KOXHA SINAN PASHA

Sinan Pasha u lind në Topojan, Kukës më 1506. Mendohet se atë e dërgoi në Stamboll i vëllai, Ajazi. Mori një arsimim të mirë atje. Kreu punë të ndryshme, prej shefit të kuzhinës e deri te sanxhakbeu i Mallatisë, Kastamanit, Gazës, Tripolit etj. Më 1568 emërohet administrator i Egjiptit, ku ndërtoi një xhami të bukur. Pushtoi Jemenin dhe nga ky rast mori nofkën Gazi. Luftoi edhe në shumë vende, si në Gjeorgji, Tunizi. Gjatë karrierës së tij, pesë herë do të bëhet sadrazem: 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Para vdekjes, ai lehtësoi taksat në vendlindjen e tij, ndërtoi një kështjellë dhe një xhami në Kaçanik. Vdiq në moshën 90-vjeçare, në vitin 1606, kurse u varros në tyrben që mban emrin e tij në lagjen Sofiler të Stambollit. Një relator kristian, me emrin Lazar Soranzo, i shkruan Papës Klementit VIII: “Sinani, shqiptar nga Topojani, fshat i Sanxhakut të Prizrenit, i cili vdiq vitin e shkuar prej vdekjes së natyrshme, ndoshta i mërzitur sepse lufta e Hungarisë nuk po shkonte siç donte ai, ose, sikundër thonë të tjerët, prej helmit. Ky pashë kishte menduar të pushtonte Korfuzin...”. Koxha Sinan pasha, pasi ishte dërguar në Damask, i drejtoi një lutje Sulltan Muratit III, në mars të vitit 1585, që t’i lirojë nga tatimi pesë fshatrat që ishin në posedim të Sinanit. Sulltani e aprovoi kërkesën e tij dhe me këtë rast shkroi këtë ferman: “Ish Veziri im i Madh, e tani i ngarkuar nga ana ime Vali i Elajetit të Damaskut, Sinan Pasha, me qëllim që të bëjë një vepër të mirë, katundet e veta Çajla (Çaja) që çdo vit sjell 6000 akçe, Flura (?) që sjell 4000 akçe, Topojani që sjell 5000 akçe, Kalisi me 8000 akçe, Beleshqa (?), të cilën e ka blerë nga spahiu Lutfi, me të ardhura prej 3000 akçesh, i ka falur për jetë të jetës rajës së këtyre katundeve të gjitha bjeshkët, malet, kullotat, arat, kopshtet. Për të vërtetuar këtë, lëshoj këtë ferman dhe urdhëroj që askush të mos guxojë të marrë nga katundet e lartpërmendura as të ardhura toke, as të ardhura për dele, d.m.th. kurrfarë tatimi a detyrimi tjetër nga toka, e cila tani kalon në pronësi të tyre”. Llogaritet se fermanit i Sulltanit i reduktoi taksat që këto fshatra paguanin deri në masën 60 %.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 485-486.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme