Dijetarët pajtohen se personit të sëmurë i lejohet që mos të agjërojë në ramazan.
Allahu i Lartëmadhërishëm thotë:
„Muaji ramazan, është muaji në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë, ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar), Allahu ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime, - për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër), dhe për këto (lehtësi) duhet të madhëroni Allahun, që u ka drejtuar në rrugë të drejtë e të bëheni falenderues ndaj Tij.”
Pra, sipas tekstit kuranor dhe konsensusit të ulemave, personi i cili është i sëmurë nuk është i detyruar të agjërojë.
Cila është sëmundje e cila liron nga agjërimi?
Ajo është sëmundja e cila për shkak të agjërimit rritet, ose së cilës agjërimi ja vështirëson shërimin, ose në të cilën agjërimi i shkakton njeriut vështirësi të mëdha dhe nuk mund ta kryej punën e tij apo atë prej së cilës jeton. Kjo sëmundje e justifikon mosagjërimin.
Imam Ahmedi është pyetur: „Kur i sëmuri mund të mos agjërojë?“
Është përgjigjur: „Atëherë kur nuk mundët.“
I është thënë: „Po kur ka ethe?"
Është përgjigjur: „E cila sëmundje është më e rëndë se ethet?“
Sëmundjet janë të ndryshme dhe ka sëmundje të cilat nuk ndikojnë në agjërim, siç është dhimbja e dhëmbit, pastaj si p.sh. lëndimi i gishtit dhe sëmundje të ngjashme. Nga ana tjetër, ka disa sëmundje për të cilat agjërimi është shërim, siç është shumica e sëmundjeve të stomakut, si fryrja e barkut, diarreja e të ngjashme.
Për shkak të sëmundjeve të tilla nuk justifikohet lënia e agjërimit, sepse agjërimi nuk i dëmton ato, por përkundrazi ju bën dobi. Lejohet lënia e agjërimit kur ai bën dëm, madje edhe personi i shëndoshë, lejohet të mos agjërojë, nëse agjërimi i bën dëm shëndetit tij.
Deri te këto përfundime mund tëvijmë në dy mënyra:
1 - përmes përvojës përsonale, dhe
2 - në bazë të rekomandimit të mjekut musliman, për diturinë, fenë dhe besueshmërinë e të cilit jemi të sigurtë.
Nëse një mjek i tillë konstaton se agjërimi e dëmton një njeri, atëherë ai nuk duhet të agjërojë. Madje, në një situatë të tillë, agjërimi do të ishte i qortuar, sepse njeriu po bën diçka që e dëmton atë dhe organizmin e tij. Nëse një njeri i tillë agjëron dhe sheh se me të vërtetë agjërimi e keqëson dhe i bën dëm, por ai ende vazhdon me këmbëngulje, atëherë ai bën haram, sepse Allahut nuk i nevojitet dënimi ynë: ...dhe mos vritni vetveten! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju. (en Nisa, 29)
A lejohet i sëmuri të japë sadakë për ditët që nuk ka agjëruar?
Këtu do të doja të theksoj se janë dy lloje të sëmundjeve:
E para - është sëmundja e përkohshme, për të cilën shpresohet shërimi. Në këtë situatë, nuk lejohet dhënia e sadakës për ditët e lëshuara, por duhet të kompensohen, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm: “për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër).” Nëse nuk e agjëron tërë muajin, do ta kompensojë tërë muajin, e nëse nuk e ka agjëruar një ditë, do ta kompesojë atë ditë. Nëse i lëshon disa ditë, aq ditë do t'i kompensojë, kur Allahu i Plotfuqishëm t'i dhurojë shërim dhe mundësi për t'i kompensuar.
E dyta – sëmundja e pashërueshme. Sa ju përket sëmundjeve nga të cilat i sëmuri nuk mund të shërohet, dispozita për këta të sëmurë është sikurse dispozita për pleqtë dhe plakat, dhe karakteri i sëmundjes përcaktohet me ekzaminim mjekësor. Ai obligohet me dhënie të fidjes, përkatësisht, ushqim i një të varfri për çdo ditë. Disa juristë islam, ndëra ta edhe Ebu Hanife r.h., në vend të ushqimit, e lejojnë dhënien e fidjes në të holla personave që janë të varfër dhe kanë nevojë për ndihmë.
Sa ju përket grave shtatzëna dhe grave gjidhënëse, ato kanë të drejtë të mos agjërojnë, nëse ekziston frika se agjërimi mund t'i dëmtojë. Shumica e dijetarëve konsiderojnë se ato nuk detyrohen të agjërojnë, por janë të obliguara që ditët t'i kompensojnë. Situata e tyre në këtë rast, është sikurse situata e personit të sëmurë.
Në situatat kur gruaja shtatzënë frikësohet për frytin e saj, dhe gjidhënësja për foshnjen e saj, dijetarët, pasiqë kanë konfirmuar se ato kanë të drejtë të mos agjërojnë, ata i kanë ndarë mendimet në çështjen se a duhet t'i kompensojnë ato ditë, ta ushqejnë të varfrin, apo edhe t'i kompensojnë edhe t'a ushqejnë një të varfër për secilën ditë të lëshuar.
Ibn Omeri dhe Ibn Abasi (r.a.) konsiderojnë se këtyre grave ju lejohet ta ushqejnë nga një të varfër për çdo ditë, ndërsa shumica e juristëve islam konsiderojnë se ato duhet t'i kompensojnë ato ditë. Ka dijetarë që mendojnë se duhet edhe t'i kompensojnë ditët e lëshuara edhe ta ushqejnë një të varfër për çdo ditë.
Unë jam i mendimit se grave të tilla ju lejohet vetëm ta ushqejnë një të varfër për secilën ditë të lëshuar, sepse shtatzënia dhe gjidhënia vijnë njëra pas tjetrës. Ajo grua një vit mund të jetë shtatzënë, atëherë vitin tjetër është gjidhënëse, pastaj vitin e tretë përsëri shtatzënë, ashtu që nuk ka rast për agjërim dhe kompensim të ditëve të lëshuara. Nëse do ta obligonim që t'i kompensojë të gjitha ditët e kaluara në shtatzëni dhe gjidhënie, atëherë ajo do të duhej të agjëronte disa vjet rresht për të t'i kompensuar të gjitha ditët e lëshuara, kështu që me këtë dispozitë ka lehtësim, dhe Allahu dëshiron lehtësi. Megjithatë, Allahu e di më së miri. http://islam-iman.com/
Përshtati: Miftar Ajdini