
Ana tjetër e medaljes është se në Turqi, nga dita në ditë mes veti po diferencohet kampi i besimtarëve dhe i shekularistëve. Këtë tezë e forcojnë edhe manifestimet e fundit antiislame në Turqi, me ç’rast turma të mëdha njerëzish demonstruan kundër kandidatit proislam, Abdullah Gyl, për kryetar të Turqisë, të propozuar nga partia në pushtet e Tajip Erduanit. Kjo masë e madhe njerëzish, e orientuar nga ushtria turke, është pararojë e regjimit kemalist gati tashmë një shekull. Madje, ushtria turke para disa ditësh drejtpërdrejt kërcënoi me puç ushtarak kryeministrin Erduan se nuk do të lejojë kurrfarë ndryshimesh në dëm të kemalizimit.
Përse kjo?
Nëse partia në pushtet krahas ekzekutivit do ta fitojë edhe legjislativin, ky do të ishte fundi i kemalizmit dhe fundi i diktaturës në këtë nënqiell, fundi i bastionit kemalist ku bëjnë pjesë universitetet, gjykatat dhe ushtria. Kjo për më tepër, sepse në Turqi kryetari sipas kushtetutës turke ka të drejtën e vetos në ligjet e parlamentit, ai cakton guvernatorët, ambasadorët, shefat e policisë, shefat e lartë në ministri, gjyqtarët e lartë, rektorët, njeriun e parë të bankës qendrore etj.. Kemalizmi po ashtu ka në dorë edhe shumicën dërmuese të mediumeve të shkruara dhe elektronike, të cilat shërbejnë si senzibilizues për aktivizimin e energjisë negative të masës së madhe të popullit.
Nuk është e qartë përse kjo frikë nga qeveria pro-islame e Erduanit, kur ekonomia është stabile, kur politika aktuale turke është më shumë se kurdoherë afër integrimeve evropiane dhe botërore, kur çdo gjë është më mirë se më herët?
Nuk është e qartë kjo frikë edhe nga shkaku se, sipas mendimit tonë, as pretendimet e qeverisë aktuale turke nuk janë të formojë qeveri ‘rigjide’ islame, siç dijnë ta quajnë kundërshtarët, por mbase një qeveri të tipit të Malejzisë, të një shurokracie (demokracie) ku Islami ka vendin e vet, por ku nuk shpërfillen dhe synimet e atyre që Islamin nuk e dëshirojnë.
Ndoshta problemi qëndron si vijon:
Fitorja eventuale e AKP-së së Erduanit në zgjedhjet e lira më 22 korrik 2007 me dy të tretat në parlament, mund të hapë rrugë për ndryshime pozitive në dobi të qeverisjes proislame dhe ta godasë përfundimisht shekullarizmin turk. Erduani ka dy adutë të fuqishëm: shumicën e popullin dhe të vërtetën. Erduani e ka me vete edhe bashkësinë evropiane, e cila edhe pse nuk ka simpati për Erduanin, megjithatë e qortoi ushtrinë turke të mos përzihet në çështjet politike (Oli Ren).
Nuk mund të prognozojmë se ç’do të ndodh! Shansat janë në anën e AKP së Erduanit, por mundësia për konfikt është e hapur. Të shpresojmë kah e mira.