Ekskluzive: Ja teqet më të njohura shqiptare në Greqi

Bektashizmi shqiptar është një nga aspektet më pak të njohura të pranisë shqiptare në Greqi.

Një pjesë e numërt e teqeve bektashiane ishin shqiptare, por pas Marrëveshjes së Lozanës ato mbetën në duart e shtetit grek që ua konfiskoi të gjitha pasuritë shqiptarëve të dëbuar, shkruan Konica.al.

Në të vërtetë, ky është përfundimi i studiuesit grek Giorgos Mavrommatis, i cili sjell një punim të hollësishëm mbi shtrirjen e teqeve shqiptare në Greqi.

Në këtë studim, të cilin redaksia e portalit Konica.al ka pasur rastin ta shfletojë, thuhet se pjesa më e madhe e komunitetit të dikurshëm bektashian ishte në Epir, Thesali si dhe në pjesë të ndryshme të rajonit të Maqedonisë (Selanik).

Teqja e Konicës

Më e madhja teqe ishte në qytetin e Konicës, për të cilin vetë studiuesit grekë pranojnë se banohej kryesisht nga shqiptarë.

“Në Konicë kishte shumë teqe të urdhrave të ndryshëm, prej të cilave dy ishin bektashiane: teqja e Baba Osmanit në pjesën e epërme të qytetit dhe teqja e Baba Hysenit në pjesën e poshtme të qytetit”.

Një hollësi interesante, të cilën na e zbulon studiuesi grek, është edhe fakti që shumica e popullatës myslimane në këtë qytet ishin bektashianë, të cilët mbanin lidhje të ngushta me banorët e krishterë të qytetit.

 “Shumë myslimanë të trevës së Konicës (përfshirë edhe një numër bektashinjësh) vizitonin kishat ortodokse dhe nderonin shenjëtorët me qirinj dhe llampa, kurse disa prej tyre betoheshin jo vetëm ‘vallah-billah’, por edhe për “shiën Kolien e Vodiçes”.

Teqja e Dorbali Sulltanit në Farsala

Në zemër të Thesalisë, 28 kilometra nga Farsala dhe 34 kilometra larg nga Volosi, në fshatin e vogël të Asprogisë (më parë i quajtur Ireni) ndodhet teqja e Dorbali Sulltanit, që nga Mavrommatis cilësohet si ‘monumenti më i rëndësishëm bektashian në Greqinë qendrore’.

Studiuesi grek është i detyruar të pranojë se shumica e referencave flasin për të si ‘teqja shqiptare’ e Farsalës, edhe pse një historian lokal si Cakumis beson se ajo u themelua nga turqit në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë mbi rrënojat e një kishe ortodokse.

Mavrommatis bën me dije se me ndihmën e të fuqishmit Ali Pashë Tepelena, të gjithë drejtuesit dhe dervishët ishin shqiptarë.

Kjo teqe u shqiptarizua plotësisht, vazhdon studiuesi grek, në vitin 1925 kur urdhrat e dervishëve u ndaluan në Turqi dhe komunikimi me qendrat e tjera bektashiane në Turqi nuk ishte më i mundur, kurse besimtarët e kësaj teqe njohën për të parë të tyre kryegjyshin e Tiranës.

Teqja e Hasan Babës në Tempi

Në fshatin e Tempit në luginën me po të njëjtin emër ndodhet teqja e Hasan Babës. Historianët lokalë përmendin se në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit pasrëndës, njerëzit e teqes së Hasan Babës ofronin vakte për të gjithë vizitorët pavarësisht fesë së tyre. Drejt kësaj teqe vinin edhe njerëz që vuanin fizikisht e mendërisht, duke i lënë petkat e tyre në dritaret e tyrbes me besimin se do të shëroheshin.

Teqja e Katerinit

Në qytetin e Katerinit, 70 kilometra në jugperëndim të Selanikut, gjendej një komunitet i ndjeshëm bektashian. Derisa dihen fare pak gjëra për teqen e Abdullah Babës në Katerini, i fundmi dervish që jetonte në këtë teqe ishte në vitet ’50.

Sipas dr. Hasan Bektashit, një anëtar i shquar i shoqërisë lokale, teqja në fjalë zanafillon nga përpjekjet e Ali Pashë Tepelenës për të krijuar një rrjet të kontrollit në Greqinë veriore dhe qendrore.

Komuniteti shqiptar përreth teqes kishte shpëtuar nga zbatimi i Marrëveshjes së Llozanës, dhe një numër jo i vogël qëndruan në qytet.

Teqja e Selanikut

Prania bektashiane në Selanik, sipas studimit, është e vështirë të qëmtohet për shkak të persekutimit që i është bërë këtij komuniteti nga ana e Sulltan Mahmutit I.

Shumica e anëtarëve të komunitetit ishin shqiptarë me lidhje të forta familjare me sivëllëzërit e tyre në Katerini. Sikurse në rastin e këtij të fundit, edhe bektashianët shqiptarë të Selanikut i shpëtuan shkëmbimit të detyrueshëm të popullsive në vitin 1923.

“Në mesin e viteve ’50 në qytet kishin mbetur vetëm dy anëtarë të shquar të komunitetit: tregtari Qemal Rifati dhe Hali Geru. Vlerësohet se në vitet ’70 afër njëqind bekatshinj jetonin në Selanik, diku 20-30 familje. Sot nuk duket asnjë prani e dukshme e komunitetit bektashi në Selanik”, shkruan Mavrommatis.

Deri në vitet ’50, teqja duhet të ketë qenë ende në funksion. I fundmi monument i pranisë së bektashinjëve në Selanik ishte e ashtuquajtura varreza shqiptare e Triandrisë, e cila u pronësua nga komuna në vitin 1983.

 

©Salih Mehmeti|Konica.al
Prishtinë

Burimi: George Mavrommatis, Monuments and Communities: Bektashism in 20th Century Greece”, në: Ulslararasi Bektasilik ve Alevilik Sempozymu I (1st International Symposium on Bektashism and Alevism), Sulejman Demirel University – Faculty of Theology, Symposium Proceedings: Isparta, 2005, pp. 526-551

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme