Pas 22 qershorit të vitit 1991 kur tokën shqiptare për herë të parë e shkeli një zyrtar aq i lartë i superfuqisë botërore, SHBA-ve, pra atëbotë Sekretari i Departamentit të Shtetit Xhejms Bejker, ardhja e dytë e një zyrtari edhe më të lartë të SHBA-ve, pra ardhja e një presidenti, siç është kjo vizitë e presidentit Bush këto ditë në Tiranë, paraqet një moment shumë të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, madje mund të thuhet një moment që edhe shumë vite nuk do të përsëritet. Në kohën kur secili shtet sot në botë është mik ose dëshiron të jetë mik me SHBA-të, miqësia që e tregon presidenti Bush duke u ndalur pikërisht në Shqipëri, flet shumë për historinë e re të Shqipërisë, diçka që mbase shumë shpejt do të gjendet edhe në librat shkollore të historisë, si moment kthese i Shqipërisë drejt Perëndimit. Një arritje tjetër që në këtë tekst meriton të përmendet është edhe suksesi i gazetarit Andi Bejtja që ta intervistojë Presidentin Bush në vigjilje të kësaj vizite. S’do mend se sa herë që do të përmendet ardhja e Bushit në Shqipëri, do të përkujtohet edhe intervista e Bejtjes me të. Mbase ky është kulmi i suksesit të karrierës së tij, pas çkahit gjithçka mund t’i duket relative. Dhe, është mirë t’i duket ashtu.
Duke i kundruar këto dy vizita, atë të Bejkerit në qershorin e ’91-shit dhe këtë të Bushit në qershorin e 2007-tës, si dhe duke i analizuar zhvillimet shqiptare ndërmjet këtij intervali 16-vjeçar, në shesh na dalin një varg çështjesh që edhe një kohë të gjatë do të mbeten objekt trajtimi për sociologë, politologë, madje edhe artistë e çka jo tjetër. Ajo që desha ta nxjerr në pah nga këto dy vizita është një moment po aq i rëndësishëm që nuk duhet lënë anash sa herë që përmenden këto dy çaste kthesash të historisë sonë më të re. Kur Sekretari Bejker shkeli së pari herë në tokën shqiptare, përveç mesazhit të lirisë (“Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!”) që e dha atëherë për një popull që gjysmëshekulli kishte qenë në robëri, ai bëri edhe një hap shumë të rëndësishëm: para shumë zyrtarëve shqiptarë u fut edhe në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, duke dhënë kështu edhe mesazhin e lirisë fetare që pastaj do të fillonte të frynte.
Ndërkohë, brenda këtij intervali, shqiptarët duke e marrë gabimisht këtë mesazh të Bejkerit, që hyri në xhami, e përdrodhën dhe e shtrembëruan këtë fakt, duke shpikur ide kot e kot se neve Amerika na do vetëm si jomyslimanë, madje si të krishterë, e bile do hanëme të Maqedonisë, duke i ikur të qenit mysliman, vetëm pse do dibranë kanë fantazuar më tepër se normalja, e shpallën veten edhe pagane, duke menduar se kështu më shumë i afrohen Amerikës. Gjatë kësaj kohe nuk kanë reshtur myslimanët që kanë shkuar në kisha për Kërshëndella e Pashkë e kanë ndezur një kiamet qirinj, gjithë kjo për të dëshmuar se ata nuk janë myslimanë, pra vetëm e vetëm që Amerika të na dojë. Me fjalë tjera, dëshironin ta gënjejnë Amerikën se janë si ajo. Këtu janë edhe shumë objekte që e shëmbëllejnë këtë fakt: është katedralja e madhe katolike në Tiranë, kisha ortodokse gjigante po ashtu që po ndërtohet në Tiranë, është katedralja e Prishtinës (në vend të shkollës) për të cilin aq shumë lot kanë derdhur dhe po e vajtojnë edhe plot myslimanë, janë këtu dhjetëra kryqet e vëna vend e pavend në trojet shqiptare, gjithë kjo që t’ia mbushim mendjen Amerikës se ne jemi të krishterë. Desh u bënë më katolikë se papa. Janë këtu edhe thirrjet e shpeshta të disa shkrimtarëve shqiptarë që ne të gjithë tok, kështu me një vendim, të kthehemi në katolikë, janë këtu një varg polemikash, madje edhe deformimesh, të gjitha me të vetmin qëllim – t’i bindin shqiptarët të heqin dorë prej fesë islame, që të bëhen të krishterë ose, së paku, të mos e përmendin se janë myslimanë. Se, kështu besonin ata, bëhemi më perëndimorë, jemi më afër aleatit tonë, Amerikës. “Hajt tybe”, do të thoshte gjyshja ime 90 e kusur vjeçare. Dhe, me gjithë këto përpjekje sa komike, po aq diskriminuese për shqiptarët myslimanë, kjo nuk u arrit. Përveç disa individëve kripto-kurrgjëhiç, shqiptarët vazhduan të mbeten ashtu si kanë qenë. Ndonëse Edi Rama nuk jep leje për xhami të madhe sa kishat në Tiranë, ndonëse në Prishtinë për të bërë katedrale angazhohet Qeveria, ndërsa për xhami, angazhohet për ta penguar, të gjitha këto përpjekje thuajse shkuan huq atë natë kur pas mesnate, në intervistën e Andi Bejtjes me Presidentin Bush, në pyetjen që ia bëri Andi Bejtja Presidentit se çka paraqet për të Shqipëria, ai u përgjigj fare lehtë dhe drejt, duke e thënë troç: “Një bregdet i bukur, histori interesante dhe njerëz myslimanë që mund të jetojnë në paqe.” Doli se Amerika nuk ishte bindur akoma në aktrimet false të këtyre individëve. Mbase me këtë deklaratë të Bushit janë bërë zehër krejt ata që për 17 vite janë përpjekur të thonë se shqiptarët nuk janë myslimanë, që i kanë fshehur gratë, nënat ose gjyshet me shamia, që kanë hëngër mish derri sa kanë mundur e kanë pi verë deri në fyt, e që kurrë nuk kanë shkuar në xhami (pos kur i dërgojnë në krahë për t’ua falë xhenazen) se mos po i për antiamerikanë, por s’kemi ç’u bëjmë. Bushit nuk i pengojnë shqiptarët edhe kur janë myslimanë. Kjo listë e këtyre paranoikëve është e gjatë, që nga të krishterët shqiptarë ose kripto-hebrenjtë, si disa politikanë zyrtarë të Shqipërisë sot, e deri te shqiptarët inferiorë myslimanë, si disa shkrimtarë e politikanë të tjerë. Natyrisht këtu është edhe ai donkishoti i “Zonës së lirë” që i vjen inat pse Bushi vjen në xhami, si edhe ai rasti i atij që na urren, Maks Velo.
Presidenti Bush e tha një të vërtetë që shqiptarët myslimanë e kanë ditur qëmoti, por që vazhdimisht është mohuar. Shqipëria është vend me tre fe, por megjithatë i njohur në botë me tradite islamike, me shumicë myslimanë, me tolerancë të jashtëzakonshme fetare, me mirëkuptim e dashuri për tjetrin. Pra, duke e ditur këtë, Xhorxh W. Bushi në vend të Kroacisë me shumicë katolike dhe Maqedonisë me shumicë ortodokse, e zgjodhi ta vizitojë një vend me shumicë myslimane - Shqipërinë.
Andaj, mirë se vjen z. President! Xhamia e Et’hem Beut, ndonëse ka mbetur aq sa ka qenë, përsëri Ju pret aty me dyer të hapura.