
Ebu Bekr Muhammed ibn Ali Muhjiddin El-Endelusi, sufi, mendja më e madhe spekulative e sufizmit islam, dijetar i përmasave të mëdha në historinë islame me prejardhje nga Spanja, njëri prej teozofëve më vizionar të të gjitha kohëve. Ndër mendimtarët sufistë më me ndikim dhe më kontroversë. Disa e quajnë edhe shejhul-ekber. Por, disa e quajnë edhe panteist, edhe pse shkolla e tij kategorikisht e refuzojnë këtë etiketë. U lind më 560 h./1165 në Mursij, Spanjë dhe deri në moshën tridhjetë vjeçare jetoi në vendlindje, Ceutë dhe nga viti 1173 shkoi në Sevilje. Në moshën shtatëmbdhjetë vjeçare Ibn Arebiu zhvilloi një diskutim të shkëlqyeshëm me Ibn Rushdin. Këta dy dijetarë më nuk patën rast të takohen pos ditën kur vdiq Ibn Rushdi, më 1198. Pas vizitës së Qabesë më nuk u kthye në Spanjë, por vizitoi Mekën, Bagdadin dhe u vendos në Damask. Studioi hadithin dhe të drejtën islame. Udhëtoi shumë. Vdiq gjatë një udhëtimi afër Damaskut më 638 h./1240. Nga aspekti i jashtëm i përkiste dhahirizmit, por nga aspekti i brendshëm pranonte se Kur’ani ka edhe domethënie alegorike, simbolike, të fshehta. Ibn Arebiu ishte urë ndërmjet traditës sufiste spanjolle-marokene dhe sufizmit lindor nga Siria dhe Egjipti. I kushtoi rëndësi të madhe thelbit të gjerave. Ibn Arebiu ishte i njohur për pikëpamjet mbi unitetin e qenies (vahdat’ul-vuxhud), njohuritë, metafizikën emanacioniste, teorinë e kthimit mikrokozmik përmes dashurisë mistike, dhe nocionin e personit të përkryer (el-insan’ul-kamil). Filozofia e tij[1] është kritikuar si panteiste, për hyjnizimin e Muhammedit, për bërjen e të gjitha feve të barabarta, për idolizimin e grave dhe për interpretimin e Kur’anit në një mënyrë të pazakontë dhe të rrezikshme. Për shkak të bindjeve të tij u akuzua për herezi (zindik). Shkroi shumë vepra dhe të gjitha konsiderohen të rëndësishme, mbi 150 sosh, që janë gjetur. Veprat e tij kryesore janë Futuhat’ul-mekkije dhe Fusus’ul-hikem. Ndër pasuesit e tij të flaktë në shekullin XIX ishte Emir Abdulkadiri nga Algjeria, luftëtar i madh i cili luftoi kundër kolonializmit francez. Por, ndoshta nxënësi i tij më i mirë është Sadrudin Konjeviu., Nasiruddin Tusin etj.[2] Ibn Arabiu ndikoi dukshëm edhe në Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit.
[1] Shih: S. H. Nasr – Oliver Leaman (ed.), History of Islamic Philosophy, I, Tehran, pa vit botimi, fq. 497 e tutje.
[2] Henry Corbin, po aty, fq. 327.