ROBTË E ZOTIT TË PLOTMËSHIRSHËM NË KURAN

ROBTË  E  ZOTIT  TË  PLOTMËSHIRSHËM në  Kuran

(Kreu 25.El Furkán/Dalluesi, ajetet 63-77)

 

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ

وَعِبَادُ الرَّحْمَـٰنِ الَّذِينَ يَمْشُونَ عَلَى الْأَرْضِ هَوْنًا وَإِذَا خَاطَبَهُمُ الْجَاهِلُونَ قَالُوا سَلَامًا ﴿٦٣﴾ وَالَّذِينَ يَبِيتُونَ لِرَبِّهِمْ سُجَّدًا وَقِيَامًا ﴿٦٤

وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا اصْرِفْ عَنَّا عَذَابَ جَهَنَّمَ ۖ إِنَّ عَذَابَهَا كَانَ غَرَامًا ﴿٦٥﴾ إِنَّهَا سَاءَتْ مُسْتَقَرًّا وَمُقَامًا ﴿٦٦﴾ وَالَّذِينَ إِذَا أَنفَقُوا لَمْ يُسْرِفُوا وَلَمْ يَقْتُرُوا وَكَانَ بَيْنَ ذَٰلِكَ قَوَامًا ﴿٦٧﴾وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ اللَّـهِ إِلَـٰهًا آخَرَ وَلَا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّـهُ إِلَّا بِالْحَقِّ وَلَا يَزْنُونَ ۚ وَمَن يَفْعَلْ ذَٰلِكَ يَلْقَ أَثَامًا  ﴿٦٨﴾ يُضَاعَفْ لَهُ الْعَذَابُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَيَخْلُدْ فِيهِ مُهَانًا  ﴿٦٩﴾ إِلَّا مَن تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلًا صَالِحًا فَأُولَـٰئِكَ يُبَدِّلُ اللَّـهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ ۗ وَكَانَ اللَّـهُ غَفُورًا رَّحِيمًا  ﴿٧٠﴾ وَمَن تَابَ وَعَمِلَ صَالِحًا فَإِنَّهُ يَتُوبُ إِلَى اللَّـهِ مَتَابًا  ﴿٧١﴾ وَالَّذِينَ لَا يَشْهَدُونَ الزُّورَ وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَامًا  ﴿٧٢﴾ وَالَّذِينَ إِذَا ذُكِّرُوا بِآيَاتِ رَبِّهِمْ لَمْ يَخِرُّوا عَلَيْهَا صُمًّا وَعُمْيَانًا  ﴿٧٣﴾ وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا  ﴿٧٤﴾ أُولَـٰئِكَ يُجْزَوْنَ الْغُرْفَةَ بِمَا صَبَرُوا وَيُلَقَّوْنَ فِيهَا تَحِيَّةً وَسَلَامًا  ﴿٧٥﴾ خَالِدِينَ فِيهَا ۚ حَسُنَتْ مُسْتَقَرًّا وَمُقَامًا  ﴿٧٦﴾ قُلْ مَا يَعْبَأُ بِكُمْ رَبِّي لَوْلَا دُعَاؤُكُمْ ۖ فَقَدْ كَذَّبْتُمْ فَسَوْفَ يَكُونُ لِزَامًا  ﴿٧٧﴾

 

Bismil-Láh' Er-Rahmán Er-Rahím

63. Ve îbádu-r-Rah[1]máni-l-ledhíne jemshúne âlel' erdi heunen ve idhá khátabehumul' xháhilúne kálú seláma. 64. Vel-ledhíne jebítúne li rabbihim suxhxheden ve kijáma. 65. Vel-ledhíne jekúlúne rabbená-srif ânná âdhábe xhehennem; inne âdhábehá káne garáma. 66. Innehá sáet mustekarren ve mukáma. 67. Vel-ledhíne idhá enfekú lem jusrifú ve lem jakturú ve káne bejne dhálike kaváma. 68. Vel-ledhíne lá jed'ûne meâll-Llahi iláhen ákhare ve lá jaktulúne-n-nefse-l-letí har-reme-ll-Llahu il-lá bil' hakki ve lá jeznún; ve men jefâl dhálike jelka etháma. 69. Judáâf lehu-l' âdhábu jeume-l' kijámeti ve jakhlud' fíhi muhána. 70. Il-lá men tábe ve ámene ve âmile âmelen sálihan fe úláike jubeddilu-ll-Llahu sejjiátihim hasenátin ve káne-ll-Lláhu gafúre(n)-r-rahíma. 71. Ve men tábe ve âmile sálihan fe innehu jetúbu ilá-ll-Llahi metába. 72. Vel-ledhíne lá jeshhedúne-z-zúre ve idhá mer-rú bil-lagvi mer-rú kiráma. 73. Vel-ledhíne idhá dhukkirú bi ájáti rabbihim lem jekhir-rú âlejha summen ve ûmjána.74. Vel-ledhíne jekúlúne rabbená heb lená min ezváxhiná ve dhur-rijjátiná kur-rete aê'junin vexh'âlná lil'muttekíne imáma. 75. Úláike juxhzeune-l'gurfete bimá saberú ve julekkaune fíhá tehijjeten ve seláma. 76. Khálidíne fíhá; hasunet mustekar-ren ve mukáma. 77. Kul' má jaê'beu bikum rabbí leulá duâukum; fekad kedh-dhebtum feseufe jekúnu lizáma.

 

Me Emrin e Zotit, të Plotmëshirshmit, Mëshirëplotit.

63. Robtë e të Plotmëshirshmit janë ata që ecin në tokë me thjeshtësi dhe, kur u drejtohen të paditurit, thonë: “Paqe!” 64. Ata që kalojnë natën, për Zotin, me krye në tokë[2] e më këmbë. 65. Ata që thonë: “Zoti ynë, largona dënimin e skëterrës sepse dënimi i saj është vuajtje e madhe! 66. Një vendqëndrim dhe pozitë e keqe.” 67. Ata që, kur shpenzojnë, nuk shpërdorojnë, as janë dorështrënguar, por të matur. 68. Ata që nuk lusin me Zotin zot tjetër, nuk vrasin pa të drejtë një frymë që Zoti e ka ndaluar dhe nuk bëjnë pandershmëri. -  Kush e bën atë, gjen dënimin. 69. I dyfishohet dënimi Ditën e Ringjalljes dhe do të jetë në të përgjithmonë i poshtëruar. 70. Përveç atyre që pendohen, besojnë e bëjnë të mira. Zoti ua këmben të këqiat me të mira. Zoti është falës, mëshirëplotë. 71. Kush pendohet dhe bën mirë, kthehet te Zoti i penduar. - 72. Ata që nuk bëjnë dëshmi të rreme dhe, kur ndodhen në biseda të kota, kalojnë me nder. 73. Ata që, kur u përmenden dëshmitë e Zotit, nuk mbesin shurdhë e të verbër. 74. Ata që thonë: “Zoti ynë, jepna kënaqësi nga bashkëshortet dhe pasardhësit tanë, bëna shembull për të devotshmit!” 75. Këta do të shpërblehen me vendet më të larta të parajsës pasi duruan dhe do të gjejnë atje mirëseardhje e paqe. 76. Përgjithmonë. Ç’vendqëndrim dhe pozitë e mirë! 77. Thuaj: “Im Zot nuk do të shqetësohej për ju të mos qe lutja juaj, porse përgënjeshtruat dhe u bë e domosdoshme.”

 

 

Në çdo kohë, por, sidomos gjatë muajit ramazan, besimtarët që i janë kushtuar Zotit me agjërim, arrijnë të reflektojnë më shumë rreth vetvetes, për t'u çliruar nga veset dhe mëkatet e jetës së përditshme, duke u bërë shembull i mirë në familje e shoqëri dhe të dobishëm në punë e vepra, për veten e tyre, familjen, farefisin dhe shoqërinë, kudo që të jenë. Sepse, i Madhi Zot këtë kërkon prej nesh me agjërimin tonë, adhurimin tonë dhe kryerjen e të gjitha detyrave fetare. Ajetet që veçuam nga Libri i Shenjtë, më qartë, na tregojnë se si duhet të jetë besimtari.

 

Kreu 25, në rendin kuranor, mban emrin El Furkán , Dalluesi, si epitet parësor i Kuranit, sepse dallon të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e shtrembta, të mirën nga e keqja, besimin nga mosbesimi, fitoren e suksesin nga humbja në këtë botë e në të ardhmen.

 

Në ajetet e para të kreut 3. Áli Imrán (Familja e Imranit), i Madhi Zot thotë: " Elif, lam, mim.[3] / Zoti, s’ka zot veç Tij, është i Gjalli, i Përjetshmi. / Të zbriti Librin me të vërtetën që pohon shkrimet para tij, zbriti Teuratin e Ungjillin, / më parë, drejtim për njerëzit. Dhe zbriti Dalluesin...."  Me Librin, kuptohet Kurani, si libër nga Dija e Zotit, që pohon dhe thotë të vërtetën e shkrimeve para tij. Me Dalluesin (El Furkán), pasi janë përmendur Teurati dhe Ungjilli, më parë, drejtim për njerëzit, kuptohet kriteri dallues mes së vërtetës dhe të pavërtetës që karakterizon Kuranin në lidhje me shkrimet e mëparshme.

 

"Rahman" (الرَّحْمآن Er-Rahmán), në fillim të ajetit 63, thirrej nga arabët, edhe para Islamit, Zoti i gjithësisë si Mëshirues i madh. Në Kuran është atributi kryesor i Zotit, sikurse thuhet në kreun 6.Bagëtitë, ajeti 12 : " Thuaj: “Kujt i takojnë ç’janë në qiej e në tokë?” Thuaj: “Zotit.” Ai ia caktoi Vetes mëshirën....""  Atëherë, "Robtë e të Plotmëshirshmit..." në kuptimin e mirëfilltë të fjalës rob, si krijesë dhe rob i Zotit, do të thotë, para së gjithash, se Zoti është i plotmëshirshëm dhe mëshirues i madh, se Ai i fal të metat e mëkatet tona që edhe ne të jemi mëshirues e falës për të tjerët.

 

Thjeshtësia apo modestia është tipari që e dallon besimtarin para të tjerëve, në paraqitjen e jashtme dhe sjelljen e tij, ndërsa mendjemadhësia e kryeneçësia, përgjatë gjithë Kuranit, janë tipare të djallit dhe njerëzve të paditur e barbarë. Sepse i Madhi Zot urdhëron e thotë: "Mos ec në tokë me mburrje. Vërtet, ti nuk mund të çash tokën, as i arrin malet në lartësi." (17:37)  Duke komentuar ajetin e mësipërm, fjalë për fjalë, Maududi bie shembull një të ri që ecte rrugës me përulje, si njeri i sëmurë, tek kalonte aty pranë Omer bin Khatab r.a. kur ishte khalife. Ai e vuri re dhe pyeti mos qe i sëmurë. I riu iu përgjigj se jo. Omeri r.a. e qortoi dhe i tha të ecte natyrshëm, si njeri i shëndoshë. Ajeti është i plotë në përmbajtje dhe nuk lë vend për interpretime të shkëputura.

 

Të paditurit, arabisht:  الْجَاهِلُون (el xháhilùn), ishin idhujtarët e Mekës që përfaqësonin një shoqëri të pacivilizuar e barbare. Profeti a.s. porositej nga i Madhi Zot me durim e sjellje të mirë, sikurse njihej mes mekasve; po kështu, ai këshillonte besimtarët. Me këtë ajet, robtë besimtarë të Zotit janë ata që jetojnë e veprojnë në shoqëri të gjerë, nuk janë veçan botës dhe, kur të paditurit u drejtohen me fjalë fyese, ua kthejnë me paqe.

 

Në ajetin 64, robtë e të Plotmëshirshmit kalojnë natën, orët e vona dhe pa zbardhur dita, duke iu falur Zotit, më këmbë e me krye në tokë (në sexhde). Kjo përsëritet në Kuran, por Zoti i Madhnueshëm u ka lejuar besimtarëve, sipas mundësive, të kalojnë një pjesë të kohës dhe të recitojnë ç'është më lehtë. Po në këtë sure, me ajetin 60, kur u thuhej të paditurve, idhujtarë mekas tek silleshin përqark Qabes: "Bini në sexhde për Zotin e Plotmëshirshëm (Er Rahman)", që ata e besonin si Zot të gjithësisë, me kryeneçësi e mendjemadhësi thonin: “Ç’është i Plotmëshirshmi? T’i përulemi dikujt që na urdhëron ti?”

 

Ajeti 66, në vazhdim, u përgjigjet idhujtarëve mekas, pasanikë e me pozitë shoqërore në Arabi, që i shikonin besimtarët me përbuzje e përçmim; po ashtu edhe llojit të tyre ditët e sotme, sa keq do të jenë vendqëndrimi dhe pozita e tyre Ditën e Ringjalljes!

 

Ajo që dallon, gjithashtu, individin dhe familjen besimtare , ajeti 67, janë jetesa dhe shpenzimet me masë, pa qenë shpërdorues në shpenzime dhe dorështrënguar në bamirësi, sepse shpërdorimi është karakteristikë e djallit dhe se djalli i frikëson miqtë e vet me varfëri. Shih te kreu 17, ajetet 26-31 dhe kreu 2:268.

 

Në kuptimin e ajetit 68, shokët e pyetën Profetin a.s. se cilat janë mëkatet më të mëdha. Siç përmend Abdullah bin Mes'ud r.a., Muhammedi a.s. tha: "T'i bësh Zotit shok ndërsa Ai të krijoi ty." Pastaj?  "Të vrasësh fëmijën tënde nga frika që do të hajë bashkë me ty." Pastaj?  "Të kryesh imoralitet me gruan e komshiut."  Këto fjalë i ka cituar Ibn Kethir në komentin e vet. Kurani dhe Hadithi, me fjalët profetike, flasin qartë e në mënyrë të përsëritur kundër shirkut, të bërët Zotit shok e pjesëmarrës, si mëkat i pafalshëm, të vrasësh njeri me pa të drejtë, si të kesh vrarë njerëzit mbarë dhe të kryesh imoralitet, akt i shëmtuar që degjeneron familjen e shoqërinë.

 

Pendimi, në Kuran, ka vlerë të madhe për besimtarin dhe çdo njeri tjetër që beson Zotin dhe Ditën e Ringjalljes, sepse njeriu u krijua i dobët (4:27-28), si qenie mes virtytit e vesit (91:7-10). Prandaj, i Madhi Zot na bën të vetëdijshëm se, kujt i kthehet i penduar dhe vepron drejt, ia zëvendëson të këqiat me të mira.

 

Dëshmia e rreme dhe fjalët e kota kanë të njëjtin burim sikurse del në dukje nëpërmjet ajetit 72. Besimtari, jo vetëm nuk duhet të merret me to, por edhe sikur të ndodhet pa dashur në një mjedis të tillë, Zoti e këshillon të mos përzihet me fjalë të kota e dëshmi të rreme, qoftë për veten e tij, për prindërit e tij apo për të afërmit, por të kalojë me nder e dinjitet. Në këtë kontekst, sjellim ajetin 135, në kreun 4, ku thuhet: "Besimtarë, jini të qëndrueshëm në drejtësi, si dëshmues për Zotin, edhe kundër vetes, prindërve a të afërmve, të pasur ose të varfër; Zoti është më pranë tyre. Mos ndiqni pasionin te e drejta. Në qoftë se dredhoni e shmangeni, Zoti është në dijeni të veprave tuaja." Ky ajet është afishuar në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit të Harvardit në Kembrixh, Masaçusets të Shteteve të Bashkuara.

 

Robtë e Zotit të Plotmëshirshëm, që besojnë Zotin dhe ditën kur do të japin llogari para Tij, nuk mund të jenë shurdhë e të verbër tek u përmenden ajetet e Zotit, me këshillat, vërejtjet dhe urdhrat e Tij. Porse i luten Zotit për veten, familjen dhe pasardhësit e tyre që t'i bëjë shembull e model për njerëzit e devotshëm. (Ajetet 73-74)

 

Këtyre, Zoti i Madhnueshëm u ka premtuar vendet e larta të parajsës ku do të priten me mirëseardhje e paqe. Përgjithmonë! Vendi i robve të Zotit, atje, është vendqëndrim dhe pozitë e shkëlqyer. (Ajetet 75-76)

 

Ajeti i fundit në këtë sure tregon që njeriu ka nevojë për Zotin dhe se njeriu e kërkon vetë të mirën a të keqen.

 

Sipas shqipërimit të Kuranit nga Myfti Salih Ferhat Hoxha (smashwords.com; kërko: kurani)

Kudret S. Hoxha                                                                                        Ramazan 1437H / 2016



[1] shkronja ha ح , e fortë, ndryshe nga he  ه , e pazëshme ose nga khi (kh)  خ. Po kështu, shkronjat e tjera të nënvizuara shqiptohen si tinguj të fortë ndryshe nga shkronjat e ngjashme me tinguj të butë. Teksti arabisht është përshtatur në alfabetin tonë me qëllim që të mund të mbahet përmendësh për mësimin që përcjell.

[2] në sexhde (duke u falur)

[3] E, l, m : shkronja në fillim të disa sureve

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme