![](uploads/nexhat-ibrahimi.jpg)
Hajnia si çështje morali
Historia nuk njeh shoqëri pa kriminelë, vjedhës, mashtrues, bixhozxhinjë, vrasës, dhunues dhe devijues të tjerë. Veprimet e këtilla shoqëria i vlerëson si devijime ose si sëmundje, dhe varësisht nga kjo, i ndëshkon apo i mjekon. Kjo gjendje nuk paraqet ndonjë problem, deri sa të këtillët janë në pakicë. Por, kur ky problem kalon nga rastet në gjendje, në shumicë, atëherë ky problem më nuk është problem por gjendje alarmuese që kërkon ndryshime dhe intervenime rrënjësore në shoqëri.
Nëse i kujtojmë ditët e luftës në Kosovë, por mund të lexojmë edhe për popujt e Bosnjës, Çeçenisë, Palestinës etj., do të shohim se si njerëzit janë ballafaquar me urinë në format edhe më ekstreme. Mirëpo, këta njerëz uria kurrë nuk i ka shty të vjedhin, ose të bëjnë çfarëdo kriminaliteti. Kjo do të thotë se uria nuk është faktor që njerëzit i detyron në vjedhje, sepse vjedhja është çështje karakteri, morali e jo e pasjes apo mospasjes. Këtë e dëshmon edhe periudha e pasluftës. Të ndershmit, të moralshmit iu dhanë punës kurse të pandershmit iu dhanë vjedhjes. Tipat e tillë armët i zëvendësuan me ligje, kravata e vetura të mira. Në luftë urdhëronin me forcën e armës e tash me forcën e ligjit. Vetë i shkruajnë ligjet vetë i abrogojnë ligjet. Kur ndihen të rrezikuar, thirren në imunitet të deputetit apo të politikanit. Nëse megjithatë ligji u afrohet, atëherë luftojnë për karrigen e zënë me tërë djersën (taksën) e votuesit, për ta ruajtur vetveten. Raste të këtilla kemi në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj.
Cilat kategori të njerëzve sot paraqesin problem. Kryesisht identifikohen dy kategori: hajnat e pulave, mashtruesit e imtë dhe zhurmaxhinjtë (lumpen-proletariati nga njëra anë dhe politikanët e lartë dhe tribunët e popullit nga ana tjetër. Ndërmjet këtyre dy grupeve gjendet masa e gjerë, populli, i cili zakonisht qethet nga të dyja anët….
Njeriut që i ka mbetur deri te fytyra, deri te autoriteti në dhe familje çarshi nuk ka mund ta merrë me mend veten në pozita të të paditurit. Nëse ka bankrotuar në punën e tij, ai nuk mund të paraqitej para njerëzve. Atëherë njerëzit këtë problem e shihnin si çështje nderi dhe morali, ndërsa tash kjo merret si çështje prestigji.
Peshkut i vjen era në krye
Është e arsyeshme që kryeparët e shoqërisë të jenë shembull në çdo gjë: afarizëm, moral, në jetën e përditshme. Por, kur sheh, dëgjon apo lexon fyerjet, sharjet, mashtrimet, vjedhjet sheshazi të kryeparëve në Kosovë por edhe në trojet shqiptare, atëherë fitohet përshtypja se ata nuk meritojnë të jenë as ‘kolicaxhi’ e lëre më kryetar shteti, kryetar kuvendi, kryeministër apo deputet populli. Shumë nga ky arsenal fyerjesh, për fat të keq, nëpërmjet televizionit ka arritur edhe te populli.
Meqë emrat pak a shumë janë të njohur, dhe dita-ditës po përfolen nëpër mediume të shkruara dhe elektronike, ata nuk do t’i përmendim. Por e dimë se këta njerëz janë të privilegjuar edhe nga faktori i brendshëm edhe nga faktori i jashtëm në Kosovë. Takohen me personalitetet më të larta botërore dhe nuk u shkon ndërmend të ofrojnë dorëheqje, as pas akuzave shumë bindëse. Ata edhe më tej e rrisin kapitalin e tyre kurse populli e shikon diellin se si lëviz nga lindja në perëndim.
Për pastërtinë e tyre morale, për pastërtinë e tyre afariste, flasin faktet, gjendja e tyre materiale: para lufte kanë jetuar si të gjithë të tjerët, ndërsa gjashtë vjet pas lufte mund të shtyhen me ‘bosët’ e botës. Në shtetet ku sundon ligji të tillët quhen profiterë lufte dhe dënohen me ligjet më të rrepta. Prejardhja e pasurisë nuk i preokupon këta njerëz. Prejardhja e pasurisë nuk i preokupon as ata që po i përkrahin me paratë e tyre. Për fat të keq, edhe votuesit kanë pranuar një lojë të këtillë. I shohin abuzimet dhe ‘kënaqen’ me luksin me të cilin po ‘hekin keq’ të zgjedhurit e tyre. Shtëpitë e tyre luksoze, veturat e tyre luksoze, percjellja e tyre që ua kapërcen edhe ajo e mbretërve. Donimimi i tyre në bizneset kryesore të Kosovës: dikush kontrollon cigaret, dikush kontrollon derivatet e naftës, dikush kontrollon kontrabandën e shpërlarjes së parave të pista, dikush trafikimin e njerëzve, dikush … Ka nevojë për fakte të tjera. Deri kur do të heshtë populli për abuzimet që i bëhen atij. Është e qartë, kemi deficit në moral, por suficit në krim në të gjitha shtresat. Është thënë: peshkut i vjen era në krye”!
Rrugëdalja është në ndërgjegjësimin e masës, në kthimin e vlerave fetare dhe në veprimin e njerëzve me vullnet të mirë.