Mjedisi shoqëroro-historik dhe shpirtëror në fund të shek. XX
Në kohën kur në botë po bëheshin reforma të natyrës politike e ekonomike, sociale e kulturore, në kohën kur bota po ndërtonte një pamje tjetër për këtë hemisferë, në ish-Jugosllavi, atdhe ky i imponuar edhe për shqiptarët edhe për muslimanët e Ballkanit. Në kohën kur muslimanëve u mungonte një qasje e mençur dhe e urtë, kur u mungonte një dinamizëm individual dhe institucional, pikërisht në këtë kohë, rreth një çerek shekulli më parë, lindi Logos-A.
Vazhdimësia e punës rezultat i qëllimit dhe punës së sinqertë
Punën që nuk e bënë institucionet përkatëse dhe shumë emra në zë, e mori përsipër vazhdoi punën Logos-A, e cila nga dita në ditë e ndërtoi vetveten, afroi bashkëpunëtorë dhe ofroi bashkëpunim, lëvizi rrjedhat intelektuale, që një ditë të bëhet avangardë e ideve, promotor i vlerave, përkatësisht të bëhet një koshere bletësh brenda dhe rreth së cilës sillen shumë bletë punëtore.
Atë që në rrafshin e fjalës së shkruar, për shkak të ngurtësisë hierarkike të veprimit, josensit për fjalën e shkruar dhe perceptimit konservativ të mësimeve islame ndryshe nuk arriti ta bëjë institucioni përgjegjës fetar, në një rrafsh të caktuar këtë u përpoq ta bëjë Logos-A, duke vendosur ura bashkëpunimi mes individëve të fushave të ndryshme dhe institucioneve shkencore e intelektuale. Duke pasur një qasje konstruktive Logos-A përfilli trashëgiminë pozitive, çmoi intelektualët që bartnin barrën intelektuale dhe barrën atdhetare të muslimanëve, i trajtoi dinjitetshëm dhe zbuti hapësirën për zhurmë, propagandë e ideologji të dyshimta. Mendoj se stafi udhëheqës i Logos-A nuk u barrikadua me bindjen se unë i vetmi jam për botën dhe se bota pa mua është asgjë, udhëheqja e Logos-A në vend të vendosjes së kultit të personalitetit, zbatoi qasjen e hapjes ndaj vlerave dhe programeve, duke synuar vlerën dhe jo namin.
Mendoj, pa e tepruar, se Logos-A gjatë punës së tij pranonte propozime, tregonte fleksibilitet, zotëronte dinamizëm të caktuar dhe reformohej pa përplasje, pa çarje, pa zhurmë, e në dobi të vendit, kohës dhe rrethanave aktuale, me njerëz të ditur e të specializuar, të urtë, të matur e të shkathtë. Ai nuk y mbyll në vetvete, por zgjeroi rrethin e bashkëpunëtorëve të profileve të ndryshme.
Një tjetër karakteristikë e veprimtarisë së Logos-A është se derisa të tjerët imponoheshin me zhurmë e skandale, me imponime e shtyrje bërrylash, me ngjitje etiketash për të tjerët apo mbajtje anën e një ideologjie të caktuar, Logos-A zgjodhi rrugën e mesit, heshtjes, punës, unitetit. Në vend të replikës e debatit të pafund dhe akuzave të tmerrshme, Logos-A ofroi bashkëpunim e unitet. Stafi udhëheqës, duke mësuar se çfarë po ndodh me vendet, organizatat, subjektet e shumta që për maksimë zgjodhën përçarjen dhe dezintegrimin, vendosi që anatemën dhe përjashtimin (tekfirizmin) ta çrrënjosi nga veprimtaria e vet. Kjo bëri që Logos-A të bëhet i dashur për intelektualë të shumtë të fushave të ndryshme në Tiranë, Prishtinë, Shkup e madje edhe në qendrat e tjera dhe të paraqes strumbullarë të literaturës së shëndoshë.
Titujt e përkthyer, që përbëjnë edhe shumicën e veprave të botuara, klasikë apo bashkëkohorë, janë aktual, analitikë e shkencor dhe jo populliste e komerciale, kurse autorët janë të zgjedhur, thuajse ndër më të mirët në fushat e tyre, emra atraktivë në gjuhët e tyre, duke mos i harruar as veprat për shtresën e gjerë, për lexuesin e mesëm. U kthyen nga kujtesa historike edhe një varg autorësh shqiptarë si Sami Frashëri, Hafiz Ali Korça, pastaj Imam Vehbi Ismaili, Hafiz Ali Ulqinaku e tjerë, që është një borxh ndaj të kaluarës dhe shërbim ndaj të ardhmes. Në këtë pasqyrë kalimtare nuk duhet harruar as emrat si Karen Armstrong, Rod Stuard, Davor Marko, Maurice Bucaille e tjerë, të cilët ndonëse të proveniencave të tjera fetare, kanë gjetur hapësirë dhe kanë krijuar diversitet fetar, kulturor, qytetërues dhe ura lidhëse mes popujve, gjuhëve, kulturave etj. Pas leximit të këtyre veprave, njeriu nuk do ta shikojë Lindjen (Orientin) si gjenerues të letargjisë, krizave e luftërave, as Perëndimin (Oksidentin) si vend nga vjen vetëm eksploatimi, njëmendësia, supremacioni, por do të shoh të mundshëm dhe krejt real bashkëpunimin dhe bashkëjetesën.
Më sipër theksuam se Logos-A nuk ka ngarendur drejt metodave populliste dhe komerciale dhe kjo në aspektin e famës momentale dhe në sytë e komercialistëve është jo e qëlluar. Por, shikuar në rrafshin afatgjatë, Logos-A ka zgjedh rrugën më të vështirë, atë të luftës së vazhdueshme për njerëz cilësor, për njerëz që nuk synojnë atraksionet, nuk synojnë koloritin, nuk synojnë emocionet por synojnë besimin, arsyen dhe emocionet. Thjesht, Logos-A nuk vrapoi pas shumësisë e zhurmës, prodhimit industrial, duke përdorur metoda diletante dhe fitimprurëse, por vrapoi drejt dijes së qëndrueshme dhe ndërtimit të individit e shoqërisë.
Si dashamirë dhe njohës i rrethanave në Logos-A mendoj se gjatë rrugëtimit të tij prej një çerek-shekulli, nëpërmjet librave autorialë e të përkthyer, plotësoi katër segmente kryesore:
1. Të gjithë njerëzit janë bijë të Ademit, kurse Ademi është i krijuar prej dheut dhe aty do të kthehet. Arabi ndaj joarabit dhe joarabi ndaj arabit nuk ka përparësi. Të pranueshëm tek Krijuesi mund ta bëjë takvallëku i tij / vlerat morale të tij;
2. Islami është paqe e prehje në shpirt, kurse muslimani është njeriu që bën paqe në raport me Krijuesin, njeriun dhe ambientin që e rrethon. Allahu është i kënaqur me njerëzit që bëjnë paqe dhe i pezmatuar me ata që prishin paqen;
3. Njeriu duhet të mësojë për sakrificën dhe të bëjë sakrificë. Gatishmëria për sakrificë dhe vetë sakrifikimi njeriun e bën të përjetshëm, sepse sakrifica e bën jetën dhe jo e kundërta;
4. Islami është i fuqishëm dhe intelektual, shpirtëror dhe largpamës, i rreptë kundër rrymave të skajshme e zhurmave si rezultat i kiçit e shundit, por joshës për vlerat e mirëfillta, që nëse e përkthejmë në gjuhën aktuale domethënë: Logos-A tregoi dhe tregon se Islami dhe muslimanët kanë cilësi për t’iu qasur shekullit 21 krahas të gjitha forcave konstruktive kudo qofshin dhe kurdo qofshin.
Në vend të përmbylljes
Nëse i kemi parasysh rezultatet e pamohueshme të Logos-A në rrafshin shkencor e kulturor, kombëtar e fetar në Maqedoni e më gjerë, më vjen turp për shqipfolësit e caktuar në Maqedoni, që në bashkëpunim me forca të errëta, në stilin e hienave, përpiqen ta dëmtojnë e pengojnë Logos-A në punën e tyre fisnike e jashtëzakonisht të frytshme.
Logos-A do të vazhdojë të jetojë edhe më fuqishëm, edhe më dinjitetshëm, duke u bërë vravashkë për të gjithë ata që kanë nevojë për orientues e dritë.
Kolona e pestë le të mendojë mirë se metodat e vjetra komuniste, të frikësimit e shantazhit,të njollosjes e eliminimit janë të përkohshme dhe varrosëse për vetë ata. Është koha e fundit që populli në Maqedoni t’ia tregojë vendin individëve e grupeve të tilla, duke i vendosur në depon e të materialit me afat të skaduar dhe toksik.
11. 02. 2017,
Prizren
Nexhat Ibrahimi