Biografia e Raziut[1]

Ebu Abdullah Muhammed ibn Umar Fahruddin er-Razi është i lindur në vitin 544/1149 në qytetin Rejj tek predikuesi kryesor i qytetit, prej nga e mori nofkën “Ibn Hatib el-Rejj” (i biri i ligjëruesit të Rejj-it) ose më së shpeshti “Ibn Hatib”. Babai i tij  Dijauddini (vd. 556H/1164), një shafij dhe esharij[2] i dalluar, ishte mësuesi i parë i Fahruddinit në kelam dhe fikh.[3] Raziu kështu filloi si një esharij tradicional, siç tregojnë qartazi librat e tij më të hershëm. Në mesin e atyre që ai ka studiuar pasi ndërroi jetë babai i tij janë Ahmed ibn Zarinkum el-Kemal es-Simnani nga Simnani, jo shumë larg prej Rejjit, dhe pastaj filozofi-teologu i famshëm Mexhduddin el-Xhili nga Maragha në Azerbajxhan, i cili ishte nxënës i Muhammed ibn Jahja ej-Nejseburit (vd. 548H/1153), nxënësi i el-Ghazaliut (vd. 505H/1111). Thuhet që pastaj ai vazhdoi të studiojë shkencat filozofike në mënyrë të pavarur.[4]

Raziu udhëtoi në shumë vende gjatë jetës së tij, kryesisht në Persi, pjesë të Azisë qendrore dhe në Indinë veriore.[5] Në një periudhë në udhëtimet e tij ai vendosi lidhje të afërme me sulltanin Ghurid, Ghijathudin (vd. 559H/1203) nga Ghazna, dhe thuhet se punoi për të, dhe pastaj për vëllanë dhe trashëgimtarin e tij, Shihabuddinin (vd. 602H/1206). Më vonë, duke mbajtur lidhje të mirë me Ghuridët, ai u bë i afërt me kundërshtarin e tyre Shah Alauddin Tekesh (vd. 596H/1200), punoi për të, dhe e mësoi të birin e tij, Muhamedin (vd. 617H/1219). Kur ky i fundit trashëgoi sulltanatin, statusi i Raziut u rrit ndjeshëm. Siç duket, ndonëse Raziu në fillim ishte i varfër,[6] ai fitoi pasuri të madhe më vonë, mbase për shkak të lidhjeve të tij me njerëzit e mëdhenj. Në Herat, sulltani ghurid i ndërtoi atij një shkollë ku ai mësoi një numër të madh nxënësish.

            Të dhënat e tregimeve të tij janë po ashtu të përcjella me debate që ai kishte me simpatizuesë të shkollave të ndryshme teologjike, në veçanti me keramitët,[7] mu’tezilitët dhe hanbelitët. Aftësitë e tij për debat i sollën atij famë. Ai shënon disa prej debateve të tij në një koleksion të ndarë, Munadharat, ndërsa të tjerat janë nga burime tjera të mëvonshme.[8] Në një rast, në një debat që ai kishte me kreun e keramitëve në Firuzkoh rezultoi në një trazirë që e detyroi atë të largohet.[9] Masa e armiqësisë që ky sekt kishte ndaj tij ishte e tillë sa që në amanetin e tij para vdekjes, ai kërkoi që trupi i tij të varroset në fshehtësi në një vend të largët, me sa duket për shkak të frikës që përkrahësit e këtij sekti mund ta zhvarrosin trupin dhe ta masakrojnë atë. Raziu ndërroi jetë në vitin 606H/1210 në Herat.

 

Zhvillimi i mendimit të Raziut dhe kronologjia e veprave të tij

 

Shumica e studimeve mbi mendimin e Raziut mbështetën në një përzgjedhje pak a shumë të cekët të shkrimeve të tij, shpesh duke i kushtuar pak rëndësi kronologjisë së tyre. Vëllimi i gjerë i shkrimeve të tij – ai është një prej konkurrentëve kryesorë për të qenë më i frytshmi nga gjithë teologët dhe filozofët muslimanë[10] – dhe fakti që disa nga veprat më të rëndësishme të tij mbesin të pabotuara, janë normalisht të mjaftueshme për të vendosur studentin e mendimeve të tij në një barrë të vështirë. Edhe më vështirë është rasti me shumicën e mendimtarëve të mëdhenj muslimanë. Mirëpo, për dallim nga mendimtarët tjerë, shumica e veprave të Raziut, përfshirë ato më kryesoret, kanë mbijetuar. Në shumicën dërmuese të këtyre teksteve nuk haset problemi i atribuimit të tyre tek autori. Shumica, përfshirë të rëndësishmet, janë në arabishte; disa janë në persishte.

            Studimi para jush shfrytëzon përzgjedhjen më gjithëpërfshirëse të veprave të Raziut deri tash; disa prej tyre të përdorura për herë të parë. Kjo ka lejuar një të kuptuar më të saktë të zhvillimeve komplekse që kanë ndodhur në të menduarit e tij, që janë shpesh delikate, por nganjëherë të habitshme. Disa prej veprave të tij të hershme dhe të vonshme të japin përshtypjen që janë të shkruara nga dy autorë të ndryshëm (por ato janë veprat e tij, pa asnjë dyshim). Për ta dhënë një shembull, gjersa në Isharen e hershme, Ebu Ala el-Me’arri mallkohet për herezinë e tij, në tefsirin dhe metalibin e tij të vonshëm Raziu atij i referohet vlerësueshëm si poeti-filozof (Hakim el-Shu’ara). Është një gabim i njohur i studimeve që të cekin një qëndrim të paraqitur në një ose dy libra të Raziut duke qenë thjesht mendimi i tij, kur në fakt qëndrime të kundërta mund të gjenden në veprat e tij të tjera, ose të mëvonshme, të botuara.

            Për më tepër, siç ishte praktika e shumë autorëve, el-Raziu shpesh e trajton një problem në mënyrë tërësore në një libër, dhe pastaj i referohet atij kalimthi në libra të mëvonshme, nganjëherë pa përmendur diskutimin e mëhershëm. Në një libër, ai shkruan që ai do t’i shmanget diskutimit të temave që janë diskutuar tjetërkund.[11] Prandaj, nuk është e pazakontë për lexuesit e ndonjë vepre të Raziut, qofshin para-modern ose modern, të konkludojnë që ai ka dështuar që ta adresojë një problem të caktuar, kur në fakt vetë autori është i kënaqur që këtë gjë e ka bërë diku [në një vepër] tjetër.

            Në këtë fazë, ne e kemi të mundshme të përcaktojmë datën e saktë të disa prej veprave të Raziut dhe të vlerësojmë kronologjinë e përgjithshme relative të tjerave. Disa tekste është shumë vështirë për t’i datuar, përpos nganjëherë me të provuar. Dëshmitë e brendshme të datave, si referenca ndaj veprave tjera janë shpesh mashtruese, sepse disa vepra iu nënshtruan rishikimit nga vetë autori disa vite pasi janë shkruar për herë të parë. Prandaj, për shembull, gjejmë referenca në Mebahith për Sherh Kul-lijjat el-Kanun dhe anasjelltas, që na çon tek përfundimi ose të dyja janë shkruar në të njëjtën periudhë, ose që referenca në së paku njërën prej tyre janë futur në një rishikim të mëvonshëm.

            Veprat e hershme të Raziut janë strikt esh’arite në stil dhe përmbajtje.[12] Kjo është më e dukshme në Usul el-Din dhe, në një shkallë pak më të vogël në Ishare. Në të vonshmen Nihajat el-‘Ukul ai fut logjikën aristoteliane në kelam, por ende deklaron, në linjë më esh’arizmin klasik, që qëllimi i kërkimit të tij teologjik është mbrojtja e kredos ortodokse. Më vonë, ai plotësisht përqafon eklektizmin e mjedisit të tij, dhe fillon të shkruaj vepra në filozofi (felsefe), logjikë, medicinë dhe shkencat okuliste. Në këtë fazë, ai shkruan veprat Mebahith dhe Mulahhas, të cilat ai i përshkruan si vepra ‘felsefij’, ose ‘hikmij’, për dallim me veprat e tij ‘kelamij’. Ai pastaj kthehet për të shkruar në zhanrin e mëvonshëm, duke sintetizuar gradualisht kelamin dhe filozofinë.[13]

Në vijim është një listë kronologjike, me përshkrime të shkurtra, e disa prej veprave më të rëndësishme të përdorura në këtë studim. Shumica e dëshmive të brendshme për datimin është hequr; një vlerësim sistematik prandaj do të ishte përtej qëllimit të këtij prezantimi bibliografik.

- Kitab fi Usul el-Din, ‘akaid ehl el-sunna. Titulli origjinal i këtij vëllimi të papublikuar është i papërcaktuar, prandaj do t’i referohemi si Usul el-Din.[14] Duke pasur parasysh përmbajtjen dhe qasjen klasike esh’arite, duket që ky është libri më i hershëm teologjik i shkruar nga Raziu. Ai paraqet familjaritet të madh me veprat e Esh’ariut (vd. 324H/936) dhe të ithtarëve kryesorë të shkollës së tij, të cilit ai i referohet si ‘imamit tanë’ (aimmetuna), përfshirë el-Bakilaniun (vd. 403H/1013), nxënësin e tij Ebu Xhafer es-Simnanin (vd. 444H/1052), Ebu Is’hak el-Isfarainiun (vd. 418H/1027) dhe el-Xhuwejniun (vd. 478H/1085).

- El-Ishare fi ‘ilm el-kelam.[15] Ky libër paraqet fazën më të lartë të hershme të esh’arzimit të Raziut, por është pak më e vonshme se  Usul el-Din.[16]

- El-Mahsul fi ‘ilm el-usul. E përfunduar në vitin 576H/1180,[17] kjo është vepra më e rëndësishme e Raziut, dhe shumë ndikuese, në usul el-fikh.

- Nihajat el-‘ukul fi dirajet el-usul. Ende e pabotuar, kjo vepër e madhe kelami është një prej teksteve më ndikuese në historinë e teologjisë islame. Ajo përfaqëson një fazë vendimtare kalimtare në mes të mendimit të hershëm esh’arit të Raziut dhe teologjisë filozofike të mëvonshme të tij.[18]

- Es-Sirr el-Mektum (fi mukhatebet el-Nuxhum, ose Fi esrar el-nuxhum, ose Fi ‘ilm el-sihr we’l-telasim we’n-nuxhum, etj.) Ende një aspekt intrigues i karrierës së tij, mesa duket e shkruar në një fazë relativisht të hershme të (karrierës së) tij,[19] ky libër diskuton teoritë dhe praktikat e magjisë.[20] Kjo mund t’i jep besueshmëri transmetimit që ai ka kaluar ca kohë në rininë e tij duke eksperimentuar me alkimi.[21]

- El-Mebahith el-mashrikijjeh. Influnecat kryesore të asaj që duket se është ndër më të hershmet e librave të mbijetuara filozofike (felsefij) të Raziut janë Ibn Sina (vd. 429H/1037), Ebu el-Berekat el-Baghdadi (vd. 560H/1164-5) dhe Ebu Bekr el-Razi (vd. 313H/925). Kjo vepër nuk paraqet filozofinë e Raziut në pjekurinë e saj, por përmban shumë qëndrime që dallojnë dukshëm prej qëndrimeve të tij të mëvonshme dhe të mëhershme.[22]

- El-Mulahhas fi’l-hikma we’l-mantik. Raziu duket që e ka rishikuar këtë vepër filozofike (felsefij) në vitin 579H/1183.[23] Ka shumë ngjashmëri me Mebahith, por në përgjithësi është më koncize (prandaj dhe titulli) dhe po ashtu përfshin një pjesë mbi logjikën. Në të tregon një konsistencë më të madhe dhe pavarësi nga Ibni Sina sesa në Mebahith.

- Sherh el-kulijjat min Kitab el-Kanun. Një komentim mbi hyrjen teorike të Kanun-it të Ibni Sinasë, në medicinë, e shkruar mbase rreth vitit 580H/1184.[24]

- Kitab en-nefs we’r-ruh. Emërtim alternativ është edhe Kitab fi ‘ilm el-Akhlak. Ky libër ka dy pjesë: pjesa e parë në teorinë e shkencës së moralit, pjesa e tyre mbi etikën praktike në detaje. Datimi është i pasigurt, por duket relativisht e hershme.

- Sherh el-Isharat we’t-tenbihat. Mesa duket e shkruar rreth 580H/1184,[25] kjo vepër paraqet një komentim kritik mbi filozofinë e Ibni Sinait. Seksioni mbi logjikën është ende i pabotuar.

- Munadharat fi bilad ma wera’ al-nahr. Një përmbledhje e të dhënave autobiografike të disa debateve në temat teologjike, filozofike dhe juridike, në të cilat Raziu ka marrë pjesë gjatë udhëtimeve të tij në Transoksiani rreth 582H/1186.[26]

- I’tikadat firak el-muslimin we’l-mushrikin. Një hereziografi e shkurtër. Menjëherë pas seksionit mbi filozofinë (felsefe), Raziu e përmbyll librin duke afirmuar ortodoksinë e tij.

- Muhassal efkar el-mutekaddimin we’l-mute’ahirin. Një përmbledhje e teologjisë filozofike, dhe një prej veprave më influencuese dhe më të studiuara të Raziut.[27]

- El-Erbain fi Usul el-Din. Një tjetër vepër influencuese kelami e Raziut. Dëshmitë e brendshme sugjerojnë që është shkruar pas Muhassal.[28]

- Lubab el-Isharat. Një shkurtesë kritike e veprës El-Isharat we’t-tenbihat të Ibn Sina-së, me gjasë e shkruar në 597H/1201.[29]

- Menakib el-Imam esh-Shafi’ij. E shkruar në 597H/1201,[30] kjo vepër është e shkruar në mbrojtje të Shafiut dhe shkollës së tij, mesa duket kundër kritikëve hanefij.

- Lewami el-Bejjinat fi (tefsir) el-esma we’s-sifat. Një vepër rreth emrave dhe cilësive hyjnore.[31]

- El-Xhebr we’l-Kader. Kjo vepër i është dedikuar problemit të paracaktimit dhe zgjedhjes [së lirë] njerëzore, dhe diskuton dëshmitë racionale, tekstuale dhe tradicionale.[32] Përmbajtja e saj sugjeron që është shkruar në një fazë të vonshme.

- El-Tefsir el-Kebir, ose Mefatih el-Gajb. Ky komentim i madh mbi Kur’anin është nisur rreth 595H/1199. Kapitujt 17-30 janë shkruar në 601-3/1205-7.[33] Transmetimet që Raziu nuk e përfundoi këtë vepër, dhe që është përfunduar më vonë nga një prej nxënësve të tij, duket të jenë të pabaza.[34]

- Me’alim Usul el-Din. Kjo vepër koncize mbi kelamin është mbase vepra e fundit e Raziut e këtij zhanri. Qartazi është e shkruar vonshëm, por e ka shkruar para apo pas përfundimit të tefsirit të tij kjo është e paqartë. Es-Safadi thotë që është e fundit e librave të vegjël të Raziut.[35]

- Me’alim usul el-fikh. Një vepër në usul el-fikh, që është më e shkurtër se Mehsul­-i. Dy veprat Me’alim duket të jenë pjesë e një serie më të madhe.

- Esrar et-tenzil we-enwar et-ta’wil. Një vepër e papërfunduar që ekzaminon temat teologjike në dritën e ajeteve kur’anore. Duket që është shkruar pas El-Tefsir el-Kebir, dhe ndonjëherë në burimet e mëvonshme referohet si Komentimi i vogël i Kur’anit (Et-Tefsir es-sagir).

- El-Metalib el-‘alije min el-‘ilm el-ilahi. Një prej veprave më të gjata filozofike dhe teologjike të Raziut, dhe në shumë mënyra më interesantja. Librat 1-2 janë përfunduar në 603H/1207, menjëherë pas përfundimit të Tefsirit. Më shumë se një vit më vonë, në 605H/1208-9, librat 3-7 mesa duket janë përfunduar për një periudhë prej 5 muajve, ndërsa libri tetë duket i papërfunduar dhe i padatuar.[36] Mirëpo data e fundit është e çuditshme, sepse Dhem ledhat el-dunja (më poshtë) është e datuar më herët por i referohet diskutimeve në librat 3 dhe 4 të Metalib-it. Një shpjegim është që librat 307 janë shkruar në 603H/1207, por janë rishikuar më vonë në 605H/1208-9. Mirëpo, nëse ky është rasti, atëherë pse nuk u përfundua Metalib-i para se të rishikohej? Pyetja është me rëndësi, pasi që një datë e mëhershme e Metalib-it do t’i jepte peshë më të madhe veprës Dhem ledhat el-Dunja.

- Sherh ‘Ujun el-hikma. Ky komentim mbi Ujun el-hikma të Ibn Sinasë mesa duket është shkruar pas Metalib-it.[37]

- Risalet Dhem Ledhat ed-Dunja. Një vepër e shkurtër etike e përfunduar në vitin 604/1208. Për shkak të dobisë së jashtëzakonshme, një edicion kriik i këtij teksti është përfshirë në shtojcë, dhe vepra do të shqyrtohet në detaj në kapitullin e katërt të këtij libri.

 

 

Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi

 

 

 

Shkëputje nga vepra:

Etika teleologjike e Fahruddin er-Raziut (The Teleological Ethics of Fakhr al-Din al-Razi); Brill - Leiden – Boston, 2006, fq. 4-11.

 



[1] Disa prej biografive kryesore klasike të Raziut janë: Ibn Ebu Usejbia, ‘Ujun, 3, 34-35; El-Kifti, Ikhbar, 190-2; el-Askalani, Lisan, 4, 426-9; Ebu Shame, Dhejl, 68; Ibn Khalikan, Wefajat, 4, 248-52; Ibn el-‘Ibri, Tarikh, 240; 254; Ibn el-Sa’i, Xhami, 9, 306-8; Ibn Kethir, Bidaje, 13, 55-6; El-Safadi, Wafi, 4, 248-58; el-Dhehebiu, Tarikh, 43,211-23; Es-Subki, Tabakat, 8, 81-96; el-Jafi’i, Mir’at, 4, 7-11; el-Shehrezuri, Nuz’ha, 2, 144-50. Shih poashtu: Muhammed el-Zerkan, Fakhr al-Din al-Razi, 8-55; Georges Anawati, “Temhid”, 193-201; “Elements”; “Fakhr al-Din al-Razi” në El2; John Cooper, “Al-Razi, Fakhr al-Din”, REP; Yasin Ceylan, Theology, 1-13; Tony Street, “Life and Works”; Jacques Jomier, “Qur’anic Commentary”.

[2] Shih: es-Subki, Tabakat, 3, 159 ff.; 7, 242; Ibn Khalikan, Wefajat, 4, 252.

[3] Zinxhiri esharij i Razaiut kalon nëpër babain e tij, tek Ebu el-Kasim el-Ensarij, tek el-Xhuvejni, tek Ebu Is’hak el-Isfareini, tek Ebu Hasan el-Bahili, tek el-Eshariu (Tahsil el-Hakk, 52; shih. El-Jafi’i, Mir’at, 4, 11). Ai po ashtu paraqet zinxhirin e tij fikhor duke filluar me babain e tij.

[4] Ibn Ebi Usejbia, ‘Ujun, 3, 34.

[5] P.sh., Munazerat, 7; Metalib, 7, 388-91. Rreth udhëtimeve të tij, shih: J. Jomier, “Quranic Commentary”, passim.

[6]  P.sh. El-Kifti, Ikhbar, 190.

[7] Rreth Keramijjve, një sekt antropomorfit, shih I’itikadat, 101; el-Shehrestani, Milel, 1, 108-13; artikulli “Kerramijje” në El2.

[8] P.sh., El-Kazwini, Athar, 252-3. Shih Tefsir, 7, 88; 8, 69-71.

[9] Ibn el-Ethir, Kamil, 12, 151-2.

[10] Biografët transmetojnë që ai ka shkruar më shumë se 200 vepra (Ibn el-Sa’i, Xhami, 9, 307; Ibn Kethir, Bidaje, 13, 55). Rreth një e treta janë ruajtur. Bibliografia e botuar më e dobishme (ndonëse e pakompletuar dhe e vjetruar) e veprave të Raziut mbetet: M. al-Zarkan, Fakhr al-Din al-Razi, 56-164.

[11] Kemalijje, (Ar.), 88; (Per.), 114.

[12] Shih M. El-Zerkan, Fakhr al-Din el-Razi, 619-26; A. Shihadeh, “From Ghazali to al-Razi”, 163.

[13] Shihadeh, “From al-Ghazali to al-Razi”, 164 ff.

[14] Mund të jetë Tehdhib el-Dala’il fi ‘ujun el-mesail, e përmendur në I’tikadat, 146.

[15] Titulli origjinal me gjasë është Isharet el-nuzzar ila lataif el-esrar, një vepër kelami që Raziu e përmend në I’tikadat, 146.

[16] P.sh., Eshariu referohet si Shejhuna Ebu el-Hasan radiallahu ‘anhu (p.sh., Ishare, fol. 3b; 36b; 62a).

[17] Mahsul, parathënia e botuesit Taha al-Alwani, 48. Mehsul përmendet në Nihajat el-‘Ukul, fol. 200b.

[18] Shihadeh, “From al-Ghazali to al-Razi”, 163ff.

[19] Përmendur në: Mulekhkhas, fol. 323a; Sherh el-Isharat, 2, 143; Sherh ‘Ujun el-Hikma, 2, 193-4.

[20] Ibn el-Subki në Tabakat  (8:88) e refuzon këtë atribuim si të rremë. `Abd el-Kerim ibn Khaldun el-Maghribi el-Malikij në parathënien e tij të Tarikh-ut të tij dhe Ibn Kadi Shuhbe citojnë libri si El-Sirr el-Mektum fi Mukhetebe el-Shems we el-Nuxhum dhe ngjashëm hedhin dyshime në vërtetësinë e atribuimit të kësaj vepre ndaj Raziut. {G.F. Haddad – shënim i përkthyesit}

[21] Ibn el-‘Ibri, Tarikh, 240.

[22] Përmendur në Mulekhkhas, fol. 337a.

[23] E datuar në celofanin e autorit të dorëshkrimit 1510, Leiden University Library.

[24] Ibn el-‘Ibri, Tarikh, 240. Mebahith përmend në Sherh el-Kanun, fol. 22b, 43b. Kjo e fundit përmendet në Mebahith, 2, 258; 2, 409.

[25] Përmendur në Muhassel, 202. Po ashtu, edhe Mebahith edhe Mulekhkhas përmendën në Sherh el-Isharat, 1, 153. Është ligjëruar në Bukhara në 582H/1186 (shih shënimin e ardhshëm).

[26] Data përmendet në Munazerat, 32. Mebahith, Mulekhkhas, dhe Sherh el-Isharat, janë përmendur në Munazerat, 60.

[27] Shih. Shihadeh, “From el-Ghazali to el-Razi”, 171-2.

[28] Tefsir përmendet në Erba’in, 423. Kjo sugjeron që Raziu e shkroi Er’bain rreth viteve 595-600/1199-1204, pasi e filloi Tefsir-in.

[29] Katib Çelebi, Keshf el-Zunun, 1, 94.

[30] Menakib, 538.

[31] Përmendur në Tefsir, 15, 55; 22, 13.

[32] Ndonëse e botuar si libri i 9 i Metalib, ka shumë dëshmi për të treguar që ky është një libër i veçantë. Stili i tij dallon me atë të Metalib. Nuk është shënuar në planin fillestar të saj (Metalib, 1, 63-64). Referenca tek kjo ka në vende tjera (p.sh., Sherh el-‘Ujun el-Hikme, 3, 96; biografët shënojnë një vepër të titulluar ‘el-Kada we’l-Kader’: el-Kifti, Akhbar, 192; Ibn Ebu Usejbia, ‘Ujun, 3, 44; el-Safadi, Wafi, 4, 255). Po ashtu, shumë dorëshkrime të Metalib nuk e përfshijnë atë.

[33] Tefsir, 9, 127. Për data të detajuara të pjesëve të ndryshme të veprës, shih Michel Lagarde, Index, 51-7.

[34] Shih. Jomier, “Mefatih el-Ghayb”, 253-90; “Quranic Commentary”, 467; Lagarde, Index, 57ff.

[35] El-Safadi, Wafi, 4, 258.

[36] Datat janë dhënë në fund të secilit libër. Libri tre nuk është i datuar në botimin e shtypur, por celofani i autorit në MS Chester Beatty Ar 3114 (fol. 147a) e daton atë në vitin 605/1208.

[37] Metalib është përmendur në Sherh ‘Ujun el-Hikma, 3, 100. Diskutimit që i referohemi paraqitet në librin 7 të Metalib. 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme