Jusufi a.s.: Fëmijë i dashur, i aftë, inteligjent. I edukuar dhe arsimuar drejtë në fëmijëri të hershme, por i pafat në fëmijëri të vonshme.
I pjekur për detyra të mëdha, i gatshëm të qëndrojë në burg vetëm e vetëm që ta ruajë pastërtinë morale dhe të mos bëjë mëkat. Edhe në çastet e rënda gjatë burgut ndjek parimin e drejtë: besimin e mirëfilltë. Ua fali të gjithë atyre që i kanë shkaktuar dëm atij, pra i fali edhe vëllezërit e tij.
Letrarët Jusufin e krahasojnë me arin: sa më shumë që farkohet aq më i ndritshëm është. Drita e tij përshkon mileniume të tëra dhe reflekton edukatë e pastërti morale, arsimim e profesionalizëm, parimësi dhe këmbëngulësi.
Jakubi a.s.: I Dërguar i Zotit i qetë, baba i kujdesshëm por edhe i pikëlluar. Ka hetuar aftësitë e jashtëzakonshme të Jusufit qysh në fëmijëri. Kurrë nuk e humb shpresën tek Allahu, përkundër vështirësive të shumta. Pejgamber i qetë që përballet me lajmin e gëzueshëm dhe me frikën nga veprimi i shejtanit në shpirtrat e djemve të tij.
Vëllezërit e Jusufit: Ngatërrestarë, intrigues, xhelozë dhe ziliqarë. Kur synojnë të bëjnë mëkat i brenë ndërgjegjja. Thurin gënjeshtra për t’i mbuluar mëkatet dhe gabimet e tyre. Në fund kërkojnë falje për gabimet e tyre.
Benjamini: Vëllai i vetëm i Jusufit nga dy prindërit. Djali më i ri i Jakubit a.s., figurë dytësore në rrëfim. Ka qenë shpresa dhe ngushëllimi i Jakubit, me virtyte morale të babait dhe vëllait Jusufit.
Gruaja e Ministrit: Zulejhaja, e pafatshme, e vetmuar, shpirtlig dhe atakuese, femër tipike e luksit, bollëkut dhe shthurjes së pallatit mbretëror, pa vetëdije fetare, por jo krejt negative. Ajo përpiqet ta ndëshkojë Jusufin, por jo ta dënojë me mbytje apo diç të ngjashme. Në fund, kërkon falje, pendohet për gabimet e bëra dhe sendërton synimet e saj.
Mbreti: Pa vetëdije fetare, por njeri me qëllime të mira dhe i brengosur për popullin dhe shtetin e tij. I aftë, i urtë dhe largpamës që ta caktojë njeriun e aftë në vend përkatës për të ardhmen e shtetit dhe popullit.
Në literaturë, nga mosnjohja e historisë, shpesh është quajtur edhe Faraon. Sa herë që përmendet si faraon mendohet për Mbretin për kohën e Jusufit. Ai nuk i takonte familjes së faraonëve.
Ministri (Azizi): Zemërmirë, bujar por i pa vetëdije fetare. I pafat me gruan e tij, ndoshta për shkak të pleqërisë dhe impotencës. Burrë i kujdesshëm ndaj Zulejhës por edhe i paaftë të qeverisë me familjen.
Aziz në kohën e Mbretit të Jusufit quhej Ministri i rëndësishëm. Pas tij edhe Jusufi është quajtur aziz.
Shokët e Jusufit në burg: Idhujtarë, shërbetorë te sunduesi. Të aftë të dëgjojnë, të brengosur, por të dhembshëm; njëri i pafatshëm, kurse tjetri mendjelehtë dhe harrestarë.[1]
[1] Shih: Džemaludin LatiÄ?, Stil…, op. cit., fq. 383-395. Disa përshkrime rreth personasheve shih edhe: Abd Al-Wahab Bouhdiba, Seksualiteti në Islam, op. cit., fq. 26 e tutje.