Besimi në melaqe

I. Hyrje

 

Gjatë shekullit XX dhe aktualisht, sidomos në botën evro-perëndimore por edhe te ne, nën ndikimin e laicizmit dhe ...izmave tjerë, besimi në përgjithësi dhe besimi në melaqe veçanërisht, merret si temë e tejkaluar, madje edhe një relikt besëtytnie.[1] Disa të tjerë, gjoja më të arsyeshëm, mendojnë se melaqet paraqesin njëfarë simboli që me përparimin tekniko-teknologjik nuk nevojitet më. Në anën tjetër, pjesa besimore e njerëzve besimin në melaqe (engjëj) e marrim si të vërtetë të pamohueshme, një realitet që nuk kontestohet, kurse refuzuesit e besimit në engjëj i numërojnë si jobesimtarë. Ata i kundërshtojnë mohuesit e melaqeve, duke i akuzuar për mohimin e vlerave hyjnore qysh nga fillimi i njerëzisë.

Besimtarët mendojnë se ekzistenca në rrafshin përfundimtar ndahet në dy grupe:

- Një, në ekzistencë të paraqenë, të pafillim (kadim) dhe në ekzistencë të pasqenë, të pambarim (ezel), që është Allahu xh. sh..

- Dy, në ekzistencë të krijuar (hadith), që përfshin çdo gjë tjetër veç Allahut. Qeniet e krijuara, sërish, ndahen në dy grupe: të dukshme dhe të padukshme. Qeniet e dukshme përbëjnë të gjithë botën e qenieve materiale, ku bën pjesë edhe njeriu. Meqë ekzistenca e tyre nuk diskutohet, ata nuk bëjnë pjesë në fushën e besimit.

Ndërkaq, qeniet e padukshme nuk kanë ndërtim fizik që të perceptohen me shqisa, prandaj edhe i përkasin botës së fshehtë (gajbit). Për këto krijesa mund të mësojmë vetëm nëpërmjet shpalljes (vahjit). Edhe këto krijesa ndahen në krijesa në të larta (ulvi), ku bëjnë pjesë melaqet dhe në krijesa në të ulëta (sufli), ku bëjnë pjesë xhinët dhe shejtanët.[2]

 

II. Bota e melaqeve (engjëjve)

II. 1. Njohuritë elementare për melaqet

 

Besimi në melaqe (engjëjt) është kushti i dytë i besimit islam. Refuzimi i besimit në melaqe, të folurit e shëmtuar për ato apo përbuzja e tyre tërheq mosbesim (kufër). Ky lloj besimi në terminologjinë islame quhet sem’ijjat, që do të thotë “të vërteta besimore islame”, që bazohen në dëshmitë fetarisht të pranuara (el-edil-let’un-naklijjeh) e jo në dëshmitë racionale (el-edil-let’ul-aklijjeh). Por, kjo pjesë e besimit islam në asnjë mënyrë nuk mund të kundërshtohet me mendje të shëndoshë. 

Fjala melek-un (shumësi melâiketun), melaqe, gjuhësisht do të thotë i dërguar, i deleguar, lajmëtar, kasnec, njoftues, përfaqësues, fuqi etj. Në aspektin përmbajtësor melaqe do të thotë qenie shpirtërore, dritësore, qenie e padukshme (që mund të shfaqet me lejen e Krijuesit). Melaqet zbatojnë detyra të vështira e të ndryshme me urdhrin e Allahut; ato nuk kanë gjini dhe nuk e braktisin adhurimin e Allahut.[3]

Imam Maturidiu, imami më i madh i ehlu’s-sunetit, në Risalen e tij të shkurtër Fi’l-akaid, melekët i përkufizon: “Engjëjt (melekët) nuk gabojnë, janë krijuar për përkushtim të plotë Allahut veçse Harutit dhe Marutit”[4], kurse Imam Nesefiu, pasues i shkollës maturidite, melaqet i përkufizon: “Engjëjt janë krijesa të Zotit të madhëruar (ibadullah), të cilët i kryejnë plotësisht urdhrat. Për ta nuk mund të thuhet se janë të gjinisë mashkullore apo femërore.”[5]

Besimi në melaqe nënkupton bindjen e fuqishme se melaqet ekzistojnë, se melaqet janë qenie të krijuara prej nurit (dritës) dhe detyrë e vetme e tyre është t’i zbatojnë urdhrat e Allahut xh. sh. dhe t’i bëjnë ibadet Atij.[6]

Allahu xh. sh. në Kur'an thotë:

 “Pejgamberi beson në atë që i shpallet (Kur’ani) nga Zoti i tij, dhe besimtarët; - të gjithë ata besojnë Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe pejgamberët e Tij: “Ne nuk e dallojmë asnjërin nga pejgamberët e Tij”. (El-Bekare: 285)

 “Nuk është bamirësi të ktheni fytyrat tuaja kah lindja dhe perëndimi, po devotshmëri është ajo e atij që i beson Allahut dhe Ditës së Ahiretit, edhe engjëjve, edhe librave, edhe pejgamberëve ...”. (El-Bekare: 177)

Omeri r. a. transmeton se Xhibrili a. s. e ka pyetur Muhammedin a. s. për imanin, e ai është përgjigjur:

??? : ??????? ?? ??????? ?

??? : ?? ???? ????? ???????? ????? ????? ?????? ????? ????? ?????? ???? ???? .

"Më trego, ç'është imani?" (Pejgamberi) tha: ‘Të besosh Zotin, Engjëjt e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe t’i besosh caktimit që Ai i bën së mirës dhe së keqes."[7]

Mohimi i melaqeve njëherit është edhe mohim i shpalljes, i pejgamberëve, i vetë fesë. Ekzistimi i melaqeve është një e vërtetë fetare dhe çdo dyshim, ofendim apo mosbesim i tyre për pasojë ka mosbesimin.[8] Këtë e pohon edhe Kur’ani në mënyrë të qartë:

"... Kurse ai që mohon Allahun, engjëjt e Tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij dhe botën tjetër, ai ka humbur shumë keq." (En-Nisa': 136)

Nëse do t’u bëhet një analizë ajeteve dhe haditheve që flasin për melaqet, do të shihet se detyrat e tyre janë të ndara kryesisht në tri drejtime: drejt Allahut xh. sh., drejt Kozmosit dhe drejt Njeriut.

Allahu xh. sh. na ka mësuar që ne të dimë t’i pranojmë udhëzimet e shëndosha, t’i pastrojmë shtresimet kohore nga besimi ynë dhe të bëjmë dallimin e të vërtetës nga e pavërteta. Por, njeriu ka edhe kufizime në njohje. Ndër këto kufizime është edhe hollësia e krijimit dhe e vet jetës së melaqeve. Nuk dimë shumë për melaqet, kurse tentimi për të ditur më shumë seç ofron Kur’ani dhe hadithi, do të çonte në lajthitje.[9]

 

II. 2. Veçoritë e melaqeve  

 

Allahu xh. sh. në Kur’an njofton se melaqet janë krijuar para njeriut, d.m.th. para Ademit a. s.:

“Dhe, kur u tha Zoti yt engjëjve: ‘Unë në tokë po bëj një mëkëmbës’.” (El-Bekare: 30)

Aisheja r. a.  transmeton se Pejgamberi a. s. ka thënë se melaqet janë krijuar nga nuri (drita):

"Melaqet janë krijuar nga nuri (drita), xhinët nga zjarri përcëllues, ndërsa Ademi është krijuar nga ajo që tashmë ju është thënë."[10]

Melaqet janë qenie metafizike dhe nuk iu nënshtrohen eksperimenteve shkencore apo observimeve materiale; ekzistimi i tyre nuk mbështetet në arsye dhe prova laboratorike. Ato dalin jashtë sferës së shkencave natyrore, të cilat mbështeten në vëzhgime, eksperimente dhe prova materiale. Disa dijetarë rekomandojmë që t’u shmangemi pyetjeve rreth cilësisë së melaqeve, shpirtërore apo materiale, por fakti se Xhibrili quhet Ruh, jep të kuptojmë se natyra e tyre është ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim.

Melaqet nuk kanë formë materiale, biologjike dhe nuk mund t’i shohim me organet shqisore njerëzore; nuk ushqehen, nuk pinë, nuk flenë, nuk martohen, nuk janë të gjinisë mashkullore dhe femërore, nuk kanë epsh, nuk lodhen, nuk mërziten, nuk mund të gabojnë, nuk kanë rini, as pleqëri; thjesht, nuk kanë cilësi njerëzore. Në rastet kur të jetë nevoja, me lejen e Allahut, ato manifestohen në formën njerëzore:

“Dhe, u fsheh prej tyre, por Ne dërguam tek ajo Xhebrailin dhe ai iu paraqit asaj si njeri i përsosur.” (Merjem: 17)

Këtë e lexojmë edhe nga hadithi i njohur, kur Xhibrili e pyeti Muhammedin a. s.  se ç’është Islami, ç’është imani, ç’është ihsani dhe cilat janë shenjat e fundit të botës.[11]

Muhammedi a. s. pohon se Xhibrilin e ka parë dy herë në formën e tij burimore, siç mund të lexojmë edhe në suren Et-Tekvir: 23 dhe En-Nexhm: 13-15.[12]

Melaqja Xhibril është manifestuar edhe në raste të tjera: para Merjemes në formën e një njeriu të panjohur, para Ibrahimit a. s. me lajmin se ai do të bëhet baba etj.

Allahu xh. sh. nëpërmjet ajetit kur’anor njofton se melaqet kanë krahë, por pa folur me hollësi për cilësitë e tyre:

"Lavdërimi është për Allahun, krijues i qiejve dhe i tokës, i cili i ka bërë engjëjt pejgamberë me nga dy, tre e katër krahë. Ai u shton krijesave ç’të dojë. Allahu, pa dyshim, ka mundësi për gjithçka.” (Fatir: 1)

Në një transmetim Abdullah ibn Mes'udi r. a. e përcjell hadithin në të cilin qëndron se Pejgamberi i Allahut e ka parë Xhibrilin që kishte 600 krahë.[13] Ne e besojmë ekzistimin e krahëve, por nuk hyjmë në cilësinë e tyre, sepse ata nuk janë krahë sikur të zogjve, të shpendëve apo të fluturakeve materiale. Por, duke e pasur parasysh funksionin e tyre, kuptojmë se melaqet janë shumë të fuqishme dhe shumë të shpejta.[14]

Ne i besojmë transmetimet e tilla, por nuk shtrojmë pyetje shtesë, të cilat nuk sjellin ndonjë dobi konkrete për jetën tonë.

 

II. 3. Marrëdhëniet e melaqeve me të tjerët

II. 3. a. Marrëdhëniet e melaqeve  ndaj Allahut xh. sh.

 

Melaqet kanë marrëdhënie absolutisht korrekte ndaj Krijuesit. Plotësisht i nënshtrohen urdhrit të Tij dhe janë në gatishmëri të plotë që t’i binden urdhrit të Tij. Ato nuk adhurojnë diç tjetër pos Allahut. Nuk janë fëmijë të Zotit, as zota të Tij të vegjël, siç pretendojnë idhujtarët e Mekës e të tjerë, por krijesa të krijuara vetëm për ibadet dhe dëgjueshmëri.

Allahu xh. sh. në Kur'an thotë: 

 “Ata thanë: ‘I mëshirshmi ka fëmijë!’ Qoftë i lartësuar Ai! Jo, por janë vetëm robër të nderuar. Që nuk nxitojnë t’ia marrin fjalën dhe ata veprojnë sipas urdhrit të Atij.” (El-Enbija': 26 -27)

Melaqet nuk ndërmarrin asnjë veprim pa lejen e Zotit dhe gjithnjë i përkushtohen ibadetit:

" Nuk është askush prej nesh që nuk e ka vendin e caktuar. Ne gjithsesi jemi të radhitur. Dhe,  ne jemi ata që lavdërojmë.” (Es-Saffat: 164 – 166)

Melaqet janë krijesa dhe ato nuk adhurohen, as që kërkohet ndihmë prej tyre. Sepse, Allahu xh. sh. në Kur'an thotë:

"E as t’ju urdhëroj që engjëjt dhe pejgamberët t’i konsideroni zota. A po ju urdhëron mosbesim, pasi që jeni bërë muslimanë?” (Ali Imran: 80)

 

II. 3. b. Marrëdhëniet e melaqeve ndaj kozmosit

   

Një pjesë e melaqeve i bëjnë ibadet Allahut dhe e madhërojnë Atë. Një pjesë tjetër kujdesen për qeverisjen e kozmosit. Disa kujdesen për Diellin dhe Hënën, disa për yllësitë, për malet, retë, ujin, shiun etj. Çdo gjë ndodh me ligjin e përcaktuar nga Krijuesi dhe çdo gjë i përgjigjet atij.[15]

 

II. 3. c. Marrëdhëniet e melaqeve ndaj krijesave

 

Melaqet kujdesen për të gjitha krijesat, sipas lejes së Allahut. Njeriu në veçanti ka një kujdes të tillë nga melaqet, sidomos t’ia përcjellin udhëzimet e Allahut nëpërmjet pejgamberëve dhe t’i lumturojnë njerëzit në këtë botë dhe t’i ndihmojnë në ibadetin e bërë si shenjë e respektit ndaj Allahut xh. sh., t’i ndihmojnë njeriut në përzgjedhjen e rrugës së drejtë, që e ndan nga lajthitja, që ta braktis të keqen, rrëmujën dhe humbjen.

Allahu xh. sh. në Kur'an thotë:

"Kur’ani është, pa dyshim, shpallje e Zotit të të gjitha botëve. E solli i besuari Xhebrail” (Esh-Shu'ara: 192-193)

“Djalli ju premton varfëri dhe ju urdhëron të bëni paudhësi, por Allahu ju premton falje dhe mirësinë e Tij. Allahu është me dijeni të gjerë.” (El-Bekare: 268)

Kemi melaqe me detyrë që ta mbajnë Arshin dhe ta lartësojnë Zotin, por edhe të luten për besimtarët, për mëkatet e tyre:

"Ata (engjëjt) të cilët mbajnë Arshin, edhe ata që janë rreth tij, lartësojnë dhe lavdërojnë Zotin e vet, i besojnë Atij dhe e lusin t’i falë besimtarët...". (El-Mu'min: 7)

Kemi melaqe që e nxisin njeriun në ibadet, në lexim të Kur’anit dhe të dhikrit, në arritjen e dijes dhe në bërjen e punëve të mira. Pejgamberi a. s. thotë:

"Nuk ka njeri i cili del nga shtëpia e tij duke kërkuar dije e që melaqet mos t’ia shtrijnë krahët e tyre, të kënaqura me atë që ata e bëjnë.” (Tirmidhiu: Kitab’ul-ilm, Ibn Maxhe: Kitab’ul-mukaddime).

Melaqet ndërmjetësojnë (bëjnë shefat) për njeriun tek Allahu xh. sh. Melaqe të caktuara ndihmojnë njerëzit në punët e mira, e sidomos në xhihad:

"Kur Zoti yt u shpalli engjëjve: ‘Unë jam me ju, andaj inkurajoni ata që besojnë!’ Unë do t’i mbush me frikë zemrat e jobesimtarëve, andaj ju mëshoni kresë dhe gishtërinjve.” (El-Enfal: 12)

Disa prej melaqeve e përcjellin njeriun dhe shënojnë çdo gjë që ai bën:

“Dhe mbi ju, me siguri, vigjilojnë. Shkrues fisnikë. Të cilët dinë se çka punoni.” (El-Infitar: 10-12)

"Ose mendojnë se Ne nuk dëgjojmë fshehtësinë dhe pëshpëritjet e tyre. Po, si jo! Kurse të deleguarit tanë që janë pranë tyre shkruajnë.” (Ez-Zuhruf: 80)[16]

 

II. 3. ç. Krahasimi i melaqeve me njerëzit

 

Sikurse njerëzit, edhe melaqet kanë dallime mes tyre. Ato nuk janë të njëjta: ka më të përzgjedhura dhe më pak të përzgjedhura, por ka edhe melaqe të zakonshme. Edhe pse të dy krijesat janë të Allahut (ibad’ur-Rrahman), megjithatë ka disa dallime. Nga një anë, melaqet kanë një natyrë, atë të mirën dhe mund të bëjnë vetëm mirë dhe kurrsesi nuk mund të bëjnë keq. Melaqet janë të krijuara nga shpirti i përkryer (kamil) dhe abstrakt, se pejgamberët kanë marrë mësim nga melaqet përmes shpalljes, se në ajete dhe hadithe melaqet përmenden gjithnjë para pejgambereve. Kjo i ka shtyrë grupit mu’tezilitët dhe kaderitët të pohojnë se melaqet janë më të mira krahasuar me njerëzit. Në anën tjetër, duke analizuar aspektet e njeriut, se njerëzit kanë natyrë të dyfishtë: të mirë dhe të keqe dhe mund të bëjnë mirë dhe keq. Pastaj, në të mirë kanë përkrahjen edhe të melaqeve por në të keqe kanë nxitjen e shejtanëve, në luftë kundër të keqes njeriu duhet të ngadhënjejë epshin, negativitetet dhe të jetojë në pajtim me urdhrat e Krijuesit, mundësia e bërjes së gabimit nga njeriu dhe mundësia e të mësuarit të njeriut nga njeriu, e ka shtyrë ehlu’s-sunetin dhe xhematin, e sidomos shkollën më të madhe, maturidite, që ta konsiderojë njeriun si qenien më të mirë.[17] Në fund të fundit, këtë e tregon Kur’ani kur e urdhëroi botën e melaqeve t’i bëjë sexhde Ademit, duke e cilësuar njeriun halif, zëvendës të Tij në Tokë.[18]

 

II. 4. Detyrat dhe llojet e melaqeve të njohura

 

Melaqet, sikurse edhe njerëzit e krijesat e tjera, janë shumëllojëshe, apo shumënivelëshe. Kemi melaqe të mira e më të mira. Melaqet e zgjedhura quhen el-melâiket’ul-mukarrebûn.[19] Dijetarët e besimit kur krahasojnë vlerën e njeriut dhe të melaqeve, thonë se njeriu i zakonshëm është më i mirë se melaqja e zakonshme, mirëpo melaqja e zgjedhur është më e mirë se njeriu i zakonshëm.

Sipas vendndodhjes melaqet ndahen në tre grupe: melaqe tokësore (erdij), melaqe qiellore (semavij) dhe melaqe pronësore (arshij).[20]

Numri i melaqeve është shumë i madh, nuk dihet sa janë me saktësi dhe kjo mbetet sekret i Allahut xh. sh.[21] Megjithatë, disa prej tyre i dimë edhe me emra:

Xhibrili: Në disa vende do ta lexojmë Xhebrail ose El-Emin (i besueshmi). Në Kur’an përmendet tri herë me këtë emër, por përdoren edhe cilësime të tjera si: er-rruh, ruhana, resulun kerim, resuli rabbik, ruh’ul-emin, ruh’ul-kudus.[22] Meqë Xhibrili është më i madhi, më i shquari dhe më i afërmi me Zotin, ai është quajtur edhe Xhejjid’ul-melaikeh (Zotëria i engjëjve). Kuptimi i emrit është rob i Allahut (Abdullah) dhe fuqi e Allahut (xhebrullah); ka kuptimin edhe të fuqisë së pangadhënjyeshme dhe pozitë e lartë tek Allahu. (Et-Tekvir, 19-20). Ai gjatë historisë ka sjellë shpalljet dhe urdhrat te pejgamberët.

Mikaili: Emri i Xhibrilit dhe Mikailit përmendet vetëm një herë në Kur’an, në ajetin ku flitet për armiqtë e Allahut, të melaqeve, pejgamberëve (El-Bekare, 98). Edhe në hadith për të flitet shumë pak. Ai është administrues i të mirave (nafakës) dhe furnizues për botën i krijesave, pastaj menaxhon dukuritë natyrore në gjithësi, si shiun, erërat, thatësinë dhe gjërat e tjera që e (ç)rregullojnë jetën e njerëzve.

Melek’ul-mevti (Azraili): Melaqja e vdekjes, apo siç e njohim ne me emrin Azrail, i cili me lejen e Zotit i vdes qeniet e gjalla kur përmbushet afati i jetës së tyre. Në Kur’an (Es-Sexhde, 11) dhe në hadithet autentike nuk përmendet me emrin Azrail. Edhe pse përmendet në njëjës, mendohet se jeleku i vdekjes është në numër të mjaftueshëm për ta kryer detyrën e përcaktuar. Imam Tahaviu Azrailin e quan “Meleku i vdekjes”, i cili është “i obliguar t’i merr shpirtrat të gjitha krijsave.”[23]

Israfili: Kjo melaqe nuk përmendet drejtpërdrejt në Kur’an, por vetëm tërthorazi dhe këtë në suren Kaf, 41-42, sepse atje quhet El-Munadi (Thirrësi). Ajo ka për detyrë që së pari t’i fryjë Surit (borisë, bririt) me rastin e shkatërrimit të botës, kur do të  tronditet gjithçka që është në qiell e në tokë – me përjashtim të personave që do Allahu, do të zhbëhet e do të ngrehen prej varrezave dhe së dyti, me rastin e ringjalljes, kur njerëzit do të ringjallen prej varrezave dhe do të vrapojnë drejt vendtubimit (mahsher).

El-Kiram’ul-katibun-ët: Ato quhen shkrues të ndershëm, sepse i shkruajnë veprat e mira dhe të këqija të çdo njeriu (njëra në krahun e djathtë dhe merret me veprat e mira dhe tjetra në krahun e majtë dhe merret me veprat e këqija) dhe do t’i prezantojnë ato në Ditën e Gjykimit. Ndryshe quhen edhe “engjëj të kujtesës”. Për këtë lloj melaqesh Kur’ani flet në shumë vende. Këto melaqe na përcjellin rregullisht, shënojnë çdo vepër njerëzore. Si bëhet shkrimi dhe vetë mjetet e shkrimit janë të panjohura për njerëzit.

Munkiri dhe Nekiri: Janë dy melaqe të cilat do ta marrin në pyetje njeriun pas vdekjes për veprat e bëra, në periudhën e berzahut, përkatësisht menjëherë pas varrosjes. Njerëzit e mirë do ta kalojnë këtë kohë shpejt e lehtë ndërsa mëkatarët dhe jobesimtarët do t’i nënshtrohet pyetjeve dhe vështirësive të varrit. Të vdekurit do t’i paraqiten në formë të paparë më parë me pyetjet rreth Zotit dhe të vërtetave të besimit.

Mukarrebunët (Engjëjt e afërt): Këto melaqe quhen edhe Il-lijjûn (më të lartat) dhe kerubijjûn (më të afërtat), qëndrojnë pranë Allahut xh. sh.

Hamelet’ul-Arshi (Bartësit e Arshit): Këta janë engjëjt që bartin Arshin (Gafir, 7-9). Kur’ani thotë se ata janë tetë (El-Hakkah, 17), por nuk dimë asgjë më shumë, sikur që nuk dimë më shumë as për numrin e melaqeve që do ta mbushin hapësirën përreth Fronit.

Hazenet’ul-xhenneti ve’l-xhehennemi (Ruajtësit e xhenetit dhe xhehenemit -Ridvani dhe Maliku): Kemi edhe melaqe që kujdesen për mbarëvajtjen e punëve të xhenetit dhe të xhehenemit. Numri i melaqeve të xhenetit është shumë i madh dhe u shërbejnë besimtarëve aty. Kreu i tyre quhet Ridvan. Melaqet e xhehenemit ose zebanijët do t’i presin jobesimtarët në xhehenem dhe do t’i ndëshkojnë. Prijësi i tyre quhet Malik.

Haruti dhe Maruti: Mendohet se janë melaqe të dërguara në Babiloni, si sprovë për njerëzit për një periudhë, për t’ua tërhequr vërejtjen popullit të Babilonisë nga ligësitë, në veçanti nga magjia si dhe për ta frymëzuar të mirën. Nuk është e vërtetë se këta dy engjëj kanë gabuar, por populli i tyre ka shfrytëzuar disa frymëzime nga këta dy engjëj për t’i shfrytëzuar për gjera të liga e të shëmtuara. Insinuata ndaj tyre është produkt i ndikimeve israiliane.[24]

 

II. 5. Dobia e besimit në melaqe 

 

Besimi në melaqe pa dyshim ka dobi të shumta për njeriun, ndonëse urtësinë e plotë e di vetëm Allahu xh. sh.. Ekzistimi i disa gjërave sekrete lidhur me melaqet është nga mëshira e Tij për njerëzit dhe në këtë sekret fshihen urtësi dhe dobi për njeriun. Ndër dobitë dhe urtësitë e shumta për jetën e njeriut janë:

- Vetëdija e njeriut për vëzhgimin e njeriut nga ana e melaqeve dhe vetëdija se ato shkruajnë çdo gjë të mirë e të keqe dhe e ndërgjegjësojnë njeriun që të sillet më mirë, pikërisht sikur kur jemi në dijeni se përcillemi nga kamerat vëzhguese në ndonjë objekt apo hapësirë të caktuar. Në këtë mënyrë njeriu shmanget nga të këqijat, kurse e rrit të mirën.

- Këmbëngulësia e njeriut në rrugën e Zotit, duke i imituar melaqet, ndikon që njeriu t’i pakësojë të këqijat dhe t’i shtojë të mirat. Kur njeriu ndihet afër melaqeve, ai medoemos përpiqet të bëhet i dobishëm dhe në pajtim me rrugën e Zotit. Njeriu, i vetëdijshëm se po përcillet nga melaqet dhe se ato gjenden pranë tij, turpërohet nga Allahu dhe prania e melaqeve, publikisht apo privatisht, për çdo fjalë apo veprim.

- Vetëdija se melaqet i kemi pranë na bën të durueshëm para vështirësive, sidomos para tmerrit të luftës, por edhe para joshjeve amorale apo para lakmisë materiale. Njeriu në këtë rast e di se nuk është i vetmuar, se ka ndihmën e melaqeve (siç ka ndodhur në Bedër etj.) dhe sillet konform rregullave islame.[25]

- Detyra e melaqeve kryesisht ishte sjellja e mesazheve hyjnore, e njëkohësisht përmbushja e urdhrave të Allahut. Mesazhi nuk duhet kuptuar në kuptimin e ngushtë, thjesht si libër i Zotit, por edhe në forma të ndryshme, me synim të udhëzimit të njerëzve. Mesazhi ndonjëherë është vetë njeriu, ndonjëherë vetë ndodhia konkrete, ndonjëherë shenjë e Zotit.... të gjitha këto shenja nëse shikohen në dritën e monoteizmit përfundojmë se engjëjt luajnë rolin e ndërmjetësuesve midis universit të dukshëm dhe vetë Zotit.[26]

 

III. Qeniet e tjera që nuk perceptohen fizikisht

 

Përveç melaqeve, kemi edhe disa krijesa të tjera të cilat nuk shihen, nuk preken dhe nuk dëgjohen. Ekzistimi i tyre është i vërtetë, kurse mohimi i tyre na çon në mosbesim. Ndër këto qenie është edhe bota e xhinëve dhe e shejtanëve.

 

III. 1. Bota e xhinëve

 

Përveç botës së njerëzve, Allahu xh. sh. ka krijuar edhe krijesa tjera, të dukshme e të padukshme, metafizike dhe jolëndore. Për disa prej këto krijesa vetëm kemi dëgjuar, mirëpo nuk i kemi parë, sepse ato nuk janë të dukshme për njerëzit në formën e tyre burimore. Krijesa të tilla, krahas melaqeve, janë edhe xhinët.

Fjala “xhinn” (në fjalorin popullor: xhind) në kuptimin gjuhësor do të thotë “qenie e mbuluar”, “gjë e padukshme”, “e mbyllur”, “e fshehtë”, kurse në kuptimin përmbajtësor “xhinn” do të thotë “qenie shpirtërore, e tejdukshme, e fshehtë, e krijuar prej zjarrit, e paperceptueshme me anë të organeve të shqisave, që mund të marrë trajta të ndryshme e që mban përgjegjësi para Allahut për sjelljet e veta”.

Kur’ani ofron të dhëna të sakta, duke thënë se xhinët janë të krijuar prej zjarrit të pastër, se janë krijuar para njeriut, se xhinët na shohin neve e jo ne xhinët, se xhinët kanë detyrime dhe obligime sikurse edhe bota e njerëzve, do të japin llogari para Krijuesit, do të shpërblehen apo do të ndëshkohen, për pejgamber e kanë Muhammedin a. s.  etj.[27]

Kur’ani më tej thotë se xhinët, respektivisht një pjesë e tyre, janë të mirë, të përgjegjshëm dhe do të shpërblehen me xhenet e do të kënaqen bashkë me njerëzit, ndërsa disa janë mëkatarë dhe të këqij e do të jenë në xhehenem dhe do të ndëshkohen me xhehenem bashkë me njerëzit. Mendohet se shumica e xhinëve janë të këqij. Po këtë e kemi edhe në botën njerëzore. Xhinët ushqehen, pinë, kanë gjini, shumëzohen, lindin, rriten, plaken dhe vdesin, por jetojnë shumë më gjatë se njerëzit. Kanë aftësi të futen nëpër ngushti të ndryshme, e madje edhe në trup të njeriut duke ndikuar negativisht te njeriu.[28]

Allahu ia nënshtroi xhinët Sulejmanit a. s., kurse ai i vuri në veprim dhe komunikonte me ta. Por, kjo nuk do të thotë se xhinët nuk i dinë çështjet sekrete (gajb). Bindja te disa njerëz se xhinët i dinë çështjet sekrete, buron nga fakti se xhinët janë të padukshëm dhe i dinë disa gjëra rreth neve njerëzve. Ata janë jetëgjatë, mund të qëndrojnë të padukshëm pranë dikujt, të dëgjojnë bisedat dhe planifikimet e tyre dhe t’ia komunikojnë lajmet “sekrete” njeriut në kontakt me ta. Allahu xh. sh. në Kur’an thotë lidhur me këtë:

“Dhe, kur vendosëm për vdekjen e tij, për vdekjen e tij nuk i njoftoi askush përveç ‘Dabbet’ul- erdit’ (krimbit) që hante shkopin e tij dhe kur ai u rrëzua, xhinët e kuptuan se sikur ta dinin fshehtësinë, nuk do t’i ekspozoheshin dënimit të turpshëm.” (Sebe’e, 14)

Megjithë faktin se xhinët mund t’i bëjnë dëm njeriut, Islami na porosit se besimtari i mirë vështirë mund të pësojë dëme. Lidhur me këtë Pejgamberi i Allahut, si mbrojtje, porosit leximin e Ajet’ul-kursisë dhe suret El-Felek dhe En-Nas kundër ndikimit të xhinëve mbi njeriun.[29]

Si përfundim do të themi se marrëdhëniet njeri-xhin nuk janë të natyrës fizike,  por janë të natyrës së ngacmimit, shqetësimit, informimit dhe frymëzimit ideor. Madje, as bindja e disa dijetarëve dhe bindja popullore se mund të ketë martesë mes njeriut dhe xhinit nuk është e qëndrueshme, sepse përbërja dhe ndërtimi i këtyre krijesave është ndryshe, e botëve të ndryshme dhe si e tillë është e paqëndrueshme.[30]

 

III. 1. a) Kur’ani dëshmon për ekzistimin e xhinëve

 

Në Kur’an kemi një sure të tërë, prej 28 ajeteve, që flet për xhinët. Dihet se fjala xhin është theksuar njëzet e dy herë në Kur’an, kurse po kjo fjalë është theksuar në shumës në shtatë vende.[31]

Ja disa nga këto ajete:

"Ndërsa xhinët, qysh më parë i kemi krijuar nga zjarri përcëllues (semum).” (El-Hixhr: 27)

Xhinët i krijoi prej flakës pa tym të zjarrit.” (Er-Rrahman, 15)

"Ndërsa xhinët dhe njerëzit nuk i kam krijuar për tjetër vetëm se të më adhurojnë." (Edh-Dharijat: 56)

"Dhe, me siguri në mesin tonë ka të mirë, por ka edhe të tjerë që nuk janë kështu; kemi qenë drejtimesh të ndryshme... Dhe prej nesh ka muslimanë, edhe të padrejtë ka, prandaj kush e përqafon Islamin, ata kanë zgjedhur rrugën e vërtetë.” (El-Xhinn: 11 dhe 14)

"O bashkësi e xhinëve dhe e njerëzve, a nuk ju kanë ardhur juve, nga radhët tuaja, të dërguar që ju kanë treguar argumentet e mia dhe jua kanë tërhequr vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?….” (El-En'am: 130)

 

III. 1. b. Hadithet dëshmojnë për ekzistimin e xhinëve

 

Muhammedi a. s. ishte pejgamber edhe për xhinët, prandaj edhe quhet “Resul’uth-thekalejni” (I Dërguari i dy grupeve).

Ibni Mes'udi r. a. thotë:

"Një natë ishim bashkë me të dërguarin e Allahut. E humbëm atë. E kërkuam nëpër lugina e kodrina, duke thënë: ‘Është zhdukur apo është vrarë!’ E kaluam natën aty; ishte nata më e keqe që dikush mund ta kalonte . Kur u gdhi, e pamë  sesi Pejgamberi a. s.   kthehej nga shpella. I thamë atij: ‘O pejgamber i Zotit, të humbëm, por edhe të kërkuam. E kemi kaluar këtu natën më të keqe  që mund të kalohet’. Ai tha: ‘Më erdhi xhini dhe më ftoi të shkoja me të. Shkova dhe iu lexova atyre Kur’an.’ Pejgamberi a. s. na mori me vete dhe na i tregoi gjurmët e xhinëve dhe gjurmët e zjarrit të tyre.”[32]

Ibnu Seid El-Hudrijj r. a. transmeton dhe thotë: “Më ka thënë Pejgamberi i Allahut a. s.: ‘Vërej se i do kafshët dhe shkretëtirën dhe, kur të jesh me kafshët në shkretëtirë dhe e lexon ezanin, ngre zërin tënd, sepse kushdo që e dëgjon zërin e myezinit, qoftë xhin apo njeri, apo çkadoqoftë, do t’i dëshmojë atij në Ditën e Gjykimit’.”[33]

 

III. 2. Shejtanët (djajtë)

 

Termi shejtân (shumësi shejâtîn) rrjedh nga fjala arabe shatn me kuptimet: qëndroj larg, kundërshtoj, hyj në dhé dhe lidh me pe; ose nga fjala arabe shajt me kuptimet digjem dhe zhdukem.[34]

 Shejtanët[35] janë një lloj i veçantë i xhinëve, i cili lloj karakterizohet me harbutëri e injorancë dhe janë jobesimtarë. Edhe pse shejtanët janë të padukshëm ata ekzistojnë realisht, të mbërthyer në rebelim dhe të këqija, mendjemëdhenj që mundohen ta lajthisin njeriun në humbje. Babai i tyre është Iblisi. Disa dijetarë thonë se Iblisi është prej melaqeve (si Ibn Abbasi, Ibn Mes’udi etj.), por mendimi i drejtë është ai se shejtani është prej xhinëve (Hasan El-Basriu, Seid ibn Xhubejri etj.).[36] Arsyeja që ndodhi kjo ngatërresë është ngase shejtani numërohej nga radhët e melaqeve, sepse i ishte përkushtuar adhurimit të Zotit dhe respektohej nga të tjerët. Mirëpo, këtë prestigj të tij e asgjësoi duke u ngritur kundër urdhrit të Allahut që t’i bëjë sexhde (përulje) njeriut.

Lidhur me natyrën e shejtanit (djallit) dijetarët kanë mendime të ndryshme. Kelamistët mendojnë se shejtani është një krijesë delikate, ndërsa filozofët mendojnë se është një shpirt abstrakt. Sufijtë kanë tre mendime: njëri grup i tyre është me kelamistët, tjetri me filozofët e grupi i tretë mendon se shejtani është një frymë i vendosur në çdo shpirt njerëzor.[37] Por, mendimi zotërues është se shejtani është një qenie reale, nga familja e xhinëve, i rebeluar për shkak të mosbindjes dhe i larguar nga mëshira e Krijuesit, me të drejtë që deri në Ditën e Fundit (jevm’us-saah) të veprojë në dëm të njeriut.

Ja si e sqaron Kur’ani çështjen e shejtanit (të djallit):

  1. Allahu xh. sh. në Kur'an e thotë qartë:

"Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit; ai ishte nga xhinët, dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet....” (El-Kehf: 50)

2. Iblisi bëri mëkat ndaj urdhrit të Krijuesit të tij, kurse melaqet  ...

"... Nuk i kundërvihen asaj që i urdhëron Allahu dhe veprojnë si janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim: 6)

3. Kur'ani qartë thotë se shejtanët janë krijuar prej zjarrit:

 “Ai tha: ‘Unë jam më i mirë se ai’ – U përgjigj: ‘Mua më krijove nga zjarri e atë nga balta’.” (El-A'raf: 12)

Njerëzit e kanë kundërshtarin e tyre më të egër te shejtani. Ai e mashtroi njeriun qysh në xhenet dhe e pengon atë që të kthehet në xhenet. Përkundër këtij fakti, një pjesë e njerëzve e ndjekin rrugën e tij mashtruese. Por, shejtani nuk ka fuqi absolute dhe mashtrimi i tij mund të refuzohet, sepse ndikimi i tij bëhet nga jashtë e jo nga brenda. Karakteristikë tjetër e shejtanit është se ai i përçmon miqtë dhe pasuesit e tij dhe i braktis në çastet më të vështira.

Shejtanët shumëzohen, kanë pasardhës dhe të gjithë janë pasardhës të Iblisit.[38]

 

III. 2. a. Kur'ani për shejtanët

 

Allahu nëpërmjet disa ajeteve kur’anore tregon natyrën dhe fytyrën e vërtetë të tyre, tërësisht destruktive dhe e mbrapshtë:

“... Po ju atë dhe kotillën e tij, duke qenë Unë, do ta merrni si mik e ata janë armiq tuaj? Çfarë këmbimi i keq është për jobesimtarët!" (El-Kehf: 50)

"Djalli ju premton varfëri dhe ju urdhëron të bëni paudhësi ...”. (El-Bekare: 268)

"Djalli dëshiron që me anë të alkoolit dhe të lojës me fat (bixhozit) të fut  ndërmjet jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe falja e namazit. Ani, a po hiqni dorë?" (El-Maide: 91)

"O bijtë e Ademit! Të mos ju mashtrojë assesi djalli siç i nxori nga xheneti prindërit tuaj, duke ua zhveshur atyre rrobat që t’u shihen vendet e turpshme! Ai ju sheh, ai dhe argatët e tij, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë miq të atyre që nuk besojnë.” (El-A'raf: 27)

"O besimtarë, mos i ndiqni gjurmët e djallit! Atë që shkon gjurmëve të djallit, ai e shpie në theqafje dhe amoralitet…” (En-Nur: 21)

 

III. 2. b. Hadithet për shejtanët

 

Nuk janë të pakta hadithet që e trajtojnë temën e shejtanëve. Në vazhdim do t’i cekim vetëm disa për të treguar natyrën e mirëfilltë të tyre:

??????? ?????????? ?????? ?????? ???????? ????????? ????? ???????????? ???????? ???? ???????????? ???????? ???????

Pejgamberi a. s.  ka thënë: "Vërtet shejtani lëviz nëpër enët e gjakut të njeriut sikurse që rrjedh gjaku." [39]

Pejgamberi a. s. ka thënë:

?????????? ?????? ??????? ???????? ????????? ??????? ?????????? ???? ??????? ??????????? ???? ???????????? ??????? ????? ?????????? ??????? ?????????? ???????????? ????? ???????????? ??????? ???????? ????????????? ???? ???????? ?????????? ??? ?????????

“Pejgamberi i Allahut ka thënë: ‘Ëndrra e mirë është prej Allahut, ndërsa ëndrra e keqe është prej shejtanit. Dhe kush sheh në ëndërr diç të keqe, tri herë le të pështyjë në anën e tij të majtë dhe le të kërkojë ndihmë tek Allahu. Kjo ëndërr nuk do t’i bëjë dëm’.”[40]

Në fund të shqyrtimit të çështjes së shejtanit mund të përfundojmë se në këtë botë njerëzit do të pengohen dhe do të largohen nga e vërteta prej shejtanit, por në ahiret shejtani do t’i braktis viktimat e tij.[41]

 

IV. Në fund

 

Besimi në melaqe dhe në krijesat tjera të padukshme bazohet në Kur’an dhe në hadithe të shumta të besueshme. Përkundër këtij fakti, njerëzit dinë pak për këtë botë krijesash. Çdo përpjekje jona për të mësuar për melaqet duhet të bazohet në Kur’an dhe hadith. Përshkrimet që gjenden nëpër literaturë për melaqet e që nuk kanë bazë të fuqishme fetare nuk duhet t’i besojmë. Çdo mosbesim, përbuzje apo ligjërim negativ të krijesave të padukshme, pa prova islame, çon në lajthitje. Muslimanët e mirëfilltë pa mëdyshje kanë besuar gjerat kryesore për melaqet pa hyrë në hollësi e interpretime.

Përkundër të gjitha udhëzimeve, mund të përfundohet se:

1. Melaqet janë robër të Allahut, nuk janë fëmijë të Tij, as nuk janë zota përveç Tij, siç pretendonin arabët dhe popuj tjerë.

2. Melaqet u përmbahen urdhrave të Allahut, nuk e kundërshtojnë Atë në asnjë çështje dhe nuk anojnë që të bëjnë ndonjë ndalesë. Ato adhurojnë vazhdimisht dhe bëjnë dhiar duke e falënderuar Krijuesin.

3. Melaqet kanë nga dy, tre, katër palë krahë. Por, ne nuk dimë për cilësinë dhe formën e tyre.

4. Melaqet edhe pse nuk shihen me sy, Allahu u ka dhënë mundësi që ato të shndërrohen në trupa të ngurtë në raste të caktuara. Është kusht që çdo muslimanë t’i besojë ato me të gjitha përshkrimet që u bëhen në Kur’an dhe hadithi.[42]

 



[1] Bosht i këtij shkrimi është: Nexhat Ibrahimi, Bazat e besimit islam, Shkup, 2012, fq. 85-104.

[2] Iljaz Çelebi, Engjejt, në: Bekir Topaloglu etj., Bazat e besimit, Prishtinë, 2002,  fq. 177.

[3] El-Eshkar, Svijet meleka, Novi Pazar, 2007, fq. 5-6; Iljaz Çelebi, po aty,  fq. 178.

[4] Sipas: Imam El-Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Parathënie, përkthimi dhe komenti: Nexhat Ibrahimi, Prishtinë, 2003, fq. 82. (Shih shpjegimin për Harutin dhe Marutin tek: A. Saim Kilavuz, Hyrje në apologjetikën islame, Shkup, 2014, fq. 192-196.

[5] Imam Nesefiu, Akaidi Islam – Akaid’us-nesefijjeh, Parathënie, përkthimi dhe komenti: Nexhat Ibrahimi, Prizren, 2003, fq. 37.

[6] Afif Abdulfettah Tabbareh, Ruhu’d-din’il-islamij, botimi IX, Bejrut, 1972, fq. 138-139. Një paraqitje të shkurtër e të saktë rreth engjëjve lexojeni në: Orhan Bislimaj, Besimi i drejtë, Prishtinë, 2010, fq. 135-139.

[7] Nexhat Ibrahimi, Vepra 2, Shkup, 2009, fq. 355-359.

[8] A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 188.

[9] Afif Abdulfettah Tabbareh, po aty, fq. 139.

[10] Sahihu i Muslimit: Kitab‘uz-zuhd ve’r-rrekaik.

[11] Nexhat Ibrahimi, Vepra 2, po aty, fq. 345-250.

[12] El-Eshkar, Svijet meleka, po aty, fq. 11.

[13] Sahihu i Buhariut: Kitab bid'ul-halk, Sahihu i Muslimit: Kitab’ul-iman.

[14] Shih suret: El-Hakka: 17 dhe El-Mearixh: 4; El-Eshkar, Svijet meleka, po aty, fq. 16.

[15] Muhammed Naim Jasin, Besimi (bazat – esenca – negacioni), pa vit e vend botimi, fq. 44.

[16] Naim Jasin, po aty, fq.44-50.

[17] El-Bezdevij, Kitabu Usul’id-din, përgatitja e Hans Peter Lins, Kajro, 1963/ 1383 h., fq. 199-200.

[18] Mevlana Halid Bagdadi, Kur’an o melekima, Beograd, 1999, fq. 34-35; Iljaz Çelebi, po aty, fq. 191. A. Saim Kilavuz, po aty, fq.196-197.

[19] Mevlana Halid Bagdadi, po aty, fq. 16 e tutje.

[20] Sipas: A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 192.

[21] Naim Jasin, po aty, fq. 50.

[22] Mevlana Halid Bagdadi, po aty, fq. 17. Për Xhibrilin në shumë ajete flet Kur’ani në kontekste të ndryshme: 2, 97-98; 66, 4; 81, 19-21; 2, 87; 5, 110; 26, 193; 19, 17 etj.

[23] Bajazid Nicevic, Tahavijeva poslanica iz Akaida, Novi Pazar, 2013, fq. 77.

[24] Autori Mevlana Halid Bagdadi përmend emrat edhe të shumë melaqeve, por për shkak të hapësirës ne nuk do t’i përmendim veç e veç. Shih: Mevlana Halid Bagdadi, po aty, fq. 16-34. A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 192-196.

[25] Naim Jasin, po aty, fq. 55-56.

[26] Sachiko Murata & William C. Chittick, Vizioni i Islamit, Tiranë, 2007, fq. 156-158.

[27] Udhërrëfyesi i një muslimani, Ilmihali I (Besimi), Tiranë, 2008, fq. 113-115.

[28] Et-Taftazani, Sherh’ul-mekasid, II, Dar’ul-kutub, Bejrut, 1998, fq. 40-41, sipas; Iljaz Çelebi, po aty, fq. 198. Ose: http://www.scribd.com/doc/119179814/Taftazani-Sharh-al-Maqasid-2.

[29] Buhariu, Vekale, 10.

[30] Iljaz Çelebi, po aty, fq. 198.

[31] Vehid Abdus-Selam Bali, Oštri ma? u borbi protiv zlih sihirbaza, Tešanj, 1998, fq. 14.

[32] Muslimi: Kitab’us-salah.

[33] Buhariu: Kitab’ul-edhan; Nesaiu: Kitab’ul-edhan; Malik: Kitab’un-nida' li’s-salah.

[34] A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 202.

[35] Është interesant mendimi i Maturidiut i cili thotë se: “Djajtë (shejtanët) bëjnë keq, veçse njërit, i cili e pranoi Islamin e ai është Hanimete b. Hajjim b. Lakis b. Iblis.” Sipas: Imam El-Maturidiu, po aty, fq. 82.

[36] A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 202.

[37] A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 206.

[38] A. Saim Kilavuz, po aty, fq. 202-207.

[39] Buhariu: Kitab’ul-i'tikaf, Muslimi: Kitab’us-selam.

[40] Buhariu: Kitab’ut-tibb; Muslimi: Kitab’ur-rru'ja.

[41] Iljaz Çelebi, po aty, fq. 192-194.

[42] Shih: El-Buti, Të vërtetat e patundshme  të besimit islam, Tetovë, 2004, fq. 275-276.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme