Mehmed Ebu Suud El-Imadi, i njohur po ashtu si Hoxha Çelebi, është lindur në Iskilip, Turqi, dhe u shkollua si dijetar i fesë. Babai i tij ishte dijetar dhe sufi i mirënjohur. Ebu Suudi u bë mësues në një moshë relativisht të re. Ai mbajti pozita të mësimdhënësit në medrese të ndryshme. Në vitin 1533 ai u bë kadi, gjykatës fetar, së pari në Bursa dhe pastaj në Stamboll. Në vitin 1545, ai u caktua si Shejh ‘ul-islam i Perandorisë Osmane, një pozitë që e mbajti deri në vdekjen e tij. Si muftiu kryesor i perandorisë, ai po ashtu u bë mik i afërt me Sulejmanin e madhërishëm, vlerësimi i lartë i të cilit për Ebu Suudin është i mirënjohur.
Ebu Suudi luajti një rol qendror në dekretimin e shumë ligjeve të reja nën Sulejmanin, i cili është i njohur në turqisht si “Kanuni”, ligjvënësi. Ebu Suudi pati sukses në krijimin e harmonisë në mes sheriatit islam dhe ligjit administrativ të Perandorisë Osmane të njohur si “kanun”. Disa prej fetvave të tij rreth këtyre çështjeve si toka dhe trashëgimia kanë mbijetuar. Fetvatë e tij dhe autoriteti i pashoq janë në të madhe përgjegjëse për formimin e ligjit klasik osman. Si dijetar hanefi, Ebu Suudi i bazoi shumë prej qëndrimeve të tij në shkollën hanefite të ligjit, por ai nuk u tremb që të përdor opinionet ligjore të shkollave tjera sunite të jurisprudencës islame. Ishte po ashtu gjatë kohës së Ebu Suudit që posti i Shejh ‘ul-islamit mori rëndësi të mëtutjeshme në Perandorinë Osmane.
Ebu Suudi ishte dijetar pjellor sikurse paraardhësi dhe mësuesi i tij Ibn Kemali. Ai shkroi një komentim mbi Kur’anin të titulluar Irshad ‘ul-akl ‘is-selim (Udhëzimi i mendjes së shëndoshë), të cilin ai ia prezantoi Sulejmanit të madhërishëm. Komentimi gjeti qarkullim të gjerë dhe disa komentime janë shkruar mbi të. Ebu Suudi përqafoi disa aspekte të sufizmit por ishte haptazi kundër mësimeve të Ibn Arabiut dhe ideve dhe praktikave tjera sufiste të cilat ai i konsideronte në kundërshtim me sheriatin islam. Ai është po ashtu i njohur për pasionin e tij ndaj luleve, në veçanti tulipanëve.
Veprat tjera të Ebu Suudit përfshijnë Risaletu fi bahthi iman min ‘el-firawn, një trajtesë mbi atë se a ka ndërruar jetë faraoni si jobesimtar ose jo, dhe Ma’rudat dhe Risala fi wakf ‘il-menkul we’l-nukud, të dyja prej të cilave përmbajnë opinionet ligjore të Ebu Suudit; Galatat-i Ebu Suud, një vepër mbi literaturën; Risala fi bejan ‘il-kada we’l-kader, një trajtesë mbi përcaktimin dhe vullnetin e lirë, dhe Du’anema-i Ebu Suud, një përmbledhje lutjesh islame në turqisht.[1]
Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi