
Në anën tjetër bisedimet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, thonë, ka ngelur në qorrsokak pikërisht kur është përmendur UÇK-ja, më saktë risocializimi dhe riintegrimi i ish-ushtarëve të UÇK-së. Ndonëse kjo pikë ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit (ndërkaq UT-ja, jo), megjithatë, sipas mediave të vendit, Gruevski me plot gojë ka thënë se nëse për këtë shkak BDI-ja nuk kthehet në Kuvend, shumë gjatë do të qëndruaka jashtë. Me demek, “unë s’e kam hiç ndër mend të lëshoj pe në këtë pikë”. Sado që ky insistim me çdo kusht i BDI-së në këtë pikë është krejt joserioz, sepse ata punën e ish-ushtarëve të tyre krejt pa këso telashe kanë mundur ta zgjidhin në katër vitet e pushtetit të tyre, aq më joserioze është PDSH-ja, e cila bile me afate premtonte se do ta rregullojë punën e ish-ushtarëve. Dhe, kujt t’i besohet tash: BDI-së që nuk e zgjidhi këtë çështje kur mundej, apo PDSH-së që në emër të këtij premtimi mori aq shumë deputetë për t’u bërë pjesë e Qeverisë? Nga kjo përvojë, si duket të dyja partitë më të mëdha shqiptare i kanë bërë ish-ushtarët taksi për pushtet, ku pastaj për “arsye të funksionimit të mbarë” të Qeverisë kjo punë duhet të tejkalohet. Njësoj siç u rekomandojnë lubotenasve të mi disa funksionarë që të mos shkojnë në Hagë të dëshmojnë, gjoja se nuk mund të dëshmojnë ose se lubotenasit nuk duan të shkojnë vetë të dëshmojnë se nuk duan ta prishin funksionimin “e mirë” të Qeverisë. Edhe pse realiteti është se nëse Boshkovski gjykohet, atyre u prishen hesapet qeveritare. Andaj është për të pyetur se kur janë më të sinqertë politikanët shqiptarë të Maqedonisë: kur kërkojnë që Boshkovski të shkojë në Hagë apo tash kur kërkojnë që lubotenasit të mos shkojnë të dëshmojnë? Apo, kur janë më të sinqertë politikanët shqiptarë për punën e ish-ushtarëve: kur janë në PUSHTET e i mbajnë ish-ushtarët me paret e diasporës, kur para zgjedhjeve japin premtime të afatizuara se për dy muaj do ta rregullojnë çështjen e ish-ushtarëve apo kur janë në opozitë e ngulin këmbë se këtu nuk ka kompromis. Kësaj pune ai personazhi kosovar i Portokallinjve do t’i kishte thënë “Kaja nanën shype”. Nuk po merret vesh. Ndërsa në nënqiellin shqiptar të Maqedonisë ish-ushtarët lusin për bukë dhe nëpërkëmben për një vend pune shofer a pastrues. Kjo ndodhë pikërisht në kohën kryeministri i Maqedonisë u jep banesa familjeve të ish-ushtarëve të tij, ndërsa Çingovski jep shuma marramendëse, kuptohet jo nga xhepi i tij, për ekskursione të fëmijëve të atyre ish-ushtarëve dhe për larje të borxheve të kishave e manastireve, ndodhë kjo në kohën kur ky shtet ku marrin pjesë edhe shqiptarët e financon mbrojtjen e të akuzuarave për krime lufte ndaj shqiptarëve e shqiptarët kërcënohen të mos shkojnë për të dëshmuar në Hagë. Edhe kjo qenka shtet. Edhe pas gjithë kësaj dikush hala kujton se shqiptarët e Maqedonisë besojnë se ky shtet është edhe i shqiptarëve, se shqiptarët e kanë këtë atdhe të përbashkët me të tjerët.
Vetëm një gjë mos të harrojmë: se shqiptarët duke qenë të paintegruar për 50 vite, në 2001-shin shpërthyen në një konflikt të armatosur, ndërsa tash të përjashtuar nga shteti kemi ish-ushtarë. E ata kanë më pak sabër se të tjerët. Se edhe ashtu mjaft kanë dëgjuar premtime. Por atëherë, z Gruevski dhe zotërinj të politikës shqiptare, Europa do të bëhej një koncept edhe më i imagjinuar se tani. Si të doni! Taksi ju pret.