JASHAR BEJ SHKUPI

Shkupi gjatë kohës osmane ka dhënë personalitete të shumta, të përmasave që kalojnë nivelin lokal e rajonal. Ndër ata që me emrin dhe veprën e vet kaluan kufijtë e vendlindjes, ishte edhe Jashar Bej Shkupi (Ya?ar  Bey). Për fat të keq nuk kemi të dhëna të hollësishme për një biografi të plotë. E dimë se lindi në vitin 1860 në qytetin e Shkupit, në kohën e Shtetit Osman. I përkiste familjes shqiptare të Kumbarajve, e cila ishte e njohur në krahinën e Shkupit dhe më gjerë. U rrit dhe u shkollua tradicionalisht në Shkup.


Jashar bej Shkupi ishte një politikan, patriot dhe ideolog i kohës qysh në rini të tij. Ai ishte një politikan dhe figurë publike e njohur, prandaj edhe si 18 vjeçar ishte delegat dhe pjesëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878. Jashar beu u bashkua me grupin autonomist të Lidhjes së Prizrenit dhe u angazhua për jetësimin e vendimeve të Kuvendit të Dibrës për hapjen e shkollës së parë shqipe në Shkup në fund të vitit 1878. Një kohë ka qenë kryetar i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Sanxhakun e Shkupit. Jashar Beu ishte ndër anëtarët këmbëngulës dhe kryesorë për themelimin e Gjykatës në kuadër të Lidhjes së Prizrenit në Sanxhakun e Shkupit.

Jashar Bej Shkupi iu priu forcave luftarake të degës së Lidhjes më 4. 12. 1880, duke penguar forcat osmane për të depërtuar në Shkup, që historikisht quhet si çlirimi i Shkupit në kuadër të Lidhjes së Prizrenit. dhe prefekt i Shkupit nga muaji dhjetor në vitin 1880 deri në muajin prill të vitit 1881. Në këtë kohë Jashar Beu bëhet prefekt i Shkupit nga muaji dhjetor në vitin 1880 deri në muajin prill të vitit 1881, ndërsa administratën osmane e zëvendësoi me atë të Lidhjes së Prizrenit.  

Në vitin 1881 Jashar Beu u burgos nga forcat ushtarake osmane dhe u dërgua për vuajtje të dënimit në Kështjellën Rodos.

Jashar Beu dha kontribut të madh në financimin e arsimit shqip dhe në çështjet politike-shoqërore në Shkup e Maqedoni. Me mjetet e veta materiale bëri renovimin e objekteve e monumenteve kulturore-historike të Shkupit. Sipas të dhënave historike, mbishkrimit në Bezistan, në vitin 1892-1893, Jashar Beu, bashkë me Husein Beun dhe Osman Beun, bënë restaurimin e Bezistanit në Shkup.

Jashar Beu vdiq në vitin 1919 në Stamboll në moshën 59 vjeçare. Aktivitetin e tij atdhetar e vazhdoi djali i tij, Emin Bej Kumbara, i cili ishte delegat i Klubit Bashkimi të Shkupit në Kongresin e Manastirit në vitin 1908.

Në vitin 2008, Komuna Çair, Shkup, dëshiroi që në shtëpinë e Jashar Beut të vendosej një muze “i lirisë”. Pas kundërshtimeve dhe përkrahjeve ideja për një kohë shkoi huq. Nga të dhënat historike thuhet se Jashar Beu ndërtoi shtëpinë e tij rreth vitit 1885, në vendin e shtëpisë së mëparshme familjare, e cila ishte shkatërruar nga zjarri. Më vonë shtëpia i përkiste nipërve dhe mbesave të tij deri në vitin 2003, kur ajo u shit për një emigrant që jetonte në Zvicër. Në vitin 2007, për t’ju shmangur ndërhyrjeve dhe transformimeve të objektit, objekti u vendos nën mbrojtje, si një objekt me rëndësi historike dhe kulturore. Por me ndërrimin e qeverive, shtëpia u shndërrua në muze, kurse në të janë paraqitur eksponate nga periudha e Lidhjes së Prizrenit në 1878 deri në konfliktin maqedono-shqiptar të vitit 2001. Artefaktet përfshijnë armë të vjetra, fotografi, monedha, dokumente, uniforma të ULAK-së dhe flamuj.


Në vitin 2019, në nder të tij Posta e Maqedonisë e lëshoi në qarkullin një pullë postare me pamjen e Jashar Bej Shkupit.

Pos kësaj në kohët e sotme në Shkup, në lagjen Dyqanxhik, në Çair, gjendet një shkollë fillore me emrin e tij, e ndërtuar në vitin 1959, nuk ka ndonjë shenjë tjetër për përkujtimin e jetës dhe veprës së tij.

 ________________________

Lit:

https://cair.gov.mk/jashar-bej-shkupi/.

https://bg.wikipedia.org/wiki/%D0%AF%D1%88%D0%B0%D1%80_%D0%B1%D0%B5%D0%B9_%D0%A8%D0%BA%D1%83%D0%BF%D0%B8.

https://sq.wikipedia.org/wiki/Jashar_bej_Shkupi.

https://peoplepill.com/people/jashar-bej-shkupi.

Skënder Asani, Jashar Bej Shkupi, në: Fjalori Enciklopedik i Kosovës, vëll. II: L-ZH, ASHAK, Prishtinë, 2018, fq. 1602.

Skënder Asani & Isak Sherifi, Jashar Bej Shkupi në burimet e kohës, në: Konferencë shkencore ndërkombëtare Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 10 qershor 2018, Prizren.’

Shkruan: ISN

Revista Shenja nr. 120, prill, 2021, Shkup

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme