
1. Hyrje
Çështja e rindërtimit të xhamisë në Kalanë e Prizrenit, ka qenë një tematikë që ka përshkuar aktualitetin e Prizrenit, duke filluar nga muaji tetor 2016 e këndej. Ajo, vazhdon të jetë e këtillë dhe në muajt në vijim, e deri në rindërtimin e saj. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit dhe shoqëria civile kanë ngritur zërin publikisht, duke kërkuar rindërtimin e xhamisë. Ata, janë zotuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa dhe se do t’i shfrytëzojnë të gjitha format deri në rindërtimin e saj.
2. Problematika e çështjes
Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës - Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, që nga viti 2010 i drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe institucioneve relevante të Kosovës me kërkesën për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit. Mirëpo, këto kërkesa të vazhdueshme, e që do t’i evidentojmë më poshtë, nuk janë trajtuar fare nga institucionet përkatëse, madje nuk është dhënë asnjë përgjigje. Kështu që, Minsitria për Kulturë Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë kulturo-historike të Kosovës, me rastin e restaurimit, konzervimit dhe rindërtimit të objekteve brenda hapësirës së Kalasë, nuk e ka paraparë fare rindërtimin e xhamisë, apo të themi më mirë e ka injoruar xhaminë, duke e dënuar që të mbetet gërmadhë përgjithmonë. Ky anashkalim i xhamisë dhe injorim i qëllimshëm i kërkesës ka ngjallur reagimin e Bashkësisë Islame, të imamëve dhe të qytetarëve të Prizrenit, të cilët janë ngritur në këmbë, dhe me ngulm kërkojnë ringritjen e xhamisë, në emër të ruajtjes së origjinalitetit historik të Kalasë, si një monument ekskluziv i trashëgimisë kulturo-historike e nacionale, në nivel të Prizrenit dhe Kosovës.
Në vazhdim, para se të flasim për xhaminë e Kalasë dhe zhvillimet rreth kërkesës për rindërtimin e saj, e konsideroj të arsyeshme që të japim disa informacione për Kalanë e Prizrenit, sipas të dhënave historike, që dihet se janë autentike.
3. Kalaja e Prizrenit në kontekstin historik
Pa dyshim, kalaja e Prizrenit është një monument me vlera të veçanta i trashëgimisë kulturore-historike të Prizrenit. Ajo, konsiderohet simboli i qytetit dhe një element me rëndësi në identitetin kulturor të Kosovës. E ndërtuar në një kodër të lartë, në një ambient piktoresk dhe në një pozitë jashtëzakonisht strategjike, Kalaja ngrihet mbi qytet sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumëbardhit dhe rrafshin e Dukagjinit.[1]
Foto-1:Pamja e Kalasë nga këndi veri-lindor
Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peisazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.[2] Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 m. mbi nivelin e detit. Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 ha në trajte përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.[3]
Foto-2:Pamja e Kalasë nga këndi veri-perëndimor
Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, Kalaja e Prizrenit i përket periudhës romake, shekulli i IV.[4] Shënimi më i vjetër që e përmend Kalanë e Prizrenit, ëshët ai i kronistit bizantin, Prokopi i Cezares nga (Palestina), i shek. VI-të, bashkëkohanik i Justinianit (527-565). Me sa duket Prokopi me kërkesë të Justinianit, ndërmjet viteve 558-560 e shkroi veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Nga vepra shihet se për tu mbrojtur nga sulmet e popujve barbar Justiniani ka urdhëruar ndërtimin e fortesave të reja dhe meremetimin e të vjetrave. Duke e çuar në vend urdhrin e perandorit në Dardani u ndërtuan tetë fortesa të reja dhe u meremetuan 61 të tjera. Në mesin e të meremetuarave për të parën herë na paraqitet emri i qytetit P e t r i z e n, që konsiston emrin e sotshëm të Prizrenit, si dhe e zëvendëson emrin e mëparshëm Theranda.[5]
Në këtë kuptim, Kalaja e Prizrenit, si një pikë strategjike, ka qenë vend që ka tërhequr interesimin e pushteteve për gjatë historisë. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në shekullin e XV dhe deri në vitin 1912, Kalaja shfrytëzohet, përveç tjerash, edhe si fortifikatë ushtarake. Por, rolin si fortifikatë ekskluzive ushtarake Kalaja e humbi pasi që mutesarifi i Prizrenit, Mushir Vejsel Pasha, ndërtoi kazermat ushtarake në pjesën perëndimore të qytetit në vitin 1882-1883.[6]
Pas vitit 1912, me ardhjen e pushtetit agresor serbo-malazez, Kalaja i nështrohet shkatërrimit të përgjithshëm. Të gjitha objektet që kanë ekzistuar deri në atë kohë, rrënohen dhe Kalaja shndërrohet në gërmadhë, duke dalur jashtë funksionimit të saj dhe duke u lënë pas dore. Tek pas vitit 1965 fillon një interesim i pushtetit, “që kishte për qëllim valorizimin dhe prezentimin e Kalasë në suazat e zhvillimit të ekonomisë turistike të Prizrenit dhe Kosovës. Për këto qëllime u bë financimi nga mjetet e buxhetit të Kuvendit të KSAK për vitin 1969, ndërsa kërkimet arkeologjike iu besuan prof.dr.Jovan Kovaçeviq nga Universiteti i Beogradit. Këto u zhvilluan prej 03.07.1969 – 05.09.1969, me pjesëmarrjen e 7 ekspertëve dhe 7 studentëve të arkeologjisë, si dhe 10 ekspertëve të lëmenjëve të ndryshëm të entit.[7]
Foto-3:Pamja e Kalasë nga këndi jug-lindor
Me largimin e pushtetit serb nga Kosova, në vitin 1999, Republika e Kosovës ka filluar që të interesohet për fatin e Kalasë si një zonë arkeologjike, e cila përmban potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Kështu, që nga vitit 2004, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, ka filluar projektet për revitalizimin e saj. Përveç hulumtimeve arkeologjike, aty janë rindërtuar disa objekte, ndërsa mbijetojat e disa objekteve të tjera të Kalasë, përfshirë muret rrethuese, i janë nënshtruar procesit të restaurimit dhe konzervimit. Punimet, edhe gjatë vitit 2017, janë duke vazhduar, ndërsa xhamia dhe hapësira përreth saj akoma nuk është trajtuar.
4. Fazat e Kalasë dhe zgjerimi i saj ndër shekuj
Siç dihet, një studim voluminoz rreth Kalasë së Prizrenit është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë. “Gërmimet arkeologjike të bëra më 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezentohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depotë si dhe një varg objektesh në brendinë e saj.[8] Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend.”[9]
Natyrisht, Kalaja nuk e ka pasur këtë formë, që e ka sot. Ajo ka pësuar metamorfoza arkitektonike nëpër shekuj, varësisht prej periudhave historike. “Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Kalaja e Prizrenit është njëra ndër monumentet më kapitale të trashëgimisë kulturo historike të Kosovës dhe njihet si një muze i hapur.” [10]
Në një hart, që studiuesi i njohur nga Prizreni, z. Muhamed Shukriu e ka vendosë në librin e tij Prizreni i Lashtë, pasqyrohen fazat dhe periudhat e Kalasë, sipas rezultateve të kërkimeve arkeologjike të vitit 1969.[11]
Foto-4:Harta sipas rezultateve të kërkimeve arkeologjike të vitit 1969.
Sipas kërkimeve shkencore arkeologjike, në Kala, mund të supozohen shtatë faza të ndërtimit:
1) Faza I: shek. V-VI; 2) Faza II: shek. XI; 3) Faza III: shek. XII-XIII; 4) Faza IV: shek. XIV; 5) Faza V: shek. XVI; 6) Faza VI: shek. XVII; 7) Faza VII: shek. XVIII.[12]
Natyrisht, në fazën e parë, Kalaja ka qenë një hapësirë relativisht e vogël. Nëpër periudha të ndryshme historike, ajo i është nënshtruar transformimeve të vazhdueshme, varësisht prej interesave të pushteteve. Që nga ndërtimi i saj, Kalaja e Prizrenit, zgjerimin më të madh hapësinor e përjeton gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Aty, ndërtohet Xhamia dhe disa objekte të tjera për nevojat e banorëve të saj. Në ndërkohë, ndërtohet edhe Sahatkulla.
5. Statusi pronësoro - juridik i Kalasë së Prizrenit
Parcella e Kalasë, për nga aspekti pronësoro-juridik, është e regjistruar në organet kadastrale të Prizrenit dhe Kosovës. Sipas çertifikatës mbi njësinë kadastrale, të lëshuar nga Republika e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra Kadastrale Komunale në Prizren, datë 12.12.2016, Kalaja e Prizrenit evidentohet si në vijim: Zona Kadastrale: Prizren; Numri i njësisë kadastrale: P-71813068-07675-2; Lloji i njësisë: Parcelë; Lloji i pronës: Pronë shoqërore; Sipërfaqja: 15776 m2; Pronari: P.SH.KK PRIZREN.
Sipas ligjit Nr. 04/L-066 Për Qendrën Historike të Prizrenit, neni (7), Kalaja e Prizrenit konsiderohet pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit dhe mbrohet me të njëjtin ligj. Por, në anën tjetër, edhe pse Kalaja është e shpallur si zonë arkeologjike, megjithatë ajo nuk është zonë e veçantë e mbrojtur, siç janë disa zona të tjera në nivel të Kosovës, e sidomos zonat e kishave ortodokse.[13] Mendoj, se këtu është bërë një lëshim, duke patur parasysh vlerat që përmban Kalaja e Prizrenit, si një monument mjaft ekskluziv për trashëgiminë kulturo-historike të Prizrenit dhe Kosovës.
Po ashtu, Kalaja e Prizrenit deri në muajin tetor 2016 ka qenë e evidentuar në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e përkohshme, sipas vendimit nr. 116/15, dt.09.10.2015, i cili vlen për një vit, me mundësi të ripërtrirjes për çdo vit. Në këtë listë, Kalaja e Prizrenit, evidentohet si në vijim: Emërtimit: Kalaja e Prizrenit; Komuna: Prizren, Kategoria: Trashëgimi arkeologjike – Lokalitet arkeologjik / rezervat; Periudha: Parahistori / koha e re; Numri i vendimit: 1585/48; Numri unik në databazë:1967.[14] Ndërsa, më datë 07.10.2016, Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK), sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, ka bërë shpalljen e 23 aseteve nën mbrojtjen e përhershme në nivel të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë, fatmirësisht Kalaja e Prizrenit ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtjen e përhershme. Të njëjtin status, nga Komuna e Prizrenit e kanë fituar edhe: Kalaja e Korishës, Xhamija e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Kisha e Shën Premtës si dhe Hidroelektrana.[15] (vijon...)
[1] Shih: Wikipedia: https://sq.wikipedia.org/wiki/Kalaja_e_Prizrenit, data e citimit: 25.12.2016
[2] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, sipas faqës zyrtare në internet: http://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=6229, pa datë të publikimit, data e citimit 24.12.2016.
[3] Shih: https://sq.wikipedia.org/wiki/Kalaja_e_Prizrenit, data e citimit: 25.12.2016
[4] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.
[5] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty; Po ashtu, shih: Ilirët dhe iliria I,II, Prishtinë, 1978, fq.441, sipas: Salajdin Krasniqi, Prizreni – udhëtim nëpër kohë, Prizren, 2002, fq.17.
[6] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.
[7] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.278.
[8] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, Prishtinë, 2012, fq. 94-95, sipas: http://www.mkrs-ks.org/repository/docs/shqip_final.pdf, data e citimit:10.02.2017.
[9] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.
[10] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, po aty, fq. 94-95.
[11] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.277.
[12] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.285.
[13] Shih: Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 03/L-039, Për Zonat E Veçanta TÑ? Mbrojtura, sipas: http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/2008_03-L039_al.pdf, data e citimit 22.01.2017.
[14] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, sipas: http://www.mkrs-ks.org/repository/docs/LISTA_E_TRASHEGIMISE_KULTURORE_NEN_MBROJTJE_TE_PERKOSHME_2015.pdf, publikuar më datë 09.10.2016, data e citimit:22.01.2017.
[15] Shih: “Gjashtë (6) Monumentet në mbrojtje të përhershme janë nga Prizreni”, sipas: https://www.gazetaere.com/6-monumentit-ne-mbrojtje-te-perhershme-jane-nga-prizreni/, data e publikimit 09.10.2016, data e citimit: 22.01.2017.
Historiku i xhamisë së Kalasë
Siç dihet, xhamia e kalasë ka qenë ekzistente për shumë shekuj me radhë në Kalanë e Prizrenit. Për këtë ekzistojnë dëshmi dhe pamje historike autentike, gjersa nuk kontestohen nga askush. Sa i përket vitit të ndërtimit, nuk ka të dhëna të sakta, por historiku i saj ndërlidhet me vendosjen e Perandorisë Osmane në trevën e Prizrenit, pas triumfit kundër forcave të Car Llazarit, në Gazimestan, në vitin 1389, e njohur si lufta e Kosovës. Pas këtij viti, përpjekjet e Perandorisë Osmane kanë qenë serioze për çlirimin e territoreve shqiptare nga pushtimi i egër i okupatorëve sllavë. Historiani i njohur, Noel Malkomi përmend se më 1454 Mehmeti II pati dërguar forca të mëdha ushtarake kundër sllavëve pushtues të territoreve shqiptare, gjersa pjesa më e madhe e Serbisë jugore dhe asaj të Mesme ishte dominuar në këtë vit. Në vitin 1455 mbarë territori i Kosovës do të vendoset nën administrimin osman, dhe më 21 qershor 1455, Perandoria Osmane vendoset edhe në Prizren.[1] Që në atë kohë, në Prizren e ndërtoi xhaminë e parë, që njihet si “Namazxhahu”, për nevojat e kryerjes së riteve fetare për të gjithë të interesuarit. Ka të dhëna se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1410, veçse në vitin 1455, kjo xhami dihet sigurisht se ka ekzistuar.[2]
Gjatë kësaj kohe, pra pas vitit 1455, forcat e Perandorisë, pasiqë vendosen në hapësirën e Kalasë së Prizrenit, e ndërtojnë edhe xhaminë, për nevojat e administratës, ushtrisë dhe qytetarëve të tjerë. Të këtij mendimi janë shumica e studiuesve, si dhe mbamendja kolektive historike e banorëve të Prizrenit, e transmetuar nga gjenerata në gjeneratë. Po ashtu, argument është edhe vetë diskursi ideologjik i Perandorisë Osmane. Do të ishte mjaft anakronike të besojmë se Perandoria Osmane e ka ndërtuar xhaminë disa shekuj pas akomodimit të saj në Prizren, dhe sidomos për dy arsye:
1) Në Kalanë e Prizrenit, është vendosur trupa e Perandorisë së asaj kohe, e dislokuar në trevën e Prizrenit (sektori politik dhe ushtarak) duke e parapëlqyer si një vend i sigurtë, për shkak të pozitës topografike të Kalasë, po edhe për shkak të pozitës gjeostrategjike të vetë Prizrenit. Jo rastësisht, Prizreni u bë pjesë e Provincës Osmane të Rumelisë dhe qyteti më i rëndësishëm dhe më i madh i administratës osmane në Kosovë. Shquhej për qytet tregtar me prosperitet, duke përfituar nga pozita gjeografike dhe rrugëve tregtare në veri-jug dhe lindje-perëndim që lidheshim mirë me gjithë perandorinë Osmane.[3] Do të ishte e pakuptimtë që brenda saj, të vonohej ndërtimi, gjersa dihet se ata i kanë kushtuar rëndësi përpikshmërisë në namaz si pjesë e pandashme e momenteve ditore. Në këtë kontekst shpjegohet edhe ndërtimi i Namazxhahit, menjëherë pas dislokimit në Prizren; dhe
2) Kalaja ka qenë larg Namazxhahit si xhami e parë në Prizren. Nuk mund të mendohet që banorët e Kalasë, të shkojnë për faljen e namazit, sidomos të xhumasë deri te faltorja e Namazxhahut!?
Edhe poeti i njohur, Nuriu, në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë që e shkroi vetë, e thekson se xhamia e Kalasë është ndërtuar në kohën e çlirimit të Prizrenit: “Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim” (Hîn-i fetihde Kal`a içinde in?a olunm?? cami’ ve ma`bed).[4]
Për këto arsye dhe të tjera, konsiderojmë se xhamia e Kalasë i përket viteve ’60-ta të shekullit XV, pasiqë është iracionale të mendohet se banorët e kalasë kanë qëndruar aty për kohë të gjatë pa xhami.
Rrënimi i xhamisë herën e parë (1689)
Në anën tjetër, xhamia, edhe pse i ka shërbyer qëllimit të vet, megjithatë ajo është përballur me rënie dhe ngritje. Në fund të shekullit XVII, xhamia e Kalasë i nënshtrohet rrënimit të parë. Siç dihet, Prizreni, në vitin 1689 invadohet nga ushtria austriake me aleatët e saj nën komandën e gjeneralit me prejardhje italiane Eneo Pikëlomini. Më datë 6 nëntor 1689, Pikëlomini ka arritur në Prizren, i ndihmuar edhe nga peshkopi Pjetër Bogdani, i cili i qe bashkëngjitur në Shkup.”[5] E, bashkë me ata, kishin arritur edhe disa mijëra vullnetarë, shqiptarë të krishterë dhe serbë. Bile, të krishterët e armatosur, në rrethinën e Prizrenit dhe Shqipërinë e Epërme asokohe ishin futur nëpër vendbanimet myslimane dhe ua kishin plaçkitur pasurinë.”[6] Invadimi austriak, edhe pse mjaft jetëshkurtër, megjithatë, ka qenë fatal për trashëgiminë e përgjithshme islame në Prizren dhe rrethinë përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Tahir efendiu, i cili, në vitin 1874 ishte Myfti i Prizrenit dhe myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, në kronikën e tij të njohur, thotë se pabesimtarët, duke aluduar në ushtrinë invaduese, gjatë asaj kohe vranë shumicën e banorëve të Prizrenit dhe rrënuan shumë xhami.[7] Por, ç’e do që Pikëlomini befas infektohet nga murtaja dhe vdes më datë 9 nëntor 1689. Bile, ka të dhëna se është varrosur në oborrin e kishës në Prizren, e njohur si kisha e “Shën Premtës”[8] Menjëherë pas tij, nga e njëjta sëmundje, vdes edhe Pjetër Bogdani, që ishte infektuar gjatë përgatitjes së ceremonisë mortore të Pikëlomonit.
Qytetarët e Prizrenit, nëpërmjet mbamendjes kolektive, akoma i transmetojnë krimet e austriakëve. Ndërsa, shkatërrimi i xhamive, si një synim, tregon qartë pretendimet e tyre fetare. Jo rastësisht ata u mirëpritën dhe u ndihmuan nga të krishterët në krye me Pjetër Bogdanin – peshkop i asaj kohe. Në këtë kontekst, Noel Malcom citon se xhaminë e madhe të Prishtinës (Fatih – xhami), austriakët e kishin shndërruar në një kishë dhe ia kishin kushtuar të shenjtit jezuit, Fransis Ksavierit.[9]
Prandaj, Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, në një punim në bashkautorësi, duke vërtetuar faktin se xhamia e Kalasë së Prizrenit është shkatërruar gjatë periudhës së austriakëve, e thonë edhe këtë: “Ajo xhami qe rrënuar deri në themel, me siguri gjatë kohës së invadimit austriak në Prizren, kur pësuan të gjitha objektet e kulturës islame. Këtë xhami të rrënuar, Mahmud Pasha e kishte ndërtuar nga themeli.”[10] Pas kësaj, nuk mbetet asnjë dilemë, se xhamia e Kalasë, herën e parë është shkatërruar nga austriakët, gjersa këtë fakt e përmendin edhe studiues të tjerë.[11]
Rindërtimi i xhamisë (1828)
Për një kohë të gjatë, më se 140 vite, xhamia e kalasë kishte qëndruar e rrënuar. Me ardhjen në pushtet të familjes “Rrotlla” nga Prizreni, që qeverisi me Sanxhakun e Prizrenit më se 100 vjet (1747-1843)[12], edhe fati i xhamisë do të ndryshojë për të mirë. Sipas dokumenteve historike, Mahmud Pashë Rrotlla, në kala mbi themelet e xhamisë së rrënuar, më 1828 (1244 sipas hixhrit) e ndërtoi xhaminë[13], sipas dimenzioneve të mëparshme.
Ish-myftiu i Prizrenit, Mehmet Tahir efendiu (v.1883) në kronikën e tij të famshme “Menakib”, që besohet se e ka shkruar në vitet 60’ta të shekullit XIX-të, apo afër 30 vite pas rindërtimit të xhamisë, thotë: “Mahmud Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”.[14] Bile, ky vit i rindërtimit, nga disa studiues gabimisht është marrë si datë e ndërtimit të xhamisë. Në të vërtetë, xhamia në këtë vit, pra 1828 është RINDËRTUAR, dhe kjo vërtetohet në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë, në fund të të cilit evidentohet viti hixhrij “1244”, e që fillon më 14.VII.1828, sipas kalendarit miladij.[15] Mbishkrimi, i cili aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit, është skalitur në një pllakë të mermertë, me dimensione 67.5 x 53.5 cm. Rreshtat janë të kornizuar, kurse shkrimi me të cilin mbishkrimi është shkruar është “thuluth”. Mbishkrimin e ka hartuar poeti, mësuesi dhe sekretari i Mahmud Pashës, Nuriu.[16]
Teksti i mbishkrimit të xhamisë është në gjuhën osmane, ndërsa transliterimi i tij në shkronjat latine bashkë me përkthimin në gjuhën shqipe, duket si në vijim:
1) Hâlinde vüs`at olunca ey dil, hayrâtdan olma bir lahdhâ meb’ûd;
1) O shpirt, gjersa e ki bukurinë dhe fuqinë, mos u largo nga bëmirësia për asnjë moment!;
2) ‘Ukbâ`da sâhib-hayra verilir âlî merâtib, olmi?çü mev`ûd;
2) Në Ditën e Gjykimit bëmirësit i jepet pozitë e lartë, ashtu siç është premtuar;
3) Dünyâda dahi hayriyle idi medhkûr olûpdur hâlk?n dilinde;
3) Po ashtu, edhe në këtë botë, njerëzit ia përmendin emrin për të mirë;
4) Hem câmi ibnâ eden ki?iler hakk?nda müzhde ma`lûm ve me?hûd;
4) E, për ata që ndërtojnë xhami shpërblimi (prej Allahut) është sihariq i ditur dhe i garantuar;
5) Hîn-i fetihde Kal`a içinde in?a olunm?? cami’ ve ma`bed;
5) Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim;
6) Çok vakt ve ezman geçmekle oldi hâk ile yeksân, virân ve nâbûd;
6) Mirëpo, me kalimin e kohës, kjo xhami u rrënua rrafsh me tokë dhe mbeti në gjendje të mjerueshme;
7) Pâ?ây-? Mahmud, vâli-i vilâyet hayrata mâil, sâhib-diyânet;
7) Valiu (i Prizrenit) Mahmud Pasha, një njeri shumë i devotshëm dhe i shquar për bamirësi;
8) Bir târz-? ra`nâ Kal`ada câmi eyeledi ibnâ ol dhât-? mes`ûd;
8) Allahu ia bëri nasib (mes’ud), që edhe njëherë ta ndërtojë xhaminë e Kalasë në një formë mahnitëse;
9) Bir gelmek ile ho? tekmil olm?? görünce Nûri söyledi târih;
9) Nuriu kur e pa xhaminë për të parën herë, shumë u kënaq, dhe shkroi datën;
10) Bu câmi`i dil-zib içine gir k?l, olsun namâz?n makbûl-i ma`bûd. Sene 1244 Muharrem.
10) Gjersa hyn në këtë xhami të stolisur dhe falish namaz, adhurimi yt pranohet tek Allahu! Në vitin 1244.[17]
Dimenzionet dhe konstruksioni arkitektonik i xhamisë
Konstruksioni i xhamisë ka qenë në konvergjencë të plotë me natyrën e kalasë dhe të ndërtimeve të asaj kohe. Sipas ekspertëve të fushave, arkitektura e xhamisë ka qenë tipike shqiptare dhe nuk ka implikuar ndonjë plan specifik aziatik. Kjo vërehet, sidomos te çatia me rrasa guri apo tjegulla dhe jo me kube të mbuluar me bakër. Kështu, duke përngjasuar me shtëpitë dhe kullat shqiptare të ndërtuara gjithandej nëpër trojet shqiptare. Konstruksioni, ka qenë kryesisht prej materialit nga guri.
Formati i xhamisë është i ngjashëm me atë të xhamisë “Mehmet Kukli beu”, që njihet si xhamia e Saraçëve, e cila gjendet në rrugën e “Saraçëve” në qendër të qytetit të Prizrenit. Sipas, projektit ideor, i cili mbështetet në të dhënat autentike historike dhe sipas gjendjes faktike, i punuar nga arkitekti i fushës përkatëse, xhamia i ka pasur këto dimenzione:[18]
1) Dimenzionet e jashtme të xhamisë janë 9.39 m gjerësi dhe 9.23 m gjatësi. Të gjitha muret janë nga 1.10 m, me përjashtim të murit të mihrabit, që është 1.16 m. Lartësia e xhamisë, prej dyshemesë e deri në lartësi mbi kulm është 9.76m. Materiali i mureve është prej gurëve specialë, po edhe të ndryshëm, të lidhur me llaç gëlqeror;
2) Hajati i xhamisë, 3.91 x 9.12 m, me konstruksion prej drurit;
3) Xhamia ka pasur kubenë prej tullave të pjekura dhe llaçit gëlqeror, të mbuluar me rrasa guri dhe tjegulla;
4) Xhamia e ka pasur minarenë në lartësi prej 24.90 m, me një sheref (rrethore), me këto dimenzione: prej bazamentit (niveli i sipërfaqës së tokës) e deri te streha e kulmit është 8.14 m; prej bazamentit e deri në sipërfaqën e sipërme të sherefit është 17.70 m; dhe prej bazamentit deri në majën e piramidës është 24.90m. Minareja është prej gurëve poroz (sigë), të lidhura me llaç gëlqeror, ndërsa kulmi i saj (piramida) prej dërrasës e mbështjellur me alumin ose plumb. (vijon...)
[1] Shih: Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq.95
[2] Fatkeqësisht, pas vitit 1912, pushteti serb e rrënoi xhaminë e Namazxhahit, kurse pas luftës në Kosovë, me iniciativën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, realizohet rindërtimin i saj, sipas kushteve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren. Projektin e financoi Republika e Turqisë. Nën organizim të Bashkësisë Islame, namazxhahi hapet solemnisht, në prill të vitit 2002, ndërsa më datë 25.06.2002 falet xhumaja e parë dhe me këtë i rikthehet qëllimit burimor. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2016, janë falur teravitë si dhe namazi i dy bajramave.
[3] Shih: Jahja Drançolli, “Përshkrim i shkurtër i Prizrenit”, punim i botuar në librin: Plani i konservimit dhe zhvillimit për zonën historike të Prizrenit, përgatitur nga CHWB zyra në Kosovë, pa vend të botimit, 2011, fq.18.
[4] Shih: Mbishkrimi i xhamisë së Kalasë, i cili ruhet në arkivin e Prizrenit.
[5] Shih:J. Radonic, Rimska kurija i juznoslovenske zemlje, Beograd, 1950, fq.402, cituar në punimin e Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij”, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.151.
[6] Shih: J. Tomic, Deset godina iz istorije serpskog naroda I cerkve nad Turcima (1683-1693), Beograd, 1902, fq.44, cituar në punimin: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla...” po aty, fq.151.
[7] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla...”, po aty, fq.152.
[8] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq.353; Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.114.
[9] Shih: Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq.157
[10] Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla...”, po aty, fq.174.
[11] Shih: Faik Miftari, “Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?”, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, data e publikimit: 08.11.2016, data e citimit:15.12.2016.
[12] Shih: Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.119.
[13] Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.127; Raif V?rmiça, Camileri Kenti Prizren, pa vend dhe vit të botimit, fq.432.
[14] Nehat Krasniqi: “Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.57/1995, fq.106.
[15] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla...”, po aty, fq.175.
[16] Hasan Kaleshi - Ismail Eren, “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni…”, po aty, fq.174-175.
[17] Transliterimi i tekstit si dhe përkthimi i tij është bërë nga origjinali, në konsultim edhe me Mr.Muhamed Ahmetaj. Po ashtu, shih: Raif V?rmiça, Camileri…, po aty, fq.433.
[18] Shih:Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, Dosja e xhamisë së Kalasë, projekti ideor për rindërtimin e xhamisë.