
Nuk mund të thuhet me saktësi se a është një rastësi prezenca e kryetarit të Kosovës në solemnitete/aktivtete të tilla, apo ky është një manipulim që i bëhet atij nga organizatorët e tyre. Ndoshta, ata e kanë ndjerë prirjen e kryetarit Rugova, për të krijuar lloj lloj legjendash e mitesh pellazgo-iliro-dardane, që ta çojë sa më thellë historinë e Kosovës, dhe mbi këto perceptime të tij megalomane nacionalromantike, i shesin edhe idetë e veta proserbe, si të legjitimuara nga kryetari i vendit. Por, edhe po qe është kështu, pjesëmarrja e kryetarit të Kosovës në aktivitete, ku ashiqare synohet të farkohet një histori me prejardhje serbe e institucioneve të Kosovës, është shumë shqetësuese. E pakta që ai do të duhej të bënte në kërë rast, është që duhet t’i merr në përgjegjësi këshilltarët e tij, që nuk tregojnë kujdesin e duhur për imazhin dhe kredibilitetin e punëdhënësit të tyre.
Vërtet, nëse mirren si data të themelimit të institucioneve të sotme të Kosovës, vite si 1915, 1922, e të tjera si këto, kur Kosova ka qenë nën okupimin e egër të Mbretërisë Serbe, ose të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, atëherë, detyrimisht shtrohen disa dilema jo vetëm me të kaluarën por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Në një rast të tillë, refuzimi shqiptar i periudhës së pushtimit serb, do të pësonte goditje serioze në anën kulturore të tij, dhe në atë rast do të rritej legjitimiteti i pretendimeve serbe, se historia dhe kultura e Kosovës, në fakt, është vetëm një histori dhe një kulturë serbe, jo vetëm më Mesjetën e largët, por edhe në kohën e sotme.
Ndërsa, gjithkush e di se periudha mes viteve 1912-1941 në këto hapësira, është përshkruar nga diskriminimi dhe nga projektet e asgjësimit fizik të shqiptarëve. Nëse në vitet 1915 e 1922, janë formuar klube ose institucione shëndetësore në Kosovë, është e sigurt sa ato nuk janë formuar për shqiptarët, po në kuadër të ndërtimit të historisë dhe të kulturës serbe në viset e pushtuara. Për hir të së vërtetës poashtu duhet thënë se ato klube ose ente shëndetësore, nuk i kanë pasur as emrat që kanë sot, që do të thotë se as nga kjo anë nuk mund të arsyetohet ‘kontinuiteti’ i tyre.
Rrjedhimisht, institucionet e tilla dhe historitë e tilla, nuk mund të vihen në themele të historisë së re të Kosovës, e cila falë Zotit, ka dalë nga darat e hekurta të pushtimit të gjatë serb.
Ato data të themelimit të klubeve, të enteve shëndetësore, ose të institucioneve të tjera, duhet të mbahen mend e të studiohen nga aspektet e diskriminimit dhe të asgjësimit të shqiptarësisë së Kosovës, por jo si data që shënojnë historinë tonë. Përndryshe, me një kësi kriteri, duhet të kremtohen e të përvehtësohen si histori e Kosovës edhe datat e institucioneve të themeluara në Kosovë nga Musolini e nga Hitleri, sespe edhe ata për hesapet e tyre kanë formuar jo pak ente e institucione të ndryshe në vitet sa ka zgjatur pushtimni i tyre.
Sado që në disa aspekte nuk ndryshojnë plotësisht, ngjarjet që kanë ndodhur pas vitit 1945, në mënyrë të kujdesshme dhe selektive, mbetet që të përfshihen në kalendarët që shënojnë themelimin e disa institucioeneve, asociacioneve dhe të klubeve. Kjo për arsye se edhe shqiptarët e Kosovës, kanë qenë pjesëmarrës aktivë në projektin çlirimtar antifashist, i cili ka pasur karakter global. Fakti që më vonë projekti antifashist degjeneroi në një projekt ideologjik, pa dyshim që ua zbeh legjitimitetin shumicës së atyre projekteve, por gjithnjë mbetet që të trajtohet me kujdes përfshirja e tyre në memorien shtetërore të Kosovës. Fjala vjen, mund të aktivizohen datat që kanë të bëjnë me institucionet kulturore, arsimore, sportive, por jo ato që kanë të bëjnë me themelimin e strukturave represive (UDB, gjyqet popullore) dhe me marrjen e vendimeve antishqiptare (Kuvendi i Prizrenit). Por, për këtë punë duhet konsulenca e ekspertëve, nga rasti në rast, duke arritur ashtu në një profilizim të plotë të kësaj historie. Por, nëse edhe kjo lihet në duart e profiterëve dhe të karrieristëve, atëherë do të gjendemi në terrenin e manipulimit dhe të afirmimit të mazohizmit si vetëpërcaktim politik, kulturor dhe historik.