BASHKËRENDITJA NDËRMJET TË PËRHERSHMES DHE TË NDRYSHUESHMES

I. HYRJE

 

 

Perëndimi nëpërmjet programeve të veta edukativo-arsimore, pastaj përmes mekanizmave politiko-ekonomike e socialo-kulturore ka depërtuar qysh herët në botën muslimane dhe ka zgjuar perceptime heterogjene rreth shfaqjes së dukurive të reja. Dijetari musliman, tashmë i ndjerë, Muhammed Asad, këtë depërtim nuk e sheh vetëm si shqetësim, por edhe si “rrezikun më të madh për ekzistimin”, gjegjësisht “si rrezikun më të madh për ringjalljen e sërishme të qytetërimit islam”, e njëkohësisht edhe si mbështetje për pohimin tashmë të zëshëm të Perëndimit, se “Islami është forcë e konsumuar”[1]. Edhe dijetari bashkëkohor malajzian, El-Attasi, depërtimet perëndimore i quan sfidë dhe të keqen më të madhe të kohës[2]. Prandaj, shtrohet pyetja si të perceptohen drejt dhe si të shfrytëzohen karshi një mirëkuptimi bashkëkohor ndërfetar, ndërkulturor dhe ndërfilozofik?

 

 

II. E THJESHTA, RACIONALJA, PRAKTIKJA

 

 

Njësimi i Zotit xh.sh., besimi në botën e melaqeve dhe librave të shpallur, pejgamberia e Muhammedit a.s., besimi në ahiret janë karakteristikat kryesore të Islamit, të gjitha të bazuara në tekste të shenjta (Kur’an dhe Hadith), të arsyeshme dhe të logjikshme.

Të gjitha mësimet islame burojnë nga këto parime themelore dhe janë të thjeshta e të qarta. Nuk ka hierarki priftërinjsh, nuk ka as rituale abstrakte e të komplikuara filozofike apo spiritualiste, për anëtarët të tjera e për publikun të tjera.

Islami nuk bazohet në kurrfarë mitologjie, as besëtytnie. Të gjitha mësimet islame janë të thjeshta, praktike dhe racionale. Nuk ka as besëtytni as bindje të palogjikshme[3].

Njeriu në Kur’an, si fjalë e Zotit, ka qasje të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, ndërsa urdhrat e tij janë të zbatueshëm në çdo kohë. Islami në qindra ajete kur’anore nxit arsyen te njeriu dhe e motivon ta përdorë atë. E udhëzon njeriun që gjërat t’i marrë ashtu si janë në realitet. Kur’ani po ashtu udhëzon që të arrihet dituria dhe të lutet Zoti për përhapjen e saj[4].

“... Dhe thuaj: O Zoti im, shtoma diturinë!” (Ta Ha, 114)

... Thuaj: “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Mësim marrin vetëm të mençurit.” (Ez-Zumer, 9) 

Përcillet se Pejgamberi a.s. lidhur me stimulimin e diturisë ka thënë:

 “Ai që e braktis shtëpinë me qëllim të arritjes së diturisë, ai është nisur rrugës së Zotit.” (Et-Tirmidhi) 

Gjithashtu:

“Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman.” (Ibn Maxhe dhe El-Bejhekiu)

Në këtë mënyrë, Islami e nxjerr njeriun nga injoranca, mashtrimi, besëtytnia, terri besimor dhe e fut në botën e dijes botërore dhe dritës shpirtërore.

Pra, Islami është fe praktike dhe nuk i parapëlqen spekulimet dhe bisedat e kota. Islami nuk është vetëm predikim besimi, por nxitësi kryesor i njeriut. Feja duhet të zbatohet, përndryshe ajo do t’i ngjasonte një filozofie apo ideologjie, që trajtohet vetëm në qarqet intelektuale, nëpër shqyrtime filozofike.

Kur’ani thotë:

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, lum ata, se i pret përfundim i bukur!(Er-Ra’d, 29)

Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë:

“Zoti nuk e pranon besimin i cili nuk është manifestuar në vepra, as që e pranon veprën e cila nuk është në pajtim me besimin.” (Et-Taberani)

 

 

III. UNITETI NDËRMJET MATERIALES DHE TË PËRSHPIRTMES

 

Islami është specifik karshi feve të tjera sepse nuk e ndan jetën në dy pjesë diametralisht të kundërta, në jetë materiale dhe në jetë të përshpirtshme. Islami nuk e refuzon jetën, as të mirat materiale, por i konsideron pjesë të domosdoshme të jetës. Islami nuk e pranon jetën e izoluar, ndaj edhe nuk e pëlqen asketizmin. Kjo jetë shërben për të fituar jetën tjetër dhe jo duke iu shmangur jetës dhe sfidave në të.

Kur’ani na këshillon:

Po ka prej tyre edhe që thonë: “O Zoti ynë, na jep mirësi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër dhe ruana prej dënimit me zjarr!” (El-Bekare, 201)

Por, kur flitet për gjërat luksoze dhe me bollëk, Kur’ani na sugjeron të bëhemi të matur:

“... dhe hani e pini, por mos e teproni, sepse Ai, njëmend, nuk i do ata që e teprojnë.” (El-A’raf, 31)

Pejgamberi i Zotit thotë:

“Agjëroni por edhe pushoni, falni namaz dhe bëhuni të zellshëm në kryerjen e namazit (të natës) dhe flini. Sepse trupi yt ka të drejtë te ti dhe sytë e tu kanë të drejtë te ti dhe gruaja jote ka të drejtë te ti dhe mysafiri, i cili të viziton, ka të drejtë te ti.”

Islami nuk i njeh ndarjet mes materies dhe shpirtit, moralit dhe jomoralit, kësaj dhe asaj bote. Të gjitha këto janë një dhe vetëm së bashku e përbëjnë plotësinë. Të kuptuarit e ndarë të Islamit ia ul vlerën dhe dëmton muslimanët. Çdo ndarje mes shpirtërores dhe materiales gjatë historisë ka sjellë konflikte, ngecje, fatkeqësi, i ka sjellë njerëzimit varfëri, trazira, moszhvillim. Edhe djathtizmi edhe majtizmi i tepruar dëmtojnë. Islami është pa anë, pa skajshmëri, pa majtas e pa djathtas, ushqen edhe materialen edhe shpirtëroren, përkatësisht i vë në baraspeshë instinktet e njeriut, i harmonizon me mjedisin dhe i pajton me ligjet hyjnore. Çdo gjë është krijuar për njeriun, ndërsa njeriu është krijuar të falënderojë Allahun dhe të menaxhojë drejt mirësitë e dhuruara[5].

 

 

IV. ISLAMI – MËNYRË E PLOTË E JETËS

 

 

Islami nuk është fe e kufizuar, as e bazuar në koncepte të kufizuara të jetës private dhe shoqërore, individuale dhe grupore, por është mënyrë e plotë e jetës, e pranishme në çdo fushë të jetës, në politikë dhe ekonomi, në aspektin material dhe moral, individual dhe social, kulturor dhe nacional. Islami është vlerë e gjallë, historike, kontinuitet historik dhe jo masë e vdekur religjioze, amorfe dhe anakrone[6]. Edhe pranimi i fesë dhe jetësimi i saj duhet të bëhet pa kufizime, duke ndjekur rrugën e Zotit[7].

Kufizimi i disa feve në jetën private ishte fatkeqësi për vetveten dhe të tjerët. Restrikcionet e fesë brenda shtëpisë jashtë shoqërisë janë dëm i pariparueshëm për një shoqëri. Islami nuk njeh fushë ekskluzivisht fetare dhe fushë ekskluzivisht laike. Ndarja e fesë në aspekte e fusha është ndarje e fesë nga realiteti, pamundësi për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve dhe zgjedhjen e më të mirës. Roli i Islamit nuk mund të mbyllet brenda ritualeve, as brenda mureve të caktuara, sado që e dëshirojnë laikët e shekullarët, materialistët e ateistët[8].

Kur’ani thotë:

Ne i kemi dërguar Felajmëruesit Tanë me argumente të qarta dhe me anë të tyre kemi shpallur librin dhe peshoren, që njerëzit të sillen me drejtësi. Kemi zbritur hekurin ku ka forcë të madhe edhe dobi të madhe për njerëzit, për ta ditur Allahu se kush e ndihmon Atë dhe Felajmëruesit e Tij edhe kur nuk i sheh. Allahu është pa dyshim shumë i fortë dhe i fuqishëm.” (El-Hadid, 25)

“... Gjykimi i takon vetëm Allahut, Ai ka urdhëruar të mos adhuroni askënd përveç Atij. Ajo është e vetmja fe e qëndrueshme, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 40)[9]

 

 

V. BARASPESHA NDËRMJET INDIVIDIT DHE SHOQËRISË

 

 

Islami kultivon baraspeshën ndërmjet të gjitha ndryshimeve, sidomos mes individit dhe shoqërisë. Individualiteti ka rëndësi për njeriun dhe secili individ do të përgjigjet vetë për fjalët, veprimet apo pëlqimet e tij. Çdokush do të përgjigjet individualisht, kurse për këtë rast Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Secili prej jush është bari dhe përgjigjes për atë që gjendet në shtëpinë e tij. Sunduesi është rojtar i atyre të cilët i binden dhe është përgjegjës për ta; burri është rojtar i familjes së vet dhe është përgjegjës për ta; gruaja është rojtar i shtëpisë së burrit të vet dhe përgjegjëse për ta; shërbëtori është rojtar i pasurisë së pronarit të vet dhe është përgjigjes për këtë.” (Buhariu dhe Muslimi).

Islami garanton mësim të paanshëm dhe edukim të drejtë të personalitetit të çdo njeriu. Këtë të drejtë Islami e garanton karshi individit dhe komunitetit. Islami nuk është kundër individit, as asimilimit të tij në një shoqëri apo në një shtet, por nuk e përkrah as individin mbi shoqërinë apo shtetin.

Të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ngjyra, gjuha, raca apo etnia janë begati, jo faktorë copëtimi. Islami mëson se njerëzia është një familje e madhe, kurse dallimet mes tyre duhen kuptuar si gjëra lehtësuese dhe begati për komunikim e solidarizim të ndërsjellë. Përkundër këtyre mësimeve të avancuara islame, megjithatë ekzistojnë dallime racore, gjuhësore, fisnore, të gjakut, të territorit etj. Herë-herë këto dallime theksohen aq sa kemi edhe konflikte verbale politike, ekonomike e madje edhe shpërthime luftërash[10].

Muslimanët kanë një mundësi të mirë që pas këtyre katrahurave të shumë llojeve të ofrojnë mësime të matura, moral të kristaltë, ekonomi solidare, politikë të urtë, por fillimisht duhet të unifikojnë botën përbrenda vetvetes, pastaj edhe përreth e më tej. Evro-perëndimi me politikën e tij hipokrite i përçan popujt, madje edhe drejtpërdrejt ndërfutet duke shkaktuar tragjedi të njëpasnjëshme dhe ngecje në zhvillim[11].

 

 

VI. E PËRHERSHMJA DHE E NDRYSHUESHMJA

 

 

E përhershmja dhe e ndryshueshmja ekzistojnë paralelisht dhe njëkohësisht[12]. Dominimi i njërës apo tjetrës në një shoqëri e bëjnë shoqërinë të pamundur, përkatësisht të pamjaftueshme, të brishtë, jofunksionale. Këtë e vërejmë tek ideologjitë e ndryshme, të cilat i japin epërsi njërës apo tjetrës. ndërsa kjo gjendje nga njëra anë prodhon ose një sistem të ngurtë ose nga ana tjetër prodhon mungesë të vlerave të përhershme, që çon në relativizëm moral, politik, që çon në anarki dhe në gjendje amorfe.

Në fakt, shoqërisë sonë i nevojitet baraspesha ndërmjet dy skajshmërive, baraspeshë që përmbush edhe anën e përhershmërisë edhe anën e ndryshimeve. Koha moderne ka nevojë sidomos për ndërmjetës mes kundërshtive, duke i shtyrë proceset përpara. Pikërisht, ky është Islami, që ka në vete parimet e përhershmërisë dhe dinamizmin e brendshëm për të bërë ndryshimet e nevojshme[13]. Këtë e thotë ndryshe intelektuali El-Attasi: “Ilmi (dija) ka dy karakteristika që duhen theksuar dhe plotësuar medoemos: 1) të jetë gjithëpërfshirës dhe 2) që njeriun ta shpjerë në lumturi në këtë botë dhe në shpëtim në botën tjetër[14].”

Edhe vetë jeta ka parimin e përhershmërisë dhe të ndryshueshmërisë. As rigjiditeti as fleksibiliteti nuk janë absolute, por të pranishme në masë të caktuar. Vrojtimi i jetës së njeriut, por edhe të kafshëve, bimëve dhe jetës së përgjithësi na jep një pasqyrë të tillë; edhe pse indi ynë ndërrohet disa herë në trupin tonë gjatë jetës, personi i caktuar mbetet po ai i njëjti. Gjethet e një druri ndryshojnë shumë herë, por trungu mbetet po ai. Por, që të dy elementet, edhe e përhershmja edhe e ndryshueshmja, bashkëjetojnë në pajtim të plotë mes vete. Problemet janë po ato gjatë historisë, por zgjidhja e tyre ndryshon nga koha në kohë e nga vendi në vend sepse ndryshon edhe vetë teknika e administrimit të problemeve[15].

Burimet kryesore islame, si Kur’ani dhe Hadithi, përmbajnë udhëzimin e dhënë nga Allahu xh.sh., i cili nuk është i kufizuar as në kohë as në hapësirë dhe si të tilla janë shpallur prej Zotit dhe janë të amshueshme. Por, këto parime kanë karakter të përgjithshëm sepse hollësitë i janë lënë njeriut t’i konkretizojë në kohën dhe hapësirën ku jeton e vepron. Ky angazhim për hollësi, përkatësisht kjo përpjekje intelektuale me synim për arritjen e së vërtetës dhe të implementimit të saj në kohën dhe vendin e caktuar, është e përkohshme dhe relative. Pra, udhëzimi themelor është i përhershëm, kurse implementimi dhe metodat e implementimit janë të ndryshueshme në pajtim me nevojat, rrethanat dhe specifikat e kohës. Kjo është arsyeja përse për Islamin themi se është bashkëkohor dhe gjithnjë me zgjidhje të freskëta dhe jo se Islami i ka të gatuara zgjidhjet qysh nga koha e shpalljes dhe periudhës së selefëve[16].

 

 

VII. ISLAMI SI TRASHËGIMI E FEVE QIELLORE

 

 

Islami me Muhammedin a.s. kohësisht është feja më e re, por Islami në fakt është feja e parë, ajo që iu shpall Ademit a.s., Nuhut a.s., Ibrahimit a.s. Musait a.s., Isait a.s. dhe Muhammedit a.s.. Meqenëse fetë e mëhershme islame, të shpallura të gjithë Pejgamberëve, nuk e ruajtën burimësinë gjatë historisë, Islami që iu shpall Muhammedit a.s. e ruajti tërësisht shpalljen e Zotit. Edhe historia e Muhammedit a.s. është e ruajtur në hollësi nëpërmjet haditheve. Leximi i biografisë së Muhammedit a.s. është mbresëlënës dhe faktdhënës. Para kësaj të vërtete edhe një numër i madh jomuslimanësh dorëzohen[17].

Këto janë vetëm disa karakteristika të fesë islame. Ato forcojnë bindjen se Islami është fe e njerëzve, fe e së ardhmes. Këto veçori tërhoqën me miliarda njerëz gjatë të kaluarës, gjithashtu edhe në të ardhmen ashtu do të jetë. Ajo është fe e vërtetë dhe rrugë e drejtë për njerëzinë[18]. Deri në Ditën e Fundit njerëzit do të dëshmojnë:

Dëshmoj se nuk ka hyjni përveç Allahut, i cili është një dhe i vetëm. Nuk ka rival dhe nuk mund të krahasohet ndonjë gjë me Të. Dëshmoj se Muhammedi është rob i Tij dhe i Dërguar i Tij.

 

 

VIII. NË VEND TË PËRFUNDIMIT

 

Islami është fe tërësore, shpirtërore dhe materiale. Parimet e saj janë të pandryshueshme, të vendosura në Librin e Allahut dhe fjalët e veprat e Pejgamberit a.s., por hollësitë i përcakton secila kohë varësisht nevojave dhe përmasave të veta. Individi ka liri të veprojë e zhvillojë prirjet e veta, por kjo duhet bërë në kuadër të nevojave të komunitetit dhe frymës së tij.

Zhvillimi paralel i të përhershmes dhe të ndryshueshmes dhe ruajta e ekuilibrave të shumtë njerëzinë e dërgon në mirëqenie e rehati, dhe e kundërta, dhënia epërsi skajshmërive e çon njerëzinë në përjashtime, skajshmëri dhe tragjedi.

Islami nuk ka kultivuar as skajshmëritë individuale as kolektive, as të përshpirtmen kundrejt materiales dhe e kundërta, ndaj edhe në fazat e caktuara arriti kulmin botëror. Këtë bukur e kanë vërejtur edhe të huajt, sikurse letrari e dramaturgu i njohur anglez George Bernard Shaw, me mendimin optimist të të cilit po e përfundojmë këtë shkrim të shkurtër:

“Gjithnjë e kam çmuar lart fenë e Muhammedit për shkak të vitalitetit të saj të shkëlqyer. Kjo është feja e vetme, e cila më duket se ka këtë kapacitet që i mundëson t’ia dalë në fund me ndryshimet dhe që është e përshtatshme për çdo kohë. E kam studiuar jetën e këtij njeriu të shkëlqyer dhe sipas mendimit tim ai është larg asaj të quhet Antikrisht, por do të duhej të quhet Shpëtues i njerëzisë. Besoj se nëse njeriut sikurse ai i jepet qeverisja mbi njerëzit, ai do të arrinte sukses në zgjidhjen e problemeve të botës dhe do të sillte paqen dhe lumturinë aq të dëshiruar. Parashikimi im është që feja e Muhammedit do të bëhet e pranueshme për të ardhmen e Evropës, sikurse ka filluar të bëhet e pranueshme për Evropën e tanishme[19].”



[1] Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, fq.  77 dhe 65.

[2] Syed Muhammad Naquib Al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 193-234.

[3] Nexhat Ibrahimi, Hyrje në bazat e besimit islam, Logos-A, Shkup, 2017.

[4] Ahmed Hurshid, Razlike islama i ostalih religija, në:

https://putuislam.wordpress.com/2008/07/01/razlike-islama-i-ostalih-religija-dio-12/ .

[5] Ahmed Hurshid, po aty.

[6] Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Logos-A, Shkup, 2007, fq. 159.

[7] Ibrahim Kalin, Islami, arsyeja dhe bota moderne, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 161 e tutje.

[8] Ahmed Hurshid, po aty. 

[9] Sipas: Ahmed Hurshid, po aty, 1.

[10] Gh. Muhammad, I. Kalin, M. Kamali, Lufta dhe paqja në Islam, Logos-A, Shkup, 2015.

[11] Kolonializmi, pastaj periudha e kohës së fundit, është përplot konflikte e luftëra, si në Afganistan, Irak, Siri, Jemen, ku vendet evro-perëndimore nxisin luftërat për nevoja të tyre industriale e dominim ekonomik e politik. Ahmed Hurshid, po aty, 2.

[12] Një trajtim sociologjik, filozofik, metafizik dhe etik të të përhershmes dhe të ndryshueshmes e lexojmë në: Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe virtyti, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 319 e tutje.

[13] Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Logos-A, Shkup, 2008, kapitulli V.

[14] Syed Muhammad Naquib Al-Attas, po aty, fq. 261.

[15] Ahmed Hurshid, po aty, 2.

[16] Ahmed Hurshid, po aty, 2. 

[17] Ibn Hisham, Biografia e Pejgamberit s.a.v.s., Logos-A, Shkup, 2017.

[18] Ahmed Hurshid, po aty, 2.  

 

 

IX. LITERATURA

 

 

1)    Ahmed Hurshid, Razlike islama i ostalih religija, në:

https://putuislam.wordpress.com/2008/07/01/razlike-islama-i-ostalih-religija-dio-12/ .

https://putuislam.wordpress.com/2008/07/01/razlika-islam-i-ostalih-vjera-dio-22/.

2)     Gh. Muhammad, I. Kalin, M. Kamali, Lufta dhe paqja në Islam, Logos-A, Shkup, 2015.

3)     Ibn Hisham, Biografia e Pejgamberit s.a.v.s., Logos-A, Shkup, 2017.

4)     Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe virtyti, Logos-A, Shkup, 2015.

5)     Ibrahim Kalin, Islami, arsyeja dhe bota moderne, Logos-A, Shkup, 2012.

6)     Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002.

7)     Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, Logos-A, Shkup, 2008.

8)     Nexhat Ibrahimi, Hyrje në bazat e besimit islam, Logos-A, Shkup, 2017.

9)     Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Logos-A, Shkup, 2007.

10) Syed Muhammad Naquib Al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003.

 



[1] Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, fq.  77 dhe 65.

[2] Syed Muhammad Naquib Al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 193-234.

[3] Nexhat Ibrahimi, Hyrje në bazat e besimit islam, Logos-A, Shkup, 2017.

[4] Ahmed Hurshid, Razlike islama i ostalih religija, në:

https://putuislam.wordpress.com/2008/07/01/razlike-islama-i-ostalih-religija-dio-12/ .

[5] Ahmed Hurshid, po aty.

[6] Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Logos-A, Shkup, 2007, fq. 159.

[7] Ibrahim Kalin, Islami, arsyeja dhe bota moderne, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 161 e tutje.

[8] Ahmed Hurshid, po aty. 

[9] Sipas: Ahmed Hurshid, po aty, 1.

[10] Gh. Muhammad, I. Kalin, M. Kamali, Lufta dhe paqja në Islam, Logos-A, Shkup, 2015.

[11] Kolonializmi, pastaj periudha e kohës së fundit, është përplot konflikte e luftëra, si në Afganistan, Irak, Siri, Jemen, ku vendet evro-perëndimore nxisin luftërat për nevoja të tyre industriale e dominim ekonomik e politik. Ahmed Hurshid, po aty, 2.

[12] Një trajtim sociologjik, filozofik, metafizik dhe etik të të përhershmes dhe të ndryshueshmes e lexojmë në: Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe virtyti, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 319 e tutje.

[13] Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Logos-A, Shkup, 2008, kapitulli V.

[14] Syed Muhammad Naquib Al-Attas, po aty, fq. 261.

[15] Ahmed Hurshid, po aty, 2.

[16] Ahmed Hurshid, po aty, 2. 

[17] Ibn Hisham, Biografia e Pejgamberit s.a.v.s., Logos-A, Shkup, 2017.

[18] Ahmed Hurshid, po aty, 2. 

[19] Sipas: Ahmed Hurshid, po aty, 2.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme