Turqia moderne u lind pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, me heqjen e hilafetit. Ataturku, i njohur si themelues i Turqisë moderne, futi shumë reforma që reduktonin rolin e fesë islame në vend. U mbyllën shkollat fetare, u ndalua veshja islame, ezani këndohej turqisht, u zëvendësua alfabeti vendor me atë latin, ligjet evropiane të përshtatura u bënë ligje për turqit etj.
Ajo nga një shtet fetar islam u bë shtet shekullar, madje ia tejkaloi edhe shteteve armike në kundërshtimin e fesë. Kishte disa tentime për ndryshim të gjendjes, por ato tentime u dënuan rëndë, sikurse kryeministri Adnan Menderes që u dënua me varje, apo Erbakan disa herë që u dënua me burg dhe mbyllje partie e sekuestrim pasurie. Këtë fat e pati edhe vetë Erdogani kur ishte si guvernator i Stambollit. Me ardhjen në pushtet të AKP-së, partisë së Erdoganit, filluan zbutjet e caktuara dhe liritë fetare, si veshja, shkollimi, ushqimi, afarizmi hallall etj.
Përse liria pengon disa qarqe brenda dhe jashte Turqisë
Vendet e fuqishme botërore proklamojnë lirinë e lëvizjes, lirinë e fjalës, të punës, por në rastin e vendeve islame dhe të Turqisë kjo u pengon. Ata përkrahin kryetarët diktatorialë, ndihmojnë dhunën, madje organizojnë dhunën nëpërmjet shërbimeve sekrete në ato vende (si në Egjipt, Libi etj).
Nëse analizohet gjendja në Turqi, do të shohim disa shkaqe që e pengojnë elementin e brendshëm antiislam, por edhe atë të jashtëm perëndimor. Ata i pengon sidomos:
1. Ndërtimi i mijëra xhamive
Prej vitit 2002 e deri në vitin 2013 qeveria ndërtoi mbi 17 mijë xhami (Sipas revistës The Atlantic. Ky trend vazhdon edhe tash. Madje, ndërtimi i xhamive është ndihmuar edhe në vendet përreth si në Ballkan, dhe janë rinovuar shumë xhami të periudhës osmane.
2. Heqja e ndalimit të shamisë
Bartja e shamisë me dekada ishte e ndaluar në jetën publike, si në shkollë, gjyqësi, polici, ushtri, administratë etj. Madje, edhe kryetari aktual Erdogan vajzen e tij me shami e ka shkolluar në Amerikë, sepse ne Turqi ia kane ndaluar ligjet diskriminuese. Në vitin 2015 pas shumë kohësh një femër me shami udhëhoqi një seancë gjyqësore. Ndërsa në gusht të vitit 2015, Aysen Gurcan u bë femra e parë ministre me shami në qeverinë turke.
3. Rreth një milionë fëmijë në medrese
Në kohën e Ataturkut medresetë ne Turqi qenë mbyllur. Në vend të tyre u hapën Imam-hatib Okullu, Shkollat që përgatisnin imam e hatib për xhami. Shkollat për imam dhe hatib (te ne medresetë) në vitin 2003 numëronin 65 mijë nxënës, që domethënë një minimum absolut për një vend me afër 70-80 milionë banorë. Por në vitin 2013 ky numër i nxënësve kishte arritur në 650 mijë, kurse në vitin 2015 në një milion nxënës.
4. Edukimi i obligueshëm fetar
Në shkolla nga koha e Ataturkut mësimi për fenë qe zvogëluar në maksimum. Por viteve të fundit, nga AKP është futur arsimimi fetar nëpër shkolla. Organizohen kurse për jetën e Muhammedit a.s. dhe për Kur’anin si program shkollor. Kryetari Erdogan ka deklaruar: “Ne dëshirojmë të edukojmë rini të përkushtuar fesë. “ Kjo parti dëshiron të edukojë rini që vlerëson vlerat fetare, tradicionale e jo të kopjojë modelet e huaja që bastardojnë rininë muslimane turke.
5. Është hequr kufizimi në mësimin e Kur’anit
Dikur shteti kufizonte moshën e mësimit fetar vullnetar dhe kjo moshë ishte mbi 12 vjet. Por me ardhjen e AKP-së në qeverisje kjo moshë është hequr dhe tash mund të mësojnë edhe fëmijët më të vegjël. Madje, nga viti 2013 këto kurse me mësim fetar kanë filluar qysh në institucionet parashkollore.
6. Pengesat e reklamimit dhe shitjes së pijeve alkoolike
Turqia shekullariste prej Ataturkut ka lejuar shitjen e pijeve alkoolike. Kjo ka zgjatur deri në vitin 2013 kur qeveria e Erdoganit vendosi pengesa në reklamimin e pijeve alkoolike afër xhamive dhe shkollave. U censurua edhe paraqitja e alkoolit në televizion dhe filma. Po ashtu, ndalohet shitja e alkoolit në konvikte studentësh, institucione arsimore, pompa benzini dhe pas orës 22 ndalohet shitja në çdo vend.
7. Ekspansioni i bankave islame
Turqia ishte e vendosur në sistemin perëndimor, madje ishte kopje e zbehtë perëndimore. Por viteve të fundit bankat islame kanë filluar të rriten dhe të zhvillojnë një afarizëm më të mirë se dikur. Për disa vite bankat islame do të kenë primatin në Turqi. Vetë Erdogani bankat me sistem kamator perëndimor i quajti “të vrazhda” dhe se ai vetë i jep përparësi bankimit islam.