Në kohën e teknologjisë së lartë në çdo çast mund ta vrojtojmë botën dhe gjithësinë, shumë shpejt e lehtë i përcjellim ndryshimet kozmike, por vështirë i shpjegojmë ato. Ngushëllim duhet të gjejmë në librat e shenjtë.
Shekulli XX dhe, sidomos, XXI është i alarmuar për kolapsin jetësor ose për rrëshqitjen drejt kolapsit shpirtëror dhe fizik. Ngrohja globale, si pasojë e degradimit të natyrës, përdorimi i helmeve e armëve, mungesa e ujit të pijshëm, erozionet e shumta, si dhe prodhimet hibride në vrap për sasi dhe fitim, i kanë rritur parametrat e frikës për të ardhmen.
Dy-tre dekadat e fundit e, sidomos viti 2020, janë nën dominimin e sëmundjeve ngjitëse, siç është së fundi i ashtuquajturi “korona-virus”, i cili po merr qindra-mijëra jetë në të gjitha kontinentet brenda një kohe të shkurtër dhe janë zërat gjithnjë e më të fortë se kjo sëmundje është drejtpërdrejt ose tërthorazi dorë e njeriut. Mirëpo, në këtë gjendje të rënduar jetësore është mirë ta përkujtojmë një ajet kur’anor, ku në një mënyrë të tërthortë flitet për “shtatë shenjat të cilat vazhdimisht përsëriten” ose “mbi shtatë çudi të cilat përsëriten në mënyrë të përhershme.”
Ajeti në fjalë është: “Dhe Ne të kemi dhënë shtatë ajete që përsëriten, dhe Kur’anin e madhërueshëm”(El-Hixhr, 87) dhe mendojmë se është ndër ato që nuk “flirtojnë” me njeriun, por që shpesh e zgjojnë dhe e zemërojnë në gjendjet e vështira të tij, siç i thuhet nga Kur’ani se “Ne do të dërgojmë, njëmend, fjalë të rënda”, “kavlenthekilen – fjalë të rënda”. (El-Muzzemmil, 5) (Shkrimi ynë paraqet një lloj interpolimi të shkrimit të akademikut Enes Kariq, Sedam neprestanih znakova, në: https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/teme/sedam-neprestanih-znakova-542871.)
Njeriu brenda natyrës së vet
Në gjuhën arabe, pra në gjuhën kur’anore, këto shtatë ajete (shenja) quhen “seb’anmin’el-methani – shtatë ajete që përsëriten” (shtatë shenja, shtatë çudira, shtatë prova ose shtatë argumente, të cilat / të cilat përsëriten. Por, krahas kuptimit gjuhësor, ç’kuptim kanë këto fjalë, kjo pjesë e ajetit kur’anor? Përkthyesit kryesisht i janë përmbajtur përkthimit të zakonshëm, tradicional, ndërsa ne po i përmendim përkthimet kryesore shqipe, boshnjake, angleze, për të parë si e kuptojnë ata këtë pjesë të ajetit:
– Ne të kemi shpallur shtatë ajete që përsëriten, edhe Kur’anin e madhërueshëm. (FetiMehdiu)
– Ne të kemi dhënë ty shtatë (ajete) që përsëriten (Fatiha përsëritet në rekate të namazit) edhe Kur’anin e madhërueshëm. (Sherif Ahmeti);
– Na të kemi shpallë ty shtatë ajete, që përsëriten dhe Kur’anin e madhërueshëm. (HasanNahi);
– Dhe, sigurisht, Ne të kemi dhënë shtatë (ajetet) e shumëpërsëritura dhe, (në këtë mënyrë, të kemi hapur përpara) këtë Kur’an të lartë. (Muhammad Asad, shqip);
– Të dhamë shtatë të përsëriturat dhe Kur’anin e Madhëruar. (Salih F. Hoxha);
– Ne t’i kemi shpallur shtatë ajete, të cilat përsëriten, dhe Kur’anin madhështor po ta shpallim. (Besim Korkut, bosh.);
– Dhe ty të kemi dhënë shtatë ajete, të cilat përsëriten, dhe po ta shpallim Kur’anin Madhështor. (Enes Kariq, bosh.);
– Dhe Ne ju kemi dhuruar shtatë (ajete) të përsëritura dhe Kur’anin e Madh. (JusufAli, angl.);
– Ne ju kemi dhënë shtatë prej shumë ajeteve të përsëritura dhe Kuranin e Shkëlqyeshëm. (M. Pickthall, angl.);
– Dhe Ne pa dyshim ju kemi dhënë shtatë të përsëritura dhe Kur’anin e Madh. (S. H. Nasr, angl.).
– Ne ju kemi dhënë shtatë (ajete) të përsëritura shpesh dhe Kur’anin e Madh. (Artur Xh. Arberry, angl.)
Shumë komentues të Kur’anit “shtatë shenja që përsëriten” pohojnë se janë shtatë ajetet e sures “El-Fatiha”, surja e parë, hyrëse e Kur’anit. Kjo domethënie është e shtrirë dhe ka vendin e vet. (Komentuesit e Kur’anit mendojnë se ky ajet ka të bëjë edhe me tërë mësimin kur’anor. Ibn Kethiri mendon se “shtatë ajetet” nënkuptojnë suren El-Fatiha. (Shiko gjerësisht: Prijevod Kur’ana sa tefsirom i komentarom na bosanski jezik, libri 3, Munih, 2001, fq. 1034, fusnota148.)
(Të gjitha përkthimet e cekura janë të disponueshme në internet dhe nuk i kemi cekur veç e veç, për arsye të hapësirës.)
Por, lexuesin duhet vetëdijesuar se Kur’ani nuk është njëdimensional, njëkuptimor dhe domethëniet e tij nuk konsumohen në një kuptim, por ka edhe rrafshe të tjera, për çka Kur’ani flet qartë. Ai nuk vlen vetëm për shekullin VII e VIII dhe nuk mbyllet në perceptimin e brezit të parë, të dytë e të tretë, por edhe për shekujt XXI, XXII e pas. Çdo brez dijetarësh do të gjejnë domethënie që syri dhe zemra e shekujve të mëhershëm nuk ka arritur t’i kapë. (Një modernist që vlerëson të kaluarën, një reformator që nuk ekzagjeron, por që vlerëson realisht: Husein Djozo, Islam u vremenu, Sarajevë, 1976; Husein Djozo, Izabranadjela, I-V, Sarajevë, 2006.) Ka nga ata që mendojnë se ky ajet e ka kuptimin edhe për shtatë llojet e dënimeve dhe kataklizmave, të cilat në cikle të përsëritshme e vizitojnë njerëzinë dhe ne ndeshemi me to në forma e mënyra të ndryshme. Akademiku boshnjak E. Kariq pohon se veprat mbi Kur’anin në gjuhën angleze këto dënime e këto kataklizma në Kur’an i quajtën “(the) punishmentstories” (tregime mbi dënimet). (Enes Kariq, Sedam neprestanih znakova, po aty.) Surja Esh-Shu’ara (Poetët) përmban shtatë tregime mbi dënimet hyjnore. Prandaj, maksima ‘shtatë ajete që përsëriten’ (El-Hixhr, 87) tregojnë drejtpërdrejt në “shtatë lloje të katastrofave”, në “shtatë lloje të kataklizmave”, të cilat, sipas edhe Kur’anit (dhe Biblës), gjithnjë ndodhin në Tokë, më herët dhe tash, pa ndërprerje.
Këto ndodhi, qoftë i quajmë “shtatë rrëfime”, “shtatë dënime”, “shtatë shenja”, “shtatë tregime” ose, në përgjithësi, i quajmë fatkeqësi, aksidente, vrasje, ato e godasin shumë rëndë njerëzinë (kurse teologët këtë e thonë me një gjuhë më lakonike: i edukojnë dhe i disiplinojnë njerëzit).
Nëse e lexojmë me vëmendje Kur’anin, shtatë shenjat janë:
- Tërmetet (ez-zilzal, er-rexhfeh), erozionet, kërcënimet, dridhjet e ndryshme;
- Zjarret (el-ihrak), të cilat i shkaktojnë erërat e thatësisë e të gjitha llojeve (el-i’sar), ciklonet dhe stihitë e zjarreve;
- Vërshimet (et-tufan), përmbytjet, cunamet, ujërat nëntokësorë, detet dhe lumenjtë e trazuar;
- Shirat (el-emtar), kohët e rënda, ngricat etj.;
- Vetëtimat (er-ra’d, es-sajha), erërat (er-rijah), shtrëngatat, tornadot etj.;
- Sëmundjet infektuese (ed-darra’, el-emrad), agresiviteti i bishave, karkalecave, gjarpërinjve, zvarranikëve, rriqrave, viruseve etj.
- Luftërat (el-hurub, el-kital), gjenocidet, dëbimet (ihraxh) dhe trazimet e rebelimet ndërnjerëzore.
Sipas historisë së katastrofave të ndryshme, shohim që fatkeqësia vjen prej ujit, zjarrit, tokës dhe ajrit. Ato elemente që i gjejmë edhe te grekët e lashtë, semitët etj.
Zëri i kthjellët i Islamit
Një pjesë e madhe e Kur’anit zë vend në dënimin e “shtatë llojeve të dënimit”, të cilat e godasin përhershmërisht njerëzinë. Ajeti i cekur më lart i sures El-Hixhr (nr. 87) është mjaft eklatant për “ata të cilët mendojnë.”
Në kohën e teknologjisë së lartë në çdo çast mund ta vrojtojmë botën dhe gjithësinë, shumë shpejt e lehtë i përcjellim ndryshimet kozmike, por vështirë i shpjegojmë ato. Ngushëllim duhet të gjejmë në librat e shenjtë, në Kur’an, i cili ka natyrë të çiltër, të kthjellët, optimiste dhe mund të ndihmojë në gjetjen e rrugës së drejtë, që i promovon parimet e drejtësisë, e jo të frikësohemi me Kur’an, ta konsiderojmë si një libër të mesjetës, libër obskurantist, që i ka kaluar koha. Prandaj duhet zgjeruar mendimet optimiste, pikëpamjet e shëndosha, sepse Islami predikon për Zotin si të mëshirshëm dhe udhëzues e jo dënues e shkatërrues. Po të ndiqej Kur’ani në tërësinë e tij, njerëzia do të përballej me gjera pozitive e të dobishme dhe jo me tragjeditë, shkaktarë të së cilave janë njerëzit, si degradimi i natyrës, degradimi i njeriut etj. Njeriu është mëkëmbës i Allahut në Tokë dhe me dijen dhe urtësinë që ka ai duhet ta vë në dobi të tij çdo gjë që ekziston, tokën, qiejt dhe çdo gjë në to:
“Allahu është ai i cili ka ngritur qiejt pa asnjë shtyllë, i shihni, pastaj, mbisundoi me gjithësinë. Edhe Diellin edhe Hënën ua ka nënshtruar; secili lëviz deri në afat të caktuar, Ai rregullon tëra çështjet dhe në hollësi shpalon argumentet, ndoshta bindeni se keni për të dalë para Zotit tuaj!” (Er-Ra’d, 2)
“Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me qëllim të plotë; Ai e mbështjellë natën në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin deri në kohë (shkallë) të caktuar. Ah, Ai është i Fuqishëm dhe Falës.” (Ez-Zumer, 5)
Kur’ani është minierë e kuptimeve dhe nuk mbyllet vetëm me një domethënie. Prandaj, shtrirja edhe në kuptime të tjera është detyrim intelektual. Komentuesit e Kur’anit duhet të hulumtojnë në thellësinë e ajeteve, si të veçuar dhe si tërësi, për nivelin e hershëm, por edhe për kohën deri në Fundin e Botës.
Burimi: