Roli i Qyprylynjëve në Mirëqenien e Shtetit Osman gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVII

Është e njohur se Shteti Osman ne gjirin e vete përfshinte elemente heterogjene, të cilët nuk përpiqej ti shkrinte në një të vetme[2]. Territoret e ndryshme të kësaj perandorie  shquheshin për kushte shume të ndryshme natyrore dhe popujt e saj i përkisnin etnive dhe besimeve te ndryshme. Ata ishin turq, arabe, persian, cigane, greke, serb shqiptare etj. dhe kishin besime nga me te ndryshme.[3]

Edhe pse Sulltani për nga etnia ishte me prejardhje Turke dhe gjuha zyrtare e shtetit ishte turqishtja e vjetër apo dialekti Osman, personeli i lartë i ushtrisë dhe administratës ishte nga më kozmopolitet,[4] pasi që në vete barte personalitet me etni të ndryshme, të cilët me kontributet e tyre udhëheqëse dhe rolin e madh në drejtimin e shtetit Osman prej Kryeveziri (Sadraazam), Veziri, Serdari, Valiu dhe pozita te tjera të rëndësishme, më pas do të bëhen të pashlyeshëm për historinë e këtij shteti dhe vendeve të gjenezës së tyre.

Duke qenë se shqiptarët qysh nga vitet e hershme të themelimit të shtetit Osman, madje edhe para pushtimit të Konstantinopojës ishin bërë pjesë e këtij sistemi nëpërmjet sistemit Devshirme, qysh nga gjysma e shek. XV ata do ti gjejmë në pozita tё larta udhëheqëse në këtë shtet. Ndër shqiptarët e parë që prekën majën e mundshme në administratën Osmane ishin Gedik Ahmet Pasha (1474-78), Davut Pasha (1482-97), Dukaginoglu Ahmet Pasha (1515-16), Ayas Mehmet Pasha (1536-1541), Lutfi Pasha (1539-41), Kara Ahmet Pasha (1533-55), Semiz Ahmet Pasha (1579-1580),Koca Sinan Pasha( 1580-82), Ferhat Pasha (1595-95).

Ashtu sic u pa edhe me larte numri i shqiptarëve në postet udhëheqëse të shtetit Osman pas Kryevezirit të parë me prejardhje shqiptare Gedik Ahmet Pashës edhe gjatë shekullit XVII është i konsiderueshëm. Por pa dyshim, që kur i bëjmë renditjen e këtyre udhëheqësve, disa nga ta me sukseset dhe rolin e tyre në udhëheqjen Osmane dalin më shumë në pah se të tjerët, siç është rasti me familjen e Qyprylynjve me prejardhje nga Berati, të cilët plotë gjysmë shekulli jo vetëm që udhëhoqën me shtetin Osman, por edhe u futen në historinë Osmane me emrin e familjes së tyre, respektivisht kjo periudhë u njohë si “Epoka e Qyprylynjëve” (Köprülüler Devri)[5] Gjë që është njëri nga rastet e vetme pas sundimit të familjes së Çandarlinjëve gjatë themelimit të shtetit osmane deri në periudhën e Sulltan Mehmetit të parë, Fatihut.[6]

Është me rëndësi të theksohet se rrethanat politike të shtetit Osman dallojnë nga periudha në periudhë dhe këto periudha lidhen direkt me sulltanët të cilët sundonin, andaj edhe kompetencat e udhëheqësve të shtetit Osman ishin te lidhura ngushte me politikën udhëheqëse të sulltanit të kohës. Në këtë rastë mund të marrim shembull sulltanët e shekullit XV dhe XVI, të cilët falë respektimit dhe aplikimit të kanuneve apo ligjeve të cilat ishin hartuar për vite me radhë nga ana e sulltanëve të fuqishëm siç ishte periudha e Mehmeti të dytë-Fatihut dhe Sylejmanit të parë i njohur edhe si Ligjvënësi, ia dolën që të mbajnë një stabilitet të fuqishëm politikë brenda sistemit të shtetit. Periudhë, në të cilën kemi një pushtet absolut të Sulltanit dhe si rezultat në vazhdimësi kemi zgjerim të territoreve Osman. Ndërsa në shekullin e XVII, madje edhe më herët në fronin Osman vinin figura pa përvojë udhëheqëse të cilët për shkak të moshës së re nuk kishin pasur rastin të shërbenin si Sanxhakbej në provincat e Anadollit, ashtu siç ishte traditë e sulltanëve të mëparshëm dhe si rezultat i moshës tepër të  njomë[7] ishin të paaftë për të udhëhequr shtetin, që për pasojë përgjegjësia e marrjes së vendimeve në emër të sulltanit mbeti në duart e nënave të tyre të cilat ishin në pozitën e Valide Sulltaneshave që vepronin nën ndikimin e personelit të Haremit, respektivisht agallarëve të haremit tё cilët në një far mënyre ishin edhe këshilltarët e tyre. Ndikimi më i madh i pjesëtarëve të Haremit në vendimin e sulltaneshave ishte evident, sidomos në emërimin e funksionarëve të lartë të shtetit, duke mos u përjashtuar as posti më i lartë i mundshëm i Kryevezirit apo Sadraazamit të cilët emëroheshin mbi baza klanore dhe miqësish.[8]

Andaj shekulli për të cilin po flasim në historinë e shtetit Osman njihet si periudhë e dekadencës dhe përçarjes (Tagayyur ve Fesad devri)[9] e cila kishte ardhur si rezultat i shumë faktorëve, me theks të veçantë, degradimi i administratës Osmane qendrore. Pikërisht para një gjendje të tillë, ku rrezikohej Stambolli nga Republika e Venedikut e cila kishte bllokuar grykën në Dardanele dhe kishte pushtuar ishujt Lemnos (Limni) dhe Tenedos (Bozcaada), humbjës së ushtrisë Osmane në Betejen e Lepantos karshi ushtrisë së krishtere, sikur edhe hapjes së një fronti të ri në Hungari nga ana e Habsburgëve[10], u ndje nevoja për gjetjen dhe emërimin e një Kryeveziri të fuqishëm i cili do të mund ta rikthente qetësin dhe rregullin brenda shtetit, që njëherit do të ishte edhe shpëtimtari i shtetit Osman.

Një kuadër i tillë u gjet vetëm në vitin 1656, kur  me propozimin  e Kasim Aga-së në postin e kryeministrit u emërua Qypryly Mehmet Pasha me prejardhje nga fshati Rudnik i Beratit.  Kasëm Aga-ja kishte qenë pjesëmarrës në disa takime ku ishin diskutuar temat mbi gjendjen e rëndë të shtetit dhe mundësitë e daljes nga kjo gjendje. Ai besonte shume në vizionin dhe personalitetin e Qypryly Mehmet Pashës, sa që për disa herë e kishte propozuar tek Valide Sulltanesha që ta emëroj në postin e Kryevezirit, por që për shkak të intrigave të burokratëve osman, ai ishte anashkaluar nga Sulltanesha deri më 1656.[11] Edhe pse Qypryli Mehmet Pasha deri atëherë nuk ishte shumë i njohur për burokracinë Osmane dhe vetë sulltaneshën,[12] pasi që në periudha shumë të shkurtër ishte gjendur në pozita shtetërore, falë besueshmërisë së Valide Sulltanehsës ndaj Kasim Agasë,[13] u vendos që pozita e Kryevezirit ti jepet Mehmet Pashë Qypryliut.[14]

Vizioni i Mehmet Pashë Qypryliut shihet në kërkesat e tij ndaj Sulltaneshës gjatë pranimit të detyrës. Ai me rastin e emërimit për Kryevezir kërkoi që të ketë kompetencën e plotë në emërimin dhe shkarkimin e personelit, të përkrahet në luftimin e marrje-dhënies së ryshfetit dhe kërkesa e fundit ishte që të mos merren parasysh akuzat dhe shpifjet e oponentëve[15], madje ai gjatë takimit me Sulltaneshën premtoi se nëse do të merren parasysh kërkesat e lartcekura, do të jetë e mundur që të realizohen qëllimet e vizionit të tij për rikthimin e dinjitetit të shtetit brenda dhe jashtë.[16]

Qypryly Mehmet Pasha kur erdhi në postin e Kryevezirit ishte në një moshë shumë të shtyrë (72 vjeç) dhe me një përvojë kryesisht të shkurtër në pozita shtetërore, ai me sukseset e tij të treguara në një periudhë të përzier nga brenda dhe jashtë vërtetoi mendimin e mirë të Kasëm Agas që ushqente për udhëheqjen e tij[17]. Ai gjatë sundimit të shkurtër pesë vjeçare, ç’bllokoi Dardanelet apo grykën e Çanakkales nga zaptimi i Republikës së Venedikut, në kuadër të kësaj ekspedite rimori ishujt Lemnos (Limni) dhe Tenedos (Bozcaada). Qypryly Mehmet Pasha zgjidhi edhe çështjen e Transilvanisë, sikur që shtypi edhe kryengritjet e korpusit të Spahinjëve dhe Jeniçerëve.[18] Roli më i madh i Qypryly Mehmet Pashës ishte rikthimi i autoritetit politik nga Haremi tek saraji i Kryevezirit.[19]

Edhe pas vdekjes së tij më 1661, postin e Kryevezirit Osman e trashëgoi i biri Qypryly Fazëll Ahmet Pasha i cili po sikur babai i tij tregoi suksese në udhëheqjen e shtetit Osman nga posti i krzevezirit. Gjatë periudhës së tij më 1699 sundimi osman u zgjerua edhe në territorin  e Heraklionit (Kandiye) (1669) dhe Kretës (Girit) më 1669. Fazëll Ahmet Pasha nga viti 1672 doli në ekspeditë për marrjen e Podolias në Ukrainë, të cilën arriti ta nënshtroj vetëm në vitin 1676 dhe si rezultat i kësaj kemi zgjerimin më të madh të mundshëm të territorit Osman.[20]

Duhet theksuar se sukseset e Mehmet Pashës dhe pasuesit të tij Fazëll Ahmet Pashës fuqizuan emrin e Familjës së Qyprylynjëve, saqë pas vdekjes së Fazëll Ahmetit kohë pas kohe në postin e Kryevezirit erdhën edhe shumë pjesëtarë të kësaj familje me prejardhje shqiptare. Ashtu si Fazëll Mustafa Pasha, i cili ra në betejën e Salankamenit më 1692, po ashtu nga kjo familje në krye të shtetit Osman ishin edhe Kara Mustafa Pasha i cili ishte dhëndër i Mehmet Pashë Qypryliut, më pas Amcazade Hysejn Pasha njihet për rolin mbikëqyrës në negociatat e marrëveshjes së Karloviçit (1699). [21]

Në vend të përfundimit mund të thuhet se shekulli i XVII ishte periudha më kritike e shtetit osman. Periudhë kur autoriteti i sulltanëve klasikë kishte kaluar në kontrollin e Haremit, përkatësisht Valide Sulltaneshave dhe Agallarëve të Haremit, që për pasoj edhe fuqia e Kryevezirit, si pozita më e lartë e shtetit dhe përfaqësues i Sulltanit ishte zbehur në atë masë sa që të gjitha tentativat për reforma në sistem, rezultuan të pasuksesshme, falë intrigave të Haremit. Kjo gjendje në shtet solli një krizë socio-ekonomike e cila u përcoll me humbjen e vlerës së valutës osmane (akca), ndërrimin e shumë kryevezirëve dhe 4 sulltanëve për një periudhë të shkurtër. Shembujt e Qyprylinjëve dhe shumë personaliteteve tjera të shekullit XVII dhe më pas, janë treguesi më i mirë i rolit të madh të shqiptarëve në udhëheqëjen e shtetit osman nga pozitat e larta shtetërore, pozita nga të cilat me kontributet e tyre zgjaten jeten e shtetit edhe për një shekull....

 

Shënim: ky punim është një pjesë e shkëputur nga kumtesa me titull:“Roli i udhëheqësve shqiptarë në shtetin Osman gjatë shekullit XVII dhe rënia e Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptarit (1686)” i cili është lexuar në simpoziumin ndërkombëtar  “Armiku Trim (Kahraman Düşman) Abdurrahman Abdi Pasha guvernatori i fundit osman i Hungarisë (Fundi i shekullit XVII)”, organizuar nga shoqata Alsar më datë 28 janar 2016 në Tiranë.

 

 

 



[1] İstanbul Universitesi depart. i studimeve Osmane& Hulumtues i pavarur shkencor pranë Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë.

[2] Halil Inalcik, “Arnavutluk’ta Osmanlı Hakimiyetinin Yerleşmesi ve İskender Bey İsyanının Menşei” Fatih ve İstanbul, nr.1, İstanbul 1953, f. 158.

[3]  Zhil Veinshtein, “Perandoria ne Madhështin e saj, (Editor) R.Mantrana;Historia e Perandorisë Osman. Tiranë 2004.

[4] Zhil Veinshtein, po aty, f.162.

[5] Mehmet Toprak, “Sadrazam”, TDV Islam Ansiklopedisi, istanbul 1998, f, 415.

[6] Munir Aktepe, “Çandarli”, TDV Islam Ansiklopedisi, Istanbul 1993, f.209.

[7] shënim: Sikur ishte rasti me Sulltan Ahmedin e parë i cili ishte vetëm 13 vjetë, Murati i katër ishte vetëm 11 vjet dhe Mustafën e parë me të meta psikike.

[8] . Salih Budakoğlu, Köprüleler Devri, İstanbul 1988, f.4.

[9] Halil Inalcik, Devlet-i Aliyye, Osmanli Imaparatorluğu üzerinde araştırmalar, Vëll. II, Istanbul 2015,  f.4.

[10] Robert Mantrana,“Shteti Osman ne Shek. XVII: Qendrueshmeri apo e Tatpejete?”, (Editor) R.Mantrana;Historia e Perandorisë Osman. Tiranë 2004.

[11] Salih Budakoğlu, po aty, f.4.

[12] Po aty, f.5.

[13] Uzunçarşılı I. Hakkı, Osmanlı Tarihi, vëll. 2, f.302.

[14] Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë 1982, f. 291.

[15] H. Inalcik, f. 343-346

[16] Po aty.

[17] Salih Budakoglu, po aty, f.5.

[18] Halil Inalcik, Devlet-i Aliyye, Osmanli Imaparatorluğu üzerinde araştırmalar, Vëll. II, Istanbul 2015,  f.29.

[19]Po aty, f. 62

[20] Suraiya Faroqhi” Krizler ve Değişim”, H. İnalcık&Donald Quataert (Editor), Osmanli İmparatorluğ’nun Ekonomik ve Sosyal Tarihi, Istanbul 2006, f.551.

[21] Po aty, f. 552.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme