Imam, hafiz, kaligrafist, muderris, myfti, naibu-reis i Jugosllavisë, veprimtar politik.
U lind në Prizren më 1896, ku kreu iptidaijen (filloren). Mësimet në Medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren i kreu më 1928. Mësoi edhe Kur’anin përmendësh. Përveç gjuhës amtare fliste serbisht, frëngjisht, arabisht, turqisht.
Punoi si imam në disa xhami të qytetit. Pas vitit 1935 u emërua muderris i Medresesë, detyrë që do ta kryejë deri në vdekje. Më 1938 lexoi tekstin e menshurës (betimit) për Reis’ul-ulemanë Fehim ef. Spaho në Sarajevë, kurse si zëvendës-reisi (naibu-reis), në kohën kur i pari i fesë ishte i sëmurë, kreu edhe detyrën e Reis’ul-ulemasë në Jugosllavi me seli në Sarajevë.
Kishte një bibliotekë të pasur, kurse shumicën e tyre, sipas testamentit, familja ia dhuroi Bashkësisë Islame të Prizrenit. Hafiz Abdullahu ishte i angazhuar edhe politikisht në organizatën joserbe të Xhemijetit (1920) me Nexhip e Ferhat bej Dragën në krye. Më vonë do të bashkëpunojë edhe me Ibrahim ef. Lutfiun, anëtar i Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare. Tahir Kolgjini në memoaret e tij cek se më 1941 ka kontaktuar parinë fetare të Prizrenit dhe rrethit dhe ndër të tjera përmend bisedën me Hafiz Abdullahun, njeriun kyç fetar dhe politik, lidhur me rolin e udhëheqësve fetarë dhe të ardhmen e vendit. Abdullah Telaku ishte kundërshtar i rreptë i shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet shqiptare në vende të ndryshme.
Në kohët e fundit, nga viti 1935, ishte muderris e drejtor i medresesë dhe myfti i Prizrenit.
Vdiq në Prizren më 1943 nga sëmundja e tuberkulozit.
Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 44-45.