Ishim shumë të mallëngjyer për këtë muaj, sepse me vete na sjell shumë mirësi, bukuri, lezet dhe sevape. Sepse Ramazani ka kujtime të paharruara, ditë të mrekullueshme dhe vlera të dyfishta.
Agjërimi i muajit të Ramazanit është urdhëruar në mënyrë të qartë në Kur’an. Një e pesta e të gjithë njerëzve në planet janë thirrur të abstenojnë nga ushqimi gjatë orëve të dritës së diellit. Ky muaj është përkujtim i shpalljes së Kur’anit dhe do të duhej të shoqërohej me lutje dhe lexim të Kur’anit. Është manifestim i dhembshurisë, me fleksibilitet të ofruar ndaj të sëmurëve dhe udhëtarëve. Qëllimi i Perëndisë është zbuluar në ajetin e mëposhtëm: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju”, ndërsa obligueshmëria për agjërimin e Ramazanit është theksuar në këtë ajet kur’anor
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm”. (Bekare 183)
I Dërguari i Allahut i përgëzonte shokët e vet duke u thënë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhennetit, kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj lidhen shejtanët. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai vërtet është i privuar.”
Agjërimi i Ramazanit u bë obligim në ditët e fundit të muajit Shaban, në viti II hixhri. Para kësaj u bë obligim kthimi kah Kibleja në vend të kthimit kah mesxhidul Aksa-ja.
Në Kur’an, përveç në ajetet 183-187 të sures Bekare, agjërimi i muajit të Ramazanit përmendet edhe në ajetin 26 të sures Merjem:
“Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!”
Pse agjërimi ka zbritur kaq vonë, apo 15 vjet pas shpalljes? Kemi 3 momente kryesore:
- Është adhurim (ibadet) i rëndë. Sips dijetarëve islamë, kur Allahu i rendit ibadetet në Kur’an, i rendit ato duke e pasur parasysh rëndësinë, gjegjësisht vështirësinë e kryerjes së tyre. Kjo më mirë është ilustruar në ajetin 35 të sures Ahzab, ku Allahu thotë:
“Nuk ka dyshim se për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, adhuruesit dhe adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut , Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”
- Zbriti në Medine, 15 vjet më vonë, për shkak se në Mekke besimtarët kryesisht ballafaqoheshin me xhihadin e jo me nefsin, ndërsa në Medine fillon rahatia dhe mbizotërimi i nefsit-epshit ndaj arsyes së zemrës.
- Me agjërim bëhet edukimi i nefsit-epshit (nefsi emmare) që të largon nga e mira, sepse Allahu i Lartëmadhëruar thotë:
“Unë nuk e shfajësoj veten time, sepse epshi është shumë i prirë pas të keqes, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë. (Jusuf 53)
Ajeti që e obligon agjërimin fillon me “O ju që keni besuar… ” – dhe ka për qëllim se për besimtarët tashmë është koha për dëshminë e imanit.
Çka është imani?
IMAN-është orientim-drejtim i zemrës në diçka, ndërsa IKAN do të thotë ngopje, kënaqësi dhe përqëndrim në atë që është i afruar.
Rrënja e fjalës Iman vjen nga fjalal EMENE ose EMN që do të thotë besim -mbështetje. Imani është edhe mbështetje dhe mospërfillje ose largim prej diçkaje. Këtë më së miri e shohim tek Kelimei Tevhidi, apo deklarimi i njëshmërisës së Allahut, gjegjësisht në shprehjen “LA ILAHE IL-LALLAH”, para në fillim kemi mohim të çdo gjëje, e më pas kemi pranim vetëm të Allahut.
Iman do të thotë t’i mbështetesh atij që i beson, të jesh besnik ndaj asaj që i beson.
Kuptimi teologjik, apo në aspekt të akaidit-kelamit, i imanit është besimi, ndërsa në aspekt të ahlakut-etikës, ai do të thotë mbështetje.
Njeriu i sotëm ka iman, mirëpo nuk ka mbështetje në të, që do të thotë se e ka humbur ahlakun e besimit. Ai beson, mirëpo nuk mund të mbështetet në atë që e beson. Nuk ka besnikëri të plotë.
Pejgamberi ishte i mbështetur plotësisht në besimin që e kishte dhe këtë më së miri e shohim në rastin e shpellës Theur, kur i thotë Ebu Bekrit: “Mos u frikëso se Allahu është me ne”.
Edhe rastet e pejgamberëve të tjerë dëshmojnë për mbështetjen e tyre të plotë në besimin që e kanë pasur. P.sh. Kur e dërgojnë Ibrahimin a.s. për ta djegur, vjen meleku dhe e pyet a do diçka, ndërsa ai i përgjigjet: “Jo, mua më mjafton Allahu im”. Apo rasti i Hz. Aliut, kur e zëvendëson Muhammedin a.s. në shtratin e tij pa pikë frike. Poashtu, mund të përmendet edhe rasti i hz. Jusufit, kur kërkon nga një i burgosur që lirohet nga burgu të ndërmjetësojë tek udhëheqësi që e ka futur në burg, që ta lirojë edhe atë, gjë që Allahu e konsideron si mosmbështetje në të, dhe për këtë veprim e le hz. Jusufin të qëndorjë edhe 2 vite të tjera në burg.
http://portalb.mk/186548-agjerimi-deshmitar-i-imanit/
Agjërimi, dëshmitar i imanit (2)
Imani është një cilësi-emër-folje kalimtare që do thotë se edhe imani është diçka që kalon prej njeriut në vepër, domethënë nuk është i vetëm pa shok, por aktiv, përçues.
Kur themi se imani është folje kalimtare kjo do të thotë se ai kalon prej zemre në gjymtyrë, gjuhë, dorë, vesh, dhe pastaj ato bëhen punëtorë të imanit, ndërsa imani është urdhërdhënësi. Pra, imani është kryefjala dhe është folje aktive, por a mund ta paramendoni se poqese imani bëhet punëtor, atëherë kush do ta urdhërojë atë?
Në Kur’an, imani përdoret në 6 kuptime dhe përmendet në 800 ajete. Kuptimi më i gjerë i imanit është besimi dhe besnikëria.
Në terminologjinë islame,iman është ajo që Allahu xh.sh. kërkon që të besohet, të vendoset në zemër dhe të përjetohet me mendjen e shëndoshë.
Në perëndim, për imanin përdoret fjala dogmë – që nuk e ka kuptimin e njëjtë si imani. Dogma vjen prej greqishtes, ndërsa origjinali është në ibranishten e vjetër. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala dogmë sqarohet kështu:
- Tezë themelore e një feje, që duhet pranuar verbërisht nga besimtarët dhe që është e detyrueshme për ta.
- Pikëpamje, ide, koncept, doktrinë etj. Që merret si një e vërtetë e pakundërshtueshme, historikisht e pandryshueshme dhe e shkëputur nga praktika e nga rrethanat konkrete.
Ka dallim në mes të imanit të krishterë dhe atij musliman, sepse te të krishterët ka trinitet dhe nuk ka hapësirë për të bërë shumë pyetje, thjesht duhet të besosh. Ndërsa te muslimanët, për çdo pyetje ka përgjigje, dhe në Kur’an më shumë se 800 ajete e nxisin këtë.
Ibn Abbasi, imanin e ndan në: 1. Marifet– aftësi-zotësi; 2. Tasdik-vërtetim-miratim; 3. Ikrar– pohim-deklarim-pranim; 4. Amel– punë-veprim-performancë;
Nëse mund ta bëjmë një analogji do të mund të thonim: 1. Rrënja 2. Trupi 3. Degët. 4. Bereqeti ose pemët. Zemra e drurit është dheu, ndërsa zemra është edhe qendra e Kur’anit.
Allahu e ka cilësinë El-mumin, e poashtu edhe njeriu emërohet si mumin por, pa shquarje, pra pa parashtesën El, që do të thotë: i besueshëm dhe do që t’i besohet sepse është kajnaku- burimi i besimit.
Allahu e ka krijuar imanin-besimin për shkak se edhe vet është i besueshëm, dhe neve na ka krijuar që ta besojmë dhe t’i mbështetemi dhe të jemi dëshmitarë për të, prandaj kush nuk largohet nga rruga e tij, Ai e shpërblen, e kush largohet, atij i thotë: besueshmërinë që e kisha te t’i ma humbe dhe tash do të të djeg.
Njeriu është shpresa e Allahut, askush nuk ka mundësi që ta humbë shpresën e Allahut, sepse nëse e humb atëherë digjesh.
Besueshmëria i bëhet vetëm Allahut dhe askujt tjetër. Çdo herë që Muhammedi a.s. fillonte të mbështetet te dikush, Allahu e merrte atë, dhe në fund i tha Ebu Bekrit: Ty do të zgjedhja si njeriu më i besueshëm i imi dhe do të mbështetesha tek t’i, por frikohem sepse Allahu m’i mori të gjithë ata te të cilët mbështetesha, babain, nënën, mixhën, gjyshin dhe Hatixhen.
Imani është puna e zemrës, ndërsa islami është puna e organeve të tjera.
Arabët thonin ne besuam, mirëpo ata besimin e kishin pranuar vetëm formalisht. Ata nuk kishin punë, vepra, dhe imani nuk kishte kaluar përtej fytit, që të depërtojë në çdo qelizë.
Idhujtarët (mushrikët) besonin, por i bënin shok Allahut, gjegjësisht besonin në puta të ndryshëm. Në ajetin e tretë të sures Zumer, Allahu thotë: “Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është rrenës, jobesimtar.”
Pse Allahu e ka përdorur fjalën zullum, e jo shirk? Sepse këtu i bëhet padrejtësi Allahut, gjegjësisht i bëhet zullum imanit. Shirk është zullumi më i madh. Pse? Sepse i bëhet padrejtësi më të madhit.
Tema e imanit është e fshehtë (gajb), sepse ka të bëjë me Allahun e padukshëm, mirëpo megjithatë ka argumente të shumta.
Kutibe alejkumus-sijamu (Edhe popujt para juve kanë qenë të obliguar me agjërim). Me agjërim e dëshmon imanin. E jep provimin.
Ky është ajet i cili na bën me dije se islami ekziston që prej njeriut të parë e deri më sot. Në Teurat nuk ka ndonjë urdhër të këtillë, por lavdërohet agjërimi dhe agjëruesi, ndërsa Kur’ani na informon për Musën se ka agjëruar 40 ditë.
Kemi të dhëna se edhe hz. Isa ka agjëruar, ndërsa në krishterizëm kemi disa lloje të agjërimeve, si agjërim mishi, peshku, veze etj. Përveç tyre, kanë agjëruar edhe egjiptianët e vjetër, grekët, indianët, romakët etj.
Edhe para ardhjes së pejgamberit a.s. është agjëruar Mekke dhe në Medine, siç është rasti i agjërimit të ditës së ashures. Kur i dërguari i Allahu ishte në Medine, pa se agjërojnë jehuditë, dhe pyeti pse e bëjnë këtë, e ata i thanë se agjërimi bëhet për hir të Musës, i cili shpëtoi prej faraonit. I dërguari i Allahut u tha: “Unë jam më i afërt me Musën, se sa ju” dhe urdhëroi që të agjërohet ashureja.
Më poshtë do t’i sqarojmë dallimet ndërmjet agjërimit të muslimanëve dhe agjërimit të të tjerëve.
- Fetë tjera largohen nga llojet e caktuara të ushqimit, ndërsa në islam ndalohen të gjitha. Muslimani e zbraz barkun, por e mbush shpirtin, zemrën dhe trurin. Hz. Llukmani i thotë birit të vet: “Kur je i ngopur, inteligjenca fle dhe e harron urtësinë, ndërsa pjesët e trupit bëhen përtace për ibadet”.
- Te të tjerët, agjërimi është i pjesërishëm, ose shpirtëror ose material. Te muslimanët ai ngërthen të gjitha aspektet: fizike, psikike, sociale, ekonomike, intelektuale, morale.
- Te të tjerët, agjërimi është një stinë, një kohë… dhe nuk është i pandërprerë, sepse dobësohesh. Për atë shkak është në kohë të caktuar, sepse po të ishte i pandërprerë, nuk do të kishte efekt, sikur kur bëhesh imun ndaj ndonjë ilaçi që e përdor vazhdimisht.
- Jemi mësuar të hamë mëngjes, drekë, darkë, ndërsa agjërimi e ndërron këtë. Në çdo 33 vjet, Ramazani vjen në të njëjtin kohë, pra përfshihet i gjithë viti, dhe çdo stinë është dëshmitar se ke agjëruar, e gjithçka çka bëjmë është dëshmi për imanin tonë.
- Ka depërtuar në kulturën dhe traditën tonë. (Nëse e shohim dikë se ha mish derri atë e nxjerrim krejtësisht edhe nga njerzillëku, e e njëjta vlen edhe me agjërimin, nëse dikë e shohim se nuk agjëron, atë e nxjerrim prej njerzillëkut.)
- Është gjithëpërfshirës, të gjithë besimtarët, rreth 2 miliardë aktualisht, agjërojnë përnjëherë, që ndikon shumë edhe në psikologjinë e agjëruesit, sepse nuk ndjehet i vetëm në këtë adhurim.
Ramazani na mundëson që ta mbizotërojmë epshin (nefsin) tonë dhe të jemi zotërinj e jo rob të tij. Bota moderne nuk e ka këtë, sepse modernizmi thotë se sa më i lirë të jetë epshi i njeriut, aq më i lirë është ai. Promovohet liria e skajshme, bën çka të duash, pi çka të duash, bën zina (marrëdhënie jashtëmartesore) me kë të duash.
Robëria e vërtetë arrihet atëherë kur je zotëri i epshit tënd. Ramazani është metoda më e mirë e arritjes së robërisë së vërtetë. Me agjërim bëhesh zotëri i epshit tënd dhe kjo të mundëson që të bëhesh rob i vërtetë i Allahut.
Ramazani është koha më e lartësuar dhe më e frytshme për ibadet, një lloj burse e ibadetit. Sepse në Ramazan ke mundësi t’i përjetosh agjërimin, namazin dhe zeqatin që janë tre nga shtyllat bazë të fesë islame.
Me agjërim ne e përmbajmë veten tonë, sepse edhe vetë kuptimi i fjalës “saum” është ta përmbash veten – vetëpërmbajtje. Ai i cili agjëron e përmban veten, sepse në fakt të gjitha punët e këqija vijnë prej mospërmbajtjes së vetes. Në qoftë se e përmban veten, ti e kontrollosh veten tënde, faktikisht e ruan veten tënde nga vetja, dhe atëherë Allahu të ruan me anë të agjërimit. Sepse Ai nuk ka asnjë interes prej neve dhe nuk është i varur prej neve, kur e zotërojmë, gjegjësisht kur e përmbajmë veten tonë, Allahu e ndalon shejtanin. Pra, ai që e mbizotëron nefsin e vet, Allahu ia ndal dhe ia lidh shejtanin e atij, dhe për këtë arsye liria më e madhe e muslimanit, besimtarit është Ramazani.
Çdo vjet na vjen Ramazani, na relakson dhe na jep mundësinë që rregullisht ta dëshmojmë imanin tonë, sepse imani dëshmohet me punë, me sakrificë siç është agjërimi. (Fund).