LITANITË E FAJIT

Madje ka vend për përmirësim frazeologjik të mëtejshëm: pse t'i quajmë ne shqiptarë, kur edhe vetë shtypi amerikan, politikisht korrekt i grah në ndihmë kazuistikës gjuhësore, duke i identifikuar të arrestuarit si nga "ish-Jugosllavia"? Ish-Jugosllavia funksionon mirë si gjenerator dhune, mundësisht me përmasa fetare fanatike fundamentaliste. Ish-Jugosllavia? Po pse s'thua që qenkan kosovarë, ose edhe ish-kosovarë fare! Ah, ç'më lehtësove; se desh më ngriu gjaku e kujtova se paskëshin qenë shqiptarë! Në emër të miqësisë strategjike me amerikanët, kush vallë do të ngurrokësh t'ua heqë kosovarëve të drejtën për t'u quajtur edhe ata shqiptarë? Prit, prit, megjithatë...

Nuk qenkan as kosovarë. Janë dibranë të Maqedonisë, nga ata që e vënë fenë para atdheut, dinin para imanit. Madje as shqipen nuk e flitkan mirë, shtrëngohen e ia kthejnë në maqedonishte të kulluar edhe përpara kamerave; qetësohuni, bashkatdhetarë anembanë, se faqja na ka mbetur e bardhë e flamuri i papërlyer; të akuzuarit për terror nuk kanë fare punë me ne, as me racën tonë të lashtë, as me doket e zakonet tona fisnike; madje edhe përemrat ndonjëherë nuk i lakojnë dot mirë, e foljet tona nuk dinë t'i zgjedhojnë në të gjitha mënyrat e diatezat.

Kush pandeh se përçartjet e mësipërme janë fryt i ndonjë fantazie të nxitur kimikisht, nuk i ka ndjekur përpëlitjet e tellallëve kombëtaristë lart e poshtë sokakëve të Internetit shqiptar; thirrjet për denoncime e distancime; rrahjet e gjoksit për miqësinë që na bashkon me "amerikanët"; gatishmërinë për t'i përjashtuar e për t'i shpërnjohur të arrestuarit; deklaratat, shpalljet, proklamatat, letrat e hapura për t'i kërkuar të falur kolektivisht Amerikës, thua se Pentagoni paskësh urdhëruar bombardierët strategjikë të ngrohnin motorët e të bëheshin gati për t'i ndëshkuar shqiptarët si të tillë; si popull, si farë e si racë, vetëm e vetëm ngaqë katër të marrë a tru-shpëlarë a fanatikë të çartur kishin dashur të vrisnin ushtarë amerikanë! "Ne, shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, i dënojmë me forcë veprimet dhe idetë e katër shqiptarëve (…) të përfshirë në komplotin për të bërë terror në Fort Dix.

Këta persona (…) nuk përfaqësojnë shqiptarët (…). Ne ndihemi thellësisht të turpëruar dhe të zemëruar me veprimet e këtyre katër shqiptarëve. Shpresojmë se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar e kuptojnë se këta njerëz tashmë janë dëbuar me urrejtje nga komuniteti shqiptar dhe do të mbeten ashtu përgjithmonë". Këto fjalë i lexon në një peticion në linjë, sakaq të nënshkruar nga mijëra vetë, të cilët kanë shprehur ashtu vendosmërinë e tyre për t'u distancuar nga kjo bandë e të katërve, dhe i janë bashkuar idesë së guximshme, se "Shqiptarët e vërtetë nuk mund të jenë terroristë."

Kush e ka përjetuar totalitarizmin në Shqipëri, do ta mbajë mend se konformimet e histeritë kolektive ishin pjesë e detyrueshme e asaj gjimnastike të mendjes që na mbante të gjithëve grusht bashkuar rreth Partisë etj.; sidomos kur vinte fjala për të treguar me gisht, për të çjerrë maskën, për të ndarë shapin nga sheqeri, për të vënë kufirin te thana, për të kërkuar shpagim e ndëshkim të ashpër të këtij apo atij armiku, për t'i thënë "jo" imperializmit e për t'u solidarizuar me tufëzimet, sekuestrimet, shtetëzimet, dëbim-internimet ose, sipas rastit, pushkatimet e nevojshme. Peticioni i "Grupit të Krenarisë Shqiptare", megjithatë, më solli në mendje lajmet e dikurshme për punonjësit e SMT-ve, tekstilistët pararojë e volejbollistët e klubeve kryesore të kryeqytetit, që "përshëndetnin vendimet e Kongresit të 7-të të PPSH-së", duke i mbushur faqet e pakta të gazetave të asaj kohe, me letra disakolonëshe, përbetime të besnikërisë së pakufishme dhe zell të parrëfyer për zbërthim të mëtejshëm të tezave, zbatim të menjëhershëm të direktivave, ashpërsim të luftës së klasave deri në fitore, shtrëngim radhësh e kështu me radhë, duke ia bërë telef` shqipes ato pak instrumente retorike ende të autorizuara.

Aq sa, ky incident i fundit, më bën të pyes veten se ç'pjesë të tmerrit metafizik të asaj kohe nuk na e sollën Enveri&Co., por e gjetën midis nesh…

Përballë këtij ekzorcizmi kolektiv, madje tribal, të një fajësie që nuk na e ka veshur kush; përballë këtij zelli për të kërkuar të falur, për t'u përjargur, për t'ia konfirmuar besnikërinë autoritetit a eprorit të radhës, qëndrojnë emrat e atyre të katërve përcjellë nga mediat, Dritanët e Agronët; dëshmi onomastike e një vetëdijeje kombëtare tentativisht të themeluar mbi shqiptarinë e Pashko Vasës e të kaluarën e rianimuar të ilirëve; emra që këta "bukëshkalë" i kanë të përbashkët me mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët, tash e tutje e kanë humbur pafajësinë, ose anonimitetin e djeshëm; por edhe dëshmi e vullnetit të prindërve të tyre, për t'u përfshirë në një komunitet më të gjerë shqiptar se ai në katundin e vogël në brinjë, në Dibër a në Preshevë a në Tuz a në Drenicë a në Pejë; ose për t'u identifikuar me një fillesë kulturore përtej horizontit të vizatuar nga minaretë e kambanoret.
Që këta bij shqipesh sot përfundojnë ndonjëherë luftëtarë në llogoret e një lufte absurde, me të cilën shqiptarizmi si ideologji e shqiptaria si mit nuk kanë asfare të bëjnë, kjo s'mund t'i faturohet kaq lehtë Bin Ladenit, fondacioneve fundamentaliste, parave të Arabisë Saudite ose krizave ekzistenciale të shqiptarëve post-jugosllavë; sikurse nuk ka asnjë arsye të ngatërrohet përgjegjësia individuale me përgjegjësinë kolektive, e të sillemi botërisht sikur të ishim ndonjë fis i sapo zbuluar nga etnografët multi-kulturorë të "komunitetit ndërkombëtar".

Krizat, madje edhe ato që vetëm imagjinohen, nxjerrin në pah të vërteta ndonjëherë më të hidhura edhe se pasojat e krizës vetë. Kombëtaristët na kanë mësuar e stërvitur me një retorikë të tillë gjithëpërfshirëse, që shqiptarët i gjen e i qëmton nga Napoli në Kashmir, nga Zara e Dalmacisë në Kretë, nga Misiri në Ukrainë, pa llogaritur pastaj pellazgët, pelastët, ilirët, etruskët, epirotasit, dorët, mesapët, maqedonët, thesprotët, arbërorët, arbëreshët; gjaku ynë i shprishur vërtetë, që tani e gjen rastin të tubohet përsëri nën flamur; sikurse gjeopolitika përnjimend po ia lejon të ëndërrojë për bashkimin edhe politik të shqiptarëve në Ballkan.

Mirëpo të dalin pastaj Dritanët e Agronët me mjekër e me video të fanatikëve fundamentalistë nën sqetull, të dirsur e me idera për të bërë kërdinë m'u në mes të Amerikës; dhe papritur ekumenizmi kombëtarist i djeshëm ia le vendin provincializmit, amplifikimit të dallesave, diskutimeve se kush është vërtet shqiptar e kush nuk është; duke i rikthyer në biseda tezat djallëzore se myslimanët në të vërtetë janë turq, se kush e ndërroi fenë e ndërron edhe mëmëdhenë, se shqiptarët ortodoksë punojnë për grekun, se katolikët i marrin udhëzimet nga Vatikani e Papa, se toskët janë komunistë, se gegët janë malokë, se ne nuk jemi si ju e ju nuk jeni si ne, se kosovarët janë islamikë fundamentalistë, se fundamentalistët i marrin urdhrat nga Meka, se ka shqiptarë po ka edhe shqipfolës e kështu me radhë, duke lëpirë herë pas here edhe të pëgërat e tyre të vjetra, por të pathara mirë.

"Pavarësisht nga ajo se terroristët janë me prejardhje nga ndonjë pjesë e trojeve shqiptare, pavarësisht se gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare, madje edhe gjenetikisht mund të jenë nga prindërit shqiptarë, ata (…) njëherë e përgjithmonë vetëprivohen nga përkatësia e tyre shqiptare dhe, për shqiptarët, ata do të mbesin një trup i huaj", thuhet në deklaratën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha; një nga të shumtat që kanë kumbuar rreth e rrotull këto ditë, me e pa protokoll. Fjalë të tilla, sado të tingëllojnë natyrshëm, e shndërrojnë si pa dashur përkatësinë kombëtare në anëtarësi ndaj një klubi ekskluziv e të filtruar sipas kriteresh rreptësisht etike; çka don të thotë edhe që shqiptaria të riformulohet mbi baza tribale dhe zëdhënësit e institucioneve kombëtare e barinjtë e ideologjisë kombëtariste t'i japin vetes të drejtën të vendosin se cilët bëjnë pjesë në kopenë kombëtare, e cilët janë dëbuar tashmë prej saj.

Do të më thonë që kjo është retorikë boshe, por e nevojshme; që e ka burimin në dëshirën e kuptueshme për t'ia konfirmuar mikes së madhe Amerikë, se shqiptarët gjithnjë i janë mirënjohës për rolin në mbështetje të çështjes së Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi; por e vërteta është se askujt nga këto institucione, formale dhe informale, në Shqipëri e në Kosovë, në Ballkan e në diasporë, nuk i lejohet të flasë e të shqiptohet në emër të një entiteti mitik dhe moral, identifikuar me lehtësi të madhe si "shqiptarët" ("kudo që janë", "në botën mbarë", "anembanë vendit" e kështu me radhë, deri në cak të përtejmë të Rrugës së Qumështit); sikurse nuk i ka hije të kërkojë të falur poshtë e lart, njëlloj si ai Çervjakovi qyqar i tregimit "Vdekja e një nëpunësi" të Çehovit, që vdiq nga turpi, pasi u rraskapit së lypuri ndjesë gjeneralit civil Brizhallov, të cilin e kishte spërkatur me pështymë në çaçkë të kokës pa dashje, kur teshtitur në teatër.

Katërshja e terrorit anti-amerikan do të dalë para gjyqit e, po të gjendet fajtore, do të ndëshkohet sipas ligjit amerikan; kombëtaristëve, nëse i shqetëson vërtet kjo njollë, u mbetet të vrasin mendjen se ç'i shtyn këta Dritanë e Agronë drejt fundamentalizmit, ç'mungesë përmasash shpirtërore e idealesh ndërtimtare në jetën e përditshme; shqiptarëve në përgjithësi, përkundrazi, u bie përgjegjësia e vetme që të vazhdojnë të jenë shqiptarë, jo bagëti kopesh kombëtare të sendërgjuara nga mitomanët, demagogët dhe pështymëtarët e forumeve. Nëse arrestimi i atyre të katërve do të bëhet shkas për ta ripërfytyruar identitetin kombëtar e për ta rithemeluar në raport me institucionet ekzistuese, jo me mitet kombëtare, atëherë ndoshta mund të thuhet edhe se, si gjithnjë, çdo e keqe e ka një të mirë; dhe trauma e zbulimit të shëmtisë e të rrëgjimit social, mes nesh, do të na ndihë ta pikasim më shpejt nesër të bukurën, sublimen e të virtytshmen.

Shekulli - Gazeta Shqipëri - 14-05-2007.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme