Muhammed Abduhu është dijetar i shquar egjiptian që jetoi gjatë viteve 1266-1323 h./1849-1905. Mbase ka prejardhje turkmene por nuk ka prova. U lind në një fshat në perëndim të Egjiptit, Tanta, kurse u rrit në Mehalet’un-Nasr jo larg kryeqytetit të krahinës Buhajra. U rrit në familje bujqish, por që e donin, respektonin dhe kultivonin shkencën. Si dhjetëvjeçar u bë hafiz i Kur’anit dhe me mësues privat mësoi edhe dituritë tjera të kohës. U shkollua në shkollat e vendit si në Tanta dhe në Universitetin e El-Ez’herit. Për shkak të metodave të prapambetura të mësimit ai e braktisi mësimin dhe vetëm me ndërhyrjen e Shejh Dervishit lindi dëshira për avancim në shkollim dhe studime. Kthimin e vërtetë Abduhu do ta bëjë vetëm pas takimit me Xhemaludin Afganiun, bashkëkohësin e tij të njohur dhe njërin prej reformatorëve më të shquar të shekullit XIX. Abduhu ka luftuar me të gjitha forcat kundër kolonializmit evropian. Është e njohur pjesëmarrja e tij në kryengritjen e Urabiut kundër anglezëve më 1881-1882, pas çkahit ai u dëbua në egzil për gjashtë vjet. Në këtë kohë shkoi në Liban dhe bashkëpunoi me Xhemaludin Afganiun, reformatorin e madh politik musliman. Së bashku kanë vepruar edhe në Evropë në prezantimin e Islamit, e kundër intelektualëve islamofobistë e racistë evropianë, siç ishin E. Renani etj. Për këtë qëllim, në Paris kanë botuar revistën El-Urvet’ul-Vuthka (Nyja më e fuqishme). Duke qenë në mërgim, shkroi veprën e tij nga kelami Kitab’ut-tewhid.[1] Pastaj u kthye në Egjipt, ku punoi si gazetar, pastaj ka qenë profesor në El-Ez’her. Nga viti 1888 u kthye në Egjipt dhe u emërua myfti i Egjiptit, kurse më 1897 u emërua edhe kryemyfti i Egjiptit. Gjatë kohës në El-Ez’her njoftohet dhe bashkëpunoi edhe me sirianin Reshid Rida, i cili i shkruan ligjëratat e tij (një pjesë e tyre në formë diç të ndryshuar janë botuar në revistën El-Menar. Më vonë do të botohen edhe në tefsirin El-Menar, me shtesat e tij. Ka shkruar shumë vepra, por më e njohur është Tefsir’ul-menar në shumë vëllime, e cila ka mbetur e papërfunduar[2], Xhuzin Amme, pastaj Risalet’ut-tevhid etj. Puna e tij në tefsir vë theksin në Kur’anin si udhëzim (hidajet), e jo në konstantet tjera stilistike, linguistike, fikhore etj. Ai lufton kundër kazuistikës fikhore dhe mendon se çdo fikh nga e shkuara është vetëm një përpunim i kapërcyer i mesazhit kur’anor. Çdo kohë ka përpunimin e vet të këtij mesazhi dhe me këtë kërkesë ai kërkon aktivizimin e ixhtihadit. Mendon se dyert e ixhtihadit janë të hapura dhe se tërë trashëgimia duhet të interpretohet në dritën e kohës bashkëkohore. Ai mendon se duhet të braktiset imitimi (taklidi), fatalizmi dhe robërimi ndaj autoriteteve të fikhut, në mënyrë që të ofrohet përpunim i ri i mesazhit kur’anor. Ai ka menduar se feja dhe arsyeja mund të bashkëpunojnë, ata nuk janë në konflikt dhe veprojnë prej niveleve të ndryshme. Qasja e tij ishte e re në botën e përgjumur muslimane dhe edhe sot ka nevojë fryma e Abduhusë. Ka qenë ndër dijetarët më të shquar të shekullit XIX, ndër dijetarët më ndikues dhe ithtar i reformizmit të botës muslimane, nga arsimi e nëpër të gjitha fushat tjera. Nëpërmjet revistës El-Menar’ul-xhedid (1998) edhe sot, në shekullin XX-XXI, ende përhapen idetë e tij.
[1] Muhammed Abduhu, Risalet’ut-tevhid, Bejrut, 1994/1414 h.
[2] Tefsir ‘ul-Kur'an-il-Hakim el-Mustahir bi Tefsir ‘il-Menar, 12 vols. with indices, Cairo.