Muhammed ibn Jakub El-Firuzabadi (729-817 h./ 1328-1414)

Emri i plotë i El-Firuzabadit është si në vijim: Muhammed ibn Jakub ibn Muhammed ibn Ibrahim ibn Umar ibn Ebi Bekr ibn Ahmed ibn Mahmud ibn Idris ibn Fadlilah ibn Esh-Shejh Ebu Is’hak Ibrahim Esh-Shirazi El-Firuzabadi. Ai po ashtu është referuar si Ebu Tahir dhe Mexhdudin. Siç tregojnë titujt, ai pretendon të ketë prejardhje prej Ebu Is’hak Esh-Shirazit dhe rrjedhimisht prej Ebu Bekrit, shoqëruesit të mirënjohur të Resulullahut s.a.v.s. Në kundërshtim me referencën e përhapur të Kazerunit se vendi i tij i lindjes, e cila është përsëritur nga dijetarët bashkëkohorë, deklarimi i vet Firuzabadit në veprën e tij El-Kamus ‘ul-Muhit tregon që ai ka lindur në Karzin në Firuzabad, Shiraz (Iran) në vitin 729 h./1328.

Firuzabadi mori shkollimin e tij të hershëm nga babai i tij në qytetin e tij të lindjes Karzin. Shirazi, Wasiti dhe Bagdadi ishin qendra të diturisë së asaj kohe dhe këtu Firuzabadi shkoi për të studiuar Kur’anin, hadithin, dhe gramatikën e literaturën arabe (737-750 h./1336-1349). Muhammed ibn Jusuf El-Zerandi (vd. 747 h./1346) dhe Umar ibn Ali El-Kazwini (vd. 750 h./1349) ishin në mesin e mësuesve të Firuzabadit në periudhën e hershme. Në vitin 750 h./1349 Firuzabadi studioi në Damask me dijetarin shafi’i Takijuddin Es-Subki (vd. 756 h./1355) dhe të birin e tij Taxhudin Es-Subki (vd. 771 h./1370). Me Taxhudinin ai shkoi në Jerusalem, ku studioi me dijetarët me nam të kohës së El-Alai (vd. 761 h./1359) dhe Takijjudin El-Kalkashandi (vd. 821 h./1418). Ai po ashtu udhëtoi në Kajro dhe studioi me El-Kalanisin (vd. 767 h./1365), Ibn Hisham (vd. 761 h./1359) dhe Ibn Nubata (vd. 768 h./1366). Në anën tjetër, ai i dha mësim El-Beha Abdullah ibn Akil (vd. 769 h./1367), Xhemaludin El-Isnawit (vd. 772 h./1370), Ibn Hishamit (vd. 761 h./1359) dhe Ibn Haxher El-Askalanit (vd. 852 h./1449). Në vitin 770 h./1368 El-Firuzabadi shkoi në Mekë dhe atje qëndroi katërmbëdhjetë vite, dhe pesë vitet e ardhshme ai i kaloi në Indi. Në vitin 796 h./1394 ai udhëtoi në Jemen. Në vitin 797 h./1395 ai u caktua kryekadi i Jemenit nga Sulltan El-Malik El-Eshref Ismail ibn Abbas, i cili e martoi të bijën e El-Firuzabadit.

Mbi pesëdhjetë trajtesa i janë atribuuar El-Firuzabadit. Në mesin e tyre dy më të njohurat janë El-Kamus ‘ul-Muhit dhe Besairu dhavi’t-temjiz fi lataifi kitab ‘il-aziz. El-Firuzabadi pranon që ai përpiloi El-Kamus nga El-Muhkam i Ibn Sidait (vd. 458 h./1065) dhe El-Ubab nga Es-Saganit (vd. 650 h./1252). Në anën tjetër El-Kamus ka formuar bazën e disa fjalorëve arab përpiluar nga dijetarët perëndimorë, si The Thesaurus Linguae Arabica (Milan 1632) nga A. Giggeius, Lexicon nga J. Golius, dhe Lexicon nga Lane. El-Kamus po ashtu është përkthyer në persisht dhe turqisht (nga Asim Efendi (vd. 1819)).

Vepra e El-Firuzabadit Besairu dhavi’t-temjiz fi lataifi kitab ‘il-aziz ishte produkt i kohës së tij, pasi që periudha në mes 1252 dhe 1517 është kuptuar nga historianët modernë arabë si koha e enciklopedive, kur ky lloj i veprave u bë i njohur. Dy arsye janë sugjeruar: përpjekje për të rikonstruktuar trashëgiminë kulturore të shkatërruar nga mongolët dhe humbja e kreativitetit në botën islame. Mukaddime e Ibn Haldunit dhe Besair e El-Firuzabadit  janë shembuj të këtyre trajtesave. Mirëpo, nga pikëpamja e studimeve islame, Besair mund të konsiderohet në mesin e literaturës së Garib ‘ul-Kur’an dhe Ma’na el-Kuran sikurse El-Mufredat nga Ragibi (425 h./1033) dhe Umdet ‘ul-Huffadh nga Semin El-Halebi (vd. 756 h./1355). Mirëpo Besair e Firuzabadit i jep një vend kyç terminologjisë mistike dhe kjo e dallon veprën e tij nga ato të Ragibit dhe Halebiut. Kjo vjen nga influenca e mistikut Ismail ibn Ebu Bekr El-Xheberti (vd. 806 h./1043) mbi El-Firuzabadin, idetë e të cilit ishin të fuqishme në Jemen. Me sa duket, ky mistik si dhe influenca politike e bën atë të shkruaj dy risale dhe një fetva në favor të Ibn Arabiut, të cilin Xheberti dhe pasuesit e tij e favorizonin. Ndonëse El-Firuzabadi nuk pajtohej me Ibn Arabiun, një fakt që ishte i njohur mirë dhe zbuluar nga nxënësi i tij Ibn Haxheri, ai duket të ketë hezituar të armiqësojë fuqinë politike të kohës dhe njerëzit si Xheberti, të cilët kishin influencë kyçe mbi komunitetin dhe fuqinë politike.

El-Firuzabadi vdiq në vitin 817 h./1414 në Zabid të Jemenit.[1]

 

 

Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi

 

 

 

[1] Burimi: Encyclopedia of Islamic Philosophy, edited by: Oliver Leaman, botimi 2015m, fq. 104-105.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme