A është sheriati islam barbar, brutal dhe arkaik?

Shqyrtime paraprake

 

Akuzat rreth Islamit janë konstante pothuaj gjatë tërë historisë, duke filluar nga shekulli i shtatë. Intensiteti i tyre ndonjëherë bie e ndonjëherë rritet, varësisht krizave fetare-morale, shoqërore-politike apo edukative-arsimore në botë dhe varësisht nevojave për konsum të brendshëm apo të jashtëm. Zakonisht akuzat kanë burim fetar (kristian), por edhe politik-ekonomik.

Ndër akuzat e shumta për Islamin është sheriati, e drejta islame. Në këtë aspekt slogani më i shpeshtë i akuzave të tyre është se “sheriati islam është barbar, obskurantist. brutal, diskriminues, arkaik dhe i pandryshueshëm” e shprehje të ngjashme. Akuzat kundër Islamit nuk kanë fund, kurse ne në vazhdim do t’i analizojmë kalimthi vetëm disa pikëpamje të kësaj teme.

 

 

A është sheriati barbar?

 

Është mirë të analizohet kuptimi i fjalës barbar. Nëse do t’i drejtohemi fjalorit shpjegues autoritativ të Millan Vujaklisë do të lexojmë se shprehja barbar në fillim është përdorë në kuptim të atyre që nuk dinin greqisht, kurse te romakët për ata të cilët nuk kishin arsimim romakë apo grekë. Po ashtu, shprehja përdorej për të përshkruar të huajt dhe të folurit të tyre të ndryshëm. Më vonë kjo shprehje mori konotacione pak më ndryshe, si: njeri i paarsimuar, i vrazhdë, i rreptë, i egër, për të identifikuar njerëzit që janë ndryshe tyre si primitivë, të vrazhdë, të paarsimuar, brutal, gjakpirës dhe të pamëshirë, kundrejt tyre që veten e quanin të përparuar, të qytetëruar, të kulturuar, humanë dhe altruistë. (Milan Vujaklija, Leksikon stranih reci i izraza, botimi i tretë, Beograd, 1980, fq. 102 dhe: http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .)

Analizat e legjislacionit islam – sheriatit nuk tregojnë se në të kemi ligje barbare, respektivisht analizat nuk tregojnë se dispozitat e tij shquhen me arrogancë, rreptësi, johumanitet etj. Sepse, synimi i sheriatit dhe i dispozitave ndëshkuese në sheriat nuk janë hulumtimi, identifikimi dhe gjetja e ndëshkimi i fajtorëve për veprat e liga, por synimi parësor është parambrojtja që mos të ndodh e liga, vendosja e ligjit dhe e rendit në vend e shoqëri. Këtë e ilustron edhe fakti se në sistemin penal islam nuk kemi ndonjë institucion të veçantë, special të policisë, prokurorisë, burgut apo të ekzekutorëve profesionalë. (http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .)

Prezantimi i ndëshkimeve sheriatike (hududeve) zakonisht është bërë i motivuar nga paragjykimet fetare dhe politike kristiane, për të krijuar te lexuesit perëndimorë të painformuar një pasqyrë joreale. Herë-herë këto akuza janë rezultat i studimeve të frymës rigjide, puritane, joserioze brendaislame, të cilat Islamin e shpjegojnë me “shikim prapthi”. (Nexhat Ibrahimi, Ç’është Sheriati?, publikuar në: Revista Shkencore Vizione, nr. 13-14/janar 2010, Shkup, fq. 252.) Por, studimet e mirëfillta por edhe praktika historike tregojnë se ndëshkimet sheriatike si synim të parë kanë pasur preventivën nga mëkati e jo ndëshkimin e panumërt të mëkatarit.  (Veprime të tilla edhe sot marrin shtetet e ndryshme, si ShBA, Anglia, Gjermania e edhe Kosova e re. Duke praktikuar masa rigoroze në trafik, statistikat policore tregojnë se aksidentet janë zvogëluar për 30% krahasuar me vitin e kaluar.)

Natyrisht, qytetarët nuk do të gëzojnë siguri e prehje nëse ndëshkimet ndaj kriminelëve recidivistë do të jenë të favorshme e të lehta. Më mirë është të ndëshkohen kriminelët fajtorë që njerëzit e ndershëm e fisnikë të gëzojnë siguri. Nëse butësia do të jetë kriter për të këqijtë e shoqërisë, atëherë do të rrezikohet pjesa më dërmuese e popullsisë.

Ndëshkimet në sheriatin islam edhe pse në shikim të parë të rrepta, ato kanë qëllim preventiv. Ndëshkimet i dedikohen vetëm shtresës së “papërmirësueshme” të shoqërisë njerëzore, të cilët paraqesin pengesë, madje rrezik për zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë njerëzore dhe jo tërë shoqërisë. Sidomos jo për ata që paraqesin forcë vitale për mbajtjen dhe zhvillimin e njerëzisë drejt të mirës, ashtu çfarë ndodhi në fillim të historisë islame.

Institucionet për riedukim të kriminelëve si në botë ashtu edhe te ne janë tërësisht të dështuara. Atje nuk ka edukim por dresurë, atje nuk ka abstenim nga krimet e mëhershme por aftësim edhe më i mirë, duke e kryer aftësimin me “ekspertë’ nga kriminelët. Dënimet e gjata gjithashtu nuk po japin efekte përmirësuese. Statistikat britanike thonë se 50 % e meshkujve dhe 35% e femrave sërish i kthehen veprave të mëhershme pa kaluar as dy vite nga dalja prej burgut. (http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .)   Përvoja vetjake e kaluar në disa burgje jugosllave më thotë se përmirësim nga institucionet shtetërore nuk ka, që do të thotë se duhet gjetur mënyra diç ndryshe e jo ato aktuale. Mund të përfundojmë në këtë pjesë të shkrimit se akuzat ndaj sheriati islam se është barbar, brutal e të ngjashme kthehen si bumerang. Kjo për arsye se ligjet perëndimore as nuk janë më humane, as nuk janë më të dobishme për komunitetin, por krijojnë pasiguri në shoqëri, defetizëm në shpirtrat njerëzor dhe kaos në sigurinë shtetërore.

 

 

A është sheriati brutal?

 

Kur flitet për ndëshkimet në sheriat, ato në shikim të parë vërtetë duken  brutale, të pamëshirë, antinjerëzore! Kjo ndodh qoftë nga paaftësia e prezantimit të tyre qoftë nga tendencioziteti i përfaljes së tyre. Nëse shikohet ‘brutaliteti’ i tyre dhe si vjen deri te aplikimi i këtyre ndëshkimeve, do të shohim se procedurat mjaft rigoroze për konstatimin e veprës thuajse e bëjnë të pamundur aplikimin e tyre. Në tërë historinë muslimane (shtetit të mirëfilltë islam) nuk është aplikuar kurrë ndëshkimi i mashkullit apo femrës për prostitucion me procedurë të dëshmimit, por vetëm me anë të pranimit. Pejgamberi a.a. prandaj ka thënë:

“Përmbajuni nga hududi (ndëshkimet) aq sa është e mundur. Lirojeni të pandehurin kudo që ekziston edhe shansi i vogël sepse lirimi me gabim nga gjykatësi është më mirë se ndëshkimi me gabim.” (Tirmidhiu).

Islami gjithashtu na mëson se “… dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit. … .” (El-En'am, 6:164).

Islami e garanton imunitetin për të akuzuarin nga “përndjekja penale tendencioze” në bazë të rregullave shumë rigoroze të aplikohen për dëshmimin e fajit të tij. Në fushën e kisasit (ndëshkimit), Islami na mëson këtë gjatë tërë historisë së tij:

"Dhe mos mbytni njeriun që Allahu ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).” (El-Isra', 33).

Mirëpo, edhe kur ndodh që të ekzekutohet ndëshkimi i caktuar, zgjidhen të gjitha elementet lehtësuese, si mjeti, vendi, shëndeti i të ekzekutuarit, njeriu ekzekutues etj. Një ekspert gjerman, Rudolf Piters në një tekst të tij me titull “Islamizimi i ligjit penal” (Gjermani, 1994) thotë: “Ka shumë pak njerëz që kanë marrë ndëshkimet e përcaktuara.” (Rudolf Piters, Islamizimi i ligjit penal, Gjermani, 1994, sipas: http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .)

Lidhur me ndëshkimet në Islam Muhammed Veisel thotë:

“Islami është paket-aranzhman të cilin muslimanët janë të detyrueshëm ta pasojnë. Nëse shoqëritë progresive, bashkëkohore dhe kulturore mund t’i “tolerojnë” vrasjet jodiskriminuese masovike me bomba atomike, atëherë sigurisht mund ta tolerojnë edhe amputimin e dorës, kamxhikimin apo goditjen me gurë për krime të caktuara të “fëlliqura”, respektivisht sakrifikimin e disa individëve për dobi të shoqërisë në tërësi.” (Muhamed Veisel, Islamski zakon – njegova primjena u skladu sa onim što je objavljeno u Kur'anu i njegova prilagodljivost kulturološkim promjenama, në: Rudolf Piters, Islamizimi i ligjit penal, Gjermani, 1994, sipas: http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .)

 

 

A është sheriati arkaik ?

 

Akuza vijuese është e drejtuar kundër sheriatit se ai është ligj mesjetar, i tejkaluar në kohë dhe hapësirë, de mode, jomodern, shkretinor etj. Të gjitha këto thuhen duke u bazuar në faktin se ai (sheriati) është shpallur qysh para 14-15 shekujsh. Të tillët nuk gjykuan në bazë të fakteve por në bazë të paragjykimeve dhe i vetmi faj i sheriatit qenka se ai është i vjetër dhe se duhet diç që është modern, shenjë e kohës kur jetojmë.

Do t’u përgjigjemi modernistëve se Islami është fe për të gjitha kohët dhe hapësirat, për të gjitha racat dhe gjuhët, për të gjitha etnitë pa marrë parasysh specifikat e caktuara që na bëjnë të ndryshëm mes veti. Islami nuk njeh “modernizmin’ në aspekt të doktrinës së caktuar se ngritja dhe përparimi shkencor dhe kulturor konsiston në revidimin e mësimeve tradicionale fetare dhe aprovimin e ideve pa Zot, të bazuar në doktrinat shkencore e filozofike aktuale. Sheriati ka për burim Allahun e madhërishëm, kurse i dedikohet njerëzve. Allahu si krijues i gjithësisë është njohësi më i mirë i gjendjes sonë prandaj edhe dërgoi ligj universal të përkryer, i cili do të vlejë për të gjithë popujt dhe për të gjitha kohët.

Sheriati nuk është sistem ligjor që i nënshtrohet ndryshimit varësisht kohëve dhe sistemeve politike, regjimeve dhe politikanëve. Nuk është ligj që kohë pas kohe mund të vlerësohet si “i keq” apo “i mirë” nga vendimet e parlamentit të një shteti apo organizate.

 

 

A është sheriati i ndryshueshëm?

 

Nëse një ligj dëshiron të jetë i pranishëm te njerëzit, nëse dëshiron që të jetë i njohur dhe i dallueshëm nga njerëzit, ai pa tjetër duhet të jetë i pandryshueshëm dhe i pacenueshëm nga njerëzit. Vetëm si i tillë ai ushqen siguri te ata, bëhet i njohur dhe i obligon që njerëzit të sillen në pajtim me kërkesat e tij, kundrejt ligjeve që çdo ditë ndryshojnë kurse as vetë hartuesi e sponzoruesi nuk i njeh.

Ligjet njerëzore ndryshojnë varësisht kërkesave të pushtetarëve të çastit. Disa vepra që dikur janë dënuar tash mund të jenë të lejuara. Vetëvrasja, aborti, prostitucioni, perversiteti që dikur paraqisnin vepra të ndaluara dhe të gjykuara tash janë veprime legale dhe krejt normale. Madje, çdo tendencë për t’i qortuar këto veprime apo këto shkelje do të sjellë një rrebesh ofendimesh e qortimesh private e publike: ti je aziatik, antievropian, mesjetar, antimodern etj.

Ligjet njerëzore edhe pse të hartuara nga vetë njerëzit nuk i kuptojnë nevojat dhe natyrën njerëzore prandaj ndryshojnë aq shpesh. Ato edhe nuk punohen aq për njerëzit sa për nevojat e aparatit sundues. Për këtë arsye, si pasojë, kemi rritjen e kriminalitetit në të gjitha shtresat e popullsisë, madje në përmasa pandemike. Sërish, për pasojë të këtij kriminaliteti të rritje kemi ndëshkimin e shtresës së ulët dhe shumë rrallë ‘bosët’ e krimit.

Nuk duhet harruar se sheriati islam është specifik krahasuar fetë e tjera. Ai posedon mosndryshueshmërinë e parimeve por edhe dinamizmin dhe fleksibilitetin, që zhvillohet nëpërmjet burimeve suplementare të të drejtës islame. Për këtë arsye, ai përfshin në gjirin e tij popuj nga shume vende dhe në shumë gjuhë, me prirje të shumta dhe afinitete të llojllojshme. Kjo karakteristikë e bënë sheriatin të pranueshëm për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet.

 

 

Në vend të përmbylljes

 

Në këtë kohë krizash të shumta, politike, ekonomike, kulturore, fetare, morale, bota duhet t’i verifikojë qëndrimet e veta ekskluziviste dhe së paku ta shqyrtojë mundësinë e ekzistimit të sheriatit si një ndër obcionet e mundshme për rregullimin e jetës së individit, grupit dhe shoqërisë, kundrejt vetvetes, ambientit dhe Krijuesit, krahas obcionit romako-kontinental dhe anglo-sankson. (Fikret Karcic & Enes Karic, Serijatsko pravo u savremenim drustvima, Sarajevo, 1998, fq. 7 e tutje.) Sheriati do të ofronte një alternativë reale, siç e ka ofruar në të kaluarën, për një jetë më të lehtë, me më pak krim dhe më shumë drejtësi. (Shih: http://www.putvjernika.com/Islam-i-dawa/da-li-je-islamski-zakon-serijat-barbarski.html .) Me këtë do të demantohej paragjykimi se sheriati është vetëm një sistem juridik i vjetër, i lindur në Lindjen e Mesme, ngushtë i lidhur për shtetet mesjetare arabe-islame për nevojat e tyre të kohës dhe të hapësirës specifike.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme