Islami dhe epoka shekullare

“Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen” kanë bashkëpunuar për të siguruar një seancë pyetje-përgjigje, e cila është vazhdim i hulumtimeve dhe punimeve të Institutit Yaqeen, duke i lejuar lexuesit kontakt të mëtejshëm me autorin. Në këtë artikull, ne patëm rastin për t’i bërë pyetje Dr. Khalil Abdurrashidit në lidhje me artikullin e tij, Islami dhe Epoka Shekullare: Midis Sigurisë dhe Pasigurisë.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Si ka ndikuar shekullarizmi në perspektivën muslimane në veprimet e adhurimit, veçanërisht në agjërimin e Ramazanit?

 

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Në shumë raste, shekullarizmi ka ndikuar në veprimet tona të adhurimit duke e copëtuar dhe rrëgjuar kuptimin e adhurimit. Pra, adhurimi në lidhje me namazin është diçka e bërë vetëm në kohë të caktuara dhe më pas, vetëdija mbi Zotin, që është qëllimi i lutjes, humbet. Me agjërimin, shpirti gjithashtu humbet, sepse agjërimi rrëgjohet në humbje të peshës ose në grykësi gjatë natës. Ne qëndrojmë të uritur gjatë ditës dhe mbushim barqet gjatë natës, pa e kuptuar që sekreti i të agjëruarit ndodhet në ruajtjen e një maturie (mesatareje) dhe frenimin e oreksit tonë për ngopje. Shekullarizmi, pra, na zhvesh nga praktikat shpirtërore prapa ritualeve tona dhe na lë nëse nuk jemi të kujdesshëm, me një perspektivë të zbrazët drejt praktikimit të Islamit.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Një përgjigje mbi qasjen laike ndaj dijes ka qenë islamizimi i dijes, i cili kërkon të "praktikojë veprimtari të bazuar në njohuri (zbulim, mbledhje, kompozicion dhe publikim) nga një këndvështrim islam." Si mund të fillojmë t’i rregullojmë praktikisht lëndët që studiojmë për t’u përshtatur brenda një epistemologjie islame të përqendruar rreth tevhidit dhe të ndërtuara mbi Jekinin?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Ne duhet ta kujtojmë se epistemologjia islame përfshin katër metoda. Tre nga këta katër metodat janë empirizmi, racionalizmi dhe shpallja hyjnore. Të tre duhet të përfshihen në procesin e të mësuarit. Epoka laike, përsëri, e bën ndarjen dhe ndan secilën në një fushë të veçantë - me një ndarje të ashpër midis shpalljes hyjnore nga njëra anë dhe empirizmit dhe racionalizmit nga ana tjetër. “Jekin” në procesin e të mësuarit shfaqet kur të tre mekanizmat veprojnë së bashku. Islamizimi i dijes është ndërthurja e të tre sistemeve epistemike të përvetësimit të diturisë në një simfoni harmonike që forcon dhe gjallëron idenë se, ekziston vetëm një Krijues dhe Mbështetës i të gjitha gjërave është vetë Allahu. Kur të pesë shqisat (empirizmi), arsyeja (racionalizmi) dhe shpallja (revelacioni) janë të përdorura nga qenia njerëzore për të hyrë në botë dhe gjithçka në lidhje me të, atëherë del e vërteta (hakk, bindja reale), dhe bindja (jekin) që qëndron pas asaj se vërtet fillon të lulëzojë. Kjo në Kur’an quhet "ilm ‘ul-Jekin" ose bindja intelektuale.

Aspekti i katërt i epistemologjisë islame është njohuria që fitohet nga përvoja e përjetuar shpirtërore. Kjo në Kur’an quhet "ajn ‘ul-jekin" (bindja vizuale). Kjo del nga rastet që një person përjeton, e të cilat nxisin njohuri të pamohueshme, por shpesh herë edhe njohuri të pakapshme për një çështje. Për shembull, rënia në dashuri është një shembull i mirë. Është e pamundshme të demonstrohet por megjithatë, sigurisht është e përjetuar. Nuk është një çështje empirike, as racionale, as shpallje vetvetiu, por, plotësisht eksperimentuese dhe mund të jetë gjithashtu shpirtërore. Prandaj, islamizimi i njohurive, i ngritur mbi bindje (jekin) përfshin të katër metodat e përvetësimit të njohurive (arsyeja, shkenca, shpallja hyjnore dhe përvoja) në procesin e të mësuarit dhe mësimdhënies.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Si të fillojnë muslimanët, të cilët jetojnë në një shoqëri laike, të hulumtojnë “bindjen” dhe në të njëjtën kohë, të shmangin alternativa të shumta joshëse te cilat u paraqiten atyre? A nuk do të na heshtte menjëherë bollëku i alternativave të dyshimta nga kërkimi i mëtejshëm i bindjes?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Ne së pari duhet të përqafojmë dyshimin tonë, jo ta mohojmë atë. Pas përqafimit të dyshimit tonë, ne duhet të fillojmë një qasje islame ndaj dijes, dhe ky është kuptimi i shprehjes “Ikre’” - "Lexo". Mos e harroni ajetin e dytë: "Lexoni në emër të Zotit tuaj i cili ka krijuar.” Të lexuarit si veprim është racional dhe empirik, dhe madje edhe zbulues kur lexojmë me një vlerësim të kërkimit të Allahut. Nëse e përqafojmë dyshimin tonë, por e mbushim atë me qasje laike për të "lexuar" dhe mësuar, kurrë nuk do të tejkalojmë dyshimet, por përkundrazi, thjesht bëhemi dyshues më të sofistikuar - sofistë të lavdëruar. Sofisti i lavdëruar prodhon një kakofoni të zhurmës duke menduar se ata kanë orkestruar një simfoni. Tingulli nuk është harmoni dhe informacioni nuk është njohuri. Njohuria heq dyshimin, por shumë herë ne zëvendësojmë informacionin për dije dhe presim që ajo të funksionojë në të njëjtën mënyrë. Muslimanët që jetojnë në një epokë laike janë përmbytur me informacione dhe i shtojnë asaj epokën dixhitale ku jetojmë dhe aksesi në informacion është i ndërlikuar. Informacioni është i disponueshëm, duke kërkuar as praktikë, as synim dhe sinqeritet. Ajo është e ndarë nga historia dhe morali dhe për këtë arsye konsumatori i informacionit nuk mësohet të reflektojë dhe të mendojë thellë për të. Konsumohet dhe hidhet së shpejti. Njohuritë, megjithatë, janë të ndryshme. Ato kërkojnë praktikë që e forcon atë, i jep jetë asaj, lejon që ajo të rritet, dhe në këtë mënyrë bëhet dritë për praktikuesin e saj. Drita ndriçon dhe për këtë arsye mendja dhe depërtimi i personit janë ndriçuar, gjë që prodhon njohuri të reja të lëvruara atyre. Allahu në Kur’an thotë: “Ai është Drita e qiejve dhe Tokës” (En-Nur-35). Drita nga dija është një dhuratë nga Allahu dhe kjo dhuratë ndriçimi është gjithashtu një dhuratë e dijes. Ajo e fshin dyshimin dhe e zëvendëson atë me bindje. Informacioni, nga ana tjetër, thjesht zëvendëson informacionin me informacione të reja. Informacioni më i mirë konsiderohet i azhurnua (freskuar)r, por të azhurnuarit nuk është si të jesh ilustrues. Kjo është arsyeja pse Muhammedi a.s. tha: "Kërkimi i dijes është detyrim për çdo musliman dhe muslimane." (Ibn Maxhe, Sunen, nr. 224)

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Si mendoni se gjuha, veçanërisht ajo e njerëzve të fesë, ndikohet nga depërtimi i paragjykimeve shekullare? Si do ta shpjegonit Ramazanin për dikë pa hasur në këtë problem?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Gjuha është problem vetëm kur nuk prodhon koncepte të duhura. Pejgamberi a.s tha: "Flisni me njerëzit sipas aftësisë së intelektit të tyre." Pejgamberi ynë, s.a.v.s., u foli njerëzve që nuk ishin njerëz të besimit. Gjetja e koncepteve të duhura është e rëndësishme, por ajo që na bashkon është se ne jemi të gjithë qenie njerëzore dhe Islami është për njerëzimin dhe për këtë arsye të gjithë njerëzit janë të aftë të kuptojnë mësimet e tij. Shpjegimi i Ramazanit kërkon një konceptim të duhur për rëndësinë e stërvitjes së vetvetes (nefsit). Kjo gjithashtu nënkupton të kuptuarit e konceptit kur’anor se çfarë do të thotë të jesh njeri, dhe, ndërsa gjuha mund të pengojë pa dyshim, gjuha është vetëm një shprehje e koncepteve tona dhe sa mirë jemi në gjendje t'i artikulojmë ato konceptime.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Cilat alternativa ndaj modelit laik të shtetit-komb mund të shohim të lindnin në vendet me shumicë muslimane në të ardhmen e afërt? A mendoni se mund të vijë ndonjëherë një Bashkim Mbikombëtar i vendeve islame (ngjashëm me Bashkimin Evropian)?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Derisa udhëheqësit muslimanë të miratojnë kornizat e reja që merren me qeverisje efektive, të qëndrueshme dhe të drejtë, në vend të vetëm "qeverisjes", nuk do të merren parasysh strukturat alternative politike. Aktualisht, sunduesit muslimanë i shikojnë të gjitha alternativat përmes prizmave ekonomike, jo politike, fetare ose sociale. Çelësi për ta reformuar rendin politik është ta riformulojmë atë dhe çelësi i riformulimit të tij është zhvillimi i ndërmarrjeve tregtare të pavarura dhe qytetari që paguan taksat. Kur pasuria monopolizohet nga qeveritë, ju keni fituar diktaturat (madje edhe nën maskën e demokracisë). Por, kur pasuria shpërndahet, dhe qytetarët paguajnë taksat, qeveritë e tyre mbahen përgjegjëse dhe ekzistojnë mekanizma për t'i mbajtur nën kontroll qeveritë, kur mbështeten në paratë nga biznesi dhe publiku. Alternativa e vetme do të ishte ringjallja e vakëfeve (wakf), zhvillimi i sipërmarrjes së pavarur në një shkallë të madhe dhe pavarësia e sistemeve arsimore për t’i trajnuar intelektualët muslimanë.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Cilat janë mënyrat që duhet të përgjigjen muslimanët kur perceptohen  si "ekstremistë" për ushtrimin e obligimeve dhe detyrave të tyre fetare? E pyes këtë në një nivel individual, por edhe në kontekstin e mbajtjes nën mbikëqyrje të miliona muslimanëve ujgurë në kampe kineze përqendrimi, shumë prej të cilëve (përfshirë dijetarët) u shenjëstruan nga autoritetet kineze për praktikimin e Islamit.

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Kjo kërkon një përgjigje politike dhe ekonomike. Kuptimi politik - udhëheqësit muslimanë dhe sundimtarët e vendeve me shumicë muslimane duhet të fillojnë të shprehin shqetësime për gjendjen e pakicave muslimane të shtypura. Ata vetëm mund të flasin me pushtetarët shtypës, por problemi është se shumë udhëheqës muslimanë vetë shtypin popullsinë e tyre në mënyra të ndryshme. Ekonomia dhe sanksionet financiare në atë bojkot mund të jenë mjaft të efektshme, por keni nevojë për mbështetje të gjerë që ai të jetë efektiv. Si muslimanë të rregullt, adresimi ynë më i mirë është duaja, veçanërisht gjatë kohës dhe në vendet më të bekuara. Dhjetë netët e fundit të Ramazanit, për shembull, duhet të kalojnë duke bërë dua për muslimanët ujgurë në Kinë dhe muslimanët e tjerë të shtypur në tërë Globin.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Kur umeti ishte në një pozitë më të fortë nga pikëpamja gjeopolitike, paradigma e Dar ‘ul-Islamit dhe Dar ‘ul-Harbit ndihmoi në inkuadrimin e rregullave islame dhe ofrimin e një botëkuptimi. A mendoni se ky konceptim është akoma i rëndësishëm në botën moderne të shteteve-kombe? A ka ndonjë alternativë tjetër për ta parë botën që ju e sugjeroni?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Jo, ne kërkojmë një botë të re sot. Nuk po them që modeli klasik duhet të hidhet jashtë, por ai duhet të zhvillohet më tej. Kjo është vepër e teoricienëve politikë muslimanë.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Si i rekomandoni muslimanët të heqin dorë nga lidhjet ndaj organizatave dhe të fillojnë ta kuptojnë Islamin në mënyrë të pavarur nga këto ide? A ka disiplina të veçanta tradicionale që ju rekomandoni?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Lexoni vepra si të Ibn Haldunit për njohuri të sociologjisë, ekonomisë dhe sistemeve të qeverisjes; të Ibn Tufejlit për njohuri në edukim dhe dëmin e institucionalizimit të fesë, të Ibn Rushdit për njohuri në filozofi dhe ligj si mjet për qeverisje më të mirë politike, të Gazaliut për njohuri në ndërdisiplinimin e dijes dhe praktikës islame dhe Malcolm X-it dhe gruas së tij, Betty Shabazz, për njohuri se si besimi riimagjinohet dhe forcohet për pakicat.

 

  • “Traversing Tradition” dhe “Instituti Yaqeen”:

Ju përmendni në një artikull që teoria e mendjes së mishëruar të Iluminizmit çoi në shfaqjen e shpirtit dhe nocionin e transcendencës. A mund të flisni për konceptin e shpirtit në Islam, si dhe për përmbajtjen e tij? Nga ky këndvështrim, unë kërkoj si vijon:

Allahu na thotë në Kur’an se neve na është dhënë pak ndonjë informacion për shpirtin. Ajo që ne dimë është se shpirti është lënda e jetës që gjallëron qeniet njerëzore dhe që ka aftësi në kundërshtim me egon (nefsin). Shpirti harxhon energji të pastër dhe kjo energji është përkujtimi i Allahut (i quajtur dhikr dhe fikr). Ushqimi dhe vijimi i dëshirave ushqen egon, por privon shpirtin nga ushqimi i tij. Si duhet ta kuptojnë muslimanët dhe ta ndiejnë qenësinë e tyre të brendshme? Si mund ta rindërtojnë disa muslimanë një kuptim më të pasur të përvojës së tyre të brendshme dhe të jashtme të jetës? Si mund të përfshijnë muslimanët përvoja transcendente në jetën e tyre dhe respektimin e tyre fetar?

  • Dr. Khalil Abdurrashid:

Për t'iu përgjigjur këtyre tre pyetjeve, gjithsej, ne të gjithë kemi prirje brenda nesh që na paralajmërojnë  në vetvete. Këto prirje janë më të animuara kur falemi dhe agjërojmë. Ata janë rianimuar kur bëjmë vepra të mira për hir të Allahut. Ato kultivohen dhe forcohen sa herë që angazhohemi në përkujtimin e Allahut. Ne e përmirësojmë pasurinë e jetës sonë të brendshme duke forcuar besimin tonë në Allahun, duke reflektuar në mënyrë aktive fuqinë dhe praninë e Allahut në botë, dhe duke kujtuar në mënyrë aktive Allahun gjatë ditës dhe natës rregullisht. Kjo arrihet përmes leximit të Kur’anit, dhikrit të Allahut, bërjes së namazit, vizitimit të varreve dhe sjelljen ndërmend të fundit tonë të pashmangshëm, duke ndenjur në shoqërinë e atyre që janë të përshpirtshëm, duke udhëtuar rregullisht dhe duke reflektuar mbi mrekullitë e Allahut; udhëtimi për shtegtimin kryesor dhe/ose të vogël; duke reflektuar në tregimet e pejgamberëve të së kaluarës dhe së fundi, duke bërë sa më shumë vepra të mira sa më tepër që të jetë e mundur, gjatë ditës dhe natës.[2]

 

Përktheu nga gjuha angleze: Ikrame Ibrahimi



[1] Dr. Khalil Abdurrashid është kapelani (chaplain) i parë musliman i rregullt në Universitetin Harvard, Instruktor i Studimeve Muslimane në Divinity School të Harvardit dhe ligjërues i Politikave Publike në Harvard Kennedy School of Government. Ai, gjithashtu, shërbeu si imam për disa vjet në qytetin e New York dhe disa vjet si ligjërues rezident në një qendër islame të njohur në Dallasin Verior. Ai, së bashku me gruan e tij, është bashkëthemelues i Seminarit Islam të Amerikës në Dallas dhe ka punuar si instruktor i Studimeve Islame në Programin Master të Studimeve Liberale në Universitetin Southern Methodist.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme