Mulla Fenari, shejh’ul-islami i parë osman (750-834 h. / 1350-1431)

Shejh’ul-islami i parë osman dhe autori i famshëm sufi, Muhammed ibn Hamza ibn Muhammed Shemsuddin El-Fenari është lindur afër Bursës ose, sipas një mendimi tjetër, në Transoksani. Shkollimi i tij i hershëm i është përkushtuar studimit të shkencave tradicionale islame. Babai i Fenarit është thënë të ketë studiuar me filozofin e famshëm sufi osman Sadruddin El-Kunawiu (vd. 672 h./1273). Vetë Fenari ka studiuar me një numër mësuesish të famshëm përfshirë Xhemaluddin El-Aksaraji (vd. 791 h./1388).  Ai udhëtoi në Anadolia dhe shkoi në Egjipt për të vazhduar studimet e tij. Në vitin 1369 ai u caktua si mësues në medresenë Manastir në Bursa dhe u bë Kadi (gjykatës) i qytetit në vitin 1370. Në vitin 1424, ai u caktua si shejh ‘ul-islami i parë i Perandorisë Osmane.

Përveç shkencave fetare, Fenari studioi matematikën dhe astronominë. Sikurse babai i tij, edhe Fenari ishte sufi dhe shkroi një numër librash mbi sufizmin. Duke iu falënderuar lidhjeve të tij të afërta me sunduesit osmanë të kohës së tij, ai mblodhi pasuri të madhe, por jetoi jetë modeste. Ai ishte i respektuar si njeri i virtytshëm edhe sa ishte gjallë. Babai i tij duhet të ketë luajtur një rol të madh në inicimin e tij në sufizëm. Në fakt, Fenari studioi Miftah ‘ul-Gajb (Çelësi i botës së padukshme) të El-Kunawit, një libër mbi parimet metafizike të shkollës së Ibn Arabiut, me babanë e tij dhe më vonë shkroi një komentim të gjerë mbi të. Gjatë fundit të jetës së tij, ai ndërtoi një shkollë dhe xhami në Bursa ku ai sot është i varrosur. Kur ndërroi jetë, është transmetuar që ai ka lënë një librari me rreth dhjetë mijë libra.

Si jurist dhe sufi dhe shembull tipik i kulturës së lartë osmane në shekullin e katërmbëdhjetë, Fenari ishte autor pjellor. Lista e plotë e veprave të tij përfshin mbi 100 tituj. Veprat e tij në shkencat e komentimit kur’anor përfshijnë një vepër të quajtur Tefsir ‘ul-Fatiha. Mirëpo, ky tefsir, nuk është vetëm komentim i Fatihasë por po ashtu një përmbledhje e hermeneutikës të Fenarit mbi komentimin e Kur’anit. Sikurse veprat tjera të tij, tefsiri kombinon shkencat e transmetuara të hadithit, gramatikën dhe komentim nga perspektiva metafizike e shkollës së Ibn Arabiut.

Vepra më e famshme e Fenarit mbi parimet e jurisprudencës është Fusul ‘ul-Bedaji fi usul ‘il-Sharaji’i (Kapituj të bukur mbi bazat e Sheriatit). Duke qenë së është vepra më voluminoze e Fenarit, Fusul merret me të gjitha çështjet madhore të jurisprudencës tradicionale islame. Libri ka qarkulluar me të madhe në mesin e dijetarëve osmanë dhe disa komentime janë shkruar mbi të. Përveç kësaj, Fenari po ashtu shkroi një numër veprash në çështjet praktike si abdesti, namazet ditore, agjërimi e kështu me radhë.

Në fushën e kelamit, Fenari shkroi një glosë mbi komentimin e Sejjid Sherif Xhurxhanit (vd. 816 h./1413) për veprën e famshme Mewakif të Aduddin El-Ixhit (700-755 h./1300-1354), një përmbledhje klasike e kelamit Esharit. Fenari kishte takuar Xhurxhanin, dhe glosat e tij përmbajnë aludime indirekte ndaj komentimit të mikut të tij. Në logjikë, Fenari shkroi një komentim mbi Isagogën e Porfirit. Ai po ashtu shkroi një glosë mbi Shemsijjen e Nexhmeddin Umer El-Kazwinit (vd. 675 h./1234).

Vepra më e rëndësishme e Fenarit në sufizëm titullohet Misbah ‘ul-Uns bejn ‘el-ma’kul we’l-meshhud fi sherhi miftah ‘il-gajb ‘il-Xhami we’l-vuxhud (Drita e shpirtrave në mes të kapshmes dhe të dukshmes në komentimin e Miftah ‘ul-Gajb el-xhem we’l-vuxhud). Kjo është një komentim mbi Miftah ‘ul-gajb të Sadruddin El-Kunawiut. Misbahu paraqet një tjetër hap drejt ofrimit të një llogarie “sistematike” të mësimeve të Ibn Arabiut në duart e mendimtarëve sufi osman dhe persian, një projekt afatgjatë që shkon prapa te Sadruddin El-Kunawiu dhe Dawud El-Kajseriu. Gjuha e Fenarit në Misbah është thellësisht filozofike dhe metafizike dhe përmban elemente edhe prej filozofisë edhe prej teologjisë.

Veprat tjera të Fenarit në sufizëm përfshijnë një glosë mbi Istilahat ‘ul-Sufijje (Termet sufiste) të el-Kashanit (vd. 730 h./1329), një fjalor i termeve sufiste, një komentim mbi një vepër tjetër të El-Kunawiut të titulluar Sherh ala nusus li ‘sh-Shejh Sardruddin El-Kunawi, një vepër e vogël mbi “njerëzit e padukshëm” të quajtur Risaletu fi rixhal ‘il-gajb (Trajtesë mbi njerëzit e padukshëm), dhe një trajtesë të titulluar Risaletu fi bejani vahdet ‘il-vuxhud (Trajtesë mbi shpjegimin e Unitetit të Qenies).[1]

 

 

Përktheu nga anglishtja:

Fatih Ibrahimi

 

 

 

Bibliografia

Misbah el-Uns, ed. nga M. Khawaji, Tehran: Intisharat-i Mewla, 1414H.

 



[1] Burimi: Encyclopedia of Islamic Philosophy, edited by: Oliver Leaman, botimi 2015 m, fq. 103-104.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme