A DO TË BËHET BASHKIMI EUROPIAN "EUROPË E MADHE"?!

1. Udhëheqësit më të lartë të 15 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, gjatë mbledhjes së tyre në Spanjë, nga fundi i muajit qershor të vitit 2002, bënë listën e 10 vendeve të Europës Lindore e Juglindore për t'u pranuar si anëtar të rinj. Gazeta e mirënjohur franceze "Le Monde" në kryeartikullin e saj më datën 20 qershor ka shkruar: "Bashkimi Europian po përgatitet të kryejë një hap historik duke pranuar edhe 10 anëtarë të rinj. Më shumë se një zgjerim i asaj që quhet "Europë e Vogël" këtu bëhet fjalë për një ribashkim të vërtetë të familjes europiane " ("Europa zgjerohet", shih "Shekulli", Tiranë 22.6.2002). Sipas gazetës franceze vendet e përzgjedhura për t'u bërë tani anëtare të Bashkimit Europian "kanë qenë të përjashtuara për disa dhjetëvjetësh nga begatia perëndimore si pasojë e LDB-së.... Por, ata kapërcyen realitetet e vjetra dhe kanë krijuar një mjedis demokratik". Këto vende lavdërohen se "kanë qenë vërtetë të duruar për 10 vjet pas shembjes së komunizmit dhe se u janë përgjigjur kërkesave të Brukselit, të pranojnë të famshmen "përvojë komunitare", e cila përfshin dhjetra mijëra faqe".

2. Shqipëria duket si e harruar fare. Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të nisë me të bisedat për një marrëveshje Shoqërizimi e stabilizimi . Megjithatë hapja e bisedave të tilla tashmë është bërë çështja kryesore dhe një shqetësim i madh në politikën dhe në propagandën shqiptare. Mekanizmat politikë dhe propagandistikë u thonë çdo ditë njerëzve në Shqipëri që të mos e vrasin mendjen për asgjë tjetër, por të mendojnë vetëm për të plotësuar kushtet që u vë Brukseli për futjen e vendit të tyre në Europë.Çdo ditë shqiptarëve u thuhet se hyrja në BE është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Shqiptarëve u thuhet se janë të mirëpritur në BE, ku dyert mbahen gjithmonë të hapura për ta. Por deri më sot atyre ua kanë përplasur derën në fytyrë sa herë kanë kërkuar të fillojnë bisedat në kuadrin e një marrëveshje të Shoqërizimit dhe stabilizimit. Është bërë mjaft e qartë se Shqipërinë e kanë lënë si një nga vendet e fundit , në mos të fundit fare, për të hyrë në BE. Edhe FYROM po trajtohet me më kujdes.

3. Në shtator të vitit 2001, rasti i Shqipërisë u shqyrtua në një raport të gjatë prej afër 60 faqesh të titulluar "Evoluimi i BE. Strategjia e vendit: Shqipëria 1996-2001", përgatitur nga një ekip ekspertësh të Brukselit. Ata kanë parashtruar analizën për ecurinë ekonomike të Shqipërisë gjatë 5 viteve të fundit; për gjendjen dhe qeverisjen në Shqipëri; për shoqërinë shqiptare pas-komuniste dhe posaçërisht për krizën e viti 1997. Në këtë raport Shqipëria është cilësuar si "një nga vendet më të varfëra në Europë" me "prodhim të përgjithshëm shoqëror (GDP) 1100 dollarë për frymë" dhe si "vendi më i varur nga bujqësia në botë, i ngjashëm me Mainmar, Republikën Demokratike të Kongos dhe Kamboxhian". Raporti përmban madje edhe një "vërejtje të vogël", por që tregon shumë për vlerësimin e mundësive të Shqipërisë për të hyrë në Europë: "Me një sistem bujqësor që duket më shumë si afrikan se sa europian domosdoshmëria më e ngutshme nuyk mund të jetë harmonizimi i legjislacionit dhe integrimi në Europë në krahasim me përpjekjet për një zhvillim rrënjësor".
Nuk është e nevojshme të numërohen këtu të gjitha dyshimet që kanë rreshtuar specialistët e BE lidhur me mundësinë e hyrjes së Shqipërisë në këtë bashkim në një të ardhme relativisht të afërt.
Ata përshkruajnë varfërinë, shkatërrimin e mjedisit, emigrimin, shkeljen e të drejtave të njeriut, shtypin tejet të politizuar. E vetmja kënaqësi që bie në sy tek këta specialistë është kur shkruajnë: "Shqipëria ka shmangur me sukses si përleshjen e brendëshme dhe konfliktin ndërkombëtar që rrodhën nga tragjedia e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në veçanti në politikën e Shqipërisë ndaj Kosovës e Maqedonisë, që kanë popullsi të mëdha shqiptare, ka qënë e përgjegjshme dhe jo provokuese."
Pra, shqiptarët janë lavdëruar vetëm për atë ç'ka kanë bërë në kundërshtim me detyrimet e tyre kombëtare. Nuk ka sigurisht asnjë arsye të zemërohemi me ekspertët e Bashkimit Europian për të tilla përshkrime. Shqipërisë me të vërtetë do t'i duhet të bëjë një rrugë të gjatë e të vështirë përpara se të përmirësojë gjendjen e vet dhe të jetë e gatshme për integrim normal në Europë.

4. Por, nganjëherë një gjendje e tillë e një vendi nuk është i vetmi shkak që vonon proçesin e pranimit të tij si anëtar i BE. Ka dhe shkaqe të tjera. Shembull për këtë mund të jetë vonesa e gjatë e pranimit të Turqisë si anëtar i BE. "Parathenia" e librit "Turqia dhe Bashkësia Europiane" fillon me një frazë të tillë: "Ky libër përfaqëson një tjetër gur themeli në kërkesën e bërë prej kohësh nga Turqia për të vendosur me BE marrëdhënie pozitive dhe shpresëdhënëse që do të çojnë në anëtarësimin e plotë në këtë bashkësi". Në këtë libër, ku janë përfshirë referatet dhe diskutimet e mbajtura në një seminar në Pallatin e Kongreseve në Bruksel, më 30-31 tetor 1991, është nënvizuar se: "Marrëveshjet e vitit 1963 midis Turqisë dhe BE, që e përfshinë Turqinë si anëtar-shok parashikonin gjithashtu angazhimin e BE për të pranuar Turqinë si anëtare me të drejta të plota..... ndryshimi tërësor që ka ndodhur qysh prej vitit 1987 e ka përforcuar në mënyrë të favorshme kërkesën e Turqisë për anëtarësimin në BE..... Anëtarësimi i plotë i Turqisë në BE do ta çojë përpara çështjen e idealit europian për një Europë të Bashkuar në kuptim ekonomik, politik e kulturor. Kjo do të forcojë stabilitetin në marrëdhënie ndërkombëtare midis Europës dhe Lindjes së Afërt e të Mesme.... Për dobinë e ndërsjelltë të dy palëve, Turqisë dhe BE-së, pranimi i kërkesës së Turqisë për anëtarësim të plotë në BE do të ishte një vendim i peshuar dhe logjik". Por edhe 11 vjet pasi janë nxjerrë këto konkluzione në një seminar të organizuar nga "Forumi Europian i Konferencave" në vet kryeqytetin e BE, Bruksel, këto zëra nuk janë dëgjuar ende si duhet dhe kërkesa e Turqisë për anëtarësim të plotë ende ka mbetur pezull në një atmosferë pasigurie.

5. Rasti i Turqisë që pret prej 30 vitesh t'i pranohet kërkesa për të hyrë në BE, u sjell ndërmend shqiptarëve se mos do t'u duhet të presin shumë gjatë para se t'u plotësohet dëshira për t'u bashkuar me BE. Dihet mirë se kanë qenë problemet politike dhe gjeopolitike, veçanërisht në shkallë rajonale, që deri tani kanë penguar marrjen e një vendimi në frymën e përfundimeve që u përmendën më sipër për ta pranuar Turqinë si anëtare me të drejta të plota në BE, Greqia, ka keqpërdorur shumë rregullat e BE për të kundërshtuar anëtarësimin e Turqisë. Për arsye dhe më të pabazuara, Greqia do që të luajë një lojë të tillë në rastin e Shqipërisë, duke u përpjekur që këtë rast ta kthejë në një punë të brendëshme të politikës greke të minihegjemonizmit në Ballkan. Ka edhe një ngjashmëri tjetër midis rasteve të Shqipërisë dhe Turqisë. Krahas Turqisë, Shqipëria është i vetmi vend europian me shumicën e popullatës të besimit mysliman.Për fat të keq duket se ky faktor ka ende një farë ndikimi mbi mendjet e disa njerëzve vendim-marrës në mjedisin politik europian, ku trajtohen çështjet e ndërtimit të një "Europe të Madhe".

6. Në Shqipëri ekziston një dëshirë e madhe dhe shumë shpresa që BE të bëjë një privilegj për një popull të shumëvuajtur dhe ta pranojë atë sa më shpejt si një anëtar-shok. Ende kuptohet pak se kjo gjë nuk do ta ndryshojë shumë dhe shpejt pozitën e Shqipërisë. Problemi i vërtetë nuk është pranimi formal si anëtar - shok në BE, por shndërrimi i thellë në shoqërinë shqiptare, në jetën ekonomike, politike, shoqërore të Shqipërisë, për t'u afruar sa më shumë me nivelet dhe standartet e Europës.
Në rastet si këto të Shqipërisë dhe Turqisë nuk fitohet ndonjë gjë e madhe duke u sulur fort drejt anëtarësimit me çdo kusht . Mund të presim dhe të kujdesemi më shumë për të përmirësuar gjendjen brenda vendit dhe t'u japim të tjerëve të kuptojnë se çdo gjë do të arrijë në fundin e vet logjik, nëse ekziston dëshira e sinqertë e vullneti i vërtetë për të ndërtuar në harmoni një Europë të Bashkuar të integruar.

7. Ëndrrat dhe shpresat për një jetë më të mirë, për një t'ardhme më të mirë, për një shtëpi më të mirë, për ta bërë më mirë vendin tuaj për ju dhe botën më të mirë për të gjithë kanë nxitur mendjet dhe motivuar veprimet e njerëzve kudo. Secili ka patur rastin të besojë në pretendimet e bukura dhe të zhgënjehet nga dështimet për të mbajtur këto premtime. Qysh kur kam qënë nxënës shkolle në Shqipëri kam dëgjuar shumë për "vendin socialist të mrekullive" në tokë, të quajtur Bashkimi Sovjetik. Tani që po hyj në atë që quhet "mosha e tretë e njeriut" përsëri dëgjoj shumë për një tjetër "tokë të çudirave" të quajtur "Bashkimi Europian", apo "parajsa" e demokracisë dhe e begatisë në rruzullin tokësor. Pas disa dhjetravjetëshash përvoje që kam nuk tundohem të besoj në ndonjë parajsë tokësore, as të mrekullohem nga ndonjë bashkim shtetesh.

8. Kur mbërrita në Moskë, në fund të viteve 1950, për të studjuar për dipllomaci, për herë të parë mësova "Mbi parrullën e Shteteve të Bashkuara të Europës", një pamflet politik i shkruar nga V.I.Lenin dhe i botuar në "Social - demokrati" më 23 gusht 1915. Lenini i kundërvihej kësaj parrulle duke çmuar se SHBE "në kushtet e kapitalizmit nuk janë gjë tjetër veçse një marrëveshje për të ndarë kolonitë.... me anën e përdorimit të forcës". Lenini theksonte një fakt që mund të marrë kuptim edhe sot kur ne mendojmë për shndërrimin e Bashkimit Europian në Shtete të Bashkuara të Europës, si një konkurent ekuivalent, madje si një rival, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lenini theksonte se "Katër fuqi të mëdha të Europës: Anglia, Franca, Rusia dhe Gjermania, me një popullsi prej 250-300 milionësh, me një sipërfaqe prej afro 7 milionë kilometrash katrore kanë kolonira me një popullsi prej afro gjysmë miliardi (494.5 milionë) me një sipërfaqe prej 64.6 milionë kilometra katrore”. ( Lenin- Vepra të zgjedhura në dy vëllime, botim shqip 1958, v. II fq. 745) Sistemi kolonial tanimë i përket së kaluarës, por synimet dhe rivalitetet për pozita të privilegjuara në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë zhdukur.

9. Si një jehonë e largët në kohë e fjalëve të Leninit na vijnë mendimet e shprehura nga një prift grek, Xhorxh Metalinos, gjatë bisedës së tij me gazetaren britanike, Viktoria Klark, dhe që kjo i ka njoftuar në librin e saj "Pse bien engjëjt" (Londër 2000, fq.195). Gazetarja transmeton fjalët e priftit : "Përpara Sharlëmanjës (Karlit të Madh) Europa ka qënë e bashkuar. Ishte Perandoria Romake e Lindjes, që njihej si Romania dhe njerëzit e saj si romaioi. Pra, emri i vërtetë i Bizantit është Romania.... Sot disa njerëz po përpiqen të ngrejnë një tjetër Europë të Bashkuar, por kjo është një Perandori Franko-Teutone. Ne nuk e duam një gjë të tillë. Po të them se ju pëlqej ju, britanikët, pikërisht se ju nuk doni të bashkëpunoni me gjermanët e francezët në Europën e Bashkuar". Gazeta "le Monde" më 20 qershor 2002 mrekullohet nga ideja se pranimi i 10 anëtarëve të rinjn Bashkimin Europian, "Europën e Vogël", shënon një hap përpara drejt "ribashkimit të familjes europiane". A mos do të thotë kjo drejt "Europës së Madhe" sikurse ishte para Karlit të Madh, 250 vjet përpara çarjes së madhe midis Perëndimit dhe Lindjes me skizmën e vitit 1054? Apo ky ribashkim i Europës duhet kuptuar si një rikthim në kohët moderne i imazhit të Perandorisë së Shenjtë Romake, sikurse përpiqen të bëjnë paralelizmin historik disa vëzhgues??!! Në librin e tij “ Lufta e shenjtë. Brenda botës së fshehtë të Osama bin Ladenit” (Londër, nëntor 2001) Peter L. Bergen shkruan : “ Bin Ladeni kishte dëshirë të krijonte kushtet për rilindjen e Kalifatit...Në praktikë rivendossja e Kalifatit kishte po aq gjasa sa edhe rikrijimi i Perandorisë së Shenjtë Romake që papritmas u rishfaq si ide në Europë, por si mjet retorike thirrja për rikthimin e tij (Kalifatit) mbërtheru fuqishëm bin Ladenin dhe pasuesit etij” (fq. 22)

10. Mendimi i çuditshëm i priftit grek Metalinos, zbulon një fakt të vërtetë se shtylla kryesore e bashkimit Europian deri tani ka qënë bashkëpunimi franko-gjerman i vendosur gjatë pajtimit midis dy armiqve të dikurshëm, pas LDB. Politikanët dhe diplomatët francezë bezdisen kur u kujton një ide nga "USA Niuz end Uorld Report", 13 qershor 1994, fq. 59 se "kanë qenë SHBA, ato që e mundësuan miqësinë franko-gjermane". Ka shumë prova që tregojnë se "Europa e Madhe" shihet nga qarqet më aktive politike në Europë si një kundërpeshë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimet botërore, pavarësisht se ne na thuhet gjithmonë se kjo gjë bëhet në kuadrin e bashkëpunimit e të solidaritetit euro-antlantik. Kundërshtimi i Leninit ndaj parrullës së Shteteve të Bashkuara të Europës, për hir të socializmit dhe të revolucionit botëror, gati është harruar. Tani ne na jepen leksione për efektet çudibërëse që do të ketë mbi jetën tonë Europa e Bashkuar, që nuk do të ndahet më nga rivalitetet ideologjike, politike dhe ushtarake midis dy sistemeve të kundërt, kapitalist e socialist. Por, përsëri nuk mund të harrojmë ekzistencën e asaj ndarjes për të cilën bën fjalë prifti grek, midis Katolicizmit dhe Ortodoksisë.
Zgjerimi i Bashkimit Europian me 10 anëtarë të rinj ende nuk e shtyn kufirin përtej vijës që ndan vendet katolike nga ato orotodokse, apo përtej "Vijës së Theodhosit" që ndan Perandoritë Romake të Perëndimit e të Lindjes. Gati të gjithë shtetet e përzgjedhura për anëtarësim të ri në BE, në fakt janë vende katolike, me përjashtim të Qipros, për të cilën bëhet ai përjashtim që është bërë me Greqinë më parë.
11. Bashkimi Sovjetik i Leninit, që u ngrit në këmbë në vitin 1922 nën flamurin e socializmit u shemb 70 vite më vonë në mënyrë të papritur dhe të turpshme.Kështu u pastrua nga pengesat ideologjike rruga për të çuar përpara projektin e një Europe të Bashkuar nga Oqeani Antlantik deri në malet Urale. Ëndrrën e kësaj Europe e shprehu disa dhjetëvjetësha më parë udhëheqësi francez, gjenerali Sharl de Gol, në kulmin e politikës së tij të sfidimit të hegjemonizimit amerikan në botën perëndimore. Prej kohësh NATO dhe BE kanë përpunuar strategjitë e tyre të shtrirjes drejt Lindjes nën flamurin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Por ende projektet dhe perspektivat për të shndërruar me lehtësi në një t'ardhme të afërt Bashkimin Europian në një "Europë të Madhe" (Shtetet e Bashkuara të Europës) janë më të brishta e më të dobëta se sa do të dëshironin, apo se sa pretendojnë ata që përpunojnë këtë politikë. Duhet të mbajmë parasysh se ne ende po jetojmë në epokën e shteteve kombëtare. Studiuesi i mirënjohur britanik i problemeve të nacionalizmit, Antoni D.Smith, në librin e tij më të ri "Nacionalizmi, konceptet kyç" (Mbretëria e Bashkuar 2001) ka nënvizuar se zhvillimet në botë "kanë bërë shumë pak për të minuar qendërsinë e kombit dhe të parimeve kombëtare".
Pas analizës së përhapjes së nacionalizmit ai arrin në të tilla përfundime: "Kombi mund të shihet si një bashkim i shenjtë i qytetarëve dhe nacionalizmi si formë e një "feje politike" me tekstet e saj të shenjta, liturgjitë, shenjtorët dhe ritet e veta". Sipas tij "përsa kohë që ruhen themelet e shenjtëruara të kombit ..... për aq kohë identiteti kombëtar do të vazhdojë të sigurojë shtyllat mbajtëse kryesore të botës së sotme". Bashkimi Europian nuk mund t'i shpëtojë shpejt kësaj logjike në përpjekjet për t'u kthyer shpejt në një "Europë të Madhe" ose "Shtete të Bashkuara të Europës".
12. Ka, pra, arsye të mjaftueshme për të menduar se për kombet e shtetet në përgjithësi dhe për Shqipërinë apo Turqinë në veçanti (meqënëse këto dy vende trajtohen si "kushërinjtë e varfër" në familjen europiane, për shkak të popullsive të tyre myslimane) projektet e perspektivat për të hyrë në Bashkimin Europian në asnjë mënyrë nuk duhet të zënë vendin e detyrimit e të vullnetit për të çuar përpara dhe për të mbrojtur të drejtat e interesat e tyre kombëtare. Asnjë vend nuk mund të integrohet plotësisht dhe me sukses në Europë, as të përfitojë nga ky integrim, pa arritur më parë një nivel zhvillimi dhe stabiliteti, pak a shumë të krahasueshëm dhe konkurues me nivelin e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Është ende shumë herët për shqiptarët që të jenë optimistë e entuziastë të mëdhenj për idenë dhe mundësinë se shumë shpejt rryma e vrullshme e integrimit europian do t'i çojë ata në brigjet e lumtura të një Europe të Bashkuar. Ky arsyetim disi skeptik nuk duhet të mirret si një synim për të gjykuar keq për rëndësinë që ka hyrja në BE për vende të tilla si Turqia apo Shqipëria, të cilat po ndeshen me shumë pengesa në këtë rrugë. Nuk është fjala as për një orvajtje për të gjykuar keq përpjekjet drejt "Europës së Madhe". Është vetëm një shprehje e shqetësimit se në disa raste një integrim i parakohshëm dhe i nxituar për vendet më të dobëta mund të sjellë ngarkimin me një barrë më të rëndë .

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme