Ibn Tufejli ishte enciklopedist i njohur musliman. U lind më 1106 në Gvadiks (Vadi Ash) afër Granadës, në Spanjën muslimane. Kishte prejardhje nga një fis arab me emrin Kajs. Jetoi në kohën e dinastisë muvehidine dhe ishte filozofi i parë i rëndësishëm i tyre.
Karrierën e filloi si mjek në Granadë dhe për shkak të famës që gëzonte u bë sekretar i guvernatorit në krahinën e tyre. Më vonë u bë sekretar privat i guvernatorit të Ceutës dhe Tangerit, birit të Abdulmuminit, halifit të parë muvehidit, i cili e pushtoi Marokun. Më vonë u bë mjeku i oborrit të kadiut dhe vezirit te halifi Ebu Jakub Jusufit. Ky halif tuboi dijetarë të famshëm në pallatin e tij që e shtyri Briffaultin të pohojë se Spanja në këtë kohë u bë “djep i përparimit të Evropës”.[1] Për shkak të ndikimit të tij te halifi, ai e ftoi në pallat Ibn Rushdin, që do të rezultojë me veprat e njohura të shkruara me kërkesë të tij, të njohura si Komenti i Vogël, Komenti i Mesëm dhe Komenti i Madh i veprave të Aristotelit. Për shkak të pleqërisë Ibn Tufejli u largua si mjek i pallatit, por e sugjeroi Ibn Rushdin që të vazhdojë punën.[2] Ka kryer edhe detyra shtetërore të sekretarit të shtetit. Ka pasur dije kulmore nga mjekësia, matematika, filozofia, astronomia, sufizmi, poezia.
Ka shkruar disa vepra nga mjekësia, sufizmi, metafizika e tjera, por është ruajtur vetëm romani i tij filozofik I gjalli, i biri i të Zgjuarit (Hajj ibn Jakdhan), i cili është produkt i mendimit mistiko-filozofik. Edhe pse ka mendime se ideja e këtij romani filozofik është huazim nga legjendat e vjetra spanjolle, sanskrite apo greke, megjithatë studimet vërtetojnë se Ibn Tufejli shkroi një vepër origjinale, me frymë alegorike, që simbolizon frymën e natyrshme të njerëzisë. Romani ka largpamësi filozofike më shumë sesa imagjinatë poetike dhe si e tillë paraqet ‘njërën prej librave më origjinal të mesjetës.”[3] Vepra Haj ibn Jakdhan është përkthyer thuajse në të gjitha gjuhët me rëndësi evropiane. Në hebraisht është përkthyer më 1349, në latinisht 1671, anglisht 1674, holandisht 1672, gjermanisht 1762, rusisht 1920, boshnjakisht më 1985. Sidomos ka ndikuar te Daniel Defo dhe romani i tij Robinson Kruso, dhe te shumë letrarë e filozofë të tjerë evropianë.
Vdiq më 1185 në Marakesh, kryeqendra e muvehidinëve.
[1] M. M. Šarif, po aty, fq. 524.
[2] M. M. Šarif, po aty, fq. 524-525.
[3] G. Sarton, Introduction to the History of Science, II, fq. 354, sipas: M. M. Šarif, po aty, fq. 529.