Alija Izetbegoviqi (Pikëpamje nga jeta, vepra dhe idetë)

“Kush është indiferent ndaj Alisë, pas takimit me të, bëhet simpatizues. Kush është simpatizues, bëhet tifoz. Nëse tashmë ka qenë tifoz, bëhet fanatik.” (Abdullah Sidran) 

 

I. Jeta dhe aktiviteti

 I. 1. Prejardhja e familjes Izetbegoviq

 

Rrëfimi im për Alija Izetbegoviqin nuk është i ri. Për të kanë shkruar shumë intelektualë, madje më mirë e më shumë se unë. Por, më lejoni që unë të flas për të nga këndi im, nga pikëpamja ime, atë që dikush e sheh ndryshe, sepse unë e njoh edhe drejtpërdrejt, por edhe nga shkrimet. Prandaj edhe do t’i shmang formulimet spekulative në dobi të të folurit të përditshëm, konvencional, pa stilizime, pa glorifikime, pa eufori.

Nga ajo që kam lexuar dhe dëgjuar nga ai, Alija Izetbegoviq, ta themi figurativisht, edhe pa lindur filloi t’i ndiej problemet që do ta ndjekin atë dhe popullin e tij gjithë jetën, madje edhe pas vdekjes, sepse familja e tij, që deri atëherë jetonte në Beograd, nga presioni serb u detyrua të shpërngulet në Bosnjë në vitin 1868. Ky fat do ta ndjek atë edhe më vonë, kur në moshën dy vjeçare, për shkaqe ekonomike e tjera, Mustafa, babai i Alisë u detyrua të shpërngulet në Sarajevë. Meqë Alija ishte djali më i madh në familje, e barti rolin kryesor në kujdesin ndaj babait të sëmurë. E ëma e Alisë, do të bëhet krahu i djathtë i tij, e sidomos në mbëltimin e dashurisë dhe përkushtimin ndaj fesë islame.

 

I. 2. Ecejaket rinore dhe ngjitja drejt piramidës së pjekurisë

 

Periudha rinore e Alisë ishte e trazuar shpirtërisht për shkak të rrethanave besimore, morale e sociale në shoqëri. Kjo bëri që edhe Alija që ndiej një simpati kundrejt lëvizjeve të majta të kohës. Ai lexonte mjaft, edhe Hegelin, edhe Kantin, edhe Spinozën, edhe Spenglerin, edhe filozofinë lindore, edhe atë perëndimore. U shmangej policive çetnike serbe e ustashe kroate, por kultivonte simpatinë e tij për frymën revolucionare muslimane, që më vonë do të artikulohet si Lëvizja e Muslimanëve të Rinjë (Mladi Muslimani). Kjo ishte rruga, sipas tij, për rilindjen dhe kapërcimin e mjerimit të muslimanëve. Mirëpo, kjo i ra në sy shtetit komunist të Jugosllavisë ndërsa Alija do të dënohet me tre vjet burg (1946-1949). Disa miq të tij, si Hasan Biber, më 1949 u dënua me vdekje. Të gjithë muslimanët e Jugosllavisë këto kohë po përjetonin ditë të rënda: burgosje, tortura, vrasje misterioze, dhunë psikike etj. Për gjithë këtë, organizata pushoi së vepruari, por Alija nuk u ndal së lexuari politikisht dhe së medituari politikisht. Në këtë kohë të rëndë, ai do të përfundojë studimet e jurisprudencës më 1956. Në këtë kohë ai mendonte dhe shkruante për dukuritë e kohës: kapitalizmi, komunizmi etj. Për komunizmin, si trend dhe modë e kohës, ai mendonte se është hipokrit, sepse përkundër modaliteteve të ndryshme komuniste në qeveritë e ndryshme, dhuna e shtuar dhe mungesa e demokracisë ishte tipar i përbashkët i të gjitha shteteve diktatoriale. Mirëpo, në këtë kohë, në vitet e 80-ta të shekullit XX, klima më liberale në Jugosllavi krijoi kushte për aktivizim të elementit fetar musliman e nacional boshnjak, kështu që edhe Alija me miq u aktivizua. Kjo sërish i ra në sy shtetit, kështu që me një proces të montuar politik, bashkë me shokët, u dënua me 14 vjet burg. Edhe pse këtë burg do ta vuaj vetëm 5 vjet e tetë muaj, sepse u dëshmua si i montuar politikisht, ai i falënderohet besimit dhe familjes për shëndetin e mirë, sepse ata jetonin për të dhe e trimëronin që të arrijë deri në fund dhe i pathyeshëm. Po ashtu, ai burgun e shihte si arsimim plotësues, sepse kishte kohë të mjaftueshme për lexim e meditim.

 

I. 3. Periudha e pasburgut dhe lidhjet lindje-perëndim

 

Hegjemonia serbe, e mbështjellë me petkun jugosllav, nuk ishte e kënaqur me shkallën e dominimit të tërë Jugosllavisë, kështu që, duke e paraqitur popullin serb si viktimë të krizës jugosllave, dëshironte ta rrisë shkallën e dominimit në vend. Në anën tjetër, meqë Sllovenia dhe Kroacia ishin para pavarësimit, dhe gëzonin përkrahjen e Perëndimit, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia ishin në prag të luftës. Për këtë arsye, Alija ishte në kërkim të njerëzve dhe gjetjes së mënyrës së organizimit politik, që do të mund ta bartnin misionin e themelimit të një partie, e cila do t’i artikulonte idetë dhe mendimet e individëve dhe të partisë në tërë territorin e Jugosllavisë. Pas shumë konsultimesh, partia u themelua me emrin Partia e Aksionit Demokratik, përkatësisht në gjuhën boshnjake Stranka demokratike akcije, e njohur si SDA. Edhe pse partia u mendua të jetë si parti e rrethit kulturor-historik musliman, për shkak të ndarjes së kufijve të brendshëm të Jugosllavisë, ajo u profilizua në parti nacionale boshnjake dhe e boshnjakëve.

I pyetur se çfarë Bosnjë dëshiron, Alija është përgjigjur se ai “nuk do një Bosnjë islame, as një Bosnjë socialiste, por e do një Bosnjë qytetare”, por nëse rrethanat ecin ndryshe, në dëm të Bosnjës, ai porositi: “Nëse ka nevojë Muslimanët me armë do ta mbrojnë Bosnjën.” Dhe lufta ndodhi, përkundër faktit se ajo ishte zgjidhja më e keqe, por jo më e keqe se robëria.

Alija nuk e donte luftën, por atë e shihte si rrugë për fitore dhe mbijetesë. Në urimin e Vitit të Ri 1994-1995 porositi: “Lufta nuk guxon të zgjasë asnjë ditë më shumë sesa që duhet, por as paqja nuk mundet dhe nuk duhet të pranohet me çdo çmim. Së këndejmi, do të negociojmë kudo që mundemi, por edhe të luftojmë nëse duhet pa tjetër.” Konceptit të shteteve njënacionale, njëfetare, njëpartiake Alija ia kundërvinte konceptin e shtetit të lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe mirëkuptimit, shtetin e qytetarëve të Bosnjës. Urtësia e tij, dija dhe guximi që kishte i dhanë atij atributin e një udhëheqësi karizmatik. Pas tragjedisë së Srebrenicës në korrik 1995, si rezultat i komplotit botëror, dhe negociatave në Dejton 1995, erdhi edhe paqja e imponuar nga gjenocidi. Lufta përfundoi  por jo edhe problemet me serbët dhe kroatët. Këtë e vështirësonte edhe shëndeti i Alisë, gjithnjë e më i rënduar. Edhe i tillë, ai vazhdoi në Perëndim të mbronte Islamin, kurse në Lindje të mbronte Perëndimin, pa harruar se është musliman. Kudo që shkonte, të pranishmëve ua kujtonte se është nga Bosnja, ku çdo i dhjeti njeri ka vdekur, prandaj mos të lejojmë të ndodhin padrejtësi të tjera.

Mirëpo, shëndeti iu keqësua edhe më shumë, dhe në korrik 2000, nëpërmjet TV Sarajevës, u largua nga postet publike. Por, përkundër kësaj, ai pati thënë: “Sikur të më ofrohej sërish të jetoj, do ta refuzoja. Por, nëse do të duhej sërish të lindesha, do ta zgjidhja jetën time.”

Alija ndërroi jetë më 19 tetor të vitit 2003. Sarajeva ishte përplot me njerëz të vendit por edhe nga bota, të cilët dëshironin ta përshëndesnin për herë të fundit.

Alija u varros në varrezat e shehidëve në lagjen Kovaçi në Sarajevë.[1]

 

 

 

II. Veprat dhe idetë kryesore

 

Alija Izetbegoviqi është vështirë të analizohet si autor si për shkak të vëllimit të veprës ashtu edhe për shkak të thellësisë së veprës. Qoftë veprat me përmbajtje fetare, qoftë ato me përmbajtje politike, kërkojnë nga studiuesi një përqendrim të njëmendët dhe njohje të gjerë të problemeve të fushave të ndryshme. Në pamundësi për një zbërthim hyrës më të gjatë, do t’i shtrojmë mendimet kryesore për disa vepra të tij, të vetëdijshëm se nuk është thënë e tëra dhe fjala e fundit. Sipas të gjitha parametrave, vepra e tij do të jetojë një kohë të gjatë.

Veprat që i kemi para vetes, të përkthyera në gjuhën shqipe, janë edhe fat, për arsyet që do t’i ndeshim gjatë leximit të librit, edhe përgjegjësi, për arsyet që rrjedhin si konsekuencë e leximit të kohës kur ai jetoi.

Sipas intelektualit të madh boshnjak, Abdullah Sidran, veprat e Izetbegoviqit janë një armë jashtëzakonisht e fuqishme për ta dhe për fëmijët e tyre, për autorët e ardhshëm dhe historianët, një armë me ndihmën e së cilës do të mbrohet më lehtë figura dhe vepra e tij historike nga të këqijtë dhe injorantët e tashëm dhe të ardhshëm.

Në vazhdim do t’ themi nga disa fjalë për veprat që janë përkthyer në gjuhën shqipe. Jemi të vetëdijshëm se shkurtësia e të folurit për këto vepra mund të sjellë deri te një paraqitje e zbehtë, por vendi dhe hapësira është kaq. Në fund të fundit, nuk është normale që të thuhet shumë, por të thuhet aq sa lexuesi të futet në vepër, pastaj ai vetë do të sjell përfundime të nevojshme.

 

II. 1. Problemet e rilindjes islame

 

Vepra Problemet e rilindjes fetare të Alija Izetbegoviqit është përmbledhje shkrimesh të lira, tema të rilindjes islame, që i përket zhanrit të literaturës fetare-politike, kurse Deklarata islame është manifest politik nga perspektiva islame. Vepra është shkruar në dekadat VI-VIII të shekullit XX. Edhe pse faktografia, statistika, ndonjëherë është e vjetruar, megjithatë ato pasqyrojnë diagnozën për shkaqet e dekadencës, prapambetjes dhe robërisë të popujve muslimanë. Disa ide tashmë janë sendërtuar, e disa mbase edhe janë utopike për rrethanat ballkanike, por që kanë zënë vend në rrafshin teorik të mendimit musliman.

Vepra është e tëra me fjali koncize, bukur të formuluara, mjaft revolucionare, e në masë të caktuar edhe rebeluese, kryengritëse. Ka të drejtë miku i tij, Xhemal Llatiq kur thotë se këto shkrime janë shkruar para kohe. Gjithashtu, shkrimet e tij janë të angazhuara, me një stil frymëzues, si pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve e jo si vëzhgues apo analist statik, pasiv. Thjesht, ai kishte një diskurs aktivist dhe lexohej me dëshirë nga lexuesi i etshëm për identitet dhe në kërkim të identitetit islam.

Në rrethanat ekzistuese por edhe nga fakti se një shpirt çfarë ishte Alija Izetbegoviqi edhe po të donte nuk do të mund të mos i shkruante veprat e veta, e sidomos këtë vepër. Botën islame Alija e ka trajtuar drejtpërdrejt, teoretikisht dhe me statistika, kurse boshnjakët tërthorazi, sigurisht edhe për arsye (dhe siguri) politike, por edhe nga fakti se ata edhe ashtu i përkisnin botës muslimane, si një minibotë.

Vepra e tij ka edhe qëndrime që i nënshtrohen kohës dhe hapësirës për dallim prej shkrimeve me porosi gjithëkohore, të përgjithshme, globale. Ndër ato qëndrime që janë të kushtëzuara me gjendjen apatike të botës muslimane, e që Alija i ka parë si pengesë të zhvillimit musliman dhe si element përçarës, është çështja e lindjes dhe ekzistimit të medhhebeve. Mendoj se Alija në thelb ishte për frymën e medhhebeve, dhe vepra e tij këtë e dëshmon, por që në fakt, ai nuk e gjykoi esencën por formën, shtresimet historike.

Çështje tjetër e diskutueshme në veprat e tij është edhe qëndrimi paksa rigoroz i Alisë kundër poligamisë. Është i arsyeshëm mllefi i tij kundër poligamisë, bazuar në botën aktuale muslimane, abuzimet me të, por rigoroziteti absolut është e padrejtë sepse poligamia është kategori kur’anore normalisht e kushtëzuar.

Çështja e fundit të cilën e diskutojmë me këtë rast është gjykimi i tij i shpjegimit teologjik të Islamit nga ana e imamëve. Ai mendon se ky perceptim i Islamit, shpjegimi teologjik, e ka vdekur frymën e gjallë të Islamit, dinamizmin e pashembullt. Në këtë mendim të tij ka të vërtetë, por mohimi i rolit të hoxhëve në ato kohë të vështira,e me gjithë ato kufizime, është i papranueshëm. Nëse nuk kanë dhënë ndonjë kontribut, ata së paku e kanë ruajtur dijen tradicionale dhe e kanë përcjellë më tej. Hoxhët nuk lajthitën në perceptimet e tyre, as sikurse lindorët që pushuan të mendojnë, as sikurse perëndimorët që mendojnë së tepërmi dhe mendojnë gabimisht. (Xh. Llatiq).

Vlen të theksohet se përkundër faktit se shkrimet e Alisë janë të natyrës së gjallë, temperamente, që kërkojnë rilindjen e botës islame, në asnjë vend këto shkrime nuk pretendojnë në përjashtim dhe mosdurim, për më tepër diversitetin fetar e shohin si dhuratë dhe bekim të Zotit. Për dallim prej lëvizjeve përjashtuese kërkesa e Alisë është revitalizimi i botës muslimane, dalja nga stagnimi. Karakteristikë tjetër është se Islami i perceptuar nga ai më tepër është Islam i veprës e më pak i mendimit, Islam i gjallë, politik dhe sociologjik e më pak eskatologjik. Disa këtë mënyrë perceptimi të Islamit e kritikojnë se shpërfill elementin edukativ, duke u shndërruar në lëvizje apo parti politike.

 

 

II. 2. Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

 

Vepra e Izetbegoviqit Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, të cilën lexuesi shqiptar e ka lexuar në gjuhën shqipe menjëherë pas gjuhës boshnjake, turke dhe angleze, është ndër veprat më të përkthyera (anglisht, shqip, turqisht, arabisht, indonezisht, maqedonisht etj.) dhe më të lexuara ndër ne e më gjerë. Në gjuhën shqipe vepra ka përjetuar dhjetëra botime dhe qarkullon edhe në internet.

Libri është shkruar herët, mbase koncepti i parë në moshën 20 vjeçare të autorit. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, ajo është përfunduar diku në vitet 1970-1980, së paku kjo mund të përfundohet në bazë të literaturës së përdorur dhe disa ngjarjeve që theksohen në tekstin e librit. Sidoqoftë, vepra ka marrë formën përfundimtare para viteve të tetëdhjeta të shekullit XX. (Karić).

Vepra nuk ka karakter teologjik (sepse autori edhe nuk është teolog), por para së gjithash ajo ka karakter publicistik. Ajo nxit përsiatje të gjallë për Islamin dhe për vendin e tij ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, shprehje këto reale dhe figurative, me plot kuptim në kohën e luftës së ftohtë. Shikuar nga këndi aktual, mund të konstatohet se teksti është libër i matur, e privuar nga ndonjë lloj integralizmi apo fundamentalizmi në kuptimin e egër të politikës aktuale globale.

Alija ka synuar që idetë e tij t’i shtrojë kryesisht në dy vija të përhershme të mendimit njerëzor: vijën religjioze dhe shkencore, edhe pse këto terma janë të ngatërruara në diskursin filozofik, sociologjik e politik. Gjithashtu, dualizmin filozofik ndërmjet frymës dhe materies ai e quan si dy para/parime, dy bota të gjerave të cilat kanë prejardhje të ndryshme, natyra të ndryshme, që nuk burojnë nga njëri-tjetri as që mund të rrëgjohen në njëri-tjetrin.

Rrëgjimi i njeriut vetëm në qenie prodhuese dhe konsumuese është gjymtim i njeriut, jo humanizim por dehumanizim. Njeriu nuk mund të shikohet si një prej gjerave në vargun e shumë gjerave materiale, por duhet të shikohet edhe nga një rend tjetër i gjerave, të ndryshëm nga ato materiale, pra frymore. (Ibrahimagić, Metvejević).

Një numër idesh islame të Alisë janë johistorike, parimore, joempirike, madje edhe emotive, sepse ishin të motivuara me autorë modernistë e reformistë të proveniencave të ndryshme, të cilët në hovin e antikolonializmit posedonin ide dhe diskurs të tillë (Sejjid Amir Ali, Muhammed Ikball, El-Mevdudi, Muhamed Abduhu, Reshid Rida, Hasan Benna, e të tjerë).

Vepra Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit në disa pjesë të saj tashmë i përket të kaluarës dhe historisë, por në disa pjesë të tjera, vepra është ende e freskët dhe e angazhuar.

Pajtohemi apo jo me jetën dhe veprën e Alisë është gjë tjetër, por nuk mund t’i bëhet vërejtje se nuk ka jetuar në pajtim me mendimin e vet, sepse, sikur mos të ishte ashtu, nga jeta e tij nuk do të arrinte të bëjë vepër. Vepra e tij Alinë e ka bërë të ecë drejtë para njerëzve por i përulur vetëm para Zotit.

 

 

II. 3. Ikja ime në liri

 

Vepra Ikja ime në liri paraqet shënimet e autorit nga burgu i Foçës ndërmjet viteve 1983-1988. Titulli është figurativ dhe tregon ikjen e autorit në aspektin shpirtëror e ideor dhe jo ikjen fizike, që mbase do t’i interesonte lexuesit të moshës së re.

Vepra paraqet një lloj rrëfimi të natyrës së memoareve për veten, për përsiatjet e veta dhe për mënyrën e luftës, që ta zbusë pozitën në të cilën gjendej. Leximi i veprave të shumta nga kultura, filozofia, sociologjia, religjioni, autorin disi e “ikte” (largonte) intelektualisht dhe  shpirtërisht jashtë burgut. Kjo mbase edhe për shkak të strukturës së të burgosurve, kryesisht kriminelë të ndryshëm. Meqë për bashkëbisedues më pak pati gjetur dikë brenda mureve e më shumë jashtë mureve, Alija “ikte” nga burgu në liri, në lirinë e shpirtit e mendjes.

Autori për mendimet e tij thotë se vlera e tyre nuk konsiston shumë në vetë mendimet, por më tepër në rrethanat në të cilat janë shkruar. Në këtë kohë bëhej revidimi radikal i mendimeve dhe bindjeve pas rënies së komunizmit, pas rrënimit të murit të Berlinit, pas rënies së diktatorëve komunistë në Evropë. Nga bipolariteti kaluam në unipolaritet, përparësitë apo mangësitë e të cilit do t’i shohim më vonë.

Tvrtko Kulenoviq, një recensues i tij, pohon se Alija nuk ka qenë njeri u luftës, për dallim nga dy fqinjët, për të cilët bota e frymës dhe frymësisë ishte e huaj, ndërsa përvetësimi i territoreve të huaja për ta ishte obsesion. Leximi i veprës tregon se gjuha e veprës është jopretencioze, pa fjalor të ngarkuar filozofik, me gjuhë eseistike kreative, emotivisht e ngjyrosur në masë të duhur.

 

 

II. 4. Kujtime

 

Libri Kujtimet është një arritje e suksesshme në fushën e memoareve, në historinë politike nacionale, rajonale dhe botërore, në historinë e mendimit religjioz, filozofik, etik, sociologjik. Përkundër fjalorit politiko-filozofik gjuha e librit është kreative, frymëzuese dhe emotive por brenda kufijve të lejuar. Me fjalë të tjera, vepra Kujtime është autobiografi, apo siç e thotë këtë vetë autori, janë fragmente të jetës sime, sepse disa pjesë janë harruar e disa pjesë mbesin private, jo për opinion. Për këtë arsye, ai më tepër e quan një kronikë sesa një jetëshkrim. I vetëdijshëm se jetëshkrimi është edhe subjektiv, ai thotë se jetëshkrimi nuk është histori dhe se historinë nuk e shkruajnë pjesëmarrësit, por pasuesit, përkatësisht, rrëfimi në veten e parë është e vërteta e autorit për një periudhë të vështirë të historisë boshnjake. (Neimarlija)

Kujtimet kryesisht janë autobiografi apo fragmente të jetës së kryetarit të Kryesisë së BeH dhe liderit të pakontestueshëm të boshnjakëve në një kohë të pakohë, në kohën kur e mira dhe e keqja, drejtësia dhe padrejtësia, jeta dhe vdekja, kuptimi dhe absurdi janë të skajshëm, të dëshiruar por të largët. Në masë më të vogël, Kujtimet janë edhe autobiografi shpirtërore, e cila jashtë jetës politike, ka botën e tij prej autori dhe mendimtari. (J.Vočkić-Avdagić)

Qasja e autorit është emocionale, por duket e sinqertë. Nëpërmjet ideve dhe veprimeve të tij, autori siguron se është i pakompromis në bindjet e veta dhe i gatshëm për çdo sakrificë. Kujtimet janë edhe dokumente autentike nga njeriu autentik: bisedat, letrat, fjalimet, opinionet. Pra, Kujtimet kanë edhe aspektin dokumentar, të thjeshtë, pa dekor, pa retushime; janë lëndë e vëllimshme politike për nevoja të nesërme  diplomatike e historike.

Duke lexuar Kujtimet, njeriu e ka të vështirë e të mos përfundojë se nëse drama jetësore e Alija Izetbegoviqit nuk mund të identifikohet me dramën e shtetit të Bosnjës, atëherë me siguri, në të gjitha segmentet thelbësore, edhe metaforikisht edhe tekstualisht, identifikohet me dramën historike dhe fatin e popullit boshnjak musliman. Jeta e tij nëse nuk tregon çka jemi, atëherë tregon çka nuk duhet të jemi. Jeta e tij nëse nuk tregon çka njeriu nuk duhet të bëjë dhe çka nuk duhet të jetë, atëherë jeta e tij tregon çka njeriu duhet të bëjë, që të ekzistojë, që të rrojë, që të bëhet – Njeri. (Sidran).

Nëse nuk jam kompetent për gjera të tjera, atëherë, thotë Sidran, me lejoni të përmendi dy fakte historike, dy rezultate historike, deri te të cilat populli boshnjak arriti në epokën e udhëheqjes së Alija Izetbegoviqit: Një, populli boshnjak që, qoftë paqe apo luftë, qe gjykuar të zhduket, që deri atëherë trajtohej si një grup fetar, por jo si popull, si komb, e ktheu emrin e tij historik, të vërtetë, të grabitur: boshnjakët. Alija me kohë e nuhati dhe me përkrahjen dhe angazhimin këmbëngulës të tij e realizoi këtë synim. Dy, me emrin e tij vetjak etnik dhe me ushtrinë prej dyqind mijë ushtarë, populli boshnjak u bë faktor politik (e jo popull politik siç ndodhi me fqinjët e boshnjakëve), në të cilin duhet të llogaris çdo rival, mik apo armik.

Do t’i themi edhe disa vërejtje, që të bëhemi më të qartë në përsiatjet tona. Do ta përsëris sërish mendimin se vetë Alija Izetbegoviq që Kujtimet e tij i quan “fragmente të jetës së tij”, por nga një këndvështrim tjetër, duke shtuar se libri ofron më tepër sesa fragmente, madje ofron një botë të pasur mendimesh dhe përvojash nga Lindja dhe Perëndimi, të thuash ashtu në stilin e Muhammed Ikballit, që vështirë se mund t’i vëresh në veprat e zhanrit të këtillë. Pse them kështu? Sepse, autorët e memoareve zakonisht flasin nga këndi i përkatësisë ideologjike, partiake, shtetërore, nga këndi i proveniencës religjioze apo gjeografike, i kohës kur jeton apo për kohën për të cilën shkruan. Mirëpo, Alija qysh moti e kishte hedhur këtë kompleks vlerash të damkosura. Alija me akribie të lartë dhe me shpirt të rafinuar gjurmon vlerat e Lindjes dhe të Perëndimit, të qytetërimeve të lashta dhe qytetërimit perëndimor bashkëkohor, të qytetërimit islam por edhe antiislam. Disa ide e përvoja i përvetëson, me disa ide të tjera bashkëjeton, ndërsa disa ide i refuzon me një JO të prerë.

Ai, për shkak të karakterit subjektiv të memoareve, që është i natyrshëm për këtë lloj literature, Kujtimet nuk i quan histori, por pohon se ato janë reagim i motivuar nga përditshmëria për përditshmërinë, dëshmi e gjallë dhe autentike se si i ka lexuar shenjat e kohës dhe se si është përballur me to. Me fjalë të tjera, kjo që kemi para vetes është një lexim i gjallë i problemeve dhe zhvillimeve të kohës në Bosnjë, Ballkan dhe në botë nga eruditi i kohës.

Libri Kujtimet është përplot fuqi, vërtetësi, por edhe hidhërim dhe pezmatim. Herë-herë pasazhet e caktuara janë udhëzim, shpjegim, udhërrëfyes në vorbullën e kohës dhe ngushticën e hapësirës, që kishin ndodhur apo do të ndodhnin më vonë. Libri karakterizohet nga sinqeriteti e spontaniteti, dhe në të mungojnë ndërhyrjet kozmetike të romanshkruesve. Kjo, për dallim prej shumë politikanëve e intelektualëve, bën që ai ta lexojë drejtë mesazhin e kohës dhe të ecë pagabueshëm sipas udhëzimit të mesazheve, bën që të ngrihet mbi realitetin e thjeshtë dhe të shohë matanë këtij bizariteti të kohës kur jetoi.

Vepra, si reflektim i ideve të tij, është e gjerë, kështu që shpesh Izetbegoviqi nuk gjen bashkëbisedues për veprën e tij në rrethin e tij të ngushtë, në burg apo në shoqërinë e ngushtë, por gjen bashkëbisedues jashtë rrethit të ngushtë, madje edhe jashtë rrethit kulturor-historik musliman.

Gjatë jetës së tij, prej gati tetë dekadash, sidomos gjatë dekadës së vuajtjeve në burg, Alija e njoftoi dhe e përjetoi mbi supet e tij politikën pa moral, politikën makiaveliste, pikërisht për shkak të perceptimit të ritmit, të pikëpamjeve dhe të filozofisë së mendësisë së popullit të tij. Ky perceptim i solli atij tragjedinë personale, familjare dhe të një rrethi shokësh, por i solli një tragjedi edhe shumë më të tmerrshme, e cila e goditi tërë popullin e tij, e të cilën ai e evokon në librin Kujtime por edhe në veprat e tjera. Ndonëse Alija e kuptoi ritmin e kohës, ndonëse i lexoi shenjat e kohës, ai nuk e përqafoi autizmin (izolimin) nacional, por të gjitha dukuritë dhe fenomenet i rezonoi thellë dhe i artikuloi maturisht, në frymën e një kozmopoliti të mirëfilltë.

Duke e përfunduar leximin e veprës Kujtime na bie në mend një thënie e dr. Mustafa Ceriqit, i cili në një rast përkujtimor tha: “Tash kur na duket se atë e kemi aq larg, nëse e pyesim zemrën, ajo do të na thotë se e kemi gjithnjë afër e më afër”. Vërtet, Alija Izetbegoviqin fizikisht e kemi larg, por veprën dhe idetë e tij i kemi afër nesh, brenda nesh, me ne, në ne.

 

 

II. 5. Robër nuk do të bëhemi

 

Vepra me titull Robër nuk do të bëhemi përmban fjalime e paraqitje publike të Alija Izetbegoviqit nga themelimi i Kuvendit të SDA-së më 1990 e deri në fund të vitit 1995, duke paraqit ekspozenë për Dejtonin nga Kuvendi i BeH. Kjo periudhë paraqet fazën më kritike, më të trazuar në jetën e Alisë dhe fazën më të përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë. Njëkohësisht, vepra paraqet dëshminë e gjallë të njërit prej protagonistëve kryesorë të nënqiellit ballkanik, e sidomos boshnjak, atë të Alija Izetbegoviqit.

Të gjitha rrethanat tregojnë se shfaqja e Alija Izetbegoviqit në skenën politike më tepër ishte pasojë e rrethanave historike sesa pasojë e një strategjie politike. Si i burgosur i dyfishtë politik, me përvojën që kishte në organizatën Muslimanët e Rinj dhe me përgatitjen e tij intelektuale, Alija kishte sfondin e një lideri potencial. Madje, disa thonë se Alija i ngjan popullit të vet me të gjitha virtytet dhe mangësitë, çastet e lumtura dhe traumat historike, ngritjet dhe rëniet, po nuk i ngjante politikanëve jugosllavë, qofshin pro apo kundër saj.

Pas ardhjes në krye të vendit, në vend që t’u hakmerret atyre që ia kanë ngushtuar jetën e trazuar shpirtin, ai nuk u kushton rëndësi, madje merret me ngjarjet aktuale dhe të ardhmen e Bosnjës. Rrethanat e sollën në pozitën e kryetarit të shtetit, politikanit dhe komandantit të luftës, përkatësisht, nga ai që përballonte të bëmat e sistemeve të kaluara dhe kërkonte drejtësi, u bë ai që përcakton drejtësinë dhe rrjedhat shoqërore, por duke mos u ndier fitimtar. Ai për vete thotë: “Unë jam një kryetar i zakonshëm, një njeri i zakonshëm, unë nuk jam kurrfarë udhëheqësi”. Ai nuk e krijoi karizmin e tij me metoda autoritare dhe me mistifikimin e mjedisit vetjak. Këtë e bëri thjesht, me metodën e etikës dhe të njerëzimit, duke u bazuar në trashëgiminë demokratike dhe humaniste, boshnjake dhe islame.

Paraqitjet e tij publik kanë dy plane të ndara: i pari në skenën vendore dhe atë ndërkombëtare. Në skenën ndërkombëtare vërehen sidomos dy parime të veprimit politik: internacionalizimi i luftës në Bosnjë dhe kontekstualizimi i vendit në rrjedhat evropiane dhe botërore. Në fazën e parë fjalimet e tij karakterizohen me dëshirën për ruajtjen e Bosnjës shumënacionale, shumëfetare dhe shumëkulturore dhe në fazën e dytë ku fjalimet e tij janë nën presionin e fortë të imponimeve të huaja dhe njëmendësisë luftarake në terren.(Piriq)

Mund të përmbledhin se fjalimet e tij në këtë vepër paraqesin kronikën politike luftarake të autorit dhe të Bosnjës për periudhën dramatike pesëvjeçare 1990-1995.

 

 

II. 6. Ditët e paqes së ftoftë e të hidhur

 

Vepra Ditët e paqes së ftohtë e të hidhur përmban fjalimet dhe paraqitjet publike të autorit ndërmjet viteve 1996-2003. Titulli i veprës Ditët e paqes së ftoftë e të hidhur është nxjerr nga një fjalim i mbajtur disa muaj pas marrëveshjes së Dejtonit në qytetin e Zenicës, kur ai shkurtimisht paraqet fshatrat dhe qytetet e rrënuara, familjet pa kryefamiljarë, invalidët, refugjatët, të papunët.

Tematika e veprës është e gjerë dhe e llojllojshme, por që për strumbullar kanë Bosnjën dhe Hercegovinën e plotë, të pavarur dhe demokratike, Bosnjën qytetare, por jo kroate apo serbe. Ai kritikon rreptë ata të cilët historinë e mendojnë si laborator ku mund të provoni se ç’do të ndodhë, duke provuar disa mundësi dhe në fund pëlqeni ose jo ndonjë alternativë.

I detyruar nga rrethanat të ndërmerr ndonjë masë politike, madje i akuzuar se si me kriminelët e luftës ka pranuar të negociojë (duke aluduar në Millosheviqin dhe Tugjmanin), Alija përgjigjet: “Kam shkuar nëpër botë të kërkojë shpëtim dhe drejtësi për popullin tonë. Por, sa herë që kam shkuar atje, jam ndier si njeri i etshëm i cili shkon në shkretëtirë për të kërkuar ujë.” Kurse me një rast tjetër pushtetarëve botëror në Organizatës së Konferencës Islame iu tha: “Ndalojeni gjenocidin mbi popullin musliman në BeH, me apo pa dashje! Mos lejoni kurrfarë kompromisi me të cilin kriminelët do të shpërbleheshin.”

 

 

II. 7. Në kufij të botëve

 

Vepra Në kufij të botëve përbëhet prej deklaratave, paraqitjeve, mesazheve ndërmjet viteve 1990-2003. Periudha e gjatë e vështirëson të kuptuarit e veprës, sidomos në aspektin e qëndrimit konsekuent të një vije perceptimi, interpretimi dhe veprimi.

Duke e lexuar veprën kemi mundësi të mësojmë shumë për kohën kur janë shkruar, folur apo vepruar disa gjera, mësojmë prapavijën e këtyre ngjarjeve dhe të gjitha kufizimet e vështirësitë e kohës, sidomos qëndrimi i Alisë ndaj ndërkombëtarëve.

Vepra e Alisë analistit të vëmendshëm dhe hulumtuesit këmbëngulës do t’i ndihmojë që në fazat e mëvonshme të historisë të kuptojë dhe interpretojë shumë çështje komplekse, të ofrojë përgjigje në çështjet kyçe: për karakterin e mirëfilltë dhe shkallën e tragjedisë boshnjake, për interesat politike globale të ndërlidhura me tragjedinë, për rezistencën e mundshme, reale dhe të domosdoshme të njeriut dhe popullit ndaj të keqes etj.

Vepra e Alisë edhe lexuesin e zakonshëm do ta furnizojë me informacione të nevojshme, për shkak të drejtpërdrejtshmërisë, lehtësisë së të shprehurit, gjuhës së afërt me popullin, sinqeritetin e manifestuar etj.

 

 

II. 8. Dinjiteti i zgjedhjes njerëzore

 

Dinjiteti i zgjedhjes njerëzore është vepra e fundit që do të trajtohet në këtë paraqitje të shkurtër të veprave të Alisë. Është ndryshe nga veprat e tjera, sepse në vetvete ka pjesën që flet për të tjerët dhe pjesën ku të tjerët flasin për te. Kjo zgjidhje strukturore-kompozicionale dhe qasja përgatitore-redaktuese veprës i japin ngjyrë, i japin ton dhe e bëjnë atraktive për lexuesin e të gjitha niveleve. Disa tekste nuk flasin vetëm për Alinë por edhe për tërë ngjarjet në Ballkan e më gjerë.

Kështu përfundon një vepër e madhe, e cila e pretë lexuesin edhe në gjuhën shqipe. Për disa njerëz vepra do të shërbejë si kujtesë e hidhur, ndërsa për disa të tjerë vepra do të shërbejë si model dhe frymëzim për popujt e grupimet tjera që do të vijnë në vitet e shekujt e ardhshëm.[2]

Është interesant përshkrimi i mikut të Alisë dhe të Bosnjës, Henry Bernard Levyt, për Alinë: “Ai është njeriu të cilin e kam dashur”.

 

 

 

III. Alija dhe shqiptarët

(Rrëfim personal)

 

 

III. 1. Si e njoh unë Alija Izetbegoviqin

 

Alija Izetbegoviqi (1925-2003) është pa dyshim njëri ndër intelektualët dhe politikanët më të popullarizuar dhe mjaft të frytshëm në Bosnjë e rajon, sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit XX (1983-2003). Ai dallohet për shkrime në fushën e islamologjisë, të artit, kulturës, jurisprudencës; ai dallohet për analiza politike, por edhe për krijimin e vetë politikës. Alija ka fuqi të rrallë observuese e perceptuese, komunikon lehtë, qartë dhe thjesht. Izetbegoviq, me një lehtësi mahnitëse, futet në sferat më të errëta dhe më të komplikuara të historisë së mendimit njerëzor. Ai posedon natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi të brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën që e rrethon si edhe guxim intelektual e politik për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e tyre. Perspektiva nga e cila Alija Izetbegoviq i artikulon observimet e veta, reflekton intelektualin dhe politikanin që është larg ngasjeve për rrëmujë, larg orekseve për të qenë kudo dhe mbi këdo, apo si e artikulon këtë ndryshe filozofi Henry Bernard Levy: “Njeriu i cili hyri në histori përkundër vullnetit të vet”.

 

 

III. 2. Si e njeh opinioni shqiptar Alija Izetbegoviqin

 

Emri i Alija Izetbegoviqit në opinionin publik shqiptar ka filluar të bëhet i njohur në vitet e tetëdhjeta, kur shkrimet e tij me pseudonimin L.S.B. (L(ejla) – S(abina) – B(akir), tre fëmijët e tij), filluan të botohen në periodikun në gjuhën shqipe në Kosovë e Maqedoni. Por, kjo njohje ishte nga distanca. Njihej vetëm si një autor anonim që në shkrimet e tij i artikulonte njëkohësisht edhe synimet dhe ambiciet e lexuesve. Edhe personalisht, gjatë viteve 1981-1983, e njihja nga distanca dhe tërthorazi, pjesërisht për arsye sepse natyra e punës së tij ishte të veprojë nga prapaskena e pjesërisht edhe për shkak të natyrës sime dhe hezitimit tim që t’i afrohem e ofrohem.

Alija Izetbegoviqin deri në vitin 1983 shqiptarët e kanë njohur individualisht, kryesisht nëpërmjet rrëfimeve të personave të ndryshëm. Pas vitit 1983, pas burgosjes dhe gjykimit spektakolar të grupit intelektual në Sarajevë, lider i së cilës ishte ai vetë, Alija doli në skenë pas tisit misterioz që e mbulonte personalitetin dhe aktivitetin e tij. Shtypi i dirigjuar monist jugosllav e paraqiti Alinë dhe shokët e tij në mënyrën më të keqe të mundshme, si tradhtar vendi, si element destruktiv i mirëqenies jugosllave, si kolaboracionist me armiqtë e Jugosllavisë etj. Opinioni shqiptar i ish-Jugosllavisë (nuk e kam fjalën për politikanët aktivë), mbase nga përvoja vetjake e hidhur, përkundër një rrebeshi të tmerrshëm mediatik kundër M/m/uslimanëve, megjithatë e kuptoi me kohë se Alija kishte të drejtë dhe nuk paraqiste ndonjë rrezik; shqiptarët ndien simpati ndaj tij dhe ndaj shokëve të tij, edhe pse kjo nuk manifestohej publikisht për shkak të frikës nga represioni policor dhe pasojat e mundshme.

Por, kjo simpati te shqiptarët do të rritet edhe më shumë kur më 1988 u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij Deklarata islame, për të cilin libër ai edhe qe gjykuar me 14 vjet. Ky libër, për t’iu shmangur syrit të policisë, në gjuhën shqipe u titullua Islami sot dhe nesër dhe vetëm si nëntitull e vendosëm Deklarata islame. Më pas vazhdoi edhe përkthimi i veprave të tjera, si: Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, botimi i Prizrenit, pastaj Problemet e rilindjes islame dhe përkthimi i artikujve të tjerë.

Zhvillimi i proceseve demokratike edhe në Shqipëri dhe rënia e enverizmit, së shpejti do ta bëjë Alinë të njohur edhe në Shqipëri. Fama për të do të rritet edhe si politikan, sidomos kur Alija u zgjodh kryetar i Bosnjës dhe Hercegovinës. Në veçanti, emri i tij do të dëgjohet pas vitit 1992, si lider i rezistencës muslimane kundër luftës gjenocidale serbo-kroate mbi Bosnjën dhe kundër heshtjes hipokrite perëndimore.

 

 

III. 3. Opinioni i Alija Izetbegoviqit për shqiptarët, Kosovën etj

 

Kontaktet e Alija Izetbegoviqit me shqiptarët janë të hershme, besoj qysh gjatë rinisë së tij. Alija u rrit në Sarajevë kurse në Sarajevë dhe Bosnje, deri në luftën e fundit, ka pasur shumë shqiptarë, ndoshta mbi 100 mijë. Por, nëse takimet e para të Alisë me shqiptarët kanë qenë kryesisht me ëmbëltorxhinj e byrekxhinj, të dhënat flasin se takimet e mëvonshme kanë qenë me intelektualë, studentë etj. Ai e përmend vetëm kalimthi këtë problem, sigurisht për shkak të përvojës jo fort të këndshme që kishte pasur me individë të caktuar në Burgun e Foçës.

Alija i përshkruan disa përshtypje nga kontaktet e tilla edhe në librin Kujtime: “Në Burgun e Foçës kishte shumë shqiptarë të dënuar për pjesëmarrje në lëvi­z­j­en e rezistencës kundër regjimit serb që e kishte suprimuar autonominë e Kos­o­vës. Ishim shokë të mirë me shqiptarët, por nuk jemi përzier shumë. Ata shëtit­shin në pjesën e mesme, ndërsa ne në pjesën e skajshme të oborrit të burgut. Këtë rregull të pashkruar të regjimit të burgut e respektonin të gjithë të burgosurit dhe policia. Shqiptarët ishin të qetë, konspirativë, tepër seriozë. Kohë pas kohe bënin eksese dhe greva. Kërkonin të lexonin literaturë marksiste, që marksistët e tjerë, she­fat e burgut, nuk e lejonin. Drejtoria e kishte punësuar një polic shqiptar, i ci­li, mes tjerash, luante rolin e censorit të literaturës “irredentiste”.

Më pas Alija rrëfen bisedën që një grup boshnjakësh, të kryesuar nga ai vetë, kishte zhvilluar me një ‘delegacion’ shqiptarësh në burgun e Foçës: 

Në pyetjen e tyre se ç’mendojmë ne boshnjakët për lëvizjen e tyre, u përgjigja: “Shqiptarët janë popull mu­s­liman dhe kjo është arsyeja kryesore që ne e përkrahim luftën tuaj për liri”.

Ata u shqetësuan pak. Udhëheqësi i “delegacionit” të tyre ma ktheu se në përgjigjen time “ka disa qëndrime të gabuara”, sepse sipas mendimit të tij - rel­igjioni ka luajtur rol negativ në historinë e popullit shqiptar dhe u ka shërbyer okupatorëve. “Religjioni është tejkaluar dhe nuk i nevojitet popullit tonë në luf­tën e tij për liri” - përfundoi “shoku”.

“Atëherë ju jeni populli i vetëm në planet që mund të jetojë pa religjion” - u përgjigja, “por përshtypja jonë është se shumica e popullit shqiptar nuk e ka këtë mendim”.

Delegacioni shqiptar tha se “Vetëm marksizmi dhe leninizmi i ka sjellë përparim popullit tonë”, kurse ne u përgjigjëm: “Mirë pra, ju shkoni rrugës su­aj, kjo është puna juaj, e sa na përket neve, ne edhe më tutje do t’i përkrahim kërkesat e drejta të popullit shqiptar për barazi dhe liri”. Vetë Alija thotë: “Biseda përfundoi, por ne edhe më tutje mbetëm miq të mirë.”

Për këtë fakt dhe për këto kontakte më ka folur edhe vetë Alija dhe Omer Behmen, secili nga këndi i tij, në vitet e 90-ta, gjatë një takimi në Sarajevë në objektin e Medresesë së Gazi Husrev-beut. Është interesant, për këtë takim shqiptaro-boshnjak ma ka folur edhe i ndjeri Xhavit Haziri (i vrarë nga serbët në maj të vitit 1999), gjatë muajit qershor-gusht 1998 në Burgun e Dubravës, njëri ndër biseduesit nga pala shqiptare me boshnjakët në Burgun e Foçës. Por, Xhaviti tashmë kishte ndërruar mendjen për religjionin, madje ishte, për herë të parë, edhe njëri ndër agjëruesit në Burgun e Dubravës. Këtë e them me plot siguri, sepse muajt e fundit të vitit 1998 kam biseduar me te ndjerin Xhavit me dhjetëra herë.

Se Alija nuk e ndërroi bindjen për shqiptarët dhe se i mendonte ata si aleat natyror në Ballkan, dëshmon edhe fakti se ai nuk i shkëputi lidhjet me shqiptarët pas daljes nga burgu, përkundrazi, ai komunikonte intensivisht me shumë shqiptarë: Ismail Bardhin nga Shkupi, Kenan Mazllamin nga Tetova, me mua personalisht, madje edhe me të tjerë. Marr guximin ta shpalos faktin se Alija nuk bënte asnjë udhëtim nëpër qendra rajonale a botërore, e të mos pyeste për informacione të freskëta për gjendjen fetare, politike, ekonomike dhe kulturore në Kosovë e më gjerë.

Edhe pse e theksova më herët, por e ripërsëris. Alija nuk kishte mendim të favorshëm për shqiptarët që vuanin burgjet jugosllave, pikërisht për shkak të ideologjisë së tyre ateiste, nacionaliste (enveriste), por kjo nuk e bëri të ndërrojë mendje për shqiptarët, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Madje, i konsideronte aleat të rrethit kulturor historik musliman. Jo vetëm në biseda private, por edhe nëpër shkrime, çështjen e Kosovës e ka theksuar shumë herë. Takimet e mia me Alinë kanë qenë të shumta, në Sarajevë disa herë, në Tetovë, në Novi Pazar, Sjenicë dhe dhjetëra herë me telefon.

Në librin Kujtimet, duke e përshkruar gjendjen politike në Jugosllavi, për Kosovën thotë: “Gjendja vazhdon të përkeqësohet, sidomos pas vdekjes së Titos më 1980. Në Kosovë kriza pati filluar. Thuajse çdo ditë u gjykohej shqiptarëve. Kritikat dhe zërat nga Perëndimi ishin të papërfillshëm. Perëndimi qe përshtatur me politikën e këtillë të komunistëve. Me rëndësi është që Jugosllavia të qëndrojë sa më larg Rusisë.” (Kujtime).

Madje, çështja e Kosovës ishte ndër pikat programore të Partisë. Në pikën VIII të programit thuhet: 

Qëndrimi - interesi ynë tjetër ka të bëjë me krahinën e Kosovës. Konsiderojmë se bëhet fjalë për konflikt ndërnacional, i cili nuk mund të zgjidhet me represion. Rrugëdaljen e vetme e shohim përmes dialogut, ndërsa dialog të suksesshëm mund të zhvillojnë vetëm përfaqësuesit e vërtetë të popullit. Për këtë arsye kërkojmë demokraci për popullin shqiptar. Përmbajmë dhe besojmë në opsionin jugosllav për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të bindur se akoma ka shqiptar me ndikim të cilët ndajnë me ne bindje të ngjashme. Në këtë frymë, si bazë për zgjidhje përkrahim deklaratën "Për demokraci - kundër dhunës", që në janar 1990 bashkërisht e kanë redaktuar dhe botuar Këshilli Krahinor për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës dhe filiali i Bashkimit për Iniciativë Demokratike Jugosllave (UJDI).” (Kujtime).

Në mbrojtje të Kosovës ishte edhe kur e përshkruan gjendjen në Kosovë në vitin 1988: “Në Kosovë kishte marrë zjarr e a.q. “irredenta” (shprehje serbe për lëvizjen shqiptare për pavarësinë e Kosovës). Atje qysh më 1988 qe futur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të rebelimit të shqiptarëve në këtë krahinë të dikurshme autonome të federatës jugosllave. Forcat nacionaliste serbe kërkonin revidimin e Kushtetutës së SFRJ nga viti 1974, me të cilin të dy krahinat, Kosova dhje Vojvodina, patën marrë shkallë të lartë të autonomisë. Djelmoshat nga Kosova, “irredentistët”, janë gjykuar me dënime të mëdha dhe proceset radhiteshin nga java në javë. Disa nga të gjykuarit i kam njohur në burgun e Foçës”. (Kujtime).

Për shembull, në një tubim elektoral në Vellika Klladush në Bosnjë, më 15. 09. 1990, ndër prioritetet e politikës së Partisë së tij, ishte “zgjidhja demokratike për problemin e Kosovës, pa dhunë”. (Robër nuk do të bëhemi).

Po ashtu, në Kuvendin e BeH më 14. 10. 1991, thekson: “Unë konsideroj se demokracia është pushteti i shumicës. Për mua demokracia është kur pakica ka të gjitha të drejtat. Sepse, demokracia në Jugosllavi do të duhej të matej jo si kalojnë në të popujt e mëdhenj por si kalojnë pakicat... Pyetja është se si është për shqiptarët atje e jo si janë serbët”. (Robër nuk do të bëhemi).

Në një letër dërguar kryesuesit të Asamblesë së Këshillit të Sigurimit të KB, zotëri Nugroho Wisnumurtit, duke gjykuar kolonizimin serb që po ndodh në dëm të popujve të vegjël, ndër të tjera i shkruan: “Pushteti i të a.q. Jugosllavi masovikisht i shpërngulin refugjatët serbë nga Kroacia në Sanxhak, Kosovë dhe Vojvodinë, në viset ku me shumicë jeton popullsi joserbe”. (Në kufij të botëve).

Në vitet e vona, më 1 mars 1999, kur lufta në Kosovë ishte në hovim më të madh, në ndërtesën e Kryesisë së BeH, me rastin e Ditës së Pavarësisë Alija dha këtë ekspoze:

Asnjëherë paqe në Ballkan! Kësaj here regjimi i Beogradit ka vendosur për "zgjidhje përfundimtare" të çështjes së Kosovës. Nga dita në ditë intensifikonte pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Me fshesë të hekurt pastronte gjithçka para vetes. Më shumë se një milion njerëzish, gra dhe fëmijë kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë nisur në drejtim të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gati njëzet mijë kanë ardhur në Bosnje. Si përgjigje ndaj kësaj, me 23 mars NATO-ja ka ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve në Jugosllavi. Janë shpërndarë lajme për vrasje masive të civilëve shqiptarë, mirëpo edhe për hamendjet e disa aleatëve perëndimorë për vazhdimin e fushatës. Me shtatë prill i dërgova një porosi Organizatës së Konferencës Islame, e cila ato ditë mbante mbledhje në Gjenevë:

"Duke shprehur respektin tim të sinqertë dhe mirënjohjen time përfaqësuesve të pranishëm anëtarë të Organizatës së Konferencës Islame (OKI/OIC), në veçanti anëtarëve të Grupit të Kontaktit, dëshiroj t'i lus anëtarët e OKI për ndihmë urgjente popullit të Kosovës, i cili përjeton ditë shumë të vështira.

E para, propozoj që OKI të përkrahë pa rezervë aksionin e forcave të NATO-s që është në zhvillim e sipër. Gati një milion shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Fatkeqësia është duke u shndërruar në një nga katastrofat më të mëdha njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore. Ky dëbim i paparë i popullsisë civile mund të dënohet apo mos të dënohet, mirëpo ajo që është më me rëndësi, mund të jetë me shpresë për kthimin e tyre apo pa këtë shpresë. Nëse ndërpritet aksioni i NATO-s, krimi do të ngel i pandëshkuar, ndërsa popullsia e dëbuar kurrë më nuk do të kthehet në fshatrat dhe qytetet e tyre,

E dyta, lus anëtarët e OKI që pa hamendje t'u japin çdo lloj ndihme refugjatëve nga Kosova, sidomos në tenda, ushqim, veshmbathje dhe medikamente dhe për këtë qëllim të formojnë komitet për koordinimin e ndihmës. Falënderoj Arabinë Saudite dhe Turqinë të cilat në dhënien e ndihmave popullit të Kosovës tanimë kanë dhënë shembullin e duhur.

 E treta, gjithashtu, ju lus që në dokumentin të cilin ky tubim i lartë do ta sjellë, të dërgoni fjalë inkurajuese dhe solidariteti me pakicën nacionale boshnjake në Sanxhak.

Duke shprehur dëshirën për punime të suksesshme të OKI, ju dërgoj selame vëllazërore dhe shprehjen e respektit tim më të thellë". (Kujtime).

Ndoshta këto citate e ilustrojnë më së miri disponimin por edhe angazhimin e Alisë për Kosovën dhe shqiptarët, ndaj edhe i kurseva komentet e mia, që të flasim vetë fjalët e tij.

 

 

 

Përmbyllje

 

Izetbegoviqin e deshën ata që e deshën të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë; atë e respektuan të gjithë, sepse, ndonëse evropian, ishte mik i vërtetë i Lindjes, por edhe komentues bindës i Perëndimit.

Ai i tregoi botës se me përpjekje të mëdha njeriu mund të jetë besimtar i mirë dhe njeri i dobishëm për vendin. Ai ishte i sinqertë, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj, të cilët nuk i frikësohen as lirisë vetjake, as lirisë së huaj.

Izetbegoviq ishte thellësisht i bindur se njëherë vdiset por dy herë jetohet, njëherë në të vërtetën hyjnore dhe herën e dytë në fatin e njeriut. Vdekja, sipas tij, edhe nuk ekziston, sikur që në amshueshmëri nuk ka fund dhe sikur që në dritë nuk ka errësirë.

Ai mirë e dinte nga kishte ardhur dhe me besim të madh ishte përgatitur për atje ku do të shkonte – para Krijuesit  të qiejve dhe të tokës: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Krijuesi yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (El-Fexhr /89/, 27-30).

Po e përmbylli këtë tekst Natën e Kadrit të Ramazanit me dëshirën që Alija të lexohet, të mësohet dhe përdoret për nevojat tona politike, diplomatike, filozofike, kulturore dhe mbi të gjitha humane.[3]

 

Prizren,

26 Ramadan 1434/ 03. 08. 2013



[1] Të dhënat kryesore për këtë pjesë janë marrë nga Zehrudin Isaković, Biografija Alije Ietbegovića, në: Alija Izetbegović, Dostojanstvo ljudskog izbora, pjesa 10, Sarajevë, 2005, fq. 301-355 dhe nga vepra Kujtime dhe nga veprat e tjera të kompletit të tij.

[2] Të dhënat kryesore për këtë pjesë janë marrë nga libri i dhjetë i kompletit të Alije Izetbegoviqit, fq. 267-299, pastaj në parathëniet e secilit libër veç e veç dhe nga brendia e vetë veprave.

[3] Pjesa e tretë e shkrimit është ndryshim/zgjerim i një referati të mbajtur para 5 viteve në Prizren, me rastin e promovimit të veprës Kujtime në gjuhën shqipe, e të organizuar nga shoqata AKEA më 21. 12. 2008. 

 

Alija Izetbegoviq, Vepra, I, Logos-A, Shkup. (Parathenie ne pjesen hyrese)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme