VRULLI I KULTURËS MASIVE- Identiteti në krizë

Ja, fshati global nuk është më vetëm një ëndwrr apo dëshirë e dikujt por është një realitet që po merr formë aq sa të dukshme dhe të qartë, aq edhe përshtjelluese dhe të frikshme. Rrjedhimisht bëhet pyetja se a kanë efekt në individin këto ndryshime globale dhe nëse po, çfarë janë ato?
Përgjatë dekadës së fundit, një numër analistësh dhe komentatorësh kanë diskutuar rreth ndryshimeve në civilizimet njerëzore. Një nga idetë më të njohura dhe më tw përhapura në shkollat sociale perëndimore është teoria e modernizimit që: çdo shoqëri presupozohet të evoluoj nga shoqëria agrikulturore në atë industriale, nga tradicionalja në atë moderne. Nocioni industrializim është bërë qëndror në interpretimet tona për proceset globale sociale. Teza bazohet në idenë se zhvillimi i shoqërisë perëndimore paraqet modelin evolutiv universal në historinë njerëzore – se hegjemonia e civilizimit perëndimor ka ndikim të paevituar në pjesët e tjera të botës.
Më 1989 Francis Fukajama (Frances Fukuyama), në bazë të ndodhive të fundit historike, me konfidencë deklaroi triumfin e Kulturës Perëndimore si dominuese dhe të pakontestueshme në mbarë botën, duke e identifikuar kohën si fundi i historisë.
Që nga Revolucioni Industrial e deri më sot janë bërë shumë ndryshime sociale, ekonomike dhe politike. Janë krijuar metropole të mëdha dhe qendra industriale të zhvilluara. Janë bërë emigrime dhe imigrime të shumta duke ndryshuar strukturën e botës me theks nga ajo rurale në atë urbane, duke zëvëndësuar familjet e mëdha me të vogla e bile në disa raste edhe martesen me bashkëjetesë. Futurologu Alvin Toffler argumenton se duke ndyshuar në thellësi strukturën e shoqërisë gjithashtu ndryshojmë edhe njeriun. Bota materiale dhe shpirtërore janë të ndërlidhura në atë masë sa që ndryshimet në njërën shkaktojnë ndryshime po edhe në tjetrën.
Jeta shoqërore nuk është të përforcojë individin si të pavarur, por të harmonizojë dhe të mbështesë bashkësinë specifike. Bashkësinë e cila si prioritet do të ketë interesin e çdo individi – pjeswtari të saj.
Por, modernja po transformon njeriun nga subjekti në objekt, po bën që ai të jetë nevojë e masës e jo e kundërta. Edhe pse Islami pohon se njeriu është qenie shoqërore dhe thërret në xhemmaat (bashkësi) ai streson vlerën e çdo individi duke krahasuar jetën e një personi të vetëm me mbarë njerëzimin “… kush mbyt një njeri (pa të drejtw), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (shpëton) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (Kur’an, 5:32)
Në vendimmarrje grupet jane më të kujdesshme se individët por nëse grupet tëhuajsohen nga vizioni dhe qëllimi që i bashkon, atëherë, duke konsideruar se vendimet e grupit janë më të rrezikshme se ato të individit, ndodh fiasko si për grupin ashtu edhe individin. Këtë e mbështesin bindshëm shumë konflikte përgjatw historisë.
Sociologët dhe psikologët argumentojnë se ekziston një lidhje dinake mes asaj që ndodh në botën rreth njeriut dhe asaj që ndodh brenda kokës së njeriut. Vetëpëlqimi global ndikon në vetëperceptimin specifik. Prandaj, për shkak të vrullit të kulturës masive, sot njeriu është në krizën më të thellë të tij, në krizën e identitetit. Si të vishem, si të qethem, cilat syze të mbaj, si të flas, si të mendoj, si të ... ??? Nuk qëndron më pyetja të jesh apo të mos jesh, por kush jam dhe çfarë jam. Nëse do pyesim masën e rëndomtë se, si kush dëshiron të jesh si Ajnshtajni, Njutoni apo ndonjw shkencwtar tjetwr, pak përgjigje do marrim, por nëse është në pyetje Shfarcenegeri, Roberto Bagjo apo Eminem, kandidatët do ishin në infinit, sepse këta, duke ju falenderuar mediave, janë rolmodelet në ditët e sotme.
Jetojmë në një kohë në të cilën njeriu nuk mund të qëndrojë pasiv në takim me kulturën e huaj të servuar nga të huajt. Vallë, a do t’i nënshtrohemi trysnisë së shekullit njëzetenjë dhe në këtë proces të humbim jo vetëm formën tradicionale të jetuari por edhe vlerat shpirtërore dhe të humbim identitetin. Në dilemën se a duhet izoluar veten dhe ngelur në kohë apo pa kusht të pranojmë atë që po ofrohet, përgjigjja do të ishte se as njëra nuk është domosdoshmëri, pasiqë ekziston edhe e treta.
Ndryshimi nuk implikon patjetër shkatërrimin e strukturave të vjetra dhe traditës, por progres, vizion të ri si dhe interpretime të reja. Kur’ani kërkon nga muslimanët të ndryshojnë, në fakt e bën obligim mbi ta që të adaptohen në kushtet ndryshuese. “Zoti nuk do e ndryshojë gjendjen e një populli pa e ndryshuar ata vetveten(Kur’an, 13:11)”.
Progresi është rezultat i edukimit dhe arsimit e jo kopjimit të verbër. Prandaj edhe nuk është për tu habitur që fjala e parë Hyjnore që u shpall në Librin e fundit të Tij është “Lexo, në emër të Zotit i cili krijon ...”(Kur’an, 96:1)
“Njihe veten”, paralajmëroi filozofi grek Sokrati, kurse maksima Islame thotë “Kush njeh vetveten njeh Zotin”. E kush njeh Zotin beson në Të. E, vetëm besimi në Zotin zbulon të gjitha misteret dhe i jep kuptimin e vërtetë jetës dhe vdekjes në këtë botë. Kjo e lartëson individin në piedestalet më të larta të vetëvlerësimit dhe bllokon ndjenjat pesimiste dhe pamundëson zhgënjimin.
Njeriu pa koncept të qartë mbi veten është i humbur, e ai që e njeh vetveten ndihet i lirë ndërsa liria është pushtet.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme