Abd ‘ul-Gani En-Nabulusi (1050-1143 h./1641-1731)

Abd ‘ul-Gani ibn Ismail El-Nabulusi lindi në Damask në vitin 1641 në një familje dijetarësh islamë. Babai i tij, Ismail Abd ‘ul-Gani, ishte jurist i shkollës hanefite. Abd ‘ul-Ganiu në të njëzetat ishte duke dhënë mësim dhe duke dhënë verdikte fetare (fetva). Ai dha mësim në Xhaminë Emevi në Damask dhe në Medresenë Salihijje, dhe fama e tij si një dijetar islam i zoti duket se ishte vendosur. Ai ndërroi jetë në vitin 1731 në moshën nëntëdhjetë vjeçe, duke lënë prapa qindra vepra të shkruara në pothuajse çdo lëmi të shkencave islame (Brockelmann ka një listë prej tetëdhjetepesë  titujsh).

En-Nabulusi thotë në Hadikat ‘un-Nadijje (vëll. 2, fq. 103) që Xhemati është rahmet, pra bashkimi i muslimanëve në të vërtetën sjell mëshirën e Zotit. Tefrika është “adhab, pra, ndarja nga komuniteti i muslimanëve sjell ndëshkimin e Zotit.” Si një autor pjellor i fikhut hanefi, rrallë ka ndonjë vepër në këtë shkollë që është shfaqur pas tij e të mos jetë mbështetur në të ose të mos ketë përdorur qëndrimet e tij juridike. Në tekstin e mirënjohur dhe bazik të fikhut hanefi, Redd ‘ul-Muhtar, i njohur zakonisht si Hashija (glosë) e Ibn Abidinit, autori dhe imami i shkollës në kohën e tij, Muhammed Emin ibn Abidin (vd. 1836), rregullisht citon qëndrimet e Abd ‘ul-Ganiut, dhe i referohet atij me një nderim dhe respekt që nuk duket për dijetarët tjerë që citon në veprën e tij. Ahmed ibn Muhammed Et-Tahtavi (vd. 1816), shejhu ez’heri i shkollës hanefite në hashijen (glosën) e tij të Merak ‘ul-Feleh, i referohet En-Nabulusit si “Njohësi i Allahut, zotëria im Abd ‘ul-Gani (El-Arif bi’l-lah sejjidij Abd ‘ul-Gani).” Gjerësia e mendimit të En-Nabulusit është e dukshme në veçanti në librin e tij Wuxhud ‘ul-Hakk (Qenia e Vërtetë), e cila detajon ontologjinë e tij sufiste. Mirëpo, ai shpesh është akuzuar për herezi nga ata të cilët janë armiqësorë ndaj sufizmit, dhe ai sigurisht në shkrimet e tij ishte i vetëdijshëm për mundësinë e këtyre akuzave, dhe kjo pa dyshim e inkurajoi atë që të shpjegojë pse sufizmi ishte tërësisht në përputhje me aspektet ezoterike të Islamit. Një prej aspekteve të dobishme në komentimin e tij të Ibn Arabiut, vepra e tij Sherh Xhewahir ‘un-Nusus, e cila merret me Fusus ‘ul-Hikamin, është që ai sjell një numër të madh dallimesh duke diskutuar çështjet ontologjike, çështje rreth natyrës së qenies, dhe këto vërtet hedhin dritë mbi gjuhën shpesh hutuese të Ibn Arabiut.[1]

 

Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi

 

Bibliografia:

El-Sufija fi shi’ri ibn el-Ferid, ed. H. Abbud, Damask, 1988; përkth. E. Dermeghem, L’éloge du vin, al Khamrija: poéme mystique de Omar ibn el-Faridh et son commentaire par Abdelghani an-Nabolosi, Paris: Editions Vega, 1933.

El-Hadika el-Nadija sherh el-Tarika el-Muhammedija, Lahore: n.p., 1997.

El-Bureni and el-Nabulusi, Sherh Diwan ibn el-Ferid, Bejrut: Dar el-Kutub el-Ilmijje Lubnani, n.d.



[1] Burimi: Encyclopedia of Islamic Philosophy, edited by: Oliver Leaman, botimi 2015m, fq. 364

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme