Ismail Haki Burseviu

Dijetari osman, sufiu, poeti, kaligrafisti dhe muzikanti, Ismail Hakki Burseviu, ishte një shejh i famshëm i tarikatit xhelveti i themeluar nga shejh Uftade dhe Aziz Mahmud Hudai. Ai lindi në Aydos, në Bullgarinë e sotme. Ishte shkolluar në shkencat e sheriatit dhe sufizëm qysh në moshë të hershme. Mësuesi i tij ishte shejhu xhelveti Osman Fazllë Ilahi (vd. 1102 h./1691). Pasi përfundoi studimet, Burseviu, sikurse shumë sufi xhelveti tjerë, hyn në një periudhë të izolimit shpirtëror (halwa) për nëntëdhjetë ditë. Me urdhër të shejhut të tij, ai shërben në qendrën xhevleti, duke pastruar dhe duke gatuar për sufijtë e tjerë. Ai pastaj u caktua si predikues, duke zëvendësuar zotërinë e tij. Ai u bë halife (i tarikatit) në vitin 1675 dhe shkoi në Shkup. E martoi të bijën e shejhut të famshëm sufi, Ushshaki (vd. 1090 h./1679).

Në vitin 1685 Burseviu shkoi në Bursa (prandaj edhe mban nofkën "Bursevi"). Atje Burseviu u bë dijetar, sufi dhe predikues i mirënjohur. Ai filloi komentimin e tij kur’anor voluminoz të quajtur Ruh ‘ul-Bejan fi Tefsir ‘il-Kur’an dhe e përfundoi atë për njëzetetre vite. Ai shkoi në haxh disa herë. Po ashtu, jetoi në Damask për rreth tre vite. Burseviu ndërroi jetë në Bursa, ku u varrosë mu pranë xhamisë Muhammedije, të cilën vetë e kishte ndërtuar.

Një autor pjellor, Burseviu shkroi mbi njëqind libra dhe trajtesa në arabisht, persisht dhe turqisht. Veprat më të rëndësishme janë në fushën e komentimit të Kur’anit dhe sufizmit. Por, ai po ashtu shkroi në shkencën e hadithit, në jurisprudencë, kelam gramatikë, letërsi dhe histori. Siç shohim edhe te dijetarët tjerë sufi osmanë, shkrimet e Burseviut reflektojnë ndikimin e madh të Ibn Arabiut, Sadruddin El-Kunaviut dhe Rumiut dhe janë në shumë mënyra sintezë e perspektivave ekberiste dhe mevleviste, një sintezë që ne e shohim përgjatë historisë intelektuale osmane. Në lidhje me këtë lloj shkrimi, komentimi i Mesnevisë nga Burseviu është veçanërisht interesant.

Komentimi i Kur’anit nga Burseviu është një prej veprave më të përhapura të tij, dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e komentimeve sufiste të Kur’anit. Sikurse në shkrimet tjera të tij, Burseviu kombinon diturinë e tij të shkencave tradicionale me ekspozime, tregime dhe poezi sufiste. Si një predikues dhe mësues shpirtëror, Burseviu qëndroi shumë afër shpirtit të besimtarit të zakonshëm gjersa studionte dhe komentonte veprat metafizike dhe poetike të Ibn Arabiut dhe Rumit. Duke pasur këtë në mendje, ai vazhdoi traditën e shkrimeve Tuhfa (bashkëkohore), që janë trajtesa të shkurtra të shkruara si përgjigje ndaj pyetjeve që e kanë pyetur atë, dhe/ose në nderim të disa njerëzve. Në rastin e Burseviut, gati të gjitha shkrimet Tuhfa të tij i përkasin aspekteve të ndryshme të sufizmit dhe jetimit të një jete të përshpirtshme.

Libri i tij i madh Kitab ‘un-Netixhe i takon zhanrit të shkrimeve Waridet, ku autori sqaron ato gjendje dhe ide që i vijnë atij prej Qielli. Veprat Waridet të Burseviut përfshijnë një numër të konsiderueshëm të temave, prej komentimeve të disa poezive ose thënieve të urta deri te metafizika e kozmologjia. Burseviu, po ashtu, shkroi një komentim të rëndësishëm mbi veprën e famshme ‘Dyzet Hadithe’ të Neveviut prej perspektives sufiste.

Në karrierën e tij tepër produktive, Burseviu kombinoi elementet dhe tendencat më të rëndësishme klasike të kulturës klasike osmano-islame. Si një mjeshtër sufi dhe dijetar, ai përfaqëson kulmin dhe sintezën e rrymave intelektuale të Islamit klasik, përfshirë kelamin, sufizmin, poezinë dhe jurisprudencën.[1]

Përktheu:

Fatih Ibrahimi



[1] Burimi: Encyclopedia of Islamic Philosophy, edited by: Oliver Leaman, botimi 2015 m, fq. 64.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme