REFORMIMI I TË MENDUARIT MUSLIMAN

  • Nëse një shoqëri karakterizohet me përçarje e mospajtime politike, nacionale, ekonomike e tjera, ajo shoqëri do të ketë regres në çdo aspekt. Mungesa e ideve racionale e intelektuale vështirë që do të sjellë ndryshim.

 

Ndryshimet e pjesshme në një bashkësi, organizatë e popull janë të mira, por jo shumë të mira, sepse rezultatet do të jenë të pjesshme e të cunguara pa arritur synimet e shtruara në fillim të projeksionit si të tillë. Prandaj, krahas zgjimit fetar dhe emocional, duhet të ndodh edhe zgjimi intelektual dhe kjo është domosdoshmëri që duhet t’i ndodhë botës myslimane, qoftë veç e veç, qoftë si tërësi. Kjo është pyetje e shpeshtë e muslimanëve dhe të tjerëve viteve të fundit, pas problemeve politike, ekonomike, kulturore në vendet me traditë muslimane, që nga Maroku deri në Indonezi, ndërsa vjen si pasojë e hegjemonisë së shteteve të fuqishme dhe trysnisë së tyre në rrafshin politik, ushtarak, ekonomik etj.

Amerika, e cila pas rënies së bllokut socialist, mbeti e vetmja superfuqi, më nuk është e tillë. Kemi ngritjen e Kinës, Indisë, Gjermanisë, por edhe të Rusisë, e cila imponohet agresivisht në ish-zonat e ndikimit të BRSS-së. Kemi, po ashtu, edhe lojtarët e rinj në lojë, si Koreja Veriore, pastaj Turqia, të cilat, secila në aspektin e vet, e prishin rendin të “baballarëve të botës”. Në këtë gjeografi është vështirë të kontrollohet situata, sidomos kur animi politik është i shprehur deri në kulm të së keqes. Organizatat rajonale ose ato botërore janë shndërruar në vegla politike të të fortëve dhe këtë e përshkruan bukur pohimi i një zyrtari amerikan se në politikë ekzistojnë aleancat, sepse miqësitë nuk ekzistojnë. Këtë gjendje e kemi sot, me ç’rast armiqtë e djeshëm bëhen miq dhe miqtë e djeshëm bëhen armiq, kjo si pasojë e interesave gjeopolitike. Kjo është bota multipolare sot, ku të vegjlit janë viktima të mundshme të të mëdhenjve, për dallim prej botës bipolare, ku aleancat ishin më të qëndrueshme. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)


Abuzimi me religjionin

Feja, në parim, është promotore e paqes, por individë, grupe ose shtete të caktuara, pikërisht në emër të fesë, hapin konflikte, vrasin dhe eksploatojnë. Ky është abuzim me fenë dhe paragrafët e saj, me arsyetimin e mbrapshtë duke justifikuar dhe legjitimuar vendimet dhe veprimet e tyre. Paqja nuk është normale nëse ajo kërkon viktimizimin e vlerave tjera, si drejtësia, barazia, liria e të folurit, lëvizjes, bindjes etj. Aty ku flitet për paqen, ndërsa “vriten” vlerat e tjera, aty ka një kaos shoqëror të kamufluar. Tirania jetëgjate në vendet arabe-muslimane, si në Irak, Arabi, Siri, Libi, Egjipt etj., ka sjellë pakënaqësi të mëdha dhe njëkohësisht ka lënduar rëndë mundësinë e zhvillimit të shëndoshë të brezit të tillë. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.) Edhe perceptimi i Islamit në kushte të tilla të rënduara emocionale, racionale dhe të përshpirtshme, vështirë mund të jetë i drejtë. Aty edhe rëndojnë devijime të ndryshme, si dhuna, skajshmëria, korrupsioni, nepotizmi, nepsi etj.


Selefizmi i mundshëm në kohën e modernizmit

Edhe pse duket kundërthënëse, selefizmi është i mundshëm në shoqërinë moderne, sepse ai konsiston në një të vërtetë konstante, të vetme, ajo të cilën ata e praktikojnë, e bazuar në tre brezat e parë muslimanë (sahabët, tabi’inët dhe tebei-tabi’inët), duke e pranuar sunetin, por pa kurrfarë pyetjeje, komenti, dyshimi etj. Ata këmbëngulin që prej 73 xhematëve vetëm xhemati i tyre është i drejtë, korrekt dhe i shpëtuar. Karakteristikë tjetër është se selefizmi këmbëngul në individualizëm, kurse individualizmi është tipik produkt i modernizmit, siç ndodh që një selefi në xhami, nëse sheh një grup njerëzish që falen ndryshe nga ai, ai do të ndërhyjë duke u thënë prerazi grupit: “Ju po faleni gabim, kurse unë falem drejt”. Ose, nëse fillimi ose mbarimi i agjërimit të shumicës myslimane nuk pajtohet me datat e selefistit, ai publikisht atë ditë ha dhe pi, përkundër shumicës së besimtarëve të tjerë joselefistë, duke iu thënë njerëzve se “nuk ka agjërim” ose se “ende nuk ka filluar” ose se “agjërimi tashmë ka mbaruar”. (https://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3303) Thjesht, selefizmi mori hov pikërisht në kulmin e zhvillimit të individualizmit si produkt i modernizmit, pra jo më herët, sepse kushtet për shfaqjen e tij nuk ekzistonin. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)


Përçarjet e brendshme dhe injoranca si faktor ekstremizmi

Nëse një shoqëri karakterizohet me përçarje e mospajtime politike, nacionale, ekonomike e tjera, ajo shoqëri do të ketë regres në çdo aspekt. Mungesa e ideve racionale e intelektuale vështirë që do të sjellë ndryshim. Pluralizmi fetar e politik ekziston në Islam, por ai nuk është zhvilluar në mënyrën e duhur. Përveç kësaj, edhe rrethanat shoqërore te shumë vende muslimane e kanë vështirësuar funksionimin e pluralizmit.

Por, edhe kur gjerat ecin mbarë, duhet kohë e përvojë për t’i kapërcyer problemet fillestare. Disa shtete perëndimore, të cilat konsiderohen shtete të qëndrueshme, kanë kapërcyer faza të gjata të stabilizimit. Problemet nuk zgjidhen me një qeveri, me një mandat qeveritar, por as me një ndërhyrje nga jashtë nëse qëllimi është kolonizimi tjetërfare, asimilimi, gërryerja ekonomike e vendit, gjeostrategjia etj. Shembulli i Kosovës e Bosnjës është shumë eklatant. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.) Bamirësit nga bota nuk e rregulluan Kosovën, por e instaluan sistemin e korrupsionit, monopolit. Nuk po rregullohet as Egjipti, as Libia, as Siria, as Iraku, përkundër miliona viktimave njerëzore dhe miliarda e miliarda dollarëve të humbura. Ndër palët e implikuara në rajon është edhe Irani, edhe Arabia. Të dyja nëpërmjet faktorit material dëshirojnë të fitojnë territor për dominim ideologjik, natyrisht edhe politik e ushtarak. Arabia angazhohet duke i vehabizuar, ndërsa Irani duke i shi’itizuar vendet në rajon. Kjo ka sjellë polarizime, por edhe konflikte, në dëm të muslimanëve, të cilët janë bërë viktimë e interesave globale dhe të interesxhinjve rajonalë. Irani ka ndikim në Irak, Liban, Siri, Jemen e tjerë, kurse Arabia në Jordani, Jemen, Bahrejn, Emirate, Egjipt etj.

Këto shtete despotike, tiranike, ekzistojnë me ndihmën e fuqive të mëdha perëndimore. Qartë u pa se shtetet perëndimore dhe aleatët e tyre arabë e ndihmuan grusht-shtetin në Egjipt kundër qeverisë së dalë nga zgjedhjet e lira, por dështuan në grusht-shtetin ushtarak e, pastaj, ekonomik në Turqi. Qartë shihet tashmë një kohë të gjatë se si SHBA-të e ndihmojnë klanin saudit në Arabi në kundërvlerë të miliardave arabe. (https://stav.ba/cetiri-decenije-od-krvave-opsade-meke/.)


Mendimi islam në zhvillimet aktuale në shoqëritë muslimane

Botës myslimane, viteve të fundit, i ndodhi një e keqe shumë sosh. Para shumë njerëzve shtrohej dilema se a mos vjetërsia e mendimit islam të liderëve të tyre po shkakton një gjë të tillë? A ka ndikim dhe lidhshmëri mendimi politik islam me ndodhitë aktuale dhe a kanë ndikim ndodhitë aktuale në ndryshimin e mendimit politik islam?

Sipas hulumtimeve në rrafshin global, rezulton se shumë tema të paprekshme dhe të qarta me shekuj tash janë në pikëpyetje. Shumë intelektualë e kuptojnë se perceptimi ynë i fesë islame nuk mund të jetë i njëjtë me stërgjyshërit tanë para disa shekuj. Ata i kanë pasur mënyrat e tyre në pajtim me kohën e tyre, por ne nuk i kemi mënyrat tona, sepse ka rënë kreativiteti në ixhtihad, që të kemi mendim të ri islam, mënyrë të re të të kuptuarit të Islamit, pra jo ndonjë fe të re islame. Nëse ripërtëritja e të kuptuarit të tij nuk ndodh në vazhdimësi, Islami do ta humbë freskinë dhe do të bëhet diletant, i mangët, që çon në përtaci, ndërsa  përtacia në skllavëri. (S. H. Nasr, Islami në botën moderne, Logos-A, Shkup, 2019.)

Bota myslimane, qysh nga gjysma e shekullit XIX e më pas, ka tentuar disa herë në vende të ndryshme të bëjë ndryshime, qoftë ushtarake, qoftë intelektuale, pra edhe reformën e mendimit islam. Madje, është bërë përpjekje nga Afganiu e Abduhuja, M. Ikballi, Senusiu e të tjerë, por ato nuk ishin të mjaftueshme. Platforma e ringjalljes duhet taë përfshijë botën islame dhe specifikat e saj. Ringjallja dhe ndryshimi nuk bëhet me injorancë dhe emocione, as me intelektualizëm pa Zot, as me shpirtëroritet pa racionalizëm. Thjesht, dëshirën dhe zjarrin për ndryshim e gjejmë në shumë vende muslimane, kemi xhemat, kemi dëshirë fetare, kemi vullnet emocional, por këtu mungon përmbajtja intelektuale. Atëherë kur t’i bashkojmë këto tri komponentë, mund të ndërtojmë institucione ekonomike, politike dhe kulturore. (https://www.cns.ba/kolumne/2013/09/15/dr-ermin-sinanovic-nasem-drustvu-potrebno-je-intelektualno-budenje/.)


Nga letargjia drejt perspektivës

Zgjimi nga letargjia e gjatë e muslimanëve është mjaft kompleks. Vetëm vullneti i mirë dhe arsimimi solid mund të ndihmojë. Individët e arrirë duhet të vihen në krye të nismave për ndryshime pozitive. Përveç individëve, duhet të ndërtojmë një varg institucionesh intelektuale e kulturore, që promovojnë zgjimin e muslimanëve dhe arsimimin e tyre akademik. Mirëpo, deri në formimin e numrit të mjaftueshëm të tyre puna duhet të vazhdojë mbi të gjitha në formimin e njerëzve. Ndërtimi i institucioneve cilësore pa njerëz cilësorë është dështim dhe, e kundërta, ekzistimi i potencialit njerëzor pa institucione do të çonte në rrugë joproduktive, të fragmentarizuar dhe, si të tilla, ato institucione do të udhëhiqeshin nga njerëz të huaj (si rasti i Arabisë dhe vendeve të Gjirit). (S. H. Nasr, po aty.) Kosova, Bosnja dhe rajonet e tjera me muslimanë në Ballkan kanë nevojë për njerëz të mençur e të urtë në kreun politik, shkencor, kulturor. Nëse ata nuk janë të orientuar drejt, nëse nuk janë të moralshëm e të ndershëm, që t’i përkrahin vlerat pozitive, e ardhmja do të jetë e ngrysur, e zymtë. Prandaj kërkohet më shumë mirëkuptim, më shumë solidaritet dhe jo vetëm hedhja e grepit në ujë për të gjuajtur shpirtrat e përvuajtur e të mjerë. Nga gjëja e vogël duhet të ndërtojmë gjëra të mëdha, sepse vetëm kështu nënqielli ynë dhe e ardhmja jonë ka perspektivë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme