuan ofertat e Sulltanit. [23]
Më 20 shtator ushtria myslimane rrethoi Kudsin . Salahudini kishte vërejtur se muret e qytetit ishin pothuajse të pakalueshëm , përveç pjesës veriore ku ai vuri re një mundësi kalimi. Kështu , më datën 29 ai urdhëroi që të sulmonin po atë pjesë dhe po atë ditë xhenierët arritën të krijonin një të çarë. Ky është një fakt i gjenialitetit të tij në strategjinë luftarake , që është një prej virtyteve kryesore të tij. Kur pa se mbrojta nuk kishte më efikasitet ,Baliani , komandanti i ushtrisë krishtere , shkoi te sulltani dhe kërkoi që të kursehej jeta e banorëve të qytetit . Salahudini , pasi mori sygjerim edhe nga këshilltarët e tij , pranoi kërkesën e Balianit. Kushti i Salahudinit ishte që çdo i krishterë burrë të paguante 10 dinarë për lirinë e tij , ndërsa grate nga pesë dhe për fëmijët nga një dinar ; si dhe , me kërkesën e Balianit , të varfërit u liruan nga shpërblesa në këmbim të tridhjetë mijë dinarëve të paguara nga ana e tij. I kënaqur me plotësimin e kërkesave të tij , Baliani urdhëroi që të hapen portat e qytetit.[24]
88 vjet pas pushtimit barbar nga ana e kryqtarëve , më 2 tetor të vitit 1187 miladi , që përkon me 27 rexhep të vitit 583 hixhri , pikërisht në natën e të njejtës ditë Muhamed Mustafai s.a.v.s. bëri udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit , ushtria myslimane me në krye Salahudinin hyri në qytet paqësisht dhe pa masakra , duke ndjekur shembullin e Omer ibn Hatabit r.a. kur hyri në Kuds ( shek. I hixhri ) .[25]
Sulltan Salahudin Jusuf ibn Ejubi , mbajtës i denjë i emrit të pejgamberit Jusuf a.s. , njeri me virtyte të mëdha , pauses dinjitoz i rrugës së të dashurit të Allahut , Vulës së Pejgamberëve , Muhamedit s.a.v.s., strateg i madh lufte dhe i respektuar në lindje e perëndim , ndërroi jetë më 4 mars 1193 , duke dëgjuar Kur’an dhe duke shqiptuar fjalën “ El-Hakk”. Miku i tij , Kadi Bahaudin ibn Shedadi , për vdekjen e tij ka thënë :” Atë ditë Islamin dhe myslimanët i ka goditur fatkeqësi e tillë që nuk ka ndodhur që nga koha e vdekjeve të halifëve të drejtë”.[26]
Fusnotat :
[1] Saraçen : emërtim për arabët ( myslimanët ) i vënë prej evropianëve.
[2] William Stoddart, “Ç’thonë fetë për njëra tjetrën”, Logos-A, Shkup, 2010, f.96.
[3] Shih: Safijurrahman El-Mubarekfuri, “Nektari i vulosur i Xhennetit”, Prishtinë,2002, f. 78-81.
[4] Shih: Karen Armstrong, “Islami: Një histori e shkurtër”, Logos-A, Shkup, 2011, f.43-152 ;
[5] Nexhat Ibrahimi, “Leksikoni islam”, Logos-A, Shkup,2012, f.200.
[6] Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup ,2009, f.73-74.
[7] Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, op.cit., f.74.
[8] Amin Maaluf, “Kryqëzatat në syrin e arabëve”,Logos-A, Shkup ,2010, f.17-90.
[9] Amin Maaluf, op.cit. f.101-135.
[10] ] Amin Maaluf, op.cit.
[11] Jusuf El-Kardavi, “Sheriati islam: Aktualiteti gjithëkohor dhe gjithëhapësinor i tij”, Logos-A, Shkup, 2013, f.105-106.
[12] Shih: Amin Maaluf, op.cit., f.228-237.
[13] http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-salahudinovo-rodenje-i-mladost/ .
[14] Amin Maaluf, op.cit., fm 265-266.
[15] http://zaninalte.al/2015/07/nga-imam-aliu-te-salahudin-ejjubi-nga-emir-abdul-kaderi-te-hasan-riza-pasha/ .
[16] Jusuf El-Kardavi, op.cit., f.107.
[17] Amin Maaluf, op.cit. f.274.
[18] http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-kazali-su-o-salahudinu/ .
[19] http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-salahudinov-doprinos-razlicitim-aspektima-drustvenog-zivota/ .
[20] Amin Maaluf, op.cit., f. 272-284.
[21] Amin Maaluf, op.cit., f. 286-288.
[22] Amin Maaluf, op.cit., f. 291-297 ; http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-bitka-na-hittinu/ .
[23] http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-osvajanje-jerusalima/ .
[24] Amin Maaluf, op.cit., f. 304-306 ; http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-osvajanje-jerusalima .
[25] Amin Maaluf , op.cit., f. 306.
[26] http://www.islambosna.ba/upoznajmo-salahudina-el-ejubijja-salahudinovo-preseljenje/
http://vizion-info.com/6172