TABEKATET (LEKSIKONËT) HANEFIJË

Në përgjithësi tabekatet, leksikonët apo fjalorët biografikë kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Ato renditen në bazë të rangut, të klasës apo të brezave. Përzgjedhja e biografive mund të jetë tematike, sipas profesioneve fetare, gjeografike, sipas qyteteve ose rajoneve, ose kronologjike. Shënimet zakonisht përfshijnë brezninë e personit, martesën, fëmijët, pranimin e Islamit, deklaratën për besnikëri ndaj Muhammedit a.s. (bej’ah), njoftimet për kontributet e personit në Islam, si dhe të dhënat rreth vdekjes, varrimit dhe pjesëmarrësve në varrim.

Krahas shkencave të shumta në fushën e hadithit, filloi të zhvillohet edhe sira (biografia e Muhammedit a.s.), pastaj biografitë e as’habëve, tabi’inëve, pasuesit e tabi’inëve dhe më në fund erdhi periudha e tabekateve, apo veprat që thellësisht merren me disa breza nga fusha të ndryshme. Po ashtu, filluan të shkruhen edhe historitë islame të llojit klasik, pak a shumë, në stilin e historive të ngjashme botërore. Menjëherë pas tabekatëve (leksikonëve, fjalorëve) të parë të hadithit, transmetuesve dhe muhadithëve, filluan tebekatët e parë të fikhut, juristëve të parë, sikurse ai i Hejthem ibn Adiut (732-822), historian, biograf dhe muhaddith nga Kufa, me titull Tabekat’ul-fukaha (Brezat e fukahave). Meqë ende në këtë kohë nuk kemi medhhebe të specifikuara, këtu përfshiheshin dijetarët e të gjitha proveniencave. Leksikoni i parë biografik i një medhhebi do të paraqitet në fillim të shekullit V h./XI, nga autori Omer ibn Alij El-Muti’ Esh-Shafi’u (?-1048), me titull El-Mudhehheb fi a’jan’il-medhheb, që i përkiste medhhebit shafi’it. Në fillim të shekullit V h./XI, u paraqit edhe leksikoni për juristët hanefitë me titull Ahbar Ebi Hanife ve ashabihu nga autori Sajmeriu. Numri i leksikonëve deri në fund të shekullit XIII h./XIX arriti në disa qindra. Sipas të dhënave deri në shekullin XX janë shkruar 33 tabekatë / leksikonë nga medhhebi hanefi. Ja disa prej tyre:

1. Ahbar Ebi Hanife ve ashabihi (“Jetëshkrimi i Ebu Hanifes dhe shokëve të tij”). Autori është Ebu Abdullah Husejn ibn Alij Es-Sajmeri (962-1045), jurist hanefi dhe kadi në Bagdad. Ky leksikon është publikuar në Bejrut, në vitin 1985.

2. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autori është Ebu Asim Muhammed ibn Ibrahim El-Herevi (985-1066), jurist anefit. Leksikoni nuk është publikuar. Dorëshkrimi i kësaj vepre gjendet në Bibliotekën “Aja Sofia” (Ayasofya Kütüphanesi) në Stamboll, me numrin 948.

3. “Tabekat’ul-fukaha’” (“Brezat e juristëve”). Autor është Abdulvehhab ibn Muhammed Esh-Shirazi (?-1105/1106), jurist hanefi. Nuk është i sigurt që dorëshkrimi i këtij leksikoni a është ruajtur dhe mbase për këtë arsye edhe nuk ka ndonjë emër të veçantë. Këtë leksikon e përmend edhe Sehavi.

4. “Tabekat’ul-fukaha” (“Tabekat’ul-hanefijjeti ve’sh-shafijjeh”) (“Brezat e  juristëve”, “Brezat e hanefive dhe shafi’ive”). Autor është Muhammed ibn Abdulmelik El-Hemedani (1071-1127), jurist hanefi. Duket se leksikoni ka humbur.

5. “Vefejat’ul-a’jan fi medhheb’in-Nu’man” (“Vdekjet e prijësve të medhhebit të Nu’manit”). Autor i leksikonit është juristi hanefi, Nexhmuddin Ibrahim ibn Alij Et-Taretusi (1321-1357). Leksikoni nuk është i publikuar. Dorëshkrimi gjendet në El-Mektebe Edh-Dhahirijje në Damask me numrin 9625.

6. “El-Kitab fi tabekat’il-hanefijjeh” (“Libri mbi brezat e hanefive”). Autori është Salahuddin Abdullah ibn Muhammed El-Muhendis (1292-1367/1368), jurist hanefi dhe historian. Leksikoni ka humbur, edhe pse ceket nga Ibn Haxher Askalaniu.

7. “El-Xhevahir’ul-mudijjeti fi tabekat’il-hanefijjeh” (“Margaritarët e njëpasnjëshëm mbi brezat e hanefive”). Autor është Muhjiddin Abdulkadir ibn Muhammed El-Kureshiu (1297-1373), jurist hanefi dhe historian. Ky është njëri prej leksikonëve më të mëdhenj dhe më të njohur të juristëve hanefi. Është publikuar disa herë, e së fundmi në pesë vëllime. Është botuar në Karaçi, Hajderabad, Kajro, Bejrut.

8. “Nadhm’ul-xhumani fi tabekati as’hab imamina En-Nu’man” (“Vargu i margaritarëve në brezat e shokëve të imamit tonë Nu’manit”). Autor është Sarimuddin Ibrahim ibn Muhammed ibn Dukmak El-Kahiri (1349-1407), historian i Kajros dhe autor i rreth 200 librave historikë. Leksikoni ende është në dorëshkrim. Ka tri pjesë. Ka disa dorëshkrime në biblioteka botërore.

9. “El-Mirkat’ul-vefijjeti fi tabekat’il-hanefijjeh” (“Shkallët e forta të brezave të hanefive”). Autor është Mexhduddin Ebu Tahir Muhammed ibn Jakub El-Fejruzabadi Esh-Shirazi (1329–1414), autori i njërit prej fjalorëve më të njohur, “El-Kamus’ul-muhit”, komentues i Kur’anit (mufessir), muhaddith, jurist maliki, historian. Leksikoni nuk është botuar, kurse një dorëshkrim gjendet në Bibliotekën “Arif Hikmet” (Mektebe “Arif Hikmet”) në Medinë me numrin 42.

10. “Et-Tedhkire” (“Kujtime”). Autor është Tekijjuddin Ahmed ibn Alij El-Ma-krizi (1364-1442), historian i njohur i Kajros. Leksikoni ka humbur, por e cek  Ibn Kutlubug.

11. “Tabekat’ul-hanefijje” (“Brezat e hanefive”). Autor është Tekijjuddin Ebu Bekr ibn Ahmed El-Esedi Esh-Shehebi Ed-Dimeshki (1377-1448), mufessir, historian dhe jurist hanefi nga Damasku. Vepra ka humbur, ndërsa atë e cekin autorët nëpër veprat e tyre.

12. “Kitab tabekat’ul-hanefijjeh” (“Libri i brezave të hanefive”). Autor është Bedruddin Mahmud ibn Ahmed El-Ajniu (1360-1451), jurist i shquar hanefi, muhaddith, historian. Edhe ky leksikon ka humbur, ndërsa e cekin Katib Çelebiu dhe Ibn Imad Hanbeliu.

13. “Taxh’ut-teraxhim” (“Kurora e analit”). Autor është Zejnuddin Kasim ibn Kutlubug (1399-1474), jurist hanefi dhe historian në Kajro. Leksikoni është botuar, në Lajpcig më 1862, në Bagdad, Damask.

14. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autor është Shemsuddin Mu-hammed ibn Mahmud El-Kunevi (?-1476), i njohur si Ibn Axha, jurist hanefi, historian, teolog, muhaddith, linguist. Leksikoni ka pasur tre libra, por ka humbur. Atë e cek Katib Çelebi etj.

15. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autori Muhibbuddin Ebu Fadl Muhammed ibn Muhammed Es-Sekafi El-Halebi (1401-1485). Vepra ka pasur disa pjesë, por ka humbur. E cek Sujutiu etj.

16. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autor është Hafidh Abdurrah-man ibn Muhammed Sehavi (1428-1497), jurist shafi, muhaddith, historian nga Kajro. Leksikoni nuk është shtypur. Dorëshkrimi gjendet i mikrofilmuar në Medinë, me numrin 4857/5.

17. “Muhtesar min menakibi eimmet’il-hanefijjeti ve’sh-shafiijjeh” (“Përmbledhje e virtyteve të imamëve hanefi dhe shafi”). Autor është Ahmed ibn Sulejman ibn Kemal (1468-1536), i njohur si Ibn Kemal-pasha (Kemal-pashazade), jurist i njohur hanefi i kohës osmane, shejhu-l-islam, historian, teolog, poet etj. Vepra e tij gjendet në dorëshkrim në Bibliotekën e Haremit të Mekës, me numrin 82, dhe një kopje në Bibliotekën “Mahmudijje” (El-Mekte-be el-Mahmudijje) në Medinë, me numrin 2650/16.

18. “El-Guref el-alijjeti fi teraxhimi muteehhiri’l-hanefijjeh” (“Dhomat e larta – biografitë e hanefive të mëvonshëm”). Autor është Shemsuddin Muhammed ibn Alija ibn Tulun Es-Salihi Ed-Dimeshki (1475-1546), jurist hanefi dhe historian. Leksikoni gjendet në dorëshkrim dhe ruhet në Qendrën e Mbretit Fejsal (El-Merkez el-melik Fejsal) në Riad, me numrin 21477-21483.

19. “Telhis El-Xhevahir el-mudijjeti fi tabekat’il-hanefijjeh” (“Përmbledhje e margaritarëve të njëpasnjëshëm në brezat e hanefive”). Autor është Ibrahim ibn Muhammed El-Halebi (?-1549), juristi i njohur hanefi, historian. Leksikoni në fakt është përmbledhje e leksikonit biografik të El-Xhevahir’ul-mudijjeh të Abdulkadir El-Kureshiut. Leksikoni është në dorëshkrim dhe një film i tij nga Biblioteka medinase Arif Hikmet gjendet në Riad, mikrofilmi me numrin 63.

20. “Muhtesar Kitab Ibn El-Muhendis” (“Përmbledhje e librit të Ibn’ul-Muhendisit”). Autori është Ibrahim El-Halebiu. Dorëshkrimi nuk është publikuar.

21. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autor është Muhammed ibn Omer ibn Ak Shemsuddin (?-1552), i njohur si nipi i Ak Shemsuddinit (Hafid Ak Shemsuddin), jurist hanefi. Leksikoni duket se ka humbur, por ai ceket prej Katib Çelebiut.

22. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Ahmed ibn Mustafa Tashkubrizade (1495-1561), historian osman. Leksikoni nuk është publikuar. Një kopje e dorëshkrimit gjendet në Bibliotekën Nacionale të Kuvajtit, me numrin 7.

23. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefijve”). El-Mevla Alij Shibli ibn Emril-lah ibn Abdulkadir Er-Rumi (1513-1571), i njohur si Kinalizade dhe si El-Hinnai, jurist hanefi. Leksikoni është i publikuar në tre vëllime në Bagdad.

24. “Ketaib a’lam el-ahjari min fukaha’i medhhebi‘n-Nu’man el-muhtar” (“Rendi i kolosëve të përzgjedhur – Juristët e medhhebit të përzgjedhur të Nu’manit”). Autor është Mahmud ibn Sulejman Er-Rumi El-Kefevi (?-1582), juristi dhe kadiu nga Kefe në Turqi. Dorëshkrimi ende nuk është publikuar dhe gjendet në Bibliotekën “Mahmudijje” në Medinë, me numrin 2575, kurse tjetri gjendet në Bibliotekën “Kadirijje” (El-Mektebe el-kadirijje) në Bagdad me numrin 1242. El-Lekneviu (1848-1887) ka shkruar përmbledhjen e këtij leksikoni.

25. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Kutbuddin Muhammed ibn Alauddin El-Hindi El-Mekki (?-1582), jurist hanefi. Dorëshkrimi ka humbur. Thuhet se dorëshkrimi është djegur.

26. “Tabekat es-sade el-hanefijjeh” (“Brezat e liderëve hanefi”). Autor është Abdullah Es-Suvejdi, njëri prej juristëve hanefi nga shekulli X h./XVI. Leksikoni është në dorëshkrim. Gjendet në Berlin me numrin 10026, ndërsa tjetri ruhet në Huda Bahsh (Khuda Bakhsh Oriental Public Library) në Patna, Indi, me numrin 761/12.

27. “Et-Tabekat es-senijje fi teraxhim’il-hanefijjeh” (“Brezat e shkëlqyer në biografitë e hanefive”). Autor i leksikonit është Tekijjuddin ibn Abdulkadir Et-Temimi El-Gazzi (1543/1544-1601), jurist hanefi dhe kadi, historian nga Gazza. Leksikoni bën pjesë ndër leksikonet më të rëndësishme dhe më të mëdha të juristëve hanefi. Trajton rreth 2500 biografi. Është shkruar më 993 h./1585. Ka katër vëllime. Pjesërisht është publikuar më 1970 nga El-Mexhlis’ul-a’la li’sh-shuun’il-islamijjeh) në Kajro. Gjatë viteve 1983-1989 janë botuar katër vëllime gjithsej, por jo tërësisht.

28. “El-Esmar’ul-xhenijjeti fi esma’il-hanefijjeh” (“Frutat e vjela taze ndër emrat e hanefive”). Autor është Alij ibn Sultan El-Mulla El-Kari (?-1606), jurist i njohur hanefi, muhaddith, mufessir, kaligraf, historian, linguist. Leksikoni paraqet përmbledhje të leksikonit El-Xhevahir’ul-mudijjeh të Abdulkadir el-Kureshiut. Njëherë është botuar në Indi në një libër, por është botuar edhe disa herë në Bagdad, Këln etj.

29. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autor është El-Kadi Halil ibn Muhammed Er-Rumi Solakzade (?-1684), jurist hanefi dhe kadi, linguist, historian. Libri nuk është publikuar. Dorëshkrimi gjendet në Stamboll. E cek Sirikliu.

30. “Mehamm’ul-fukaha’ fi tabekat’il-hanefijjeh” (“Juristët e rëndësishëm ndër brezat e hanefive”). Autor është El-Kadi Muhammed Kami ibn Ibrahim El-Edirnevi Er-Rumi (1649-1724), jurist hanefi dhe kadi nga Edirne. Leksikoni si duket ka humbur. E cek Ismail-pashë Bagdadi.

31. “Hulasa el-xhevahir fi tabekati el-eimme el-hanefijjeti el-ekabir” (“Përmbledhje margaritari të brezit të dijetarëve të rëndësishëm hanefi”). Autor është Abdusselam ibn Muhammed Ed-Dagistani (1718-1788), jurist hanefi, muhadith. Leksikoni nuk është ruajtur, por Zirikli e cek se leksikoni në dorëshkrim ka ekzistuar deri më 1959 në Medinë dhe është ruajtur në shtëpinë e Muhammed ibn Osmanit, nipi i Abdusselam ibn Muhammed Dagistanit.

32. “El-Fevaid’ul-behijjeti fi teraxhim’il-hanefijjeh” (“Dobitë e vlefshme – biografitë e hanefive”). Autor është Ebu’l-Hasenat Abdulhajj El-Leknevi (1848-1887), jurist hanefi nga India, muhaddith, historian. Leksikoni përmban rreth 600 biografi të juristëve hanefi dhe paraqet përmbledhje të leksikonit Ketaib a’lam el-ahjar min fukaha’ medhheb’in-Nu’man el-muhtar, me autorin e sipërm Kefevi. Lekneviu në anëshënimet e veprës ka shkruar shënimet e tij, të cilat i ka quajtur “ta’likat” dhe bashkë me leksikonin i ka quajtur Et-Ta’likat’us-senijjeti ala‘l-fevaid’il-behijjeh (“Shënime të shkëlqyera mbi dobitë e vlefshme”). Leksikoni është publikuar në Lahore, Pakistan, në Kajro, në Bejrut etj.

33. “Tabekat’ul-hanefijjeh” (“Brezat e hanefive”). Autor është Afifuddin Esh-Shirvani. Leksikoni është në dorëshkrim dhe ruhet në Bibliotekën Egjiptiane Dar’ul-kutub el-misrijjeh në Kajro, me numrin 248/5.

Nga tërë këta leksikonë vetëm shtatë prej tyre janë publikuar, kurse 21 janë ruajtur. Është e ngutshme që të gjithë ata të përgatiten, të publikohen me botime kritike dhe të ofrojnë vlerat teologjike, historike, kulturore. Njëkohësisht, puna në leksikonë duhet të vazhdojë, sidomos tashmë kur bota është digjitalizuar dhe elektronizuar.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 796-800.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme