
Hyrje
Kjo botë ka kërkesat e saj biologjike, racionale dhe shpirtërore. Neglizhimi i njërës dhe favorizimi i tjetrës krijon vakum që prishë të gjitha rrafshet. Sidomos duhet pasur parasysh nivelimin e rrafshit biologjik, emocional e racional me atë shpirtëror. Kjo ndoshta kërkon edhe një qasje tjetër çështjeve të fesë dhe ritualeve, duke iu shmangur spekulimeve e stereotipave akademike por dhe superficialiteteve të përditshme të diletantëve. Është mirë t’i kthehemi tërësisë islame si botëkuptim, si sistem i cili në mënyrë të urtë do t’i kundërvihet kapitalizmit liberal dhe etikës së tij materialiste dhe utilitariste. Pjesa racionale, emocionale, biologjike dhe shpirtërore duhet të vihet në shërbim të pjesës rituale islame, sikurse namazi, agjërimi e tjera, duke i nxjerr ato nga izolimi i tyre formalist dhe duke i vënë si digë karshi dallgëve të egra të kohës dhe si strumbullar të ecejakeve njerëzore.
Qasje niveluese
Për muslimanët është bërë ‘fat’ që për mbijetesën e tyre gjithnjë të shpjegohen për besimin, traditat, jetën e tyre, gjithnjë të qëndrojnë me gardë të ngritur, në të kundërtën, do të ketë pasoja të rënda. Me fajin edhe të vetë muslimanëve, duke neglizhuar mësimet morale dhe metafizike të ritualeve, sidomos agjërimit, hapim rrugë për sjellje agresive të të tjerëve mbi muslimanët, duke ofruar shpjegime materialiste, e të cilat shpjegime ritualet islame i paraqesin si mekanizma për të mbetur të varfër, të sëmurë, të nënshtruar, sepse Islamin dhe Ramazanin e kundrojnë vetëm materialisht, sipas pikëpamjeve sidomos të rrymave filozofike perëndimore të 2-3 shekujve të fundit.[1]
Pas kësaj pjese agresive antiislame, qëndron një rend edhe më i rrezikshëm, më rrënues, asimilimi musliman në globalizëm dhe atë që ofron ai. Për këtë qëllim, ata, globalistët, madje bëjnë edhe veprime joshëse, duke ngjitur etiketa “hallall” në prodhime ushqimore, në afarizëm “hallall”, në veshmbathje “hallall” etj. Prodhues, prezantues, shitës të këtyre prodhimeve “hallall” janë po këto sisteme eksploatuese, të dehumanizuara, me interesa të larta kamatore. Ne joshemi pas etiketave ku shkruan “hallall”, duke harruar se këto fabrika janë po ato që i njohim si eksploatuese, në dorë të korporatave të pashpirt. Konzumerizmi gllabërues dhe vdekja e etikës tradicionale luajnë lojë mashtruese me liberalizmin si filozofi, gjoja në liri të pakufizuar, por në fakt të futur brenda kafazit të hekurt.[2]
Këtë gjendje e vërejmë kudo, por viteve të fundit e vërejmë sidomos në Muajin e Agjërimit, ku në vend të maturisë, modestisë, urtësisë, devotshmërisë, përunjtësisë, kemi një hiper-konzumerizëm, hiper-reklamizëm, hiper-estradizëm. Viteve të fundit, prodhuesit botëror, si McDonald, Coca Cola, Burger King, KCF, NESTLE, janë orientuar në Muajin e Ramazanit dhe drejt muslimanëve, duke ofruar produktet e tyre me etiketat “hallall” dhe duke ngritur profitet e tyre shumëfish. Muslimanët, për të treguar bujarinë e tyre, organizojnë mega-tubime, miliona racione/iftare, filmojnë sadakën e tyre, mbajnë fjalime të “mëdha”, duke harruar porosinë parësore të agjërimit – kursimin, solidaritetin, modestinë, thjeshtësinë. Me këtë veprim, “hallall” korporatat si McDonald, Coca Cola, Burger King, KCF, NESTLE e tjera, rrisin fitimet e veta, muslimanët varfërohen edhe më shumë, sidomos pjesa e varfër agjërimin e ndien si dënim, si ngarkesë, e jo devotshmëri. Në një anë kemi Emiratet, Kuvajtin, Saudinë e tjera, ku vdiset nga bollëku i çdo gjëje dhe obeziteti, e në anën tjetër kemi Jemenin, Sirinë, Somalinë e tjera, ku vdiset nga mungesa elementare e ujit, bukës dhe ilaçeve. Jeta moderne është zhveshur nga çdo element shpirtëror. Jeta në tërësinë e saj është desakralizuar në një shoqëri me mekanizma e instrumente tërësisht të desakralizuara.
Përkundër egërsisë së trendëve të reja globaliste, agjërimi i muajit të ramazanit në vete ruan forcën e ripërtëritjes, forcën e gjallërimit, ofron mundësinë e të jetuarit në pajtim me natyrën, ku Dielli, Hëna e yjet, përcaktojnë orarin tonë të përgjithshëm. Muajin e fillojmë dhe përfundojmë duke parë hyrjen dhe daljen e Hënës, kurse ditën e agjërimit e fillojmë para agimit dhe e përfundojmë me perëndimin e Diellit. Duke pasuar Diellin dhe Hënën, lindjen dhe perëndimin e Diellit, ne i dorëzohemi Krijuesit fuqiplotë, të çdo gjëje që ekziston në gjithësi, e dukshme dhe e padukshme. Me këtë mënyrë jetese, ne nuk e shkatërrojmë rendin që na ofrohet nga pala tjetër, por e vëmë nën kontroll, e humanizojmë për të gjithë, qofshin me ngjyrë apo të bardhë, jetojnë në veri apo jug. Duke mos humbur para “kalimtares”, ne hapim shtigjet drejt së ardhmes. Me këtë ne ruajmë drejtpeshimin mes materiales dhe shpirtërores, mes kalimtares dhe të përhershmes, mes negatives dhe pozitives.
Natyrisht, kjo përballje nuk është e lehtë. Forcat moderne të shekullarizimit, njeriun bashkëkohor do ta godasin vazhdimisht, me polipet e veta helmuese do ta ‘kontaminojnë’ atë, duke kërkuar karaktere të dobëta, për t’i përvetësuar, për t’i robëruar. Duke na u imponuar mënyra e jetës, punës, arsimimit, ushqimit, udhëtimit, relaksimit, ne pak a shumë i dorëzohemi kësaj mënyre të jetës, bëhemi pjesë e tyre, pa pasur kontroll mbi to.[3]
Ramazani digë dhe melhem kundër modernizmit
Nga një anë muslimanët duken mjaft aktiv në ramazan. Ata përgatiten me ushqim, për iftare, ndeje pas iftarit, mbushin rrymë bateritë e telefonave për foto, duken shumë të ngazëllyer, edhe fjalori i tyre i komunikimit është përplot fraza fetare, por në anën tjetër shumë tregues pasqyrojnë një boshllëk shpirti, një formalitet pa thelb, një moral të fragmentarizuar, një ritëm pune të ndryshëm nga ajo që dikur ofronte Islami me ritualet e veta. Por, kthimi vlerave të njëmendta të agjërimit bashkë me ritualet tjera, do të na kthejë në vlerat konstante: solidariteti material e emocional por jo shkapërderdhja e pasurisë, maturia racionale, bollëku shpirtëror, humaniteti me të tjerët, dominimi me mjetet e modernizmit dhe mosrënia pre karshi tyre.
Ramazani është kthim në bazë, marrëdhënie e shëndoshë me bashkësinë, botën, kohën, hapësirën. Ai është vetëdije e lartë (takvallëk) karshi Krijuesit dhe mirësive të Tij në qiej e tokë. Më pak reklama, më pak shpenzime, më pak slogane të thata, e më shumë meditim, adhurim, mirësjellje.[4] Kthimi besimit të plotë, pa spekulime të thata, pa instat-fe, pa pankarta muresh e sheshesh, pa pano të varura nëpër rrugë, por me një agjërim si monument vjetor i besimtarit, me një agjërim si periudhë ringjallërimi, leximi, meditimi, bamirësie.
ISN