Emri i plotë i tij ishte Ebu Nasr Muhammed ibn Muhammed ibn Tarhan ibn Uzalag El-Farabiu. Prejardhja e Farabiut është e paqartë. U lind në Vasixh, afër Farabit, në Turkmenistan më 259 h./870. E përvetësojnë edhe turqit, edhe persianët, madje edhe arabët. Ishte nga një familje e lartë ushtarake në pallatin e samanidëve. Shumë herët shkoi të studiojë në Bagdad, ku mësoi logjikën, gramatikën, filozofinë, muzikën, matematikën dhe dituritë natyrore. Ka njohur shumë gjuhë të kohës, sidomos ishte njohës i mirë i gjuhës persiane, arabe, turke, greke, siriane etj.[1] Por, nuk i kishte lënë anash as shkencat racionale. Për këtë qëllim ai e la Bagdadin më 330 h./941 dhe udhëtoi në Siri dhe Egjipt. Dha mësim në disa qendra sidomos në Halep.[2] Deri në largimin e tij nga Bagdadi ishte faza e parë e jetës së tij, kurse faza e dytë është ajo nga ikjes në Siri e deri në vdekje. Në këtë fazën e dytë, të pjekurisë dhe thellësisë, në ambientin e mirë të Sejfudevles, dha kontribut të çmueshëm. Edhe pse në kushte të mira pallati, ai nuk ndryshoi nga jeta e mëhershme e modestisë. Ishte filozof, por edhe mistik i thellë dhe njeri religjioz. [3]
Ka shkruar dhjetëra vepra në fusha të ndryshme, sidomos në filozofi, logjikë, politikë, muzikë etj. Kifti dhe Ibn Ebi Usajbia konsiderojnë se numri i tyre është mbi shtatëdhjetë. Vepra më i mirë në fushën e politikës është El-Medinet’ul-fadileh (Qytet-shteti ideal)[4], Ihsa’ul-ulum (Klasifikimi i shkencave), Kitab’ul-huruf (Libri mbi shkronjat), etj.[5] Shkroi edhe komente të rëndësishme mbi Aristotelin, madje Ibn Sinai pohon se pa ndihmën e El-Farabiut vështirë do ta kuptonte metafizikën e Aristotelit. Veprat e tij shquhen me saktësi dhe thuktësi. El-Farabiu ishte filozof, politikan, themelues i logjikës në botën muslimane, për çka u quajt edhe mual-lim’uth-thani, magister secondus = mësuesi i dytë.[6] Për arsye të njohurive teorike në politikë dhe punës së tij si konsulent te shumë politikanë, ai u quajt themelues i filozofisë politike islame dhe i logjikës formale në botën islame. Ai gjithashtu sintetizoi filozofinë politike të Platonit dhe mendimin politik islam. Mbase është i pari që e futi konceptin e demokracisë në shtetin e tij, i cili synonte lumturinë e qytetarëve. E integroi fenë dhe shkencën në veprat e shkruara. E kuptoi filozofinë si një kërkim për përsosmëri personale, veçanërisht në aspektin e intelektit dhe karakterit moral. Leximi i veprave të El-Farabiut është iluminues dhe kritikë. Ka ndikuar te një varg filozofësh muslimanë (si te Ibn Baxha, Xhabir ibn Hajjani, Suhraverdi etj.) e perëndimorë (Ebu Zekerija Ibn Adij, kristian jakobit Ibn Ebi Said Mevsiliu, hebraik).[7] Nxënësi më i madh i Farabiut është Ibn Sinai, për të cilin deklarohet edhe vetë Ibn Sinai.
Vdiq në Damask më 339 h./950 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe qytetare, me praninë e halifit dhe suitës së tij.
[1] M. M. Šarif, I, po aty, fq. 455-456.
[2] Sa’d Abdulaziz, po aty, fq. 9-10.
[3] Henry Corbin, po aty, fq. 172.
[4] Al-Farabi, Uzorita drzava, botim bilingual, Zagreb, 2011, fq. + 486.
[5] M. M. Šarif, II, po aty, fq. 111 e tutje.
[6] Nëse në logjikë El-Farabiu me të drejtë quhej “Mësuesi i dytë” në muzikë ai mund të quhet “Mësuesi i parë”. Sa’d Abdulaziz, po aty, fq. 103-109.
[7] M. M. Šarif, po aty, fq. 455 e tutje.